Lajme
Puna në Shkup po bëhet luks: deri në 18 mijë denarë në muaj vetëm për autobus për një familje
Shtrenjtimi i transportit ndërurban po bëhet një barrë e re për familjet që varen nga autobusi për punë, studime apo shërbime shëndetësore. Për një familje me të ardhura mesatare, vetëm udhëtimi drejt Shkupit mund të marrë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit mujor.
Çmimet e biletave të autobusëve në disa nga linjat kryesore drejt Shkupit janë rritur, ndërsa për qytetarët që udhëtojnë çdo ditë kjo nuk është më një shpenzim i vogël ditor, por një kosto fikse që mund të arrijë në mijëra denarë në muaj.
Nga Kumanova në Shkup, bileta njëdrejtimëshe tani kushton 200 denarë, nga 170 denarë sa ishte më parë, ndërsa bileta mujore kushton 6.000 denarë.
Në linjën Tetovë–Shkup, bileta njëdrejtimëshe është rritur nga 200 në 250 denarë, ndërsa bileta mujore kushton 6.500 denarë.
Nga Velesi në Shkup, bileta mujore kushton 5.500 denarë, ndërsa një drejtim është 200 denarë.
Çmimet ndryshojnë edhe për qytetet e tjera. Nga Bitola në Shkup një drejtim kushton 600 denarë, ndërsa bileta vajtje-ardhje 950 denarë. Nga Ohri një drejtim është 980 denarë, ndërsa vajtje-ardhja 1.380 denarë. Nga Strumica një drejtim kushton 650 denarë.
Nga Kavadari në Shkup një drejtim kushton 450 denarë, vajtje-ardhja 650 denarë, ndërsa bileta mujore arrin në 7.500 denarë.
Nga Shtipi një drejtim është 360 denarë, ndërsa vajtje-ardhja 650 denarë dhe nuk ka biletë mujore. Nga Kërçova, në varësi të transportuesit, një drejtim kushton 480, 530 ose 580 denarë, ndërsa bileta vajtje-ardhje 630, 680 ose 750 denarë.
Sa kushton kjo në të vërtetë për një familje?
Këtu problemi bëhet shumë më serioz.
Nëse një familje nga Kumanova ka dy fëmijë që udhëtojnë çdo ditë në Shkup për studime dhe secili përdor biletë mujore prej 6.000 denarësh, vetëm për dy studentët familja duhet të ndajë:
6.000 + 6.000 = 12.000 denarë në muaj.
Nëse edhe njëri prej prindërve udhëton çdo ditë në Shkup për punë dhe përdor biletë mujore, shpenzimi total arrin në:
18.000 denarë në muaj.
Kjo do të thotë 216.000 denarë në vit vetëm për transport.
Nëse udhëtimi paguhet me bileta të veçanta dhe jo me bileta mujore, shpenzimi është edhe më i lartë. Për një person nga Kumanova që udhëton çdo ditë, dy herë në ditë, për 22 ditë pune, kostoja arrin rreth 8.800 denarë në muaj.
Për Tetovën, me 250 denarë një drejtim, i njëjti udhëtim për 22 ditë pune kushton rreth 11.000 denarë në muaj.
Një pagë mesatare dhe një llogari që nuk del
Sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës, paga mesatare neto në qershor 2026 ishte 48.381 denarë.
Nëse një i punësuar me pagë rreth 48.381 denarë udhëton çdo ditë nga Kumanova në Shkup, vetëm transporti me bileta ditore mund t’i marrë rreth 8.800 denarë, ose rreth 18,2 për qind të pagës.
Në Tetovë, transporti ditor do të merrte rreth 11.000 denarë, ose rreth 22,7 për qind të një page prej 48.381 denarësh.
Me biletë mujore, situata është pak më e favorshme, por shpenzimi përsëri është i madh: 6.000 denarë për Kumanovën ose 6.500 denarë për Tetovën.
Dhe kjo është vetëm rruga për në punë.
Pas transportit mbeten ushqimi, energjia elektrike, uji, ngrohja, telefonat, interneti, veshmbathja, shpenzimet shëndetësore, shpenzimet e fëmijëve, si dhe çdo shpenzim i paplanifikuar.
Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, shporta minimale sindikale për një familje katër anëtarëshe në gusht 2026 ishte 68.675 denarë. Vetëm ushqimi dhe pijet përbënin 25.032 denarë, ndërsa arsimi 7.192 denarë, veshmbathja 6.511 denarë dhe shpenzimet për ujë, energji elektrike dhe ngrohje rreth 6.370 denarë. Me qira për një banesë prej 60 metrash katrorë, shporta arrinte në 84.050 denarë.
Pra, një familje që jeton me një pagë mesatare prej rreth 48 mijë denarësh është shumë larg shumës që nevojitet për mbulimin e shpenzimeve minimale të një familjeje katëranëtarëshe.
Dy studentë – një barrë që nuk shihet vetëm në çmimin e biletës
Problemi bëhet edhe më i madh për familjet që kanë dy fëmijë në universitet.
Nëse dy studentë nga Kumanova udhëtojnë çdo ditë në Shkup dhe secili paguan biletë mujore prej 6.000 denarësh, 12.000 denarë në muaj shkojnë vetëm për transport.
Nëse njëri prind gjithashtu punon në Shkup dhe udhëton me autobus, shuma shkon në 18.000 denarë.
Kjo është më shumë se 37 për qind e pagës mesatare neto prej 48.381 denarësh.
Në një familje ku vetëm një person sjell të ardhura, matematikisht kjo do të thotë se pas transportit mbeten vetëm rreth 30.381 denarë për çdo shpenzim tjetër të familjes.
Dhe këtu lind pyetja kryesore: si duhet ta përballojë një familje këtë barrë, nëse ka dy studentë, një prind që punon dhe të ardhura që janë në nivelin e pagës mesatare?
Transporti publik duhet të jetë mundësi për qytetarët që punojnë dhe studiojnë jashtë qytetit të tyre. Por kur një pjesë gjithnjë e më e madhe e pagës shkon vetëm për të arritur në punë ose në fakultet, udhëtimi ndërurban nuk është më thjesht çështje transporti – bëhet çështje sociale dhe ekonomike.
Rritja e kostove të karburantit dhe mirëmbajtjes mund të jetë argument i transportuesve për rritjen e çmimeve. Por për qytetarin mbetet një pyetje shumë më konkrete: a po rriten të ardhurat me të njëjtin ritëm me shpenzimet që qytetari detyrohet t’i paguajë vetëm për të shkuar në punë, universitet apo për të marrë shërbimet që nuk i ka në qytetin e tij?
Për shumë familje, përgjigjja tashmë është e qartë – çdo rritje e re e biletës do të thotë një shpenzim më pak për ushqim, fëmijët, faturat apo nevojat e tjera të muajit./INA/
Lajme
Gjeografia sërish me gabime, nxënësit e klasës së shtatë në RMV mësojnë të pavërteta për Kosovën
Nëse nuk e lexon, je i painformuar, por nëse e lexon, del se je keq i informuar. Kështu ndodh me librin e Gjeografisë për klasat e shtata, të autorit maqedonas, profesor Bllagoja Markovski, botim i vitit 2025, ku nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, detyrohen të mësojnë gjëra që nuk janë të vërteta ose janë të pasakta.
Bëhet fjalë për mungesë njohurish dhe profesionalizmi, apo është bërë me qëllim, një gjë e tillë ende nuk dihet.
Më saktësishtë, në faqen 43 të librit në fjalë, në tekst “Rafshi i Dukagjinit” në Kosovë, shkruhet “Metohija”.
LIBRI I GJEOGRAFISË (fq 43)
“Relievi përbëhet nga luginat e Fushë Kosovës, në pjesën qendrore dhe lindore dhe METOHIA në pjesën perëndimore“.
E disa faqe më parë, pra në faqen 41 të librit të Gjeogrfisë, përderisa teksti është për shtetin e Serbisë, autori ka përmendur se cilat nacionalitete jetojnë atje, ka përmendur serbët, malazezët, maqedonasit, bullgarët, hungarezët dhe romunët, por si duket ka “haruar” ti përmend edhe shqiptarët, ku vetëm në Preshev, Bujanoc dhe Medvegjë, jetojnë afro 60 mijë shqiptarë.
LIBRI I GJEOGRAFISË (fq 41)
“Në Sërbi jetojnë 6.736.216 banorë. Përveç serbëve, këtu jetojnë edhe malazezët, maqedonasit, bullgarët, hungarezët dhe rumunët në Vojvodinë”.
Por shqetësimet për përmbajtjen e teksteve shkollore nuk ndalen vetëm te libri i Gjeografisë. Të njëjtat pikëpyetje ngrihen edhe për librin e Historisë për klasën e tetë, ku sipas kritikave të fundit, përmbajtjet që lidhen me historinë e shqiptarëve janë reduktuar ndjeshëm, ndërsa më shumë hapësirë u është kushtuar përmbajtjeve që lidhen me historinë e Serbisë. Nga gjashtë deri në tetë njësi mësimore që më herët trajtonin tema nga historia e shqiptarëve, në tekstin e ri kanë mbetur vetëm tri.
Kjo nuk është hera e parë që tekstet shkollore përballen me reagime të tilla. Madje, për këtë çështje reagime ka pasur edhe më herët. Në dhjetor të vitit 2025, zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, kishte kërkuar korrigjimin e gabimeve të evidentuara në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë. Megjithatë, sot, një vit më vonë, të njëjtat përmbajtje vazhdojnë të ngrenë shqetësime.
Kujtojmë se për vite me radhë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës është drejtuar nga ministra dhe zëvendësministra shqiptarë, të cilët kanë premtuar se tekstet shkollore me përmbajtje të pasakta ose të diskutueshme do të rishikohen dhe korrigjohen. Megjithatë, edhe pas këtyre premtimeve, të njëjtat probleme vazhdojnë të përsëriten, duke ngritur pikëpyetje se sa janë zbatuar në praktikë premtimet për përmirësimin e teksteve shkollore.
Lajme
Arrestohen 5 persona, në tendën e tyre kishte lloje të ndryshme drogash
Ministria e Punëve të Brendshme informoi se të premten në mbrëmje, në periudhën nga ora 19:20 deri në 20:45, në Galiçnik, në vendin e quajtur “Stopançe”, në kuadër të një aksioni operativ, ka privuar nga liria pesë persona. MPB ka theksuar se gjatë kontrollit të tendave ku qëndronin të dyshuarit kanë gjetur she konfiskuar disa pako marihuanë, kokainë, tableta dhe substanca të tjera narkotike dhe psikoaktive. MPB informoi se janë arrestar A.J. (32), M.M. (38), K.S. (45) dhe V.V. (44), të gjithë nga Shkupi, si dhe R.T. (38) nga Kumanova.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Gjatë kontrollit në tendat ku qëndronin personat, janë gjetur dhe sekuestruar disa paketime me marihuanë, një substancë e bardhë në formë pluhuri dhe kokrrizash, kërpudha halucinogjene, si dhe tableta”.
MPB sqaroi se pesë personat e arrestuar janë mbajtur në Stacionin Policor të Gostivarit për procedurë të mëtejshme. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personave do të parashtrohet kallëzim përkatës.
Lajme
Aksident i rëndë në rrugën drejt Bllacës, raportohet për të lënduar
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në rrugën drejt pikës kufitare Bllacë, ku raportohet se ka edhe persona të lënduar.
Në aksident janë përfshirë disa automjete, mes tyre dy “Golf”, një automjet BYD dhe një kamion.
Nga pamjet e publikuara nga vendi i aksidentit, shihet se disa prej automjeteve kanë pësuar dëme të mëdha, ndërsa pjesë të tyre janë shpërndarë në rrugë.
Aksidenti ka shkaktuar kolona të gjata dhe vështirësi në qarkullim. Aktualisht, në drejtim të Kosovës trafiku zhvillohet vetëm në një korsi, ndërsa automjetet që vijnë nga Kosova drejt Shkupit po devijohen nëpër një rrugë fshati.
Drejtuesit që udhëtojnë drejt pikës kufitare Bllacë këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të llogarisin vonesa gjatë udhëtimit.
Për momentin nuk ka informacione zyrtare për numrin dhe gjendjen e të lënduarve, ndërsa shkaqet e aksidentit ende nuk dihen.
-
Lajme9 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme9 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
