Lajme
Blerant Ramadani tërhiqet nga posti i Sekretarit Gjeneral të ASH-së
Blerant Ramadani ka njoftuar përmes një deklarate në rrjetet sociale se tërhiqet nga pozita e Sekretarit Gjeneral dhe nga angazhimi aktiv në strukturat partiake të Aleancës për Shqiptarët.
Ai thekson se vendimi vjen pas një reflektimi të thellë personal dhe profesional, duke shtuar se në mbledhjen e fundit të kryesisë ka votuar kundër dorëheqjes kolektive. Sipas tij, ky qëndrim nuk ka qenë shenjë mospajtimi, por rezultat i bindjes për stabilitet dhe ndërtim mbi struktura të forta.
Ramadani nënvizon se do ta përqendrojë angazhimin e tij të ardhshëm në fushën e shkencës dhe zhvillimit strategjik, duke e cilësuar këtë si një mënyrë tjetër shërbimi ndaj shoqërisë.
Ja postimi i plotë:
“NË SHËRBIM TË SHOQËRISË. NGA NJË HORIZONT I RI!
Të nderuar anëtarë të Aleancës për Shqiptarët, bashkëudhëtarë të idealit dhe qytetarë të lirë!
Sot, ndodhem në një pikëtakim vendimtar, ku ndërgjegjja profesionale më kërkon të rikalibroj mënyrën se si i shërbej shoqërisë.
Prandaj, njoftoj tërheqjen time nga pozita e Sekretarit Gjeneral dhe nga angazhimi aktiv në strukturat partiake. Ky vendim vjen si rrjedhojë e një reflektimi të thellë mbi parimet që më udhëheqin si njeri dhe si profesionist.
Dua të jem transparent me ju deri në fund: në mbledhjen e fundit të kryesisë, vota ime ishte dhe mbetet KUNDËR dorëheqjes kolektive.
Kjo votë nuk ishte mospajtim, por botëkuptim. Si inxhinier, unë besoj te strukturat që ngrihen mbi themele të forta, jo te logjika e rrëzimit për të rifilluar nga e para. Unë besoj te stabiliteti.
Megjithatë, demokracia është arti i respektimit të shumicës. Unë e pranoj këtë realitet dhe zgjedh të liroj rrugën me dinjitet, duke mbetur konsekuent në qëndrimet e mia.
Nga sot e tutje, energjinë time do ta kanalizoj aty ku vendi ka nevojë jetike: te Shkenca dhe Zhvillimi Strategjik. Kjo nuk është një lamtumirë nga idealet tona, por një bindje e thellë se një vend nuk lartësohet nga retorika e ditës, por nga forca e pakontestueshme e dijes dhe kompetencës.
Dhe për fund, por më e rëndësishmja, për SARAJIN: ajo që ndërtuam bashkë nuk matet me poste. Mbështetja juaj, ajo votë e pastër dhe e sinqertë që më dhuruat, është fitorja ime morale më e madhe. Atë besim e ruaj si kapitalin më të çmuar, si dëshmi se kur politika bëhet me zemër, njerëzit dinë të rreshtohen drejt.
Ky vendim nuk është një lamtumirë, por një ripozicionim. Unë nuk heq dorë nga vizioni për një shoqëri të drejtë.
Shihemi në betejat e radhës për parime!
Me respekt dhe mirënjohje”, – shkruan Blerant Ramadani.(INA)
Lajme
Kush është Valdrin Uka, drejtori i ri ekzekutiv i Shkëndijës
Më shumë se shtatë vite pjesë e klubit, Uka është një nga kuadrot e rritura dhe të përgatitura brenda strukturave të Shkëndijës, ndërsa ndryshimet e fundit pasqyrojnë planin e klubit për të ndërtuar një menaxhment të qëndrueshëm me njerëz nga brenda.
Ndryshimet e fundit në strukturën e KF Shkëndija nuk janë të rastësishme. Përtej emërimeve të reja në pozita drejtuese, ato pasqyrojnë një filozofi të qartë të klubit për të përgatitur kuadro nga brenda dhe për t’u besuar atyre përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha.
Në qendër të këtij riorganizimi është Valdrin Uka, i cili është emëruar Drejtor Ekzekutiv i Shkëndijës. Uka është pjesë e klubit prej më shumë se shtatë vitesh dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë pranë strukturave drejtuese, duke ndjekur nga afër funksionimin dhe zhvillimin e klubit. Vitet e kaluara në menaxhmentin e Shkëndijës e kanë shërbyer si një proces i gjatë përgatitjeje dhe kalitjeje për përgjegjësinë e re.
Në të njëjtën linjë janë edhe ndryshimet në Departamentin Sportiv. Erhan Selimi, deri tani Drejtor i Shkollës së Futbollit, avancon në pozitën e Drejtorit Sportiv, ndërsa Festim Ademi, pas rolit të Team Menaxherit, emërohet Drejtor Teknik i Departamentit Sportiv.
Të tre emërimet kanë një të përbashkët: bëhet fjalë për njerëz që tashmë njohin nga afër klubin, strukturën dhe mënyrën e funksionimit të tij. Kjo tregon se Shkëndija prej kohësh ka punuar në krijimin dhe përgatitjen e kuadrove të veta për pozita udhëheqëse.
Me vizionin dhe mbështetjen e drejtuesve dhe sponsorit të klubit, ndryshimet janë pjesë e një plani për një organizim më të balancuar dhe më profesional, duke ndjekur modelin e klubeve moderne ku investimi nuk bëhet vetëm te skuadra, por edhe te njerëzit që e drejtojnë dhe e zhvillojnë organizatën.
Në këtë drejtim, Shkëndija po tregon se kuadrot nuk kërkohen vetëm jashtë klubit, por ndërtohen, zhvillohen dhe përgatiten edhe brenda tij.
Lajme
Ardian Cuculi e mbyll kapitullin si drejtor sportiv i Shkëndijës
Pas tre viteve në pozitën e Drejtorit Sportiv, Ardian Cuculi përfundon angazhimin e tij te Shkëndija, njofton klubi kuqezi.
Pas përfundimit të angazhimit të Ardian Cuculit në pozitën e Drejtorit Sportiv, mbyllet një tjetër kapitull në rrugëtimin e tij të gjatë me klubin kuqezi.
Ish-kapiteni dhe një prej emrave që ka dhënë kontribut të madh për Shkëndijën në periudha të ndryshme, Cuculi përfundoi karrierën e tij si futbollist pikërisht me ngjyrat kuqezi, për të vazhduar më pas për tre vite në pozitën e Drejtorit Sportiv, duke qenë pjesë e sukseseve historike.
Klubi tetovar e falënderon Ardian Cuculin për punën, përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë gjithë viteve në Shkëndijë, duke i uruar shëndet, suksese dhe çdo të mirë në të ardhmen.
Lajme
DAP me paralajmërim për qytetarët: Dërgohen mesazhe të rreme, mos hapni linqe
Drejtoria e të Ardhurave Publike paralajmëron për mesazhe të rreme SMS, përmes të cilave qytetarët njoftohen se rimbursimi i tatimit është gati.
Në mesazhe përfshihet një link, i cili mund të përdoret për keqpërdorimin e të dhënave personale dhe bankare.
Nga DAP-i apelojnë qytetarët të mos e hapin linkun dhe të mos vendosin të dhëna të ndjeshme.
Të gjitha informacionet duhet të kontrollohen ekskluzivisht përmes kanaleve zyrtare të DAP-it dhe ueb-faqes ujp.gov.mk.
Qytetarëve u bëhet thirrje të jenë të kujdesshëm dhe t’i paralajmërojnë edhe të afërmit e tyre për mashtrimin e mundshëm.
-
Lajme9 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme9 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
