Connect with us

Lajme

Gjokoviq dënohet me 10 vjet burg për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Millorad Gjokoviqin për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 10 vjet burgim.

Aktgjykimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Donika Shala-Abdyli, e cila bëri të ditur se në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

“Gjykata shpall këtë aktgjykim: Në emër të popullit, i akuzuari Millorad Gjokoviq shpallet fajtor, sepse në periudhën e luftës në Kosovë, më 7 maj 1999, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës, i akuzuari, në cilësinë e policit rezervë, me persona të tjerë, i ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Gjykata, në bazë të dispozitave të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë, të akuzuarin e dënon me 10 vjet burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit”, tha Shala-Abdyli.

Rasti ishte rihapur për shqyrtim gjyqësor më 27 korrik të këtij viti, pasi në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk ishte gjetur deklarata e dëshmitares Nurije Krasniqi, për të cilën ajo kishte thënë se e kishte dhënë në polici pas përfundimit të luftës.

Në atë kohë, kryetarja e trupit gjykues kishte deklaruar se gjykata vlerësonte se ende nuk ishin shteruar të gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove. Gjatë dëshmisë së saj, Krasniqi kishte treguar se pas luftës kishte dhënë deklaratë në polici lidhur me rastin, por nuk kishte mundur ta kujtonte datën e saktë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të ngritur më 23 qershor 2023, Gjokoviq akuzohej se gjatë viteve 1998–1999, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, kishte kryer veprime kundër popullsisë civile shqiptare në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatrat përreth. Aktakuza përfshinte akuza për vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, torturë, trajtim mizor dhe çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të dhjetëra civilëve, si dhe plaçkitje, djegie e shkatërrim të shtëpive të shqiptarëve.

Sipas Prokurorisë, forcat e rregullta ushtarake serbe kishin hyrë në pjesën veriore të fshatit Ozdrim, përmes rrugës rajonale Pejë–Mitrovicë, ndërsa nga pjesa perëndimore, në kufi me Vitomiricën, kishin hyrë grupe paramilitare, ku kishte edhe pjesëtarë të njësive speciale ushtarake. Në aktakuzë thuhet se këto forca kishin filluar të qëllonin me armë në drejtim të popullsisë civile, duke vrarë gjashtë civilë shqiptarë: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H.

Prokuroria kishte pretenduar gjithashtu se tre civilë të tjerë, A.G., H.G. dhe M.G., të plagosur nga të shtënat, fillimisht ishin dërguar në Spitalin e Pejës, por më pas ishin ekzekutuar dhe varrosur në fshatin Lutogllavë.

Po ashtu, sipas aktakuzës, pesë civilë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., ishin vrarë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk ishin gjetur dhe ata vazhdonin të figuronin si persona të zhdukur.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Durmishi paralajmëron masa për punësimin e të rinjve

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot mori pjesë në forumin “NextGen CareerUp” i cili u mbajt në Tetovë i organizuar nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike (ILPP), me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës.

Në kuadër të forumit, ministri Durmishi ishte pjesë e panel diskutimit “Tejkalimi i hendekut: nga arsimi në punësim”, kushtuar sfidave me të cilat përballen të rinjtë kur hyjnë në tregun e punës, nevojës për aftësi praktike dhe bashkëpunimit më të mirë ndërmjet institucioneve arsimore, kompanive dhe institucioneve shtetërore.

Në fjalën e tij, ministri theksoi se krijimi i mundësive cilësore për të rinjtë është një nga prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, ku vëmendje e veçantë i kushtohet masave aktive të punësimit, praktikës, sipërmarrësisë dhe zhvillimit të shkathtësive që korrespondojnë me nevojat reale të ekonomisë.

“Detyra jonë është të ndihmojmë çdo të ri të bëjë hapin më të rëndësishëm – nga arsimi në përvojën e parë të punës. Diploma është bazë e rëndësishme, por të rinjtë kanë nevojë edhe për njohuri praktike, mentorim dhe mundësi për të treguar potencialin e tyre. Qëllimi ynë është të krijojmë kushte në të cilat punësimi i parë nuk do të jetë pengesë, por fillimi i një zhvillimi të suksesshëm profesional”, theksoi ministri Durmishi.

Ai theksoi se Plani Operativ për Punësimin për vitin 2026 parashikon mbështetje për mbi 10.000 qytetarë, me theks të veçantë te të rinjtë e papunë deri në moshën 29 vjeç. Plani përfshin disa masa aktive, ndër të cilat grante për vetëpunësim, punësim të subvencionuar, trajnime për profesione deficitare dhe praktika, përmes të cilave parashikohet të përfshihen 1.150 të rinj.

“Nuk ka zgjidhje të vetme që u konvenon të gjithë të rinjve. Dikush ka nevojë për trajnim shtesë, dikush tjetër për përvojë të parë praktike dhe dikush tjetër për mbështetje për të filluar biznesin vetanak. Prandaj, politikat tona synojnë krijimin e mundësive të ndryshme, me një qëllim të përbashkët – që të rinjtë të kenë një perspektivë reale për punë, përparim dhe një të ardhme të sigurt në vendin e tyre”, tha Durmishi.

Theks i veçantë në diskutim iu kushtua nevojës për lidhje më të madhe midis arsimit të lartë dhe sektorit privat, si dhe rëndësisë së praktikës dhe mentorimit në përgatitjen e të rinjve për mjedisin e punës.

Ministri theksoi se praktika është e rregulluar me ligj dhe se thelbi i saj nuk është vetëm fitimi i përvojës së punës, por edhe sigurimi i një procesi mësimor cilësor, me detyra të përcaktuara qartë, kompensim adekuat dhe mbështetje mentoruese.

“Të rinjtë nuk kanë nevojë vetëm për mundësinë për të hyrë në një kompani, por edhe për mundësinë për të mësuar diçka atje, për të fituar vetëbesim dhe për të zhvilluar kompetenca profesionale. Prandaj, mentorimin duhet ta shohim si investim në stafin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë, kompanitë duhet t’i njohin të rinjtë si potencial që duhet të zhvillohet, e jo si fuqi punëtore nga e cila pritet menjëherë përvojë e plotë”, theksoi ministri.

Duke folur për nevojat e tregut të punës, Durmishi theksoi se programet arsimore dhe masat aktive të punësimit duhet të përshtaten vazhdimisht me ndryshimet teknologjike, digjitalizimin dhe nevojat e kompanive.

Në këtë drejtim, ai theksoi rëndësinë e qasjes rajonale, veçanërisht në Rajonin e Pollogut, ku ekziston potenciali për bashkëpunim më intensiv midis universiteteve, kompanive lokale, Agjencisë së Punësimit dhe institucioneve që sigurojnë mbështetje për inovacione dhe sipërmarrësi.

“Dua që forume të tilla të mos përfundojnë vetëm me diskutime, por të rezultojnë me aktivitete konkrete. Propozimi im është të fillojmë me një iniciativë të përbashkët në Rajonin e Pollogut, përmes së cilës do të lidhim të rinjtë, universitetet, kompanitë dhe institucionet. Me qëllime të qarta dhe rezultate të matshme, mund të krijojmë model që do të zbatohet më tej edhe në rajone të tjera”, theksoi Durmishi.

Ministri theksoi se suksesi i politikave ekonomike nuk matet vetëm me numrin e personave të përfshirë në masat aktive, por mbi të gjitha me numrin e të rinjve që kanë arritur të punësohen, të përparojnë profesionalisht ose të fillojnë biznes vetanak.

Paneli i diskutimit përfshiu perspektivat e politikave ekonomike, arsimit të lartë dhe mbështetjes për inovacioneve, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të INOVA-s, Universitetit “Nënë Tereza” dhe Universitetit të Tetovës. Forumi “NextGen CareerUp” ka për qëllim të nxisë bashkëpunim konkret institucional dhe të kontribuojë në krijimin e mundësive më të mira për arsim, përvojë praktike, punësim dhe zhvillim profesional të të rinjve në Maqedoninë e Veriut.

Continue Reading

Lajme

Erë dhe shi ditët në vazhdim, vijon mot më i freskët

Nën ndikimin e masës ajrore të lagësht dhe të paqëndrueshme, nesër veçanërish pasdite dhe gjatë natës do të ketë reshje të përkohshme të shiut. Lokalisht, reshjet do të jenë të rrëmbyeshme të shoqëruara me bubullima. Në disa lugina do të ketë kushte për mjegull gjatë mëngjesit, informon DPHM.

Të premten në mëngjes priten reshje lokale të shiut, ndërsa gjatë ditës është paralajmëruar erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi verior.

Sipas sinoptikëve, të shtunën do të ketë mot stabil, ndërsa nga e diela dhe në ditët në vijim do të mbizotërojë mot me vranësira të ndryshueshme dhe më i freskët me reshje lokale të shiut.

Continue Reading

Lajme

ASH-ja i reagon Shasivarit për provimin e jurisprudencës: Në shkurt e mbroje, në tetor e përgjysmove!

Aleanca për Shqiptarët (ASH) i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivarit, të sqarojë se çfarë ka ndryshuar nga shkurti deri në tetor lidhur me të drejtën e studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe: Kushtetuta, ligjet apo qëndrimi i tij.

Në reagimin e saj, ASH-ja vë në pikëpyetje ndryshimin e qëndrimit të Shasivarit, duke rikujtuar se në shkurt, kur ishte profesor universitar, ai e kishte cilësuar refuzimin e provimit të jurisprudencës në shqip si shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve. Sipas partisë, Shasivari atëherë argumentonte se qëllimi i provimit është vlerësimi i njohurive juridike dhe jo testimi i njohjes së gjuhës maqedonase.

Megjithatë, ASH-ja thekson se tani, në cilësinë e ministrit të Drejtësisë, Shasivari u ofron studentëve mundësinë që 12 lëndë t’i japin në gjuhën shqipe dhe dy në maqedonisht, duke e paraqitur këtë si arritje.

Partia rikujton gjithashtu premtimin e VLEN-it në maj se zgjidhja do të ishte e plotë dhe afatgjatë, ndërsa pretendon se propozimi aktual përbën një zgjidhje të pjesshme, të cilën studentët e kanë refuzuar.

ASH-ja e ka kritikuar edhe deklaratën e Shasivarit, “Do të flitet shqip o taj”, duke vënë në dukje se propozimi i tij parasheh që një pjesë e provimit të vazhdojë të zhvillohet në gjuhën maqedonase.

Sipas reagimit, studentët nuk kanë kërkuar slogane apo zgjidhje të pjesshme, por mundësinë që provimin e jurisprudencës ta japin tërësisht në gjuhën shqipe.

Në fund, ASH-ja i ka kërkuar ministrit të sqarojë bazën ligjore mbi të cilën mbështetet kufizimi i dy lëndëve praktike në gjuhën shqipe, duke ngritur pikëpyetje se përse kërkohen interpretime dhe konsultime të reja, nëse në shkurt ai vetë e konsideronte këtë të drejtë të garantuar me Kushtetutë dhe ligj.

“Ligjet nuk ndryshojnë sipas pozitës që mbani. Parimet juridike nuk mund të vlejnë ndryshe për profesorin Shasivari dhe ndryshe për ministrin Shasivari”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Partia e përmbyll reagimin me thirrjen që ministri të marrë përgjegjësi institucionale dhe të ofrojë zgjidhje konkrete për studentët shqiptarë, duke theksuar se ata presin zgjidhje dhe jo arsyetime apo ndryshim qëndrimesh.

Continue Reading

TË FUNDIT

Sport6 hours ago

Nga Gjilani drejt majave së botës/ Rinor Ramizi synon titullin botëror në K1-Kickbox me luftëtarin e tij Mirhad Babic

Një karrierë me 70 ndeshje, një përballje e fundit dhe një titull botëror në lojë. Më 31 tetor 2026, në...

Lajme9 hours ago

Durmishi paralajmëron masa për punësimin e të rinjve

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot mori pjesë në forumin “NextGen CareerUp” i cili u mbajt në Tetovë...

Lajme9 hours ago

Erë dhe shi ditët në vazhdim, vijon mot më i freskët

Nën ndikimin e masës ajrore të lagësht dhe të paqëndrueshme, nesër veçanërish pasdite dhe gjatë natës do të ketë reshje...

Lajme9 hours ago

Gjokoviq dënohet me 10 vjet burg për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Millorad Gjokoviqin për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar...

Lajme9 hours ago

ASH-ja i reagon Shasivarit për provimin e jurisprudencës: Në shkurt e mbroje, në tetor e përgjysmove!

Aleanca për Shqiptarët (ASH) i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivarit, të sqarojë se çfarë ka ndryshuar nga shkurti...

Lajme9 hours ago

Albi Qamili me mesazh të fortë për të rinjtë: “Tetova ka potencial, të ardhmen duhet ta ndërtojnë në vendlindje”

Zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, mori pjesë në forumin e karrierës “NextGen CareerUp 26”, të organizuar nga Instituti...

Lajme9 hours ago

Bedri Hamza dorëhiqet nga kreu i PDK-së

Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Vendimin e tij...

Lajme1 day ago

“Fluturuan” me 175 km/h në autostradë, kapen 2 shtetas serbë në “Tabanoc”!

Dy shtetas të Serbisë janë arrestuar në pikën kufitare të Tabanocit, pasi sistemi “Qyteti i Sigurt” i kishte regjistruar duke...

Lajme1 day ago

“Kush shkatërron, do të paguajë”, Rama: Ajo që e sfidon një shtet, e bën atë edhe më të fortë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ligjore ndaj atyre që shkaktojnë dëme gjatë trazirave në protestë, duke përfshirë edhe përgjegjësinë...

Lajme1 day ago

Tentoi të kontrabandonte 4 milionë denarë ar në jastik qafe, arrestohet tetovari

Bizhuteri ari me vlerë rreth 4 milionë denarë janë sekuestruar në pikën kufitare të Bogorodicës, pasi një qytetar i Maqedonisë...

Trending