Lajme
Snopçe: “Safe City” shkel Ligjin për gjuhët dhe do të rëndojë xhepin e qytetarëve
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke e akuzuar për moszbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në kuadër të projektit “Safe City”, si dhe për një qasje që, sipas tij, po e shndërron sigurinë rrugore në barrë financiare për qytetarët.
Snopçe thekson se ministri ende nuk ka dhënë përgjigje pse SMS-porositë që lidhen me projektin “Safe City” u janë dërguar qytetarëve shqiptarë vetëm në gjuhën maqedonase, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Gjuhët. Vetëm ditën e parë, rreth 40.000 qytetarë shqiptarë kanë pranuar njoftime ekskluzivisht në maqedonisht.
“Siguria në komunikacion është e rëndësishme, por jo me kusht që të shkelet ligji dhe të goditet rëndë standardi jetësor i qytetarëve, i cili edhe ashtu është i mbingarkuar”, deklaron Snopçe.
Deputeti i ASH-së ngre shqetësime serioze edhe për dimensionin financiar të projektit, duke theksuar se numri i dënimeve është alarmant dhe se shteti duhet të ndërmarrë masa në përputhje me realitetin ekonomik të qytetarëve.
Ai bën të ditur se ka kërkuar sqarime nga ministri Toshkovski se sa mjete financiare do të ishin grumbulluar nëse projekti “Safe City” nuk do të ishte në fazë testimi, sa paga minimale do të përfaqësonin ato mjete, apo sa shporta ushqimore do të mund të mbusheshin me paratë e mbledhura nga gjobat – por, sipas tij, ka mbetur pa përgjigje konkrete.
Snopçe prezantoi edhe një simulim financiar bazuar në të dhënat zyrtare të MPB-së. Sipas këtyre të dhënave, vetëm në 12 orët e para të ditës së parë të testimit janë konstatuar 65.000 parregullsi në komunikacion.
“Nëse mesatarisht një dënim do të ishte 50 euro, atëherë për një ditë do të grumbulloheshin 3.250.000 euro, për një muaj 97.500.000 euro, ndërsa për një vit plot 1.186.250.000 euro”, thekson deputeti.
Snopçes, me këtë ritëm dhe këtë tempo të gjobitjes së qytetarëve që cilësohen si ‘jo të disiplinuar në komunikacion’, shteti do ta mbushte arkën me mbi 1.18 miliardë euro, duke e shndërruar projektin “Safe City” nga një mekanizëm sigurie në një instrument masiv ndëshkimi financiar.
Ai kërkon transparencë, respektim të Ligjit për Gjuhët dhe një qasje më humane dhe sociale ndaj qytetarëve.
Lajme
Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Kadastër, Amet Ziberi, viziton njësinë rajonale në Veles: Fokus te digjitalizimi dhe shërbimet më efikase për qytetarët
Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, Amet Ziberi, ka zhvilluar sot një vizitë pune në njësinë rajonale të Agjencisë në Veles, ku ka takuar të punësuarit dhe ka biseduar nga afër për proceset e përditshme të punës, sfidat me të cilat përballen dhe nevojat për avancimin e mëtejshëm të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Gjatë vizitës, Ziberi theksoi se njësia rajonale në Veles ka një rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve kadastrale për qytetarët e këtij rajoni, duke nënvizuar se përmirësimi i efikasitetit, modernizimi i proceseve dhe investimi në digjitalizim mbeten ndër prioritetet kryesore të institucionit.
Ai vlerësoi punën e stafit lokal dhe theksoi se qëllimi i Agjencisë është që qytetarët të marrin shërbime më të shpejta, më cilësore dhe me më pak pritje në sportele.
“Qëllimi ynë është i qartë – më pak pritje në sportele, procedura më të shpejta dhe shërbime më cilësore për secilin qytetar. Përmirësimi i kushteve të punës për të punësuarit dhe avancimi i shërbimeve mbeten pjesë e angazhimit tonë të përditshëm, në mënyrë që Kadastra të jetë sa më afër qytetarëve dhe nevojave të tyre”, është shprehur Ziberi.
Nga Agjencia për Kadastër bëjnë të ditur se vizita të tilla në njësitë rajonale do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, me qëllim identifikimin e nevojave konkrete në terren dhe përshpejtimin e reformave që lidhen me digjitalizimin dhe modernizimin e shërbimeve kadastrale në të gjithë vendin.
https://www.facebook.com/share/p/14maVNPWxGC/
Lajme
Andy Burnham mund të marrë drejtimin e Laburistëve më 17 korrik pas dorëheqjes së Starmer
Komiteti Ekzekutiv Kombëtar i Partisë Laburiste në Britani ka miratuar kalendarin për zgjedhjen e liderit të ri të partisë, duke hapur rrugën që Andy Burnham të marrë drejtimin e saj që më 17 korrik.
Sipas mediave britanike, procesi i nominimeve do të hapet brenda dy javëve të ardhshme. Nëse vetëm një kandidat arrin të sigurojë mbështetjen e nevojshme prej 20% të deputetëve laburistë në Parlament, ose 81 nënshkrime, ai do të shpallet automatikisht lider i partisë tre javë më vonë.
Aktualisht, Andy Burnham konsiderohet kandidati kryesor dhe favorit për të marrë drejtimin e Laburistëve. Përveç mbështetjes së deputetëve, ai duhet të sigurojë edhe përkrahjen e të paktën tre organizatave të lidhura me partinë, ku dy prej tyre duhet të jenë sindikata, ose alternativisht mbështetjen e 5% të degëve lokale të Partisë Laburiste.
Sipas vlerësimeve, Burnham pritet ta sigurojë këtë mbështetje pa vështirësi, veçanërisht përmes sindikatave, çka mund të përshpejtojë procesin dhe t’i mundësojë atij shpalljen si lider i ri më 17 korrik.
Burime pranë partisë bëjnë të ditur se deri tani nuk ka sinjale për kandidatë të tjerë seriozë në garë. Nëse situata mbetet e pandryshuar gjatë javëve të ardhshme, atëherë nuk do të ketë nevojë për votim të anëtarësisë në muajin gusht dhe Burnham do të marrë drejtimin e Laburistëve pa balotazh.
Lajme
Tragjedia në Venezuelë, momenti kur dy tërmetet e fuqishme godasin Karakasin. Shpallet gjendja e emergjencës, autoritete: Frikë për shumë viktima
Dy tërmete të fuqishme kanë goditur kryeqytetin e Venezuelës, Karakasin, brenda pak sekondash nga njëri-tjetri.
Lëkundja e dytë, me magnitudë 7.5 ballë, konsiderohet një nga tërmetet më të forta që ka prekur vendin e Amerikës së Jugut në më shumë se një shekull.
Si pasojë e tërmeteve, disa ndërtesa janë shembur në zona të ndryshme të qytetit, ndërsa banorët kanë dalë me nxitim në rrugë për t’u strehuar në vende më të sigurta. Gazetarët në terren kanë regjistruar momentet e lëkundjeve të forta që shkaktuan panik te qytetarët.
Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend për të përballuar situatën emergjente.
Sipas deklaratës së saj më të fundit, të paktën 32 persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 700 të tjerë janë plagosur. Këto janë shifrat e para zyrtare të publikuara nga autoritetet lidhur me bilancin e viktimave dhe të lënduarve, ndërsa numri pritet të rritet ndjeshëm.
Ekipet e shpëtimit dhe emergjencave vijojnë operacionet në zonat e prekura, ndërsa autoritetet po vlerësojnë dëmet materiale dhe rrezikun e pasgoditjeve. Situata mbetet në zhvillim dhe pritet që numri i viktimave dhe të plagosurve të ndryshojë në orët në vijim.
https://x.com/californiapost/status/2069955064202919952?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E2069955064202919952%7Ctwgr%5E1fc806654af336c61a0029f6da8640df1f676491%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F2026%2F06%2F25%2Fvideo-tragjedia-ne-venezuele-momenti-kur-dy-termetet-e-fuqishme-godasin-karakasin-shpallet-gjendja-e-emergjences-autoritete-frike-per-shume-viktima%2F
-
Lajme7 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme7 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
