Lajme
Rrëfimi ekskluziv i Komandant Hoxhës për hyrjen e UÇK-së në Haraçinë
Shkruan: Xhezair Shaqiri – Komandant Hoxha
U mor vendimi në shtabin e Ustrisë Çlirimtare Kombëtare – UÇK-së që njësitet tona të futen afër Shkupit, për të provokuar një dyluftim të pabarabartë mes UÇK-së dhe forcave qeveritare, me qëllim që të përshpejtohet përfundimi i luftes së vitit 2001, me një fitore për neve shqiptarëve.
U caktuan njësitet, komandantat dhe ushtarët të cilët vullnetarisht do të hynin në një rrethim shumë të rrezikshëm.
Disa komandatë të cilët në fillim u lajmëruan vullnetarisht për t’u futur në Haraçinë, mbas disa ditësh u larguan me arsyetim se në këtë fshat, largë pozicioneve te UÇK-së, që ishin në Mateç, Hotël, Likovë, Sllupçan etj., ishte vështirë qëndresa, furnizimi i logjistikës… dhe kishin të drejtë.
U kërkua nga unë që të marr përsipër hyrjen në Haraçinë, pasi që isha më i vjetri, që nga para fillimit të betejës së parë të UÇK-së në fshatin e lindjes time, Tanushë, dhe se ushtarët vullnetarë po kërkojnë komandant Hoxhën.
Pasi u konsultova me vullnetaret, komandant Telin dhe Arushën e Haraçinës, duke kërkuar mendimin e tyre se sa mund të marrin përgjegjesitë në këtë betejë të pabarabartë, më kujtohet Teli më pat thënë: “Komandant mos kërko nga unë të jem në roje, e sa për luftime nuk do bëjmë gjumë nëpër beteja”!
U nisëm nga fshati Hotël në mbrëmje deri në Manastirin mbi fshatin Mateç ku ishte bazë e UÇK-së. Telin me katër ushtarë e dërgova për Haraçinë ta kontrollon rrugën që mos të biem në pritë befasie.
Mbas dy ditësh Komandant Teli me Arbenin dhe shokë të tjerë, erdhën na morën në vendin e quajtur “Vllaigrob” në mbrëmje pa na vërejtur askush. Pas disa orësh arritëm në Haraçinë tek shtëpia e Ragmiut, ku pushuam disa orë dhe vazhduam në qendër të Haraçinës tek shtëpia e bacës Xhezë. Aty dhe vepruam organizimin e strukturave të UÇK-së dhe pozicionimin.
Për fat tonin jo të mirë, pala maqedonase na vërejtën po të nesërmen në mëngjes hyrjen tonë në fshat dhe na doli pak sa situata nga kontrolli, sepse nuk kishim edhe aq kohë të mjaftueshme për të u strukturuar në hirearkinë ushtarake – Skuadara, Togje, Kompani e deri në Bataljon. Si dhe nuk kishim shumë kohë që t’i rregullojmë dhe të bëjmë fortifikimin e rovave (hendeqeve), bunkerave etj., dhe pozicionimi i armatimit të rënd këmbesorie që dispononte UÇK-ja, top pa dridhje dhe Gulinov 12,7 (mitraloz i rëndë kundërajror i njohur si DShK 12.7 mm).
Lajme
Zelensky paralajmëron Bjellorusinë të heqë pajisjet sinjalizuese që Rusia i përdor për sulme
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensyk, ka paralajmëruar Bjellorusinë fqinje – aleaten e ngushtë të Rusisë – që të heqë pajisjet sinjalizuese të përdorura nga Kremlini për të shënjestruar Ukrainën, përndryshe, sipas tij, Kievi do ta bëjë vetë.
“Cili është kuptimi të thuhet se ai [udhëheqësi bjellorus Aleksandr Lukashenko] nuk dëshiron të jetë në luftë? Le t’i heqë këto pajisje, le t’i fikë. Mendoj se një javë do të jetë e mjaftueshme për ta bërë këtë”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp në Kiev më 19 qershor.
“Nëse ai nuk e bën, ne do ta bëjmë”, shtoi ai, pa dhënë elaboruar më shumë.
Zelensky tha se stacionet e transmetimit të sinjaleve ndodheshin në dy rajone të Bjellorusisë pranë kufirit me Ukrainën dhe se ato përdoren nga forcat ruse për të ndihmuar procesin e navigimit gjatë sulmeve ndaj civilëve ukrainas.
Ky pretendim nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Zelensky po ashtu foli për kapacitetet e rafinimit të naftës në Bjellorusi, duke pretenduar se vendi është bërë një furnizues i rëndësishëm për Rusinë dhe se Lukashenko mund ta ndalë këtë praktikë.
“Sot ai është furnizuesi më i madh, ose ndër furnizuesit kryesor për ushtrinë ruse. Veçmas Lukashenko, veçmas Bjellorusia”, tha Zelensky.
“A mund të ndalet kjo? Jam i sigurt se është në dorën e tij. Dhe ai është ai që e kontrollon”, shtoi ai.
Kievi ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës së naftës dhe objekteve të magazinimit në Rusi, shpesh duke goditur thellë brenda territorit rus, përfshirë edhe zonat pranë kryeqytetit Moskë, duke shkaktuar mungesa në Rusi dhe rritje të çmimeve për civilët.
Nën drejtimin e Lukashenkos, Bjellorusia është aleate e ngushtë ushtarake e Rusisë dhe ka mbështetur luftën e Moskës kundër Ukrainës, duke ofruar mbështetje logjistike dhe duke përsëritur kërcënimet e Kremlinit ndaj NATO-s. Megjithatë, ajo nuk i është bashkuar me pushtimin e plotë të Rusisë të nisur në shkurt 2022.
Bjellorusia, njësoj si Rusia, është përballur me sanksione të ashpra nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi, megjithëse Lukashenko ka bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin, përfshirë lirimin e disa kundërshtarëve të burgosur dhe të burgosurve politikë, ndonëse shumë prej tyre vazhdojnë të mbeten në burgje në Bjellorusi.
Lukashenko është në pushtet që nga viti 1994. Ai e mbajti pushtetin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke shpallur fitoren pavarësisht akuzave të përhapura për manipulim nga opozita bjelloruse dhe Perëndimi./Radio Evropa e Lirë
Lajme
Ali Ahmeti: BDI forcon strukturat në Vrapçisht, unitet dhe organizim përballë sfidave politike
Ali Ahmeti ka përcjellë një mesazh pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Vrapçisht, ku u konstituuan organet e reja drejtuese të degës.
Në mesazhin e tij, Ahmeti vlerëson se kuvendi është zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë, vëllazërore dhe me unitet të plotë, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm në forcimin e organizimit të partisë në nivel lokal.
Ai uron kryetarin e degës, kryesinë, Këshillin Mbikëqyrës, Komitetin e Veteranëve dhe sekretariatet për besimin dhe përgjegjësinë e marrë, duke shprehur bindjen se me përkushtim dhe afërsi me qytetarët do të forcohet edhe më tej organizimi në Vrapçisht.
Ahmeti thekson se BDI mbetet një nga forcat më të organizuara politike të shqiptarëve në vend, duke shtuar se fuqia e saj buron nga uniteti dhe besimi i qytetarëve.
Ai nënvizon gjithashtu nevojën për organizim, mençuri dhe vendosmëri, duke theksuar se me vizion dhe përkushtim do të përballen politikat që cenojnë të drejtat e shqiptarëve.
“Urime Vrapçishtit dhe suksese të zgjedhurve në këtë rrugëtim të ri”, përfundon mesazhi.
https://www.facebook.com/share/p/1Pa8248c3Y/
Lajme
Hetim për keqpërdorimet financiare në FFM, flet prokurori publik Faton Azizi
Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur hetim ndaj 18 personave fizikë dhe 8 personave juridikë lidhur me dyshimet për keqpërdorime financiare në Federatën e Futbollit të Maqedonisë. Në aksionin e realizuar nga Policia Financiare, Drejtoria e Inteligjencës Financiare dhe MPB-ja, janë arrestuar 12 persona, ndërsa pesë të tjerë janë të pakapshëm për organet e ndjekjes.
Sipas Prokurorisë, nën hetim janë dy ish-kryetarë të FFM-së, ish-udhëheqësja e sektorit të financave dhe kontabilitetit, si dhe disa pronarë, menaxherë dhe persona të autorizuar të kompanive private. Ata dyshohen për veprat penale “Përvetësim në detyrë” dhe “Pastrim parash” dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale. Hetimi tregon se gjatë periudhës 2015–2019, përmes pagesave të paligjshme dhe faturave me përmbajtje të rreme, FFM-ja është dëmtuar për rreth 180.8 milionë denarë. Shërbimet për të cilat janë dhënë fatura asnjëherë nuk kanë arritur deri tek FFM-ja, sqaron prokurori i rastit.
“Ata kanë nënshkruar gjithsej 728 urdhërpagesa që u ishin dorëzuar nga e dyshuara e tretë për nënshkrim dhe realizim. Në këtë mënyrë janë kryer pagesa të paligjshme për shërbime që Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM) nuk i ka marrë kurrë nga personat juridikë, si dhe për mallra që asnjëherë nuk kanë hyrë në FFM. Me këto veprime është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material në vlerë prej 180 milionë denarësh ose rreth 3 milionë euro.”, – deklaroi prokurori publik, Faton Azizi.
Prokuroria kërkoi paraburgim për 8 të dyshuar, ndërsa për 4 të tjerë masa të tjera sigurie. Njëri nga të dyshuarit tashmë ndodhet në paraburgim në një procedurë tjetër.
-
Lajme7 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme7 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
