Lajme
Për çdo qime të Kurbanit tënd, ti ke një sevap!
“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijëve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras.” Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.” (el-Maide, 27).
Duke na rrëfyer për djemtë e Ademit, Kabilin dhe Habilin, Allahu i Madhëruari na njofton se Ai e ka obliguar njeriun me kurban që me hapat e parë mbi Tokë.
Duke na rrëfyer për Ibrahimin (a.s.), Ai na flet sërish për kurbanin. Ibrahimi (a.s.) e theri kurbanin dhe me gatishmërinë e tij për sakrificë e arriti gradën e mikut të Allahut. Allahu i Plotfuqishëm, siç thotë Ai në Kuran, e mori Ibrahimin )a.s.) për mik, ndërsa Ibrahimi )a.s.) i lutej Zotit të botëve: “O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!” – Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë! – Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” (es-Saffat, 100-102).
Për të gjithë të dërguarit dhe për të gjithë popujt, kurbani ka qenë obligim. Ja konfirmimi për këtë. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim…” (el-Haxhxh, 34).
Duke e dërguar Muhamedin )a.s.) te mbarë njerëzimi dhe duke e urdhëruar atë që të therrë kurban, kurbani mbetet obligim i njeriut deri në Ditën e Gjykimit. Kështu, kurbani që nga Ademi, qëmoti e deri në Ditën e Gjykimit, përgjithmonë, është detyrë e njeriut. Allahu i Plotfuqishëm, në Librin e shpallur njerëzimit dhe në suren e njohur për të gjithë ne, thotë: “Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira, – andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban! – Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.” (el-Kevther, 1-3).
Në çdo vepër, më i rëndësishmi është nijeti. Kurbani i Habilit u pranua për shkak të nijetit të pastër dhe të sinqertë. Ibrahimi )a.s.) as që e flijoi atë që Allahu i Plotfuqishëm kërkoi prej tij; ai u sprovua vetëm përmes thirrjes për sakrificë. Allahu i Plotfuqishëm flet për këtë: “Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë. – Ne e thirrëm: “O Ibrahim, – ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! – Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! – Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh.” (es-Saffat, 103-107). Që nijeti është më i rëndësishëm se vetë vepra, e tregon pikërisht shembulli i Ibrahimit )a.s.), sepse për shkak të gatishmërisë së tij të sinqertë për sakrificë, ai u bë mik i Allahut të Plotfuqishëm.
Edhe neve Allahu i Plotfuqishëm na mëson se në kurbanët tanë nuk është e rëndësishme sasia e mishit, por sinqeriteti i nijetit. I Lartësuari na thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…” (el-Haxhxh, 37). Allahu i Plotfuqishëm kërkon nga njerëzit që të jenë të gatshëm për sakrificë, dhe ajo sakrificë duhet të jetë e sinqertë ashtu siç ishte sakrifia e Habilit, dhe ashtu siç ishte ajo e Ibrahimit )a.s.). Allahu i Plotfuqishëm e pranon veprën e bërë me sinqeritet, dhe çdo vepër e tillë e afron njeriun me Zotin. Njëri djalë i Ademit e sakrifikoi një dash, kurse tjetri kallinjtë e grurit të tij. Nuk bëhet problem se çfarë sollën si kurban, por me çfarë nijeti e bënë atë. Ibrahimi (a.s.( nuk e theri Ismailin, por pa dyshim që vendosi prerazi që ta bënte këtë për hir të Allahut të Plotfuqishëm „andaj Allahu e zëvendësoi atë me një kurban të madh.“
Muhamedi )a.s.) i nxit njerëzit që të bëjnë mirë, kurse në ditët e Bajramit që po i presim, nuk ka mirësi më të madhe dhe më të rëndësishme sesa therrja e kurbanit. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enesi )r.a.), se ka thënë: „Pasi e falëm namazin e Bajramit, të Dërguarit (savs) ia sollën dy desh të mëdhenj me brirë; ai këndoi tekbire dhe i theri. Zejdi e pyeti: ‘Çfarë janë këta kurbanë?’, ndërsa i Dërguari (savs) i tha: ‘Ky është suneti i babait tonë, Ibrahimit a.s.’ Zejdi pyeti sërish: ‘Po ne, çfarë kemi nga kjo?’ I Dërguari (savs) tha: ‘Për çdo qime të kurbanit tënd, ti ke një sevap’. Muhamedi (savs), gjithashtu ka thënë: „Nuk ka vepër të njeriut në ditët e Bajramit të Kurbanit që është më e dashur tek Allahu i Plotfuqishëm sesa derdhja e gjakut të kurbanit.“ Po ashtu i Dërguari (savs) thotë: „Në asgjë tjetër nuk i keni investuar paratë më mirë sesa në atë që therni në ditët e Bajramit të Kurbanit.“
Shpërblimi për kurbanin është i jashtëzakonshëm. Muhamedi (savs) thotë: „Allahu i Plotfuqishëm e pranon gjakun e kurbanit tuaj para se ai të bjerë në tokë, dhe me rënien e pikave të para të gjakut, Allahu i Plotfuqishëm ia fal mëkatet atij që therr kurban.“ Pejgamberi (savs) gjithashtu thotë: „Kush therr kurban me nijet të pastër, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe duke shpresuar në shpërblimin e Tij, kurbani do të jetë për të mburojë nga zjarri.“
Deri në Bajramin e Kurbanit kanë mbetur edhe 11 (njëmbëdhjetë( ditë. Kjo është ende kohë e mjaftueshme që, nëse po hezitojmë se a do të bëjmë kurban apo jo, që ta mposhtim hezitimin për hir të Allahut të Plotfuqishëm dhe të vendosim me sinqeritet për ta bërë atë që e bënë djemtë e Ademit, atë që e bëri Ibrahimi )a.s.) dhe atë që e bëri dhe na e urdhëroi Muhamedi )a.s.). Ne mësojmë nga kurbani se ai, përveçse na afron me Krijuesin, na afron edhe me njëri-tjetrin. Mishi i kurbanit, sipas rregullave islame, u takon; 1. familjes, 2. të afërmve dhe fqinjëve dhe 3. të varfërve. Duke e ndarë të tretën e parë për familjen, mësojmë se sa e rëndësishme është ajo dhe ku qëndron në prioritetet tona. Duke e ndarë të dytën për të afërmit dhe fqinjët, ia kujtojmë vetes obligimin besimtar për ruajtjen e lidhjeve farefisnore dhe fqinjësore. Duke e ndarë të tretën e fundit për të varfrit, ne e përmbushim detyrën që të gjithë njerëzit në ditët e Bajramit ta ndiejnë gëzimin dhe përkujdesjen e besimtarit për tjetrin, e cila duhet të jetë e përhershme dhe e pandërprerë. Ashtu siç na mbron kurbani nga zjarri, ashtu edhe sadakaja na mbron nga zjarri.
I lutemi Allahut të Madhëruar që ta pranojë çdo sakrificë tonën, dhe që kurbanët tanë t’i bëjë mjet të sigurt për ne gjatë kalimit mbi urën e Siratit. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)
Lajme
Bastisje në Shkup, sekuestrohet drogë dhe para, arrestohet 19-vjeçari
Një 19-vjeçar nga Shkupi është privuar nga liria pasi policia ka gjetur dhe sekuestruar marihuanë gjatë kontrollit ndaj tij, ndërsa më pas ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e tij.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur më 9 nëntor 2026, rreth orës 18:40, në një shteg këmbësorësh pranë lumit Vardar, në zonën e Gjorçe Petrovit.Nëpunësit policorë të Njësitit kundër Tregtisë së Palejuar me Drogë dhe Armë pranë SPB Shkup kanë privuar nga liria F.S. (19), pasi gjatë kontrollit personal kanë gjetur dhe sekuestruar marihuanë.
Me urdhër gjykate dhe në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminalistike pranë MPB-së, policia më pas ka realizuar bastisje në shtëpinë dhe ambientet e tjera të të dyshuarit.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe një substancë pluhurore e bardhë, si dhe para.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj 19-vjeçarit do të parashtrohet kallëzim përkatës, njoftojnë nga MPB-ja.
Lajme
Mexhiti dhe Kasami: Premtimi u bë realitet, jurisprudenca tashmë edhe në gjuhën shqipe
Bashkëkryetarët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë publikuar të njëjtin mesazh në rrjetet sociale, duke e cilësuar si historike mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Në postimet e tyre, Mexhiti dhe Kasami theksojnë se bëhet fjalë për një arritje të rëndësishme për studentët shqiptarë dhe për avancimin e barazisë gjuhësore në vend.
“Premtimi u bë realitet, jurisprudenca flet shqip! Një ditë historike për studentët shqiptarë dhe një hap i rëndësishëm për barazinë dhe dinjitetin e gjuhës shqipe. Fjalët marrin vlerë kur pas tyre qëndrojnë vepra. Sot kemi një arsye më shumë për të festuar! Studentë të dashur, ta gëzoni këtë të drejtë! Gëzuar Festat e Nëntorit”, thuhet në mesazhin e publikuar nga dy liderët e VLEN-it.
Ky reagim vjen në kohën kur çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka qenë në qendër të debatit politik në vend, ndërsa përfaqësuesit e VLEN-it e konsiderojnë këtë si realizim të një prej zotimeve të tyre ndaj qytetarëve shqiptarë.
Lajme
10 milionë euro nga gjobat! “Safe City” fitimprurës për shtetin
Rreth 10 milionë euro në vit pritet të derdhen në buxhetin e shtetit nga gjobat përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, thotë se bëhet fjalë për vlerësime fillestare dhe jo për shifra përfundimtare, pasi viti ende nuk ka përfunduar.
“Prurjet e përgjithshme që pritet të hyjnë çdo vit në buxhetin e shtetit janë rreth 10 milionë euro. Këto nuk janë shifra të përcaktuara saktësisht. Viti nuk ka përfunduar ende, por bazuar në dinamikën aktuale, pritjet janë që shuma të jetë rreth 10 milionë euro”, deklaroi Toshkovski. Nga këto mjete, 25 për qind, përkatësisht rreth 2,5 milionë euro, janë të destinuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe do të riinvestohen në zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të sistemit “Qyteti i Sigurt”.
“Pikërisht 25 për qind janë të destinuara për buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këto mjete do të riinvestohen në gjithçka që lidhet me zbatimin dhe avancimin e sistemit ‘Qyteti i Sigurt’”, tha ministri. Toshkovski theksoi se qëllimi kryesor i projektit nuk është mbushja e buxhetit me para nga gjobat, por rritja e sigurisë në komunikacion.
“Po e përsëris për të miliardën herë, qëllimi i këtij projekti nuk është mbushja e buxhetit të shtetit”, deklaroi Toshkovski.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme4 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
