Lajme
BBC: Albin Kurtit i hapet rruga e mandatit të tretë
Lëvizja Vetëvendosje, ka shënuar një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sipas rezultateve paraprake.
Me rreth 90% të votave të numëruara, subjekti politik i udhëhequr nga Albin Kurti ka marrë 50.8% të votave, duke i hapur rrugën një mandati të tretë qeverisës.
Dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë renditur pas, me përkatësisht 20.98% dhe 13.89% të votave.
Vetëvendosje kishte fituar edhe zgjedhjet e mbajtura në shkurt, por pa arritur shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, ç’ka e la Kosovën pa institucione funksionale për disa muaj.
Ngërçi politik ngriti pikëpyetjen kryesore të këtyre zgjedhjeve të dyta brenda vitit, nëse votuesit do ta ndëshkonin Kurtin për bllokadën institucionale apo partitë opozitare që refuzuan bashkëqeverisjen me të. Rezultati duket se ka dhënë një përgjigje të qartë.
Edhe pse Vetëvendosje pritet të mos i ketë e vetme votat e mjaftueshme për të qeverisur pa partnerë, Kurti pritet të sigurojë mbështetje nga partitë e pakicave etnike, të cilat kanë të garantuara 20 nga 120 ulëset në kuvend.
Kjo është fitorja e katërt radhazi e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare dhe shihet si një konfirmim politik pas dështimit për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kurti e cilësoi rezultatin si “fitoren më të madhe në historinë e vendit” dhe shprehu pritshmërinë që opozita këtë herë të bashkëpunojë.
Një sinjal i tillë erdhi edhe nga LDK-ja. Deputeti Arben Gashi deklaroi se, “kur votuesit flasin, rezultati nuk mund të injorohet”, duke bërë thirrje për reflektim dhe veprim të përgjegjshëm.
Në lojë janë interesa të mëdha. Për shkak të mungesës së një qeverie funksionale, Kosova ka humbur qindra milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian.
Kurti ka përmendur gjithashtu marrëveshje të mundshme me Bankën Botërore, që do ta çonin shumën e investimeve mbi një miliard euro.
Një tjetër sfidë mbetet riparimi i marrëdhënieve me aleatët kryesorë ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-në.
Politikat e Kurtit ndaj institucioneve që shërbejnë komunitetin serb në Kosovë kanë shkaktuar tensione, veçanërisht në veri të vendit, shkruan BBC-i.
Edhe pse BE-ja ka rënë dakord të heqë masat ndëshkuese të vendosura në vitin 2023, ajo pritet të kërkojë një qasje më pragmatike në dialogun e normalizimit me Serbinë.
Lajme
Kumanovari dhuron 26 mijë euro për rrugën që mundëson qasjen në xhaminë më të vjetër në rajon
Husejn Bajrami, djali i të ndjerit hoxhë Nexhmedin Bajrami nga Kumanova, ka financuar blerjen e rrugës që mundëson qasjen në Xhaminë “Koxha Mehmed Beu” në fshatin Tabanoc.
Marrëveshja për blerjen u nënshkrua më 19 tetor 2026, në prani të myftiut të Kumanovës, h. Abedin ef. Imeri, dhe anëtarëve të familjes Selmani nga Llojani.
Rruga ka një sipërfaqe prej 529 metrash katrorë, me gjerësi prej shtatë metrash, ndërsa vlera e blerjes arrin në 26.450 euro, shumë e paguar nga Husejn Bajrami.
Muftinia e Kumanovës e falënderoi z.Bajrami për këtë kontribut, si dhe familjen Selmani për bashkëpunimin, duke shprehur lutjen që kjo vepër të pranohet si sadaka dhe të shpërblehet me të mira.
Lajme
Të dielën nis ora dimërore, akrepat lëvizin një orë prapa
Ora verore këtë vit përfundon të dielën, më 25 tetor në orën 3:00 të mëngjesit duke u zhvendosur një orë prapa.
Në vitin 2018, Komisioni Evropian shqyrtoi heqjen e ndërrimit të kohës sezonale dhe më pas zhvilloi një konsultim publik në të cilin morën pjesë rreth 4.6 milionë njerëz.
Megjithatë, ndonëse 84 përqind e të anketuarve ishin në favor të heqjes së tij, anëtarët nuk arritën të arrinin një marrëveshje se cila kohë do të ishte e përhershme, kështu që propozimi nuk u zbatua.
Vendet e BE-së ende kalojnë në orën e verës në pranverë dhe në orën e dimrit në vjeshtë.
Në Azi, Kina, India, Japonia, Koreja e Jugut, Tailanda, Vietnami, Indonezia, Malajzia dhe Singapori nuk e përdorin kohën e kursimit të verës.
Kina e hoqi orën e verës në vitin 1991.
Në Lindjen e Mesme , Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahreini nuk e ndryshojnë orën gjatë vitit.
Irani e hoqi ndërrimin sezonal të orës në vitin 2022, dhe që nga viti 2023 nuk e ndryshon më kohën midis verës dhe dimrit.
Në Amerikën e Jugut , Brazili, Argjentina, Kolumbia, Peruja dhe Ekuadori nuk e përdorin kohën sezonale.
Në Australi, rregullat ndryshojnë sipas shtetit. Uellsi i Ri Jugor, Viktoria, Australia Jugore, Tasmania dhe Territori i Kryeqytetit Australian po kalojnë në orën verore, ndërsa Queensland, Australia Perëndimore dhe Territori Verior nuk e ndryshojnë orën, raportoi portali Maariv.
Ndër arsyet për heqjen e ndërrimit të kohës sezonale janë funksionimi më i thjeshtë i jetës së përditshme , shmangia e problemeve në sistemet kompjuterike, transportin dhe biznesin, si dhe fakti që në vendet pranë ekuatorit, gjatësia e ditës nuk ndryshon ndjeshëm gjatë vitit.
Lajme
„Pesë veta rrahin një fëmijë dhe e filmojnë“: Dëshmi shqetësuese nga Tetova
Pesë të mitur, të moshës rreth 13 dhe 14 vjeç, sipas pretendimeve të një prindi, kanë ndaluar dy fëmijë 11-vjeçarë në qendër të Tetovës, i kanë kapur për fyti dhe janë përpjekur t’ua heqin xhaketat për të kontrolluar nëse mbanin veshje me simbolet e grupit të tifozëve „Vojvodi“. Incidenti, sipas prindit, ka ndodhur derisa fëmijët po shkonin në stërvitje.
Për rastin ka alarmuar publikisht Darko Gavro, i cili në një postim në grupin e Facebook-ut „Go ljubim Tetovo“ pretendon se djali i tij dhe një fëmijë tjetër janë keqtrajtuar pranë ëmbëltores „Geopiko“ dhe objektit „Nashe dete“.
Sipas dëshmisë së tij, fëmijët ishin rrugës për në Qendrën Sportive, ku duhej të merrnin pjesë në stërvitjen e klubit për fëmijë „Fit Kid“, kur u ndaluan nga grupi i të miturve.
„I kanë kapur për fyti dhe janë përpjekur t’ua heqin xhaketat për të parë nëse janë ‘Vojvodi’“, ka shkruar prindi.
Ai pretendon se njëri prej të miturve e ka filmuar incidentin me telefon celular. Sipas informacioneve që ka marrë, videoja ishte menduar të publikohej në një grup të veçantë në TikTok, ku, siç thotë ai, shpërndaheshin pamje të rrahjeve nëpër Tetovë.
Prindi bën të ditur se rasti është denoncuar në polici dhe se bashkëshortja e tij ka shkuar për të dhënë deklaratë.
Në postimin e tij, ai paralajmëron se nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar, pasi pretendon se ka informacione edhe për raste të tjera të keqtrajtimit të fëmijëve, gjatë të cilave të miturve u janë hequr xhaketat dhe trenerkat.
„Policia hesht. Të gjithë e dinë dhe i lëshojnë fëmijët në rrugë me frikë“, ka shkruar Gavro, duke kërkuar shtim të pranisë policore dhe të patrullave nëpër Tetovë.
Ai u ka bërë thirrje publike edhe institucioneve përgjegjëse për delikuencën e të miturve që t’i hetojnë rastet e tilla, duke paralajmëruar se keqtrajtimi i fëmijëve nga grupe po shndërrohet në një problem serioz.
Deri më tani, informacionet për rrethanat e incidentit bazohen në dëshminë publike të prindit. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë konfirmim zyrtar për denoncimin, as për pretendimet lidhur me filmimin e organizuar dhe publikimin e incidenteve të tilla./Skopje1.mk
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 week agoÇmimi i naftës shënon rënie
