Lajme
BDI: Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Bilall Kasamit dhe jo shpërbërjen e këshillit komunal të Tetovës
Reagimi i BDI-së
Bilall Kasami edhe një herë dëshmoi para qytetarëve pafuqinë e tij politike dhe institucionale. Në pamundësi për të marrë përgjegjësi dhe për të zgjidhur problemet e Tetovës, tani tenton ta kamuflojë dështimin e tij me teorira për zgjedhje të reja për Këshillin e Komunës së Tetovës.
Bilall Kasami, i njohur që në rini për vargjet e lavdisë kushtuar Josip Broz Titos, më pas pjesë e koalicionit parazgjedhor “Mozheme”, e sot pjesë e një Qeverie pa legjitimitetin e shqiptarëve, pafuqinë e tij politike e ka demonstruar disa herë para opinionit. E pamë kur Kryeministri ia ndali fjalën publikisht, e pamë në raport me ministra të Qeverisë dhe po e shohim sërish sot, kur nuk ka guxim politik të mbrojë emrat e rrugëve dhe shesheve të Tetovës.
Në vend të veprimit, Bilall Kasami prodhon teori juridike të paqena. Në vend të përgjegjësisë, kërkon alibi. Në vend të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemit, tenton të krijojë krizë artificiale dhe ta përdorë atë si pretekst për zgjedhje të reja.
Për hir të së vërtetës, BDI si pikë të rendit të ditës nuk e ka propozuar listën e njëjtë të emrave të abroguar nga Gjykata Kushtetuese. Lista e propozuar përmban gjithsej 67 emra dhe, rrjedhimisht, kjo çështje nuk mund të përdoret si shkak apo pretekst për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës.
Bilall Kasami, në vend që t’i ikë përgjegjësisë, duhet të bashkëpunojë me këshilltarët dhe forcat politike që ky problem të zgjidhet në interes të Tetovës dhe qytetarëve të saj. Por, si duket, ai nuk ka marrë ende leje nga VMRO-DPMNE që të votojë nismën e shqiptarëve për rikthimin e emrave të rrugëve dhe shesheve, të cilët u abroguan në mënyrë antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.
Sot pyetja është shumë e qartë: a ka marrë Bilall Kasami leje nga VMRO-DPMNE që të votojë nismën e shqiptarëve? Nëse ka vullnet, le ta votojë. Nëse nuk guxon, le ta thotë publikisht se pret leje nga partnerët e tij qeveritarë.
Nëse Bilall Kasami dhe partnerët e tij duan zgjedhje, atëherë BDI kërkon që të mos fshihet pas shpërbërjes së Këshillit Komunal. Le të japë Bilall Kasami dorëheqje të menjëhershme nga posti i Kryetarit të Komunës së Tetovës dhe le të shkojmë në zgjedhje.
Një kryetar komune që nuk ka aftësi të zgjidhë as edhe një problem të vetëm të Tetovës, që për çdo dështim kërkon alibi, që për çdo përgjegjësi fajëson të tjerët dhe që për çdo vendim pret sinjal nga partnerët e tij në Qeveri, nuk mund ta mbajë peng as Këshillin Komunal dhe as qytetarët e Tetovës.
Nëse Bilall Kasami do zgjedhje, le të mos sakrifikojë Këshillin për të shpëtuar veten. Le të japë dorëheqje dhe të përballet vetë me qytetarët e Tetovës.
Lajme
Haxhiu në shtëpinë ku qëndroi refugjate: Faleminderit shqiptarë të Maqedonisë që në ditë të vështira na i hapët shtëpitë dhe zemrat e juaja
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në kuadër të vizitës së saj në Maqedoninë e Veriut, ka qëndruar edhe te familja Sinani, ku siç bënë të ditur, ka qenë refugjate gjatë luftës së Kosovës, përcjell TV21.
Haxhiu, këtë veprim, siç njofton ajo, e ka bërë për “t’u çmallur, për të kujtuar dhe për të falënderuar familjen Sinani dhe shqiptarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, të cilët, në ditët më të vështira të luftës, na i hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre”.
“Pas 27 vitesh, u ktheva aty ku kisha ardhur si fëmijë refugjat lufte.
U ktheva për t’u çmallur, për të kujtuar dhe për të falënderuar familjen Sinani dhe shqiptarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, të cilët, në ditët më të vështira të luftës, na i hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre.
Mirënjohje e përjetshme për solidaritetin, bujarinë dhe humanizmin e tyre”, shkruan Haxhiu.
Gjatë ditës, Haxhiu ka realizuar takime bilaterale dhe është takuar edhe me kryetarët e komunave me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut./TV21
Lajme
Bora e parë e këtij viti në Maqedoni, ja ku po bie
Reshjet e borës kanë nisur sonte në rajonet më të larta të Maqedonisë perëndimore, ndërsa sipas informacioneve nga terreni, reshjet më të dendura janë regjistruar në Kodrën e Diellit.
Një video e regjistruar rreth orës 18:00 në qafën malore të Strazhës, në aksin rrugor Gostivar–Kërçovë, tregon kushtet dimërore në këtë segment rrugor dhe nevojën për kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve.
Sipas dëshmive të shoferëve që kanë kaluar në këtë rrugë, bora deri më tani nuk po qëndron në asfalt, ndërsa trafiku po zhvillohet pa probleme të theksuara.
Megjithatë, drejtuesit e automjeteve këshillohen të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike, të ruajnë distancën e sigurisë dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në zonat malore.
Lajme
Adnan Azizi: Dhjetëra ministra të BDI-së nuk e hapën kurrë çështjen e jurisprudencës, ne sjellim zgjidhje
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, në një intervistë për Pollogu.news, ka folur për zgjidhjen ligjore që mundëson dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se për dekada me radhë kjo çështje nuk është zgjidhur nga qeveritë e kaluara.
Azizi tha se, ndonëse problemi i provimit të jurisprudencës ekziston prej shumë vitesh, vetëm tani po ndërmerren hapa konkretë për të garantuar përdorimin e gjuhës shqipe në këtë proces.
“Dhjetëra ministra të BDI-së nuk e kanë hapur kurrë këtë çështje për ta zgjidhur problemin e jurisprudencës. Nuk është 84 për qind zgjidhja e jurisprudencës siç pretendon BDI-ja. Për mua, kjo është zgjidhja më e mirë”, deklaroi Azizi.
Duke komentuar protestat studentore kundër zgjidhjes së propozuar, deputeti i VLEN-it vlerësoi se ato kanë motive politike, duke nënvizuar se zgjidhja e ofruar synon të kapërcejë pengesat shumëvjeçare për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.
Sipas Azizit, nuk ekziston një alternativë tjetër që do të mundësonte funksionalizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Po i heqim barrierat për provimet profesionale dhe po ndërtojmë një ligj me themel. Pas këtij ligji, të gjitha provimet profesionale do të jepen në gjuhën shqipe”, thekson Azizi.
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
