Shtyllat e shenjëzimit dimëror për orientim të vizitorëve në Malin Sharr janë dëmtuar. Këta shtylla janë vendosur në shtegun nga Kodra e Diellit deri tek Maja e Titos. Sipas kryetarit të Komunës së Bogovinës Feti Abazi, mbi 45 nga 112 shtyllat e vendosura janë dëmtuar, shkatërruar ose larguar. “Ky është një dëm i madh për një projekt të realizuar me mbështetjen e Ambasadave të Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë, me pjesëmarrjen e vullnetarëve dhe bizneseve lokale nga Komuna e Bogovinës dhe Tetovës. Turizmi malor është një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e Komunës së Bogovinës. Prandaj, çdo akt vandalizmi dëmton jo vetëm një investim, por edhe përpjekjet tona për ta zhvilluar dhe promovuar Malin Sharr si destinacion turistik”, shkruan në reagimin e tij kryetari i Komunës së Bogovinës Feti Abazi.
Ka reaguar edhe Ambasada e Austrisë. Nga Ambasada theksojnë se dëmi nuk është vetëm financiar, pasi shkatërrimi i shënjimeve mund të rrezikojë drejtpërdrejt sigurinë e alpinistëve, veçanërisht gjatë kushteve të vështira dimërore me borë, mjegull, erëra të forta dhe dukshmëri të reduktuar. Ambasada pret që institucionet kompetente të zbardhin të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave përgjegjës. “Shënjimi i shtigjeve malore nuk është vetëm një shtyllë apo një shenjë. Në kushte me borë, mjegull dhe stuhi, ai mund të bëjë dallimin ndërmjet kthimit të sigurt dhe humbjes në mal”, thuhet në reagim.
Shënjimi i kësaj traseje, e gjatë rreth 11 kilometra, u vendos nga nëntori i vitit 2025 deri në fund të korrikut 2026, me pjesëmarrjen e më shumë se 25 vullnetarëve, të cilët investuan një angazhim të konsiderueshëm dhe orë pune në transportin dhe vendosjen e pajisjeve. Nga Parku Kombëtar “Mali Sharr” thonë se në kushtet e dimrit, shenjëzimi veror mbulohet nga bora, ndërsa në pjesë të caktuara shtegu dimëror devijon qëllimisht nga ai veror për shkak të rrezikut nga ortekët dhe rreziqeve të tjera. “Shtyllat janë të prodhuara për kushte të vështira malore dhe janë të shënuara me shenja shumë të dukshme me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë, në mënyrë që të jenë të dallueshme edhe në borë, mjegull, gjatë natës dhe në kushte me dukshmëri të reduktuar. Kjo nuk është vetëm dëm material. Çdo shtyllë e hequr ose e shkatërruar nënkupton edhe humbjen e një pike orientimi, e cila në kushte të vështira dimërore mund të jetë vendimtare për sigurinë e alpinistëve”, thonë nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”. Rasti është raportuar në Stacionin Policor. Më 19 gusht 2026, një ekip profesional i policisë, në prani të përfaqësuesve të Parkut Kombëtar Mali Sharr, ka kryer inspektim në terren dhe ka dokumentuar lokacionet ku është konstatuar dëmtimi dhe largimi i pajisjeve.
Shoqatat malore theksojnë se ky nuk është vetëm dëm material. “Pas pajisjeve të shkatërruara qëndron diçka shumë më e rëndësishme, pra mundi i njerëzve që punuan që Mali Sharr të jetë më i sigurt dhe më mirë i përgatitur për alpinistët dhe vizitorë”, thuhet mes tjerash në reagimin e shoqatave malore. (koha.mk)