Lajme
Iseni: Shqiptarët nuk janë përjashtuar nga Akademia Policore, të flasim me fakte dhe jo me propagandë
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar lidhur me debatin për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë, veçanërisht për konkursin për Akademinë Policore, e cila po rikthehet pas 26 vitesh.
Përmes një statusi në Facebook, Iseni thotë se çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë është një përgjegjësi që duhet marrë seriozisht dhe se çdo proces që ndikon në këtë përfaqësim duhet të zhvillohet me transparencë dhe mbi bazën e fakteve.
“Por sot duhet të flasim me fakte, jo me propagandë”, shkruan Iseni.
Ai thekson se që nga fillimi i procesit është bërë thirrje që sa më shumë të rinj shqiptarë të aplikojnë në konkursin për Akademinë Policore dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Megjithatë, sipas Isenit, interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive, ndërsa një pjesë e kandidatëve që kanë aplikuar nuk janë paraqitur në fazën e testimit dhe, rrjedhimisht, janë tërhequr nga gara.
Iseni e konsideron të pandershme politikisht deklarimin se shqiptarët janë “përjashtuar”, pa u bërë e qartë se sa kanë aplikuar, sa kanë vazhduar procesin dhe sa kanë përmbushur kriteret e përcaktuara.
“Ne nuk do të lejojmë që një proces institucional të shfrytëzohet për të krijuar ndjenjën e përjashtimit te qytetari shqiptar”, shprehet Iseni.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme thekson se qëndrimi i tij është për përfaqësim real, mundësi të barabarta dhe qasje të drejtë të shqiptarëve në çdo institucion.
Në fund të reagimit, Iseni i drejtohet edhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke i bërë thirrje që të mos e përdorë këtë çështje për përfitime politike.
“BDI-së i themi: Mos e përdorni interesin e shqiptarëve për politikë ditore”, përfundon Iseni.
Lajme
Çmimi i naftës shënon rënie
Indekset e bursave evropiane sot shënojnë rezultate të përziera, aksionet teknologjike janë nën presion, ndërsa çmimi i naftës “Brent” ka rënë në rreth 104 dollarë për fuçi.
Dërgesat e naftës saudite drejt rrugëve alternative dhe lirimi i energjisë nga rezervat kanë lehtësuar shqetësimet rreth konfliktit në Lindjen e Mesme.
Kontratat e së ardhmes (futures) për naftën “Brent” nga Deti i Veriut për dërgim në dhjetor ranë me 1,66 për qind në 104,31 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane WTI për dërgim në nëntor ra me 1,09 për qind në 94,05 dollarë për fuçi, njoftoi CNBC.
Lajme
MPB me detaje për dy të rinjtë e rrahur, posedonin drogë dhe kanë tentuar të ikin
Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur padi penale ndaj tre personave në lidhje me një incident të ndodhur më 7 tetor 2026, rreth orës 20:25, në rrugën “Crnogorska” në Shkup, ku gjatë një aksioni policor u sekuestrua marihuanë dhe një zyrtari policor iu mor arma e shërbimit.
Sipas MPB-së, policia kishte marrë më herët informacione operative se do të kryhej një vepër penale që lidhej me shitblerjen e marihuanës. Për këtë arsye, zyrtarët policorë i dhanë shenjë ndalimi një automjeti të tipit “BMW” me targa të Shkupit.
Kur policët iu afruan automjetit për identifikim dhe kontroll, shoferi e ndezi makinën, goditi një shtyllë dhe në të njëjtën kohë hodhi nga dritarja një qese me marihuanë.
Në atë moment, njëri nga policët nxori armën zyrtare dhe urdhëroi personat të ndalonin, duke u prezantuar si polici. Sipas njoftimit, personi që ndodhej në ulësen e pasagjerit ia mori armën zyrtarit policor, ndërsa shoferi u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Policët që ndodheshin në afërsi u vunë në ndjekje të automjetit, i cili lëvizte me shpejtësi të madhe në rrugën “Gjorçe Petrov”, në drejtim të autostradës Shkup–Tetovë. Automjeti nuk iu bind sinjaleve zanore dhe dritore të policisë, ndërsa një zyrtar policor qëlloi edhe tre të shtëna paralajmëruese në ajër.
Gjatë ndjekjes, BMW-ja u përplas me barrierën mbrojtëse të autostradës dhe u rrotullua. Nga automjeti dolën shoferi P.A. (24) dhe pasagjeri E.P. (21), të cilët u privuan nga liria.
Arma e shërbimit u sekuestrua, ndërsa pas kontrollit të terrenit u gjet edhe qesja me marihuanë.
Padi penale ndaj tre personave
Në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, Njësia për Krim të Dhunshëm pranë SPB-së Shkup, më 14 tetor 2026, ka paraqitur padi penale ndaj E.P. dhe P.A. për veprat penale:
Pengim i personit zyrtar në kryerjen e veprimit zyrtar, sipas nenit 382 të Kodit Penal.
Prodhim dhe trafikim i paautorizuar i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve, sipas nenit 215 të Kodit Penal.
Ndërkaq, ndaj M.T., për të cilin ekzistojnë dyshime se është i lidhur me rastin, është paraqitur padi penale për veprën që lidhet me prodhimin dhe trafikimin e paautorizuar të drogave narkotike, sipas nenit 215 të Kodit Penal.
Hetim edhe për veprimet e policisë
MPB-ja njofton se për rastin është informuar edhe Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale, i cili po ndërmerr masa dhe aktivitete për të shqyrtuar parregullsitë e mundshme gjatë veprimeve të zyrtarëve policorë. (TvShenja)
Lajme
Teleferiku i “Vodnos” pritet të rikthehet në funksion rreth Vitit të Ri
Pas rreth shtatë muajsh jashtë përdorimit, teleferiku i Vodnos në Shkup mund të rikthehet në funksion rreth Vitit të Ri, nëse punimet për rikonstruksionin përfundojnë sipas planit.
Nga Ndërmarrja Publike e Transportit (JSP) Shkup bëjnë të ditur se gjatë tetorit pritet të mbërrijnë ekipet e kompanisë austriake „Doppelmayr“, e cila do të kryejë riparimet dhe kontrollet teknike.
Teleferiku u ndal në maj, pasi gjatë kontrolleve u konstatuan disa mangësi teknike. Për riparimin e tyre është lidhur kontratë me kompaninë që e ka prodhuar dhe instaluar sistemin.
Oferta e „Doppelmayr“ arrin në 43,35 milionë denarë me TVSH, ndërsa kontrata ka vlerë maksimale prej 53,1 milionë denarësh me TVSH. Ajo përfshin furnizimin me pjesë rezervë, montimin, servisimin dhe testimin e pajisjeve.
Nga JSP theksojnë se teleferiku do të rikthehet në përdorim vetëm pasi të përmbushen të gjitha kushtet teknike dhe të sigurisë.
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
