Connect with us

Lajme

Lukrovski: Karposhi do të zhvillohet në mënyrë të planifikuar, punojmë për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit me parkimin

Sotir Lukrovski, kandidat për kryetar komune të Karposhit nga radhët e VMRO-DPMNE, ishte i ftuar në emisionin “Zaspi ako možeš” në televizionin Alfa, ku foli për sfidat aktuale me të cilat përballet komuna – veçanërisht në lidhje me urbanizimin dhe mungesën e hapësirave për parkim.

Lukrovski theksoi se zhvillimi urban është i domosdoshëm, por ai duhet të ndodhë në mënyrë të planifikuar, humane dhe vetëm aty ku ka hapësirë për ndërtim, duke shtuar se tashmë është duke u përgatitur një plan për zgjidhje të qëndrueshme dhe sistematike të problemit me parkimin.

“Ka nevojë për ndërtim dhe duhet të ndërtohet. Komunat duhet të zhvillohen, sepse të ardhurat nga taksat komunale janë jetike për ekzistencën e tyre. Por le të ndërtojmë me mend, në mënyrë humane, aty ku ka hapësirë, dhe të krijojmë lagje të menduara mirë – ashtu siç janë ndërtuar para 50-60 vitesh këto lagje ku jetojmë sot. Në Karposh 1, 2, 3, 4, në Vlae dhe Taftalidže nuk duhet të ketë më hapësirë për ndërtim të çfarëdolloj objekti. Mund të ndërtohet, por jo objekte që i rrezikojnë banorët përreth”, theksoi Lukrovski.

Ai shtoi se është e nevojshme një rishikim i planeve urbanistike të deritanishme dhe se projektet e ardhshme duhet të hartohen bashkë me qytetarët.

“Do të bëjmë një rishikim të gjithçkaje që është ndërtuar deri tani, për të parë çfarë mund të korrigjohet apo të rikthehet në gjendjen e mëparshme. Ndërsa gjithçka që do të ndërtohet në të ardhmen do ta bëjmë së bashku me qytetarët. Do të doja që, për çdo ndërtesë të re që do të ngrihet, të shohim si do të funksionojë në atë hapësirë”, u shpreh ai.

Në lidhje me problemin e madh të parkimit, Lukrovski tha se komuna do të ofrojë zgjidhje konkrete, por edhe qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm në përdorimin e hapësirave për parkim.

“Komuna duhet të kontribuojë për një jetë më cilësore për qytetarët, por edhe ne si qytetarë duhet të sillemi me korrektësi. Do të rinovojmë gjithçka që është përgjegjësi e komunës, por është e drejtë që vendet e parashikuara për parkim të shfrytëzohen në mënyrë të drejtë”, tha Lukrovski.

Ai njoftoi se po shqyrtohen mundësitë për të vënë në funksion garazhet ekzistuese, për heqjen e automjeteve të braktisura, dhe për vendosjen e garazheve modulare si pjesë e programës zgjedhore. Sipas tij, synimi është të krijohen mbi 500 vende të reja parkimi, ndërsa si zona më të rrezikuara për mungesë parkimi veçoi Karposh 4, Leptokarija dhe Mleçen.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Në ditën e parë u shitën mbi 24.5 milionë kopje të GTA 6, 2.36 miliardë dollarë të ardhura

Pas 13 vitesh pritje, videoloja e shumëpritur Grand Theft Auto 6 (GTA 6) ka debutuar me një sukses të jashtëzakonshëm tregtar. E publikuar më 19 nëntor, loja ka arritur të kthehet brenda pak orësh në një nga lançimet më të mëdha në historinë e industrisë së argëtimit.

Sipas vlerësimeve paraprake të kompanisë analitike Sensor Tower, shitjet e GTA 6, duke përfshirë edhe porositë paraprake, kanë kaluar 24.5 milionë kopje. Të ardhurat vlerësohen në rreth 2.36 miliardë dollarë.

Nëse këto shifra konfirmohen, GTA 6 do të regjistrojë një nga debutimet më të mëdha tregtare të të gjitha kohërave. Kompania mëmë Take-Two Interactive dhe zhvilluesi Rockstar Games nuk kanë publikuar ende shifra zyrtare të shitjeve, por e kanë përshkruar kërkesën për lojën si të paprecedentë.

Sipas agjencisë Reuters, vlerësimet e Sensor Tower tregojnë se GTA 6 ka shitur pothuajse trefishin e kopjeve që kishte shitur paraardhësi i tij, GTA 5, gjatë 24 orëve të para të publikimit në vitin 2013.

Të ardhura sa një superprodhim hollivudian

Përmasat e suksesit bëhen edhe më të dukshme kur krahasohen me industrinë e filmit. Sipas të dhënave të cituara në raport, filmi Spider-Man: Brand New Day ka grumbulluar rreth 2.5 miliardë dollarë nga shitja e biletave në kinematë botërore.

GTA 6 ka arritur t’i afrohet kësaj shifre që në ditën e parë të publikimit, duke përfshirë edhe porositë paraprake.

Ndërkohë, kompania kërkimore e tregut Niko Partners parashikon se të ardhurat nga loja mund të kalojnë 3 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2026.

Miliona lojtarë në pritje, rekord edhe në trafikun e internetit

Publikimi i GTA 6 ka shkaktuar një mobilizim të jashtëzakonshëm të lojtarëve në mbarë botën. Shumë prej tyre kanë qëndruar zgjuar gjatë natës për të nisur menjëherë aventurën e re, ndërsa të tjerë kanë planifikuar të marrin pushim nga puna për t’i kushtuar më shumë kohë lojës.

Interesi masiv është reflektuar edhe në trafikun e internetit. Në Britaninë e Madhe, operatori Virgin Media O2 ka regjistruar nivele rekord të transferimit të të dhënave, për shkak të shkarkimeve dhe instalimeve paraprake të lojës.

GTA 6 zë rreth 212 GB hapësirë, çka kërkon një sasi të konsiderueshme të dhënash për shkarkim dhe instalim.

Një nga videolojërat më të shtrenjta në histori

Pas këtij projekti qëndron një investim gjigant. Kostoja e zhvillimit të GTA 6 vlerësohet të ketë kaluar 1 miliard dollarë, shifër që, nëse konfirmohet, do ta rendiste atë ndër videolojërat më të shtrenjta të prodhuara ndonjëherë.

Rockstar Games ka punuar për më shumë se një dekadë për të sjellë pasardhësin e GTA 5, i cili u publikua në vitin 2013 dhe u shndërrua në një prej lojërave më të suksesshme komerciale të të gjitha kohërave.

Ngjarjet e lojës zhvillohen në Leonida, një shtet imagjinar i frymëzuar nga Florida, ndërsa qendra kryesore e historisë është Vice City, e ndërtuar mbi modelin e Majamit.

Protagonistët janë Lucia dhe partneri i saj Jason, dy personazhe të përfshirë në botën e krimit, grabitjeve dhe ndjekjeve të rrezikshme. Loja ndërthur aksionin me satirën sociale, duke trajtuar kulturën amerikane dhe anën e errët të ëndrrës amerikane.

Rockstar ka ende dy burime të mëdha të ardhurash

Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm të ditëve të para, potenciali tregtar i GTA 6 mund të rritet edhe më tej.

Për momentin, loja është e disponueshme për PlayStation 5 dhe Xbox Series X|S. Ende nuk është njoftuar një datë zyrtare për versionin e kompjuterëve, ndërsa pritet edhe prezantimi i modalitetit online, ku lojtarët do të mund të ndërveprojnë dhe të zhvillojnë misione së bashku përmes internetit.

Përvoja e GTA 5 tregon rëndësinë që mund të ketë kjo pjesë e lojës. GTA Online u shndërrua në një burim të rëndësishëm të ardhurash për kompaninë, përmes blerjeve virtuale, automjeteve luksoze, pronave dhe përmbajtjeve të tjera shtesë.

Kufizime në disa tregje

Përmbajtja e lojës, e cila përfshin skena të dhunshme dhe materiale të destinuara për të rritur, ka sjellë edhe kufizime në disa tregje ndërkombëtare.

Në Japoni janë raportuar ndërhyrje për përshtatjen e përmbajtjes me rregullat vendase, ndërsa në Kinën kontinentale loja nuk ka marrë miratimin për shitje zyrtare.

Megjithatë, këto kufizime nuk duket se kanë ndikuar në interesin e jashtëzakonshëm global.

Me më shumë se 24.5 milionë kopje të shitura sipas vlerësimeve paraprake dhe të ardhura që kapin rreth 2.36 miliardë dollarë, GTA 6 po vendos një standard të ri për industrinë e videolojërave. Për Rockstar Games, debutimi i 19 nëntorit mund të jetë vetëm fillimi i një suksesi që pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Continue Reading

Lajme

Era e fuqishme në Tetovë dhe Pollog! Rreth 15 intervenime, pa të lënduar

Erërat e fuqishme që përfshinë mbrëmë Tetovën dhe rajonin e Pollogut shkaktuan dëme të shumta materiale. Pemë të rrëzuara, kulme të dëmtuara, rrugë të bllokuara dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa vendbanime. Ekipet e zjarrfikësve intervenuan në rreth 15 raste, ndërsa në terren gjatë gjithë natës ishin edhe ekipet e ndërmarrjes publike komunale për largimin e pemëve dhe degëve të rrëzuara.

“Patëm rreth 15 intervenime, dy zjarre, disa kulme të rrëzuara, rrugë të bllokuara, si dhe shtylla elektrike të dëmtuara. Kemi intervenuar në të gjitha rastet dhe situatën e kemi pasur nën kontroll. Fatmirësisht, nuk kemi persona të lënduar”, deklaroi Avni Ameti, shef i NjTKZ Tetovë.

Komuna e Tetovës u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes gjatë motit të lig dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. Deri më tani, në Komunë nuk është paraqitur asnjë kërkesë zyrtare për kompensimin apo evidentimin e dëmeve.

“Komuna e Tetovës mbrëmë doli me apel për qytetarët që të kenë kujdes dhe të shmangin lëvizjet gjatë erërave të fuqishme. Deri më tani nuk kemi pasur denoncime nga banorët për dëmet materiale, por nëse paraqiten raste të tilla, Komuna së bashku me inspektoratin do të dalë në terren për verifikimin e tyre dhe marrjen e masave të nevojshme”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

Në polici është raportuar edhe dëmtimi i një automjeti nga tjegullat e një kulmi në rrugën industriale. Ekipet e SPB Tetovë, zjarrfikësit dhe ndërmarrja publike komunale kanë bashkëpunuar për sigurimin dhe pastrimin e rrugëve. Deri më tani, as në Qendrën për Menaxhim me Kriza nuk janë raportuar dëme më të mëdha materiale. Fatmirësisht, nga të gjitha incidentet nuk ka persona të lënduar.

Continue Reading

Lajme

Imer Aliu: PPD, BDI dhe VLEN – emra të ndryshëm, e njëjta filozofi politike!

35 vite pluralizëm, emra të rinj partish, por e njëjta formulë politike: kompromiset për pushtet në kurriz të interesave të shqiptarëve. Kështu e përshkruan përfaqësimin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Imer Aliu, përfaqësues i lartë i PDSH-së.

Sipas Aliut, nga PPD-ja te BDI-ja dhe VLEN-i, partitë kanë ndryshuar emrat, por jo filozofinë politike, duke e vendosur qëndrimin në pushtet mbi interesat e shqiptarëve.

Ai thekson se PDSH-ja ka përfaqësuar një koncept tjetër, të bazuar në dinjitetin kombëtar, barazinë politike dhe refuzimin e nënshtrimit për interesa pushteti.

“Sa herë duhet të ndryshojnë emrat e partive që më në fund të kuptoni se po votoni për të njëjtin model politik?”, pyet Aliu.

Continue Reading

TË FUNDIT

Sport2 days ago

Ejup Ademi zgjidhet kryetar i ri i Klubit të Mundjes Liria

Ejup Ademi është zgjedhur kryetar i ri i Klubit të Mundjes Liria, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të mbajtur sot, ku...

Lajme2 days ago

Në ditën e parë u shitën mbi 24.5 milionë kopje të GTA 6, 2.36 miliardë dollarë të ardhura

Pas 13 vitesh pritje, videoloja e shumëpritur Grand Theft Auto 6 (GTA 6) ka debutuar me një sukses të jashtëzakonshëm...

Lajme2 days ago

Era e fuqishme në Tetovë dhe Pollog! Rreth 15 intervenime, pa të lënduar

Erërat e fuqishme që përfshinë mbrëmë Tetovën dhe rajonin e Pollogut shkaktuan dëme të shumta materiale. Pemë të rrëzuara, kulme...

Lajme2 days ago

Imer Aliu: PPD, BDI dhe VLEN – emra të ndryshëm, e njëjta filozofi politike!

35 vite pluralizëm, emra të rinj partish, por e njëjta formulë politike: kompromiset për pushtet në kurriz të interesave të...

Lajme2 days ago

BFI-ja konfirmon: Kemi marrë lejen për ndërtimin e objektit të ri pranë Kalasë së Shkupit

Nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) thonë se kanë siguruar lejen për ndërtimin e objektit të ri administrativ në pronën e...

Lajme2 days ago

Arabia Saudite e para në botë për shërbimet qeveritare digjitale, përmbush objektivin e Vizionit 2030

Mbretëria renditet e para mes 194 vendeve dhe territoreve të vlerësuara nga OKB-ja për shërbimet qeveritare online dhe ngjitet në...

Lajme3 days ago

Kujdes nëse udhëtoni drejt Greqisë! Mbyllet për tri ditë autostrada Selanik–Evzoni, ndryshon qarkullimi!

Një pjesë e autostradës Selanik–Evzoni, që lidh Greqinë me Maqedoninë e Veriut, do të mbyllet plotësisht në të dy drejtimet,...

Lajme3 days ago

Kush e solli Alta Bankën në Maqedoni? Përgjigjet Ademi

Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, foli lidhur me çështjen e Alta Bankës dhepretendimet me përfshirjen e Qeverisë në këtë...

Lajme3 days ago

Levica akuzon Albi Qamilin: Ka siguruar Badenterin për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë

Partia Levica ka reaguar ndaj zv/kryetarit të Komunës së Tetovës, Albi Qamili, njëherësh kryetar i Komisionit për riemërimin e rrugëve,...

Lajme3 days ago

Ademi: Oponent e kemi VMRO-në, VLEN nuk pyetet as për ministrat e vet

Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, në emisionin “Debat në Shenja”, ka hedhur poshtëpretendimet se BDI është e rezervuar në...

Trending