Lajme
Zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov” në Çair do të kushtojë rreth 2.5 milionë euro
Zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov” në Komunën e Çairit do të kushtojë rreth 2.5 milionë euro, përkatësisht 150 milionë denarë. Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëpunim ndërkomunal, e cila do të shënojë fillimin e projektit për zgjerimin e kësaj rruge, e cila prej vitesh paraqet një pikë kritike dhe ngushticë trafiku në qytet.
Marrëveshja për bashkëpunim ndërkomunal pritet të miratohet në seancën e nesërme të Këshillit të Qytetit të Shkupit. Sipas saj, Qyteti i Shkupit do të marrë pjesë në realizimin e projektit me mjete financiare në vlerë prej 150.000.000 denarësh, përfshirë TVSH-në, të siguruara nga Buxheti i Qytetit të Shkupit.
Nga kjo shumë, 5 milionë denarë janë planifikuar të ndahen nga buxheti i vitit aktual, 55 milionë denarë në vitin 2027 dhe 90 milionë denarë në vitin 2028. Po ashtu, Qyteti i Shkupit do të përfshihet edhe në zgjidhjen e çështjeve pronësore-juridike që lidhen me realizimin e projektit.
Nga ana tjetër, Komuna e Çairit do të kontribuojë në këtë bashkëpunim përmes përgatitjes së një projekti urbanistik të rishikuar për infrastrukturë, i cili do të përfshijë projektin ideor dhe projektin bazë të komunikacionit.
“Në bazë të vlerësimit të kryer nga përgatitësi i dokumentacionit projektues, është konstatuar se për realizimin e ndërtimit, rindërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës ‘Cvetan Dimov’, nga kryqëzimi me bulevardin ‘Nikola Karev’ deri te kryqëzimi me rrugën ‘John Kennedy’, janë të nevojshme 150 milionë denarë”, thuhet në arsyetimin e vendimit për bashkëpunim ndërkomunal.
Aktualisht, rruga “Cvetan Dimov” ka nga dy korsi në të dy drejtimet, por për shkak të parkimit të vazhdueshëm të automjeteve në njërën korsi, ajo shpeshherë është e bllokuar dhe krijon kolona të gjata trafiku.
Lajme
Elezi: VLEN po e kthen përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në ligj
Përfaqësuesi i VLEN-it, Afan Elezi, ka deklaruar se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është dhuratë politike, por parim kushtetues që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe një nga shtyllat kryesore të karakterit multietnik të shtetit.
Sipas tij, për më shumë se dy dekada kjo çështje ka mbetur pa një zgjidhje ligjore të qëndrueshme, duke u trajtuar përmes mekanizmave të përkohshëm dhe interpretimeve të ndryshme, por pa një ligj të veçantë.
“Për gati 23 vite kjo çështje mbeti pa ligj të veçantë. Arsyet i dimë, kishim arnime, mekanizma të përkohshëm dhe interpretime të ndryshme, por asnjëherë ligj”, ka theksuar Elezi.
Ai ka vlerësuar se me ardhjen e VLEN-it në përfaqësimin e shqiptarëve janë hapur procese që, sipas tij, nuk janë iniciuar gjatë dy dekadave të kaluara.
“Për vetëm 24 muaj ne sollëm ligj dhe po e avancojmë Marrëveshjen e Ohrit. Ky është një hap historik dhe një përgjigje serioze ndaj boshllëkut institucional që u krijua pas shfuqizimit të balancuesit”, ka deklaruar Elezi.
Në fund, ai ka bërë thirrje që të gjitha subjektet politike të mbështesin këtë proces, duke theksuar se tashmë është koha për vendime konkrete dhe jo për retorikë politike.
“Ky është momenti kur secili duhet të tregojë nëse është në anën e historisë. Nuk ka më vend për patriotizëm të rrejshëm. VLEN nuk bën zhurmë për të drejtat e shqiptarëve, por i kthen ato në ligj. VLEN shqiptarët po i bën ligj”, ka përfunduar Elezi.
Lajme
Deputetja e VLEN Mimoza Musa merr pjesë në Konferencën e 5-të në Parlamentin Evropian në Bruksel
Deputetja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga koalicioni VLEN, Mimoza Musa, mori pjesë më 23 dhe 24 qershor në Konferencën e 5-të me temë “Kapërcimi i hendekut ndërmjet pjesëmarrjes politike të të rinjve dhe politikave rinore”, e mbajtur në Parlamentin Evropian në Bruksel.
Në këtë aktivitet, së bashku me deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit Perëndimor, u diskutuan tema të rëndësishme që lidhen me politikat rinore dhe përfshirjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse.
Gjatë punimeve të konferencës, u trajtuan çështje si avancimi i politikave për të rinjtë, sfidat e shëndetit mendor te gjeneratat e reja, si dhe nevoja për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike dhe politike. Po ashtu, u theksua rëndësia e perspektivës evropiane për vendet e rajonit dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja dhe ide mbi mënyrat se si mund të krijohen më shumë mundësi për të rinjtë, duke synuar politika më gjithëpërfshirëse dhe më afër nevojave të tyre.
Deputetja Musa vlerësoi rëndësinë e këtyre forumeve ndërkombëtare si hapësira ku ndërtohen ura bashkëpunimi dhe ku forcohet dialogu për të ardhmen e gjeneratave të reja në rajon.
https://www.facebook.com/share/p/1HGPU1rqzd/
Lajme
Ali Ahmeti priti në selinë e BDI-së të riun nga Gostivari, Naser Veliun
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, priti sot në selinë e partisë Naser Veliun nga Gostivari, nipin e bashkëveprimtarit të tij të hershëm, të ndjerit Naser Veliu.
Gjatë takimit, Veliu u prezantua si elektroinxhinier i diplomuar në universitete prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar. Takimi u vlerësua si një mundësi për bashkëbisedim me të rinj të arsimuar dhe me përgatitje profesionale, të cilët, sipas Ahmetit, përfaqësojnë një brez me potencial për të kontribuar në zhvillimin shoqëror dhe institucional.
Ahmeti theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në procese shoqërore dhe profesionale, duke vlerësuar se kapitali njerëzor i arsimuar jashtë vendit është një vlerë e shtuar për komunitetin dhe vendin.
Në përfundim të takimit, ai i uroi Naser Veliut suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij profesional dhe personal.
Ja postimi plotë:
Sot kisha kënaqësinë ta pres në selinë e BDI-së Naser Veliun, të riun nga Gostivari, nipin e bashkëveprimtarit tim të hershëm, të ndjerit Naser Veliu.
Naseri është elektroinxhinier, i diplomuar në universitete prestigjioze në Angli. Takime me të rinj të arsimuar, të përgatitur profesionalisht dhe me vizion për të ardhmen janë gjithmonë të këndshme dhe japin shpresë se brezat e rinj do të vazhdojnë të kontribuojnë me dije, përkushtim dhe përgjegjësi për zhvillimin e shoqërisë sonë.
I uroj suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij profesional dhe personal.
-
Lajme7 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme7 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
