Connect with us

Lajme

Dodik e Vuçiq përsëri kërkojnë “shpëtim” në Moskë

Pavarësisht sanksioneve perëndimore dhe izolimit politik, liderët e entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, dhe të Serbisë – Millorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq – vazhdojnë të mbajnë kontakte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.

Edhe pse këto takime janë të shpeshta, analistët vlerësojnë se ato shërbejnë më shumë si një mesazh për Perëndimin sesa si mbështetje konkrete nga Moska.

“Mendoj se ajo që kërkojnë është mbështetje simbolike nga Putini për t’i frikësuar evropianët dhe për t’ua bërë me dije se është në interesin e tyre të mos ushtrojnë më shumë presion as ndaj Vuçiqit e as ndaj Dodikut”, tha për Radion Evropa e Lirë Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin.

Dodik, i cili së fundi nuk e ushtron më funksionin e presidentit të Republikës Sërpska pasi iu hoq mandati me vendim gjyqësor të formës së prerë, në një intervistë për median ruse Sputnik ka paralajmëruar se “së shpejti” do të udhëtojë për në Rusi dhe se gjatë tetorit pritet të takohet me Putinin.

Nga Rusia, sipas tij, do të kërkojë që të vendosë veto për vazhdimin e mandatit të misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian në Bosnjë – EUFOR Althea – për të cilin çdo nëntor votohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këtë javë do të udhëtojë për në Pekin, ku do të takohet me liderin kinez, Xi Jinping, dhe presidentin rus, Vladimir Putin, bëri të ditur zyra e tij për media.

Vizita në Kinë ndodh në një kohë kur në Serbi prej dhjetë muajsh po zhvillohen protesta, ku kërkohet përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 personave pas shembjes së strehës prej betoni të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.

“Vuçiqi dhe Dodiku duan reagim nga Brukseli e Londra, jo nga Moska”

Analisti Toby Vogel vlerësoi se takimet e Vuçiqit dhe Dodikut me Putinin nuk kanë për qëllim vetë Moskën, por synojnë të nxisin reagim nga Brukseli dhe Londra.

“Prej vitesh dëgjojmë se nuk mund të ushtrohet shumë presion ndaj Vuçiqit apo Dodikut, sepse, nëse e bëjmë këtë, rrezikojmë t’i humbim ata. Ata, gjoja, do t’i kthehen Lindjes dhe ne nuk e duam këtë. Por, ky narrativ asnjëherë nuk ka qenë bindës, dhe Perëndimi duhet t’i japë fund kësaj qasjeje”, tha Vogel për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se edhe pa ndikimin e Rusisë, Bashkimi Evropian deri tani ka qenë “shumë i dobët në kritikën ndaj Vuçiqit” për shtypjen e protestave në Serbi dhe se nuk ka pasur pasoja për autoritetet në Beograd.

“Vuçiqi do ta ketë shumë të vështirë të dalë i paprekur nga kjo krizë politike, dhe asnjë udhëtim në Kinë apo Rusi nuk do ta ndryshojë këtë”, theksoi Vogel.

 

Sa i përket Dodikut, Vogel tha se situata ligjore është krejtësisht e qartë, por jo edhe në terren, veçanërisht kur të mbahen zgjedhjet e parakohshme për president të entitetit të Republikës Sërpska.

“Ju nevojiten autoritetet lokale, entiteti dhe komunat në Republikën Sërpska për të organizuar fizikisht këto zgjedhje. E nëse ato vendosin të qëndrojnë pranë Dodikut, atëherë kjo do të jetë shumë e vështirë”, paralajmëroi ai.

 

Çfarë nënkupton mbështetja ruse në Ballkanin Perëndimor?

 

Politologu nga Sarajeva, Adnan Huskiq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, u përgjigj me kundërpyetje: çfarë do të thotë për këdo në Ballkanin Perëndimor të ketë mbështetje nga Rusia?

 

“Unë me të vërtetë nuk shoh se si, në një situatë kur ende kemi një polarizim të thellë mes Perëndimit dhe Rusisë, juve ju ndihmon konkretisht ndihma ruse. Jeni të rrethuar nga shtetet anëtare të NATO-s, e në aspektin e inteligjencës, SHBA-ja është ende këtu, pavarësisht çfarëdo që mendojmë për të”, tha Huskiq.

Sa i përket Millorad Dodikut, ai vlerësoi se Dodik po shfrytëzon gjithçka që ka në dispozicion, por ka pak gjasa që kjo do të ketë ndonjë efekt real. Ai shtoi se është “analizë joserioze dhe sipërfaqësore” të mendohet se dikush në planin ndërkombëtar do t’i kushtojë më shumë vëmendje çështjes së Dodikut.

 

“Të presësh që në një botë, ku ndodhin zhvillime të tilla globale, të vendoset fokusi edhe te ngjarjet në Bosnje e Hercegovinë, është pritshmëri e çuditshme”, theksoi Huskiq.

 

Nga ana tjetër, analistja politike nga Banja Lluka, Tanja Topiq, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë se me udhëtimin në Rusi, Dodik po dërgon mesazh se është “zhgënjyer” pritjet që ai kishte nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.

 

“Në kontekstin e vendimit gjyqësor, ai për një kohë të gjatë besoi se gjërat do të ndryshonin dhe se do të ndodhnin ‘mrekulli’ të caktuara. Tani ai e ka zhvendosur fokusin e betejës së tij për mbijetesë politike nga Perëndimi te Rusia”, u shpreh Topiq.

 

Ajo theksoi se deklaratat e Dodikut për të biseduar rreth mbështetjes së mundshme për pavarësinë e entitetit serb nuk do të sjellin rezultate konkrete, por se kjo narrativ do të shfrytëzohet për konsum të brendshëm politik.

 

Sa shpesh takohen Vuçiqi dhe Dodiku me Putinin?

 

Më 9 maj, Millorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq morën pjesë në paradën ushtarake në Moskë, të organizuar për 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ku u takuan edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

 

Shtetet perëndimore e vlerësuan këtë paradë si “propagandë të Putinit” me të cilën ai u përpoq të justifikonte agresionin ndaj Ukrainës.

 

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt 2022, Dodik është takuar tetë herë me Putinin. Ai vizitoi Moskën edhe në prill, një muaj para paradës ushtarake, kur tha se Putini i kishte premtuar se Rusia do të angazhohej për mbylljen e institucioneve ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë edhe zyrën e përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë vetëm një herë në Moskë prej fillimit të agresionit rus. Takimi dypalësh me Putinin në maj, gjatë ceremonive për përvjetorin e Luftës së Dytë Botërore, ishte i pari zyrtar pas më shumë se tre vjetësh nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

 

Atëbotë, Putini tha se Rusia “e vlerëson kursin e pavarur dhe sovran të Serbisë në çështjet ndërkombëtare”.

 

Megjithëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat Brukseli i ka vendosur në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

 

Para takimit në Moskë, Vuçiqi kishte zhvilluar disa biseda telefonike me Putinin. Në tetor 2024, me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Beogradit, Vuçiq tha se e kishte falënderuar Putinit për furnizimin me gaz rus për Serbinë gjatë dimrit. Ai shtoi se pothuajse dy vjet e gjysmë nuk kishin pasur komunikim, edhe pse në tetor 2023 ishin takuar në Pekin, në forumin ndërkombëtar të nismës kineze “Brezi dhe Rruga”./REL

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Kryetari i Studeniçanit mban premtimin, sigurohet transporti i organizuar për nxënësit

Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi, ka njoftuar se nga sot ka nisur zyrtarisht transporti i organizuar dhe i sigurt për nxënësit e kësaj komune, shkruan ZYRTARE.net

Abazi, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se më parë nxënësit detyroheshin të ecnin kilometra të tëra për të arritur në shkollë, shpesh në kushte të vështira atmosferike.

Ai theksoi se ky ishte një premtim i dhënë gjatë fushatës dhe se tashmë është realizuar.

“Premtim i dhënë – premtim i mbajtur!”, shkroi Abazi, duke uruar nxënësit dhe prindërit për fillimin e transportit të organizuar.

“Urime nxënësve dhe prindërve! Na priftë e mbara!”, përfundoi ai./ZYRTARE.NET/

Continue Reading

Lajme

Zgjerohet “Safe City” në Kumanovë | Kamerat e reja do të vendosen në katër lokacione

Monitorimi i komunikacionit në qytetin e Kumanovës do të zgjerohet së shpejti me vendosjen e kamerave të reja nga projekti “Safe City”, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e shoferëve të papërgjegjshëm, informon tvfesta.mk

Këtë e bëri të ditur komandanti i Stacionit Policor në Kumanovë, Tomislav Dodevski, gjatë përgjigjes në pyetjet e këshilltarëve komunalë.

„Për shkak të kërkesave të qytetarëve, por edhe nga vlerësimet tona, kamerat ekzistuese të ‘Safe City’ nuk janë të mjaftueshme. Përveç bulevardit ‘Revolucioni i Tetorit’ dhe lokalitetit ‘Tabakana’, kam informacion se në periudhën më të shpejtë të mundshme do të vendosen kamera edhe në tre lokacione të tjera“, deklaroi Dodevski.

Sipas autoriteteve, vendosja e këtyre kamerave vjen si nevojë për të rritur sigurinë në rrugët e qytetit dhe për të reduktuar shkeljet e rregullave të komunikacionit.

Kujtojmë se procesi i shqiptimit të gjobave përmes sistemit “Safe City” në Kumanovë ka nisur që nga muaji shkurt i këtij viti. Aktualisht, kamerat janë të vendosura në dy pika në bulevardin “Revolucioni i Tetorit”, në hyrje-daljet e qytetit, si dhe në disa akse të rrugëve rajonale.tvfesta

Continue Reading

Lajme

Gjendet i vdekur një 60-vjeçar në Gostivar, lëndohet rëndë polici gjatë kryerjes së ekspertizës në vendin e ngjarjes

SPB Tetovë njofton se është gjetur i vdekur një 60-vjeçar në stadiumin e fshatit Raven në Gostivar.

“Më 21.09.2026 në ora 23:15 në DPB Gostivar, J.A.(45) nga fshati Raven ka denoncuar se bashkëshorti i saj A.A.(60) rreth orës 07:00 ka shkuar në punë në Gostivar dhe nuk është kthyer në shtëpi, e as nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike.

Pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, më 22.09.2026 në ora 00:20, A.A. është gjetur i vdekur në stadiumin e fshatit Raven, ndërsa në afërsi të drejtpërdrejtë është gjetur një sharrë motorike. Vdekjen e ka konstatuar mjeku nga Qendra Urgjente Gostivar, ndërsa këqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë kryer Prokurori Publik, mjeku i mjekësisë ligjore, ekipi i këqyrjes nga DPB Gostivar dhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit Gostivar.

Gjatë kryerjes së veprimeve zyrtare në vendin e ngjarjes, rreth orës 01:50, zyrtari policor ka rënë në një pusë betoni të hapur dhe të pashënuar me thellësi prej rreth 1,5 metrash dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Qendrën Mjekësore në Gostivar”, thonë nga MPB.

Continue Reading

TË FUNDIT

Sport12 hours ago

Adrian Hadribeaj, krenaria shqiptare e MMA në SHBA, takon Edi Ramën në Michigan: Një ëndërr e madhe për Tiranën

Kampioni shqiptar i MMA-së në SHBA, Adrian Hadribeaj, është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një mbrëmjeje me...

Lajme16 hours ago

Kryetari i Studeniçanit mban premtimin, sigurohet transporti i organizuar për nxënësit

Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi, ka njoftuar se nga sot ka nisur zyrtarisht transporti i organizuar dhe i...

Lajme16 hours ago

Zgjerohet “Safe City” në Kumanovë | Kamerat e reja do të vendosen në katër lokacione

Monitorimi i komunikacionit në qytetin e Kumanovës do të zgjerohet së shpejti me vendosjen e kamerave të reja nga projekti...

Lajme16 hours ago

Gjendet i vdekur një 60-vjeçar në Gostivar, lëndohet rëndë polici gjatë kryerjes së ekspertizës në vendin e ngjarjes

SPB Tetovë njofton se është gjetur i vdekur një 60-vjeçar në stadiumin e fshatit Raven në Gostivar. “Më 21.09.2026 në...

Lajme16 hours ago

Shpërbëhet një grup kriminal për kontrabandë dhe korrupsion në Maqedoni, ndalohen gjashtë persona dhe sekuestrohen mbi 100.000 euro

MPB njofton se është shpërbë një grup kriminal për kontrabandë mallrash dhe vepra korruptive, me çka është dorëzuar kallëzim penal...

Lajme16 hours ago

Bie çmimi i naftës pas ofertës së Iranit për rihapjen e Hormuzit

Çmimi i naftës ka rënë nën 100 dollarë për fuçi pasi Irani ka bërë një “ofertë për ngushticën e Hormuzit”....

Lajme16 hours ago

Kurti diskutoi me presidentin Erdogan për vendimin e Gjykatës Speciale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të Javës së Nivelit...

Lajme16 hours ago

Izet Mexhiti: Në Çair po ndërtohet bulevard!

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar për avancimin e punimeve në disa projekte infrastrukturore, përfshirë zgjerimin e...

Lajme16 hours ago

Dramë si në filma aksion në Tetovë: Policia bastis banesën ku kryhej prostitucion, vajza që ndërmjetësonte kërcënon me vetëvrasje

Dramë si në filma aksion në Tetovë: Policia bastis banesën ku kryhej prostitucion, vajza që ndërmjetësonte kërcënon me vetëvrasje Policia...

Lifestyle21 hours ago

Noga shfaqet në takim me ministrin Sveçla: “Miku i familjes”, takimi që ngjall shumë kureshtje

Një takim mes hip-hop artistit të njohur Noga dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka tërhequr...

Trending