Lajme
Maksim Dimitrievski: Pres fitore në Kumanovë dhe Qendër, ZNAM së shpejti do të bëhet forca e dytë politike
ZNAM nuk ka arsye të humbasë asnjë votë nga zgjedhjet e kaluara, sepse ne nuk kemi zhgënjyer askënd. Ne jemi subjekt autentik politik dhe jam i sigurt se nuk do ta përjetojmë fatin e NSDP-së. Në këto zgjedhje pres që përfundimisht të vendosemi si faktor i rëndësishëm politik në shtet, i cili në të ardhmen nuk do të anashkalohet për asnjë çështje të rëndësishme. Sa i përket renditjeve politike, nuk bëj kalkulime, por pres që ZNAM shumë shpejt të mos jetë forca e tretë, por e dyta politike në vend – thotë në intervistë për “Fokus” lideri i ZNAM-it dhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili është kandidat për edhe një mandat kryetari komune.
Maksim Dimitrievski për herë të parë u zgjodh kryetar i Kumanovës në zgjedhjet lokale të vitit 2017 si kandidat i LSDM-së. Në vitet në vijim, dolën në pah dallimet mes tij dhe udhëheqjes së LSDM-së, prandaj në zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2021 Dimitrievski garoi i pavarur dhe arriti të fitojë në raundin e dytë me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së. Ndërkohë, ai e formoi partinë politike ZNAM, e cila pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar u bë pjesë e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme lokale Dimitrievski kërkon besimin për mandatin e tretë si kandidat i përbashkët i ZNAM dhe VMRO. Në intervistën për “Fokus” ai flet për projektet e realizuara, programin zgjedhor dhe të ardhmen e ZNAM-it…
Intervistoi: Vllatko STOJANOVSKI
Çfarë rezultati prisni në Kumanovë? Nëse humbni, si do të ndikojë kjo në veprimin tuaj të mëtejshëm dhe si do të reflektohet te partia politike ZNAM? Shumë shpesh bëhet krahasim mes ZNAM-it dhe NSDP-së, e cila gjithashtu pati rezultat solid në zgjedhjet e para ku mori pjesë, por pësoi rënie pasi hyri në koalicion me VMRO-DPMNE. Sipas jush, sa qëndron ky krahasim?
Në Kumanovë do të kemi fitore bindëse. Besoj, sepse kemi dhënë rezultate, kemi punuar shumë dhe kemi treguar etikë politike. Unë nuk jam njeri që heq dorë lehtë, ose siç më shohin bashkëpunëtorët e mi – një luftëtar, dinamik, një njeri që kurrë nuk ikën nga ajo që ka premtuar dhe synuar. Veproj sipas këtyre parimeve dhe për këtë jam i sigurt në fitoren në Kumanovë.
Sa i përket Lëvizjes ZNAM, ne jemi subjekt autentik politik dhe jam i sigurt se nuk do ta përjetojmë fatin e NSDP-së. Me politikat tona, me hapat që kemi ndërmarrë deri më tani, kemi treguar se i qëndrojmë fjalës së dhënë. Prandaj, nuk ka arsye që dikush në ZNAM të ketë frikë se çfarë do të ndodhë në këto zgjedhje. Edhe pas tyre mbetemi partner stabil në Qeveri dhe me listat tona këshilltare do të jemi faktor i rëndësishëm në krijimin e politikave edhe në nivel lokal.
Çfarë mendimi keni për kundërkandidatin tuaj nga LSDM, Martin Kostovski, me të cilin më herët keni qenë bashkëpartiak në LSDM? Ai mori mbështetjen e ish-kryetarit të Kumanovës, Zoran Damjanovski, i cili ndërkohë pati një paraqitje publike, duke dërguar mesazh se Branko Cërvenkovski nuk qëndron pas ZNAM-it. Si e interpretoni dhe e komentoni gjithë këtë?
Me Martin Kostovskin njihemi prej shumë vitesh, para së gjithash sepse jetojmë në të njëjtin qytet dhe një kohë kemi qenë edhe bashkëpartiakë. Nuk do të hyj në analiza për Kostovskin, ai është një nga kundërkandidatët e mi, por unë jam i fokusuar në punën tonë dhe në programin tonë.
Sa i përket komenteve dhe spekulimeve se ish-presidenti Branko Cërvenkovski qëndron pas ZNAM-it, do të përsëris se ne jemi subjekt autentik dhe i pavarur politik me ideologjinë e vet. Një subjekt politik që po rritet nga dita në ditë dhe po tërheq një numër gjithnjë e më të madh përkrahësish dhe anëtarësh, mes të cilëve ka figura të spikatura nga fusha të ndryshme.
Në total, ka tetë kandidatura për kryetar të Kumanovës, nga të cilat dy kandidatë dalin si të pavarur. Njëri prej tyre është Goran Stojkovski, i cili punon në Komunën e Kumanovës dhe ka qenë drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Prandaj, nëse ka raund të dytë zgjedhor, si prisni të shpërndahen votat që do t’i marrin kandidatët që nuk do të hyjnë në raundin e dytë? Dhe e dyta, çfarë mendoni për kandidaturat e pavarura, sidomos për atë të Stojkovskit – a është ajo realisht e pavarur apo është në funksion të një qëllimi të caktuar politik dhe matematike zgjedhore?
Të gjithë kundërkandidatëve të mi u uroj fat në garën zgjedhore, por ajo nuk do t’u mjaftojë që të më kalojnë mua në finish. Unë pres fitore që në raundin e parë, e nëse shkohet në raund të dytë, edhe në të dytin.
Qytetarët e Kumanovës janë të vetëdijshëm dhe kanë vlera të forta demokratike, kështu që askush nuk ka të drejtë të kalkulojë me vullnetin e tyre. Ata do të votojnë sipas bindjes së tyre, dhe jam i sigurt se shumica e tyre e njohin dhe do ta konfirmojnë atë që është punuar në tetë vitet e fundit, si dhe vizionin tim që Kumanova të vazhdojë të ndryshojë edhe në katër vitet e ardhshme.
Në këto zgjedhje lokale do të dilni me listat tuaja këshilltarake, por do të bashkëpunoni me VMRO-DPMNE në pjesën e zgjedhjes së kryetarëve të komunave, ndërsa ky marrëveshje nënkupton që VMRO-DPMNE t’ju mbështesë juve në Kumanovë dhe kandidatin tuaj për kryetar të komunës Qendër. Sa jeni i kënaqur nga kjo marrëveshje me VMRO-DPMNE? A kishit ambicie të dilnit së bashku me kandidatin tuaj edhe në komuna tjera dhe pse nuk u arrit një marrëveshje e tillë?
Ne mezi po i presim këto zgjedhje, sepse qëllimi ynë nuk është vetëm të marrim pjesë, por të konfirmojmë statusin e partisë shtetformuese që ZNAM e ka te qytetarët dhe të marrim përgjegjësinë për gjithçka që premtojmë.
Sondazhet tona në terren konfirmuan se shanset më të mëdha për fitore në garën për kryetar komune i kemi në Kumanovë dhe Qendër. Vini re, nuk bëhet fjalë për çfarëdo komunash, por për komunën më të madhe në shtet dhe për komunën që është zemra e metropolit maqedonas.
Kur një parti e madhe si VMRO-DPMNE, e cila është bartëse e pushtetit në shtet, u jep mbështetje kandidatëve tuaj në dy komuna kyçe, kjo flet mjaftueshëm për rëndësinë dhe rolin e ZNAM. Me fjalë të tjera, kjo tregon se kandidatët e ZNAM janë të vërtetët.
Kandidati ynë për kryetar të Qendrës është Mirosllav Labudoviq, njeri me përvojë të madhe profesionale në sektorin privat, i lindur në Qendër, i cili me sinqeritet dëshiron të kontribuojë për një Qendër më të mirë, më të bukur, më të pastër dhe më të gjelbër. Jam i bindur se qytetarët do ta njohin këtë.
Sa i përket marrëveshjes me VMRO-DPMNE, ajo është parimore – ne u japim mbështetje kudo ku ata kanë kandidatë për kryetarë komunash, ata na japin mbështetje në Kumanovë dhe Qendër.
Pjesëmarrja në zgjedhjet për këshilltarë është e pavarur, dhe unë pres që listat tona të kandidatëve, të përbëra nga profesionistë të vlefshëm dhe të dëshmuar, të marrin mbështetje të madhe nga qytetarët.
Sa vota prisni të marrë ZNAM në listat këshilltarake dhe cili është objektivi juaj i projektuar në këto zgjedhje – a doni të profiloheni si partia e tretë në skenën politike të bllokut maqedonas, për çka aspirata ka edhe Levica? Në zgjedhjet e dyfishta të kaluara, ju morët më shumë vota se kandidati për president i Levicës, por ZNAM mori më pak vota se Levica në zgjedhjet parlamentare…
Në këto zgjedhje pres që Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë, përfundimisht të konsolidohet si një faktor i rëndësishëm politik në shtet, i cili në të ardhmen nuk do të anashkalohet për asnjë çështje të rëndësishme.
Ne nuk e shohim historinë tonë politike si një garë 100 metërshe, por si maratonë. E ndërtojmë me durim, por me siguri dhe mbi baza parimesh dhe rregullash strikte.
Në ZNAM nuk ka vend për “shqiponja politike”, por vetëm për njerëz që janë të gatshëm të punojnë për të mirën e shtetit dhe të komunitetit prej nga vijnë.
Sa i përket renditjeve politike, nuk bëj kalkulime, por pres që ZNAM shumë shpejt të mos jetë parti e tretë, por e dyta forcë politike në vend.
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit të kaluar treguan se ne kemi rrënjë te trupi zgjedhor. Dhe, besoni, ajo rrënjë nuk do të pritet lehtë. Përkundrazi, do të lëshojë të tjera dhe do të vazhdojmë të rritemi çdo ditë e më shumë.
Në Kumanovë jeton një numër i rëndësishëm shqiptarësh, pra sipas jush, si do të sillen ata në zgjedhjet e ardhshme? A prisni mbështetje edhe prej tyre, pasi si Qeveri keni hyrë në konflikt të hapur me BDI-në, ndërsa si ZNAM keni pasur përplasje të caktuara me partnerin qeveritar VLEN?
Shumëllojshmëria e Kumanovës, nga aspekti etnik, fetar, social dhe ekonomik, është një nga gjërat që e dua më shumë. Unë nuk i ndaj njerëzit sipas asnjë baze. Edhe aty ku kam humbur, ndonjëherë edhe bindshëm, në ciklet zgjedhore të kaluara, kam punuar dhe kam realizuar objektivat e përcaktuara për ta bërë Kumanovën një vend më të mirë për të jetuar.
Nëse shihni listën e projekteve të realizuara, do të vini re se një pjesë e madhe e tyre janë në zona ku jeton popullatë kryesisht shqiptare. Me krenari, në kabinetin tim ruaj flamujt e të gjitha komuniteteve që jetojnë në territorin e komunës sonë.
Për çështjet për të cilat kemi pasur mendime të ndryshme me VLEN-in, ne kemi vepruar parimisht dhe kjo në fund, si gjithmonë, u tregua e drejtë. Për mua nuk është aspak e çuditshme që partnerët qeveritarë të kenë qëndrime të ndryshme për disa çështje. Në fakt, kjo sjell përparim.
Sa i përket BDI-së, unë personalisht mendoj se ata duhet të reformohen, por kjo është punë e brendshme e tyre partiake për të cilën nuk do të doja të komentoj më shumë.
Sipas jush, a janë të mundshme zgjedhje të parakohshme parlamentare menjëherë ose së shpejti pas zgjedhjeve lokale? Nga Qeveria sigurojnë se nuk do të ndodhë kjo, por kryeministri paralajmëron se pas zgjedhjeve do të ketë reformatim qeveritar. Në atë kontekst, a prisni ndryshime në ndonjë nga dy resorët që drejtohen nga kuadro të ZNAM? Sa jeni i kënaqur me punën dhe rezultatet e arritura nga ministrat e drejtësisë dhe administratës publike, Igor Filkov dhe Goran Minçev?
Jemi plotësisht të kënaqur me punën e dy ministrave tanë në Qeveri. Edhe Filkov, edhe Minçev janë bartës të reformave të vërteta që i zbaton Qeveria në dy resore kyçe – drejtësi dhe administratë publike. Reforma, për të cilat në të ardhmen do të ndihet pse ka qenë e domosdoshme të realizohen pikërisht tani.
Të kënaqur jemi edhe me punën e zëvendësministrave. Prandaj nuk kam asnjë frikë apo paragjykim lidhur me reformimin e paralajmëruar nga kryeministri. Është e drejta e tij sovrane ta bëjë këtë dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe për këtë çështje.
Sa i përket mundësisë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ne jemi të gatshëm për përballje zgjedhore në çdo kohë, sepse besojmë në vetveten dhe në drejtësinë e përcaktimeve dhe politikave tona strategjike.
Lajme
Mbeturinat para shkollave dhe kopshteve në Tetovë ngrenë shqetësim, drejtori i NPK-së Samet Bislimi: Grumbullimi falas nga dera e secilës shtëpi dhe objekt
Grumbullimi i rregullt i mbeturinave dhe ruajtja e pastërtisë publike mbeten ndër sfidat kryesore në Tetovë, veçanërisht në zonat pranë çerdheve dhe shkollave, ku grumbullimi i kontejnerëve dhe hedhja e mbeturinave të vëllimshme krijojnë probleme për mjedisin dhe qytetarët.
Përballë kësaj situate, drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) në Tetovë, Samet Bislimi, thekson se qytetarët kanë në dispozicion një zgjidhje konkrete dhe pa pagesë për largimin e mbeturinave të vëllimshme nga shtëpitë e tyre.
“Ekipi shkon deri te dera e çdo qytetari dhe ia merr mbeturinat e vëllimshme, pa pagesë. Këtë shërbim e kemi organizuar që ta kemi qytetin më të pastër dhe qytetarët të kenë një zgjidhje se ku mund t’i hedhin këto mbeturina”, deklaroi Bislimi.
Shërbimi u mundëson qytetarëve të largojnë mobiliet e vjetra dhe sendet e tjera të mëdha pa pasur nevojë t’i lënë pranë kontejnerëve, në trotuare apo në hapësira publike, ku shpesh krijohen deponi të vogla ilegale.
Nga kompania Saubermacher Tetovë, përgjegjëse për zbrazjen e kontejnerëve dhe transportimin e mbeturinave drejt deponisë rajonale, thonë se ekipet e tyre po bëjnë përpjekje që grumbullimi i mbeturinave të kryhet rregullisht, madje edhe më shumë se një herë në ditë, aty ku paraqitet nevoja.
Sipas të dhënave të kompanisë, nga janari deri në shtator të këtij viti janë grumbulluar dhe transportuar mbi 25.000 tonë mbeturina komunale, si dhe afro 2.900 tonë mbeturina të vëllimshme. Gjatë kësaj periudhe, automjetet e kompanisë kanë përshkuar rreth 225.000 kilometra.
Vulnet Sela nga Saubermacher Tetovë theksoi se këto shifra dëshmojnë përmasat e punës së përditshme që nevojitet për të siguruar grumbullimin e mbeturinave në të gjithë territorin e Komunës së Tetovës.
Thirrje për përgjegjësi qytetare: mbeturinat e mëdha të mos lihen pranë kontejnerëve
Një nga problemet që rëndon pastërtinë e qytetit është hedhja e pakontrolluar e mbeturinave të vëllimshme, përfshirë mbetjet ndërtimore, mobiliet e vjetra dhe sendet e mëdha plastike, të cilat shpesh lihen pranë kontejnerëve ose drejtpërdrejt në tokë.
Kjo praktikë jo vetëm që krijon pamje të papastër, por kontribuon edhe në formimin e deponive të vogla në hapësira publike.
Nga NPK-ja e Tetovës u bëjnë thirrje qytetarëve që, në vend se t’i hedhin këto mbeturina në mënyrë të pakontrolluar, të kontaktojnë ndërmarrjen dhe të kërkojnë shërbimin falas të grumbullimit. Si alternativë, mbeturinat e vëllimshme mund të dërgohen edhe në qendrën grumbulluese të Saubermacher-it.
Ndërkohë, disa çerdhe dhe shkolla kanë kërkuar që kontejnerët pranë objekteve të tyre të zhvendosen në lokacione më të përshtatshme. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, ndërmarrjeve publike dhe qytetarëve.
Nën drejtimin e Samet Bislimit, NPK-ja e Tetovës u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë shërbimin falas për grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme, duke kontribuar kështu në parandalimin e deponive ilegale dhe në krijimin e një ambienti më të pastër për të gjithë.
Lajme
Gjest i madh, 18 vjeçari gjen kuletën me 18 mijë € dhe i’a kthen pronarit
Një i ri 18 vjeçar ka treguar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare, pasi ka gjetur dokumente personale dhe një shumë të konsiderueshme parash, të cilat i ka dorëzuar në polici, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas njoftimit të MPB-së, dje, në orën 14:00, në Stacionin Policor në Delçevë, një 18-vjeçar nga ky qytet ka dorëzuar dokumentet personale të gjetura dhe para në vlerë prej 114.000 denarësh dhe rreth 2.000 eurosh.
I riu i kishte gjetur paratë dhe dokumentet në bulevardin „Maqedonia“ në Delçevë. Bëhej fjalë për një dokument udhëtimi, letërnjoftimin e një banori të Delçevës, si dhe shumën e lartpërmendur të parave.
Pas gjetjes së tyre, ai kishte vepruar me përgjegjësi dhe i kishte dorëzuar të gjitha në stacionin policor.
Ministria e Punëve të Brendshme e përshëndeti këtë veprim, duke theksuar se ai përbën një shembull pozitiv të ndershmërisë, ndërgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë së lartë qytetare, veçanërisht te të rinjtë.
„Veprime të tilla meritojnë mirënjohje publike dhe përbëjnë një nxitje për kultivimin e vlerave shoqërore, besimit të ndërsjellë dhe sjelljes së përgjegjshme në komunitet“, theksuan nga MPB-ja.
Lajme
“Plumbin e kam ende në sy”, para nisjes drejt Italisë rrëfehet 28-vjeçari që u plagos në protestë
Një goditje, dy hapa dhe më pas rrëzimi në tokë. Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos në sy nga një plumb gome gjatë protestës.Mes dhimbjes dhe pasigurisë për shikimin, ai rrëfen për herë të parë ekskluzivisht për gazetarin e Top Channel Endi Tufa çfarë ndodhi, pak para se gjithçka të ndryshonte.
Plumbi ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa shpresa tashmë është te mjekët dhe një ndërhyrje më e specializuar.“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, tha ai.
Gjithçka ndodhi në pak sekonda. Erjoni tregon se pas goditjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm. Kujtimet për atë që ndodhi më pas janë të pakta, por ai mban mend ndihmën e një shoku, i cili e transportoi me makinë. Pas kësaj, nisi një tjetër betejë, këtë herë në spital, me dhimbjen dhe frikën se mund të humbasë shikimin.“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, u shpreh ai.
Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e majtë të Erjonit. Pasojat e goditjes dhe rreziku për shikimin mbeten shqetësimi kryesor. Ai nuk e fsheh dhimbjen, ndërsa për atë që mund të ndodhë në vijim, ende nuk ka siguri.“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh ai për Top Channel.
Në këto kushte, trajtimi i specializuar është kthyer në shpresën kryesore për të shpëtuar syrin e dëmtuar. Pas kontaktit të Top Channel me stafin e spitalit, mjekët dhe të afërmit e Erjonit, është siguruar transporti i tij drejt një spitali në Romë, ku pritet të niset pasditen e sotme për të marrë kujdes më të specializuar mjekësor.Mes dhimbjes dhe pasigurisë, Erjoni mbyll dëshminë e tij me dy fjalë: “Vetëm fitore”. Një shprehje që, pas asaj që ka përjetuar, merr një kuptim edhe më të fortë.
“Vetëm fitore”, thotë ai.Endi Tufa: Çfarë do të thotë kjo?
“Shqipëria është e jona”, e mbyll ai intervistën./ Top Channel
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 week agoÇmimi i naftës shënon rënie
