Lajme
353 vetë në regjistrin e pedofilëve në Maqedoni
Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në rajonin e Ballkanit që publikon online identitetin e personave të dënuar për abuzim seksual ndaj fëmijëve.
Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në rajon që me qëllim parandalues u ka mundësuar qytetarëve qasje online në identitetet e personave të dënuar me vendim përfundimtar për vepra që lidhen me pedofilinë, përfshirë fotografitë e tyre, pseudonimet, adresat e vendbanimit dhe veprat për të cilat janë dënuar. Kushdo mund t’i shikojë këto të dhëna me vetëm disa klikime.
Në regjistrin e pedofilëve, i cili tani për tani është i disponueshëm vetëm në gjuhën maqedone www.registarnapedofili.mk janë publikuar deri tani emrat e 353 personave, 14 prej të cilëve janë gra. Burime nga Ministria e Politikës Sociale thonë se po punojnë që faqja të jetë e qasshme edhe në gjuhën shqipe.
Krijimin e këtij regjistri e mundësoi Kuvendi i Maqedonisë me miratimin në vitin 2012 të një ligji të posaçëm që përcakton qartë 11 vepra penale që çojnë në përfshirje në regjistër.
“Regjistri përditësohet rregullisht me të dhëna të reja. Personat e dënuar përfshihen në mënyrë të vazhdueshme, menjëherë pas marrjes së njoftimit nga drejtoria kompetente për zbatim të sanksioneve, në përputhje me ligjin”, thanë për DW përfaqësues të Ministrisë së Politikës Sociale.
Në regjistër përfshihen persona të dënuar për vepra penale seksuale ndaj të miturve, përfshirë sulmet seksuale, veprat që lidhen me pornografinë me fëmijë, prostitucionin e fëmijëve, joshjen e fëmijëve, incestin dhe trafikimin e të miturve.
Megjashi: Hap i mirë por i pamjaftueshëm
Përfaqësues të organizatës joqeveritare Megjashi, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, thonë se regjistri i pedofilëve është një hap i mirë, por jo i mjaftueshëm. Mbrojtja e fëmijëve sipas tyre nuk mund të mbështetet vetëm te regjistri dhe kërkon masa të tjera konkrete.
“Regjistri i pedofilëve ka rol të caktuar parandalues dhe informues, por regjistra të tillë nuk duhet të shihen si zgjidhje e vetme, por vetëm si pjesë e një strategjie më të gjërë, serioze dhe të udhëhequr institucionalisht për parandalimin, sanksionimin dhe mbojtjen e fëmijëve nga abuzimi seksual. Pa një qasje sistemore, asnjë mjet i tillë nuk mund ta përmbushë qëllimin e vet” thonë përfaqësuesit e “Megjashit”, ambasada e parë e fëmijëve në botë
Nevojitet edukim sistematik dhe i vazhdueshëm
Sipas Megjashit ka një rritje serioze të rasteve të sulmeve seksuale ndaj fëmijëve. “Shifrat e larta të këtyre rasteve janë si rezultat i një dështimi serioz të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve. Të dhënat tregojnë qartë se shteti ende nuk po bën mjaftueshëm, veçanërisht në fushën e parandalimit. Nevojitet edukim sistematik dhe i vazhdueshëm, ndërhyrje e hershme, koordinim më i mirë dhe mbështetje për viktimat” thanë nga “Megjashi”.
“Megjashi” prej vitesh mban të hapur linjën “Alo Bushavko”, ku fëmijët dhe të rinjtë mund të kërkojnë ndihmë kur ndihen të rrezikuar ose u janë shkelur të drejtat.
Në pesë vitet e fundit përmes kësaj linje janë regjistruar nëntë raste që lidhen me pornografi të miturish, dhunë online, hakerim profilesh dhe shfrytëzim seksual të të miturve.
Rëndësia e parandalimit
Sipas ekspertëve dhe statistikave personat e dënuar për abuzim seksual të fëmijëve, kanë tendencë të përsërisin veprën, prandaj parandalimi është i rëndësishëm.
Sipas profesoreshës së të Drejtës Penale, Vedije Ratkoceri, këto krime njihen si “oportune”, pasi kryerësit shfrytëzojnë rrethana të favorshme pa planifikim paraprak. Andaj, sipas saj, regjistri luan rol kyç në parandalim.
“Kur një prind ka dyshime ose dëshiron të verifikojë nëse personi me të cilin fëmija i tij është në kontakt, qoftë fqinj, mësues apo trajner, ka qenë më parë i dënuar për vepra që lidhen me abuzimin seksual apo trafikimin e të miturve, ai mund të konsultojë regjistrin dhe ta marrë këtë informacion në çdo kohë. Kjo pa dyshim do të ndihmonte për parandalimin e abuzimit të mundshëm ndaj fëmijëve”, tha Ratkoceri.
Ndryshimi i ligjit shton numrin e denoncimeve
Përfaqësues të Ministrisë për Punët e Brendshme thanë për DW se pesë vitet e fundit, përkatësisht nga viti 2021 deri në vitin 2025, janë denoncuar gjithsej 472 raste që lidhen me abuzim seksual të fëmijëve.
Të dhënat tregojnë për një shtim të denoncimeve ndër vite: në vitin 2021 janë denoncuar 67 raste, në vitin 2022 u denoncuan 93 raste, ndërsa në vitin 2023 numri i tyre ka arritur në 116 raste. Në vitin 2024 janë regjistruar 91 raste, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan 105 raste.
Shtimi i denoncimeve lidhet edhe me ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2023. Sipas tyre kufiri i moshës për përcaktimin e viktimës në këto vepra penale u rrit nga 14 në 15 vjeç, sepse pjesa më e madhe e rasteve lidhen me sulm seksual ndaj fëmijëve që nuk kanë mbushur moshën 15 vjeç dhe bashkëjetesë me të mitura. Legjislacioni i Maqedonisë së Veriut e parashikon edhe mundësinë e kastrimit kimik për personat e dënuar për këto vepra penale, një masë që nënkupton trajtim hormonal me qëllim uljen e dëshirës seksuale.
Autor: Ardit Ramadani
Ky tekst publikohet në bashkëpunim me Deutsche Welle dhe është realizuar në kuadër të projektit „Rezistenca ndaj dezinformatave në Maqedonin e Veriut“, i mbështetur nga qeveria e Nordrhein-Westfalen.
Lajme
Ahmeti: Populli nuk mund t’i dënoj çlirimtarët e vet!
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nga protesta për çlirimtarët në Shkup, deklaroi se populli nuk mund t’i dënoj çlirimtarët e vet.
Ahmeti tha se këto aktivitetet do të vazhdojnë në tërë Kosovën por edhe në tërë hapësirat ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni.
“Sot në Sheshin Skënderbeu është vetëm fillimi dhe shqiptarët në Maqedoni, krahas shqiptarëtve të Kosovës do të demonstrojnë pakënaqësinë e tyre, revoltën e tyre se në emër të popullit shqiptarë nuk mund të dënohen çlirimtarët”, deklaroi Ahmeti, raporton SHENJA.
Ai tha se kjo çështje nuk është dashur të filloj fare me aktin e, siç e cilësoi ai, të turpshëm të Dik Martit.
“Për të njollosur tërë popullin shqiptar, dhe përderisa kemi ardhur këtu, sigurisht që duhet një aktivitet dhe punë e palodhur e institucioneve të Kosovës edhe të Shqipërisë në aktivitete të forta diplomatike për të sqaruar, shpjeguar tërë situatën para kancelarive të Evropës si financuese të kësaj Gjykata Speciale dhe shpalljen e tyre si të pafajshëm”, tha Ahmeti.
Lajme
Aliti: Kjo gjykatë është marrë me gjithçka përpos se me drejtësi
Rafiz Aliti, gjatë fjalimit të tij para protestuesve tha se gjykata e formuar me motive politike pa asnjë argument dënoi krerët e UÇK-së.
“Krerët e UÇK-së dhe njëkohësisht liderët janë mbajtur peng në Hagë për vite me radhë larg familjeve të tyre. Janë regrutuar dëshmitarë të rrejshëm nga BIA serbe dhe gjykatësi Jack Smith. Pikërisht dëshmitë e tyre të kafeneve luajtën rol në shqiptimin e dënimit”, tha Rafiz Aliti, komandant Mësuesi, raporton SHENJA.
Ai tha se nuk duhet të harruar kurrë se që çmimi që pagoi Kosova për lirinë është mbi 15 mijë të vrarë dhe mbi 1 milionë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Mësuesi tha se kriminelet serb nuk u përballën me drejtësinë dhe janë të lirë dhe lëvizin lirshëm nëpër botën.
Lajme
Sot në Shkup marsh protestues në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Sot, më 27 shtator, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup do të mbahet një marsh protestues në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Ngjarja është thirrur për në ora 14:00, me qëllim të shprehjes së solidaritetit dhe qëndrimit qytetar përballë vendimeve të Gjykatës Speciale. Organizatorët bëjnë thirrje për një pjesëmarrje të qetë, dinjitoze dhe të bashkuar, për të dëshmuar se sakrifica, kujtesa dhe dinjiteti i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk harrohen.
Në këtë marsh ftohen të marrin pjesë të gjithë qytetarët, familjet e dëshmorëve, veteranët, të rinjtë, studentët, intelektualët, shoqëria civile dhe gjithë personat që ndjejnë se kjo çështje i bashkon.
-
Lajme10 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
