Connect with us

Lajme

Gjykatat e kthyen në punë mjekun “tik-toker” që i xhironte pacientet në Gjinekologjinë e Tetovës

Tre vite më parë anesteziologu Valton Dervishi nga spitali i Tetovës u vu nën pranga, u dënua nga publiku dhe u paraqit si një shembull i rrallë se institucionet më në fund reagojnë kur një mjek e keqpërdor besimin e pacientëve. Mjeku, jo vetëm që i ka xhiruar në mënyrë të paligjshme pacientet dhe kolegët në repartin e gjinekologjisë, por një pjesë të regjistrimeve i ka transmetuar drejtpërdrejt në profilin e tij në “Tik-Tok”. Drejtori i atëhershëm i spitalit rastin e ka raportuar në polici, pas çka Dervishi është arrestuar menjëherë dhe i është caktuar masa e paraburgimit, raporton Laboratori i Gazetarisë Investigative (IRL), transmeton Portalb.mk.

Vetëm një muaj më vonë ai e pranoi fajin për veprat penale “Kryerje e pandërgjegjshme e detyrës” dhe “Xhirim i paautorizuar”. Gjykata Themelore në Tetovë e dënoi me 15 muaj burg, ndërsa Oda e Mjekëve, edhe pse përkohësisht për shkak të procedurave gjyqësore në vijim, ia mori licencën për shtatë vjet – masa më e rreptë disiplinore që mund t’i shqiptohet një mjeku në vendin tonë.

Me përsëritjen e gjykimit, deklaratat e reja të noterizuara të disa prej viktimave dhe një sërë vendimesh gjyqësore në Tetovë dhe Gostivar, dënimi me burg i Dervishit u ul në tre muaj, ndërsa një pjesë e veprave penale u rikualifikuan. Kjo gjë i mundësoi atij që t’i evitojë pengesat ligjore për ripunësim dhe që të kërkojë kthimin e licencës së tij.

“Unë gabova, e pranova fajin, nuk e dija se isha duke xhiruar. Nuk kisha në plan ta bëja një gjë të tillë. Kam punuar atje për shtatëmbëdhjetë vjet dhe asnjëherë nuk kam kërkuar që të më paguhet asnjë denar për orët shtesë. Vetëm e vetëm që të rrjedhë puna”, tha Dr. Valton Dervishi për IRL.

Analiza e IRL-së e vendimeve të plotfuqishme të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës Civile në Tetovë dhe Gjykatës së Apelit në Gostivar sugjeron se as gjykatësit dhe as prokurorët nuk kanë bërë një punë të hollësishme dhe të përkushtuar për ta mbrojtur interesin publik. Si dëshmi në procedurën e përsëritur janë përdorur deklarata të noterizuara nga mjekët e punësuar në spitalin e Tetovës, të cilët kanë dëshmuar se ai ka qenë një koleg i mirë dhe se ata nuk e kanë konsideruar si diçka serioze atë që ai e kishte bërë.

Nuk ka bazë ligjore: Si e mbyllën institucionet çështjen hap pas hapi

Procedura kundër Dr. Valton Dervishit në Odën e Mjekëve ende nuk ka përfunduar zyrtarisht. Nga Oda e Mjekëve shpjegojnë se prokurori në Gjykatën e Nderit të Odës së Mjekëve ka iniciuar një procedurë për shkelje të Kodit të Deontologjisë Mjekësore, pas së cilës u mbajtën disa seanca kryesore. Në procedurën e shkallës së parë mjekut iu shqiptua masa e marrjes së përkohshme të licencës për punë për një kohëzgjatje prej shtatë vitesh. Por, ky vendim nuk u bë kurrë i plotfuqishëm.

Dervishi ka dorëzuar ankesë dhe ka dorëzuar prova të reja, pas çka Këshilli i Shkallës së Dytë i Gjykatës së Nderit e ka pranuar ankesën dhe e ka kthyer lëndën në rishqyrtim.

Në procedurën e përsëritur mbrojtja ka dorëzuar një aktgjykim të ri nga Gjykata Themelore në Tetovë, me të cilin dënimi fillestar me burg prej një viti e tre muajsh është ulur në tre muaj, në të cilin tashmë ishte llogaritur edhe paraburgimi. Përveç kësaj, gjykata nuk ka shqiptuar ndalesë për ushtrimin e profesionit.

Pas shqyrtimit të rrethanave të reja në Odën e Mjekëve sërish është vendosur për statusin e mjekut dhe në vend të marrjes së licencës për shtatë vjet, është caktuar masa e marrjes së përkohshme të licencës për një kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Dervishi ka dorëzuar ankesë edhe për këtë vendim, procedura për të cilën është në vijim e sipër.

“Meqenëse me vendim gjyqësor të plotfuqishëm mjekut nuk i është shqiptuar masa e ndalesës për ushtrimin e profesionit, ndërsa procedura për shkelje të Kodit të Deontologjisë Mjekësore e zhvilluar nga Oda e Mjekëve nuk ka përfunduar ligjërisht, Oda  e Mjekëve për momentin nuk ka bazë ligjore për t’ia marrë licencën e punës Dr. Dervishit”, thonë nga Oda e Mjekëve.

Pikërisht formulimi “nuk ka bazë ligjore” sot është fjalia kyçe në të gjithë rastin.

Në vend të pacientes të dëmtuar, prokurori e ka ftuar si dëshmitar bashkëshortin e saj

Pas vendimit të parë prej 15 muajsh burg Dr. Dervishi ka siguruar një deklaratë të noterizuar nga një paciente, e cila ka qenë pjesë e videos së tij të publikuar në “Tik-Tok”, në të cilën ajo ka hequr dorë nga ndjekja penale e tij dhe kërkesa për dëmshpërblim.

Në deklaratën të cilën pacientja Besmira Sherifi Ramani e ofron si provë të re në favor të mjekut, thuhet se ajo aspak nuk është thirrur për të dëshmuar në gjykatë, ndërsa në vend të saj prokurori e ka thërritur bashkëshortin e saj, i cili nuk është aspak në videon në fjalë.

Prokuroria është dakorduar për një gjykim të ri, ndërsa Këshilli Penal i Gjykatës së Tetovës, i përbërë nga gjykatësit Hasan Asani, Jordan Vellkovski dhe Sadulla Idairi ka vendosur që dëshmia e pacientes mund të çojë deri në lirimin e të pandehurit. Për këtë arsye kanë lejuar që procedura gjyqësore të përsëritet.

Prokurori publik ka bërë rikualifikimin e veprave penale, kështu që në vend që të ndiqet penalisht për një vepër penale për të cilën është paraparë një dënim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, në gjykimin e dytë mjeku është akuzuar për vepra penale për të cilat dënimi minimal është tre muaj, ndërsa ai maksimal gjashtë vjet.

Me rikualifikimin e veprës, me një dënim minimal prej tre muajsh mjeku nuk mund të pushohet nga puna, si dhe nuk mund t’i merret përkohësisht licenca e punës.

Gjykimi është caktuar për më 27 qershor të vitit 2024, ndërsa deri më atëherë mjeku ka siguruar edhe tre deklarata të tjera të noterizuara nga koleget e tij, të cilat gjithashtu ishin xhiruar pa autorizim, ku thuhej se ata po hiqnin dorë nga ndjekja penale. Gjykatësi dhe prokurori në rigjykim janë Nazif Ilijazi dhe Bashkim Hyseni, por këtë herë aktgjykimi është plotësisht në favor të mjekut.

Për veprën e parë penale “Kryerje e pandërgjegjshme e detyrës” dënimi nga një vit është ulur në vetëm tre muaj burg, ndërsa për veprën e dytë “Xhirim i paautorizuar” nga pesë muaj u ndryshua në gjobë me para prej 250 euro.

Dënimi me tre muaj burgim ia hapi dyert e spitalit

Sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës punonjësi mund të pushohet nga puna nëse me vendim të plotfuqishëm i ndalohet kryerja e veprimtarisë, ose i është shqiptuar dënim me burg me kohëzgjatje prej më shumë se gjashtë muaj. Anesteziologu, edhe pse i dënuar, nuk bën pjesë në asnjë kategori. Kështu fillon një betejë paralele në Gjykatën Civile në Tetovë kundër spitalit dhe Odës së Mjekëve për kthimin e licencës.

Në padinë drejtuar Gjykatës Civile në Tetovë thuhet se pushimi nga puna nuk ka qenë i ligjshëm, sepse punëdhënësi paraprakisht është dashur të ngrejë procedurë disiplinore. Përveç kësaj në vendimin për pushimin nga puna nuk është shënuar konkretisht se në çfarë konsiston shkelja e rregullave të punës dhe disiplinës, si dhe nuk është shënuar se çfarë sekreti afarist, zyrtar ose profesional kishte zbuluar mjeku.

Më 30 tetor të vitit 2025 gjykata sjell aktvendim me të cilin e anulon vendimin për pushimin e Dervishit nga puna dhe e urdhëron spitalin që ta rikthejë atë në punë. Gjykatësit e Gjykatës Civile në Tetovë i referohen vendimit të Gjykatës Supreme nga viti 2016, në të cilin thuhet se nuk ka shkelje të rendit të punës dhe disiplinës me zbulim të paautorizuar të një sekreti afarist nëse punëdhënësi paraprakisht në një akt të veçantë nuk ka përcaktuar se cilat fakte, leje, të dhëna dhe dokumente shpallen sekret afarist. Spitali një Rregullore të tillë ka miratuar më 18 prill të vitit 2023, katër ditë pas incidentit me videon në “Tik-Tok”.

Spitali e apeloi aktgjykimin në Gjykatën e Apelit në Gostivar, por më 31 mars të këtij viti e humbi kontestin. Dhe me këtë spitali i shteron të gjitha mekanizmat ligjorë për një betejë ligjore kundër mjekut influencer.

Shpresën e fundit spitali e sheh në revizionin para Gjykatës Supreme. Ata ende nuk kanë vepruar sipas vendimit.

“Lidhur me rikthimin e mundshëm të punonjësit në punë, institucioni do të veprojë ekskluzivisht në përputhje me ligjin, vendimet gjyqësore dhe rregulloret në fuqi, duke marrë parasysh para së gjithash mbrojtjen e pacientëve, standardet profesionale dhe funksionimin normal të veprimtarisë shëndetësore. Përveç kësaj, institucioni do t’i shqyrtojë të gjitha bazat dhe rrethanat ligjore që janë relevante për statusin e mëtejshëm të punësimit dhe ligjor të personit”, tha për IRL përfaqësuesi ligjor i spitalit, avokati Darko Kosteski.

Dervishi po kthehet në punë dhe me një licencë mjekësore aktive sepse Oda e Mjekëve për momentin nuk ka bazë ligjore për t’ja marrë atë përsëri.

Tre vjet pas arrestimit të tij, mjeku i cili u bë një lloj simbol i reagimi institucional kundër keqpërdorimeve në shëndetësi pret të kthehet sërish në punë në spitalin e Tetovës.

“Unë kam një aktgjykim të plotfuqishëm dhe pres të më thërrasin në punë. Kanë kaluar më shumë se dy javë dhe ende nuk kam marrë asnjë përgjigje nga spitali. Nuk e dini se çfarë vuajtjesh kam kaluar. Atë që e bëra e bëra pa asnjë qëllim “, thotë Dervishi.

Nga Gjykata Themelore në Tetovë sqarojnë se lënda ishte kualifikuar në një mënyrë që mundësonte një dënim më të butë sepse as kolegët e dëmtuar dhe as pacientja nuk iu bashkëngjithën ndjekjes penale dhe nuk kërkuan dëmshpërblim.

Për më tepër, palët e dëmtuara nuk u dëgjuan aspak në gjykatë sepse i pandehuri e pranoi fajin tij plotësisht. Sipas ligjit, në një rast të tillë situata faktike konsiderohet e vërtetuar dhe nuk thirren dëshmitarë.

Nga Prokuroria thonë se aktgjykimin e konsiderojnë si të ligjshëm dhe adekuat për rrethanat e rastit.

Kështu, lënda që filloi me arrestim, shok për publikun dhe mesazhe për zero tolerancë ndaj keqpërdorimit të pacientëve, përmes një labirinti me ankesa, rikualifikime dhe deklarata noteriale, përfundoi me një aktgjykim që e rikthen mjekun në punë.

Vetëm pesë licenca të marra në një periudhë prej 15 vitesh

Në 15 vitet e fundit pranë Gjykatës së Nderit të Odës së Mjekëve kanë arritur tetë ankesa, ndërsa për pesë prej tyre janë shqiptuar masa disiplinore. Masat e shqiptuara sillen nga dënime më të buta si paralajmërim, marrje e përkohshme e licencës, deri në marrje të përhershme të licencës mjekësore. Sipas rregulloreve ligjore ekziston edhe mundësia për paralajmërim publik të një mjeku, por deri më tani nuk është shqiptuar.

Sipas Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore marrja e përhershme e licencës mund të bëhet vetëm nëse sillet një vendim i plotfuqishëm gjyqësor. Në Maqedoni nga viti 2010 deri në muajin qershor të vitit 2025 janë marrë vetëm pesë licenca.

Nga viti 2022 deri në vitin 2025 pranë Odës së Mjekëve janë dorëzuar gjithsej 225 ankesa nga pacientë, anëtarë të familjeve të pacientëve dhe institucione.

Dervishi, i punësuar si anesteziolog në Spitalin e Tetovës ka shpërndarë video të drejtpërdrejtë (live) në TikTok nga reparti i Gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës, ku shiheshin pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore si dhe personel mjekësor.

Më 14 mars 2023 nëpunësit policor arrestuan Dervishin (43) duke vepruar pas paraqitjes nga ana e drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, për veprën e kryer.

Fillimisht atij iu caktua masë paraburgimi prej tetë ditësh, ndërkaq më pas paraburgimi iu vazhdua edhe për 30 ditë.

Anesteziologu pas këtij rasti u përjashtua nga puna. Ndërkaq Oda e Mjekëve ia mori licencën për shtatë vjet.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

LAJMI I FUNDIT/ Sulmohet ambasada bullgare në Shkup

Gjuajtje me molotov përpara Ambasadës së Bullgarisë në Shkup. Në orët e mesditës është hedhur koktel molotovi përpara objektit të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.

Siç mund të shihet edhe në fotografitë e siguruara nga Alsat, zjarri ka kapur dy vetura të Ambasadës. Në terren kanë intervenuar dalë ekipet e zjarrfikësve, ndërsa shihen të pranishëm edhe zyrtarë policorë.

Burimet për Alsat theksojmë se incidenti është shkaktuar nga një kalimtar rasti i cili ka lyer veturat me lëndë të djegshme dhe pastaj ka hedhur shishen me molotov.

Continue Reading

Lajme

Mexhiti: Shkupi i Mentaz Allajbegut, Shaban Tërstenës dhe Shaban Sejdiut mbetet vatër e traditës së lavdishme të mundjes

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të sportit të mundjes, duke theksuar se Shkupi vazhdon të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të këtij sporti në vend.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mexhiti tha se aktiviteti “Vera Kulturore dhe Sportive” ka bashkuar traditën, të tashmen dhe të ardhmen e sportit të mundjes, duke rikujtuar emrat e mëdhenj që kanë lënë gjurmë në historinë sportive shqiptare.

“Shkupi, qyteti që i dha sportit emra të mëdhenj si Mentaz Allajbegu, Shaban Tërstena dhe Shaban Sejdiu, vazhdon të mbetet vatër e traditës së lavdishme të mundjes”, ka shkruar Mexhiti.

Ai ka veçuar edhe kontributin e mundësit dhe trajnerit Besir Alili, për të cilin tha se po e mban gjallë këtë trashëgimi me përkushtim dhe profesionalizëm, duke bërë që fryma e kampionëve të vazhdojë të jetojë dhe të frymëzojë brezat e rinj.

Sipas Mexhitit, fëmijët që janë pjesë e aktiviteteve sportive përfaqësojnë shpresën për kampionët e së ardhmes, duke dëshmuar se tradita e mundjes në Shkup vazhdon të kultivohet dhe të zhvillohet.

“Këta fëmijë, plot ëndrra dhe vullnet, përfaqësojnë brezin e ri dhe shpresën për kampionët e nesërm”, theksoi ai.

Continue Reading

Lajme

Triumf për arsimin shqip në Mal të Zi: Diplomat nga Tirana, Prishtina e Shkupi tashmë pranohen pa pengesa

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka përshëndetur vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, me të cilin diplomat e fituara në gjuhën shqipe do të pranohen dhe trajtohen pa nevojën e përkthimit gjatë procedurave të njohjes dhe barazimit në Mal të Zi.

Camaj e ka cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi dhe një hap konkret drejt barazisë së plotë institucionale, duke theksuar se një padrejtësi administrative që ka rënduar për vite me radhë mbi studentët dhe të diplomuarit në gjuhën shqipe po merr fund.

“Pas një angazhimi të vazhdueshëm institucional dhe politik, sot kemi një zgjidhje konkrete që garanton trajtim të barabartë për diplomat në gjuhën shqipe. Kjo është një fitore e arsimit, e barazisë dhe e respektimit të të drejtave të qytetarëve,” deklaroi Camaj.

Ai shprehu falënderim për ministren Angjella Jakshiq Stojanoviq dhe rektorin e Universiteti i Malit të Zi, Vlladimir Bozhoviq, për kontributin e tyre në realizimin e këtij vendimi, i cili siguron që diplomat e fituara në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në qendra të tjera universitare në gjuhën shqipe të kenë të njëjtin status si diplomat e fituara në Mal të Zi.

Sipas Camajt, ky vendim nuk është vetëm një lehtësim administrativ, por edhe një mesazh i qartë se institucionet e Malit të Zi po forcojnë standardet e barazisë, respektimit të diversitetit gjuhësor dhe vlerave evropiane.

“Ky është një sukses i përbashkët dhe një dëshmi se dialogu, përkushtimi dhe puna e vazhdueshme japin rezultate. Do të vazhdojmë të punojmë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët,” përfundoi Camaj.

Ja postimi plotë:

🇦🇱
DIPLOMAT SHQIP TË PRANUESHME PA PËRKTHIM

Me këtë rast shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, në krye me ministren, znj. Angjella Jakshiq Stojanoviq, për marrjen e vendimeve që përmirësojnë procedurat e barazimit të kualifikimeve arsimore të fituara jashtë vendit. Falënderim meriton edhe rektori i Universitetit të Malit të Zi, prof. dr. Vlladimir Bozhoviq, i cili dha kontributin e vet që diplomat të trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht gjuhës në të cilën janë fituar, e që është në përdorim zyrtar në Malin e Zi. Kështu, diploma e fituar në Tiranë, Prishtinë, Shkup apo në çdo qendër tjetër universitare në gjuhën shqipe gëzon të njëjtin status dhe trajtim si diploma e fituar në Podgoricë, Beograd, Zagreb, Sarajevë…

Në veçanti e vlerësoj rëndësinë që këto ndryshime kanë për qytetarët që kanë përfunduar studimet në gjuhën shqipe dhe që për vite me radhë janë përballur me vështirësi administrative në procesin e njohjes dhe barazimit të diplomave të tyre. Këto masa përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt garantimit të trajtimit të barabartë, respektimit të të drejtave arsimore dhe krijimit të mundësive të barabarta për të gjithë.

Më duhet të theksoj se në kët drejtim kam kontribuar vazhdimisht, duke kërkuar zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballeshin mbajtësit e diplomave në gjuhën shqipe. Që në takimin tonë të parë, ministrja e njohu rëndësinë e kësaj çështjeje dhe premtoi se do të angazhohej për zgjidhjen e saj.

Sot më vjen mirë të konstatoj se ky premtim është realizuar dhe se janë ndërmarrë hapa konkretë që kanë çuar në zgjidhjen e një problemi që ka prekur për një kohë të gjatë shumë studentë dhe të diplomuar. Prandaj, e mirëpres këtë avancim si një rezultat të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të pozitës së tyre dhe forcimit të barazisë në sistemin arsimor dhe institucional të Malit të Zi.

Mbetem i përkushtuar që edhe në të ardhmen të mbështes çdo iniciativë që garanton respektimin e të drejtave të studentëve dhe të diplomuarve në gjuhën shqipe, si një kontribut i rëndësishëm për integrimet evropiane dhe ndërtimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë.

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme1 hour ago

LAJMI I FUNDIT/ Sulmohet ambasada bullgare në Shkup

Gjuajtje me molotov përpara Ambasadës së Bullgarisë në Shkup. Në orët e mesditës është hedhur koktel molotovi përpara objektit të...

Lajme1 hour ago

Mexhiti: Shkupi i Mentaz Allajbegut, Shaban Tërstenës dhe Shaban Sejdiut mbetet vatër e traditës së lavdishme të mundjes

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të sportit të mundjes, duke theksuar...

Lajme2 hours ago

Triumf për arsimin shqip në Mal të Zi: Diplomat nga Tirana, Prishtina e Shkupi tashmë pranohen pa pengesa

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka përshëndetur vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, me...

Lajme3 hours ago

Sali në Skopje Security Forum 2026: Stabiliteti ndërtohet përmes bashkëpunimit, institucioneve të forta dhe vizionit të përbashkët evropian

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë sot në hapjen e Skopje Security Forum 2026,...

Lajme4 hours ago

Ligji për përfaqësim të drejtë sot para deputetëve, do të votohet me “Badenterin e vogël”

Projektligji për përfaqësim adekuat dhe të drejtë sot do të dalë para deputetëve në seancë plenare për lexim të parë....

Lajme5 hours ago

Kosovë, këta janë kandidatët me më së paku vota

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura...

Lajme5 hours ago

“Nuk kupton asgjë”, Trump shpërthen ndaj Netanyahut: Ndalo sulmet, mos mino paqen

Sipas raportimeve të fundit të mediave ndërkombëtare, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit izraelit...

Lajme5 hours ago

Marrëveshja SHBA-Iran, ja çfarë thotë Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka përshëndetur arritjen e ujdisë së fundit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe...

Lajme5 hours ago

Temperatura sot do të ngjitet deri në 34 gradë celsiuz

Moti sot do të jetë me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të ulëta deri mesatare lokale. Do të fryjë...

Lajme5 hours ago

Bien çmimet e naftës pas njoftimit të marrëveshjes SHBA-Iran

Çmimet e naftës ranë në Azi të hënën pasi Pakistani, i cili ka ndërmjetësuar përfundimin e luftës SHBA-Iran, njoftoi një...

Trending