Lajme
Dibran Hoxha “Kobra” dhe Andi Pajaziti “Italiani” përleshen në Burgun e Sigurisë së Lartë
Një incident fizik është regjistruar më 7 nëntor në Burgun e Sigurisë së Lartë, ku janë përfshirë dy të dënuarit Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, dhe Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, dyshohet se Hoxhaj ka sulmuar fizikisht Pajazitin brenda hapësirave të burgut.
Rastin e ka konfirmuar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), i cili ka bërë të ditur se të dy të dënuarit kanë marrë trajtim mjekësor nga stafi shëndetësor i institucionit.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës konfirmon se më 07.11.2026, në Burgun e Sigurisë së Lartë, ka ndodhur një incident në mes të dy të dënuarve. Pas incidentit, të dy të dënuarit janë trajtuar nga stafi shëndetësor i burgut, në përputhje me procedurat standarde që zbatohen në raste të tilla. Ndaj të dënuarve janë ndërmarrë masa disiplinore, ndërsa rasti është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.
Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, është emër i njohur për opinionin publik lidhur me rastin e vrasjes së një shtetasi të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” në Prizren, në janar të vitit 2023.
Për këtë rast, Hoxhaj është dënuar me 24 vjet burgim. Ai ishte dënuar me 23 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, si dhe me dy vjet të tjera për armëmbajtje pa leje, ndërsa dënimi unik i shqiptuar ishte 24 vjet burgim.
Në anën tjetër, Andi Pajaziti, i njohur si “Italiani”, u bë i njohur për publikun pas konfliktit fizik në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, rreth tre vjet më parë. Përleshja kishte eskaluar më pas në përdorim të armëve mes dy grupeve.
Pajaziti ishte akuzuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit, por Gjykata kishte konstatuar se ai kishte vepruar në vetëmbrojtje dhe e kishte liruar nga akuza për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore.
Ai është dënuar me dy vjet burgim për mbajtje të paautorizuar të armës dhe aktualisht po e vuan dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë.
Ndërkohë, incidenti i fundit mes dy të dënuarve është duke u hetuar nga Policia e Kosovës, ndërsa SHKK ka konfirmuar se ndaj tyre janë ndërmarrë edhe masa disiplinore.
Lajme
Kasami: Kemi komunikim të shkëlqyer me Izet Mexhitin, debatet brenda VLEN-it janë për përfaqësim dinjitoz
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka deklaruar se raportet me Izet Mexhitin dhe komunikimi brenda strukturave drejtuese të VLEN-it janë shumë të mira, duke hedhur poshtë pretendimet për përçarje në koalicion.
Në emisionin “N’Dritë” në Alsat M, Kasami tha se bashkëpunimi me Mexhitin është dëshmuar edhe në takimin e fundit të VLEN-it, ndërsa debatet e brendshme i cilësoi si pjesë të diskutimeve për përfaqësimin sa më dinjitoz të shqiptarëve nga funksionarët e tyre.
“Ne kemi një komunikim të shkëlqyer me Izet Mexhitin dhe brenda Presidencës së VLEN-it. Kjo u pa edhe në takimin e fundit brenda VLEN-it. Ne kemi debate që funksionarët tanë t’i përfaqësojnë shqiptarët sa më denjësisht”, deklaroi Kasami.
Ai foli edhe për opozitën shqiptare, duke e kritikuar për pasivitet dhe duke i bërë thirrje që të mos mbështetet në pritjen e përplasjeve të brendshme në VLEN, por të ofrojë projekte dhe programe për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.
“Unë kam qenë për një kohë të gjatë në opozitë dhe kam qëndruar me shpresën e përplasjes së BDI-së. Uroj që opozita të dalë sa më shpejt nga kjo letargji dhe të ofrojë projekte e programe për zgjidhjen e halleve të shqiptarëve, e të mos flejë duke pritur përplasje në VLEN”, u shpreh Kasami.
Lajme
Dauti: BDI-ja dhe Musa Xhaferi bllokoi miratimin e marrëveshjes për “One Stop Shop” me Shqipërinë
Zëvendësdrejtori i Doganës, Mustafa Dauti, ka pranuar se në këtë institucion punësohen edhe familjarë të funksionarëve, por ka mohuar se Dogana mbështet nepotizmin. Këto deklarata ai i bëri në emisionin “Debat në Shenja”, ku u pyet për punësimet dhe ndikimin e lidhjeve familjare në to.
“Kur të hapet konkursi ka të drejtë gjithkush që të konkurojë dhe ne, kuptohet, kemi kritere. Ata të cilët konkurojnë në qoftë se bien dhe plotësohen kriteret, tash ka mundësi që të jetë ndonjë familjar i dikujt, i cili e ka plotësu kushtin edhe ka mund që të punësohet në doganë. Prandaj në ato raste ka, d.m.th. mund të ketë përjashtime të rralla, por nuk është ajo që ne përkrahim, stimulojmë apo se mbështesim nepotizmin dhe pranojmë dikë që nuk ka meritë, pasi ne mbi të gjitha mbështetemi në meritokraci. Ne të gjithë kemi familjarë, rreth”, tha Dauti.
Pas ndërhyrjes së gazetari Abedin Ismaili, i cili theksoi se jo të gjithë kanë familjarë funksionarë, Dauti u përgjigj se ata akuzohen nga familjarët për mospunësim.
“Tani ka momente, ka përjashtime që ndoshta diku, aty-këtu d.m.th. se prap ne e e kemi këtë segment parasysh që ia vlen një fakt të përmendi unë që kemi edhe shpesh akuza nga familjarët tanë që na thonë, po si u bë 50 anëtarë në familje nuk e punësove asnjë. Pse? Me të vetmin qëllim, që mos të na akuzojnë të tjerët. Prandaj me çdo kusht mundohemi t’i largohemi kësaj”, tha Dauti.
Lajme
Nga Beogradi në Manastir: si u bë Alta Banka betejë shqiptare
Rasti i Alta Bankës, i nisur si krizë bankare në Beograd pas ndërrimit të pushtetit në Serbi, është kthyer në Maqedoninë e Veriut në përplasjen më të ashpër të kësaj vjeshte mes dy partive kryesore shqiptare. Në qendër të saj është vënë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. VLEN-i kërkon që ai të sqarojë personalisht lidhjet e pretenduara me një kompani që bëri transaksione me bankën serbe. BDI-ja i quan akuzat gënjeshtër dhe ia kthen përgjegjësinë qeverisë aktuale.
Pyetja që iu drejtua Ahmetit në Kuvend
Komisioni për Financa dhe Buxhet mbajti më 11 nëntor debat mbikëqyrës për arsyet e vendosjes së administrimit në Alta Banka SHA Manastir. Kryeministri Hristijan Mickoski ishte dëshmitari i parë. Ai paraqiti ekstraktin e procesverbalit të mbledhjes së 194-t të qeverisë Kovaçevski, të mbajtur më 24 tetor 2023. Sipas interpretimit të tij, me propozim të ish-ministrit të Financave nga BDI, Fatmir Besimi, Avokatura e Shtetit u autorizua të hynte në marrëdhënie afariste me Alta Bankën e Beogradit, në pronësi të Davor Macurës.
Por pjesa më e rëndë politike erdhi nga deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi. Ai renditi tri data që lidhen me kompaninë AS Senjak. Më 24 tetor 2024, kompania bleu aksione në Stopanska Banka të Manastirit nga një firmë e lidhur me Sasho Mijallkovin, ish-shefin e shërbimit sekret në kohën e Nikolla Gruevskit. Më 9 qershor 2025, një kompani ku AS Senjak është bashkëpronare mori kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd. Më 17 shtator 2025, aksionet e AS Senjakut në bankën e Manastirit kaluan te Alta.Azizi pretendoi se pronari i kompanisë ka lidhje miqësore ose krushqie me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe pyeti publikisht nëse ky ishte në dijeni. Ai e pyeti kryeministrin nëse edhe këto transaksione do të përfshihen në hetime. Sipas VLEN-it, deputetët e BDI-së nuk morën pjesë në seancë. Azizi e cilësoi mungesën e tyre si ikje nga përgjegjësia para qytetarëve.
Akuzat e VLEN-it që nga fillimi i nëntorit
Akuzat nuk lindën në seancën e së mërkurës. Më 4 nëntor, pak ditë pasi banka mbeti pa licencë në Serbi, VLEN-i publikoi një komunikatë me të njëjtat data. Në të, AS Senjak përshkruhet si kompani e krushkut të Ahmetit. VLEN-i shtoi edhe një pretendim tjetër: gjashtë ditë pas shitjes së aksioneve te Alta, një komunë e drejtuar nga BDI-ja i dha AS Senjakut dy kontrata me vlerë të përgjithshme 90 milionë denarë.
Sipas VLEN-it, këto çështje janë ngritur që në shtator të vitit 2025 dhe dokumentet i janë dorëzuar Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Partia në pushtet u kërkon këtij Komisioni dhe Prokurorisë Publike të hetojnë transaksionet me Mijallkovin dhe Alta Bankën, kredinë prej 5 milionë eurosh dhe kontratat komunale. VLEN-i kërkon gjithashtu që BDI-ja të publikojë procesverbalet e takimeve të Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit me Aleksandar Vuçiqin dhe zyrtarë të tjerë serbë.
Pas seancës, VLEN-i deklaroi se Ahmeti dhe BDI-ja duhet t’u përgjigjen dy pyetjeve: çfarë lidhjesh kanë me pronarin e AS Senjakut dhe a ishin në dijeni për transaksionet. Ministri i Ekonomisë nga VLEN, Besar Durmishi, kërkoi dorëheqje dhe përgjegjësi politike, duke shtuar se pjesa tjetër është punë e Prokurorisë.
Kundërpërgjigjja e BDI-së
BDI-ja reagoi po atë pasdite, por si parti, jo përmes një deklarate personale të Ahmetit. Në burimet e shqyrtuara për këtë shkrim nuk u gjet asnjë përgjigje e tij publike për pretendimet konkrete rreth AS Senjakut.Në reagimin e saj, BDI-ja i cilëson pretendimet për vendimin e vitit 2023 si gënjeshtër të plotë dhe manipulim. Sipas saj, ai vendim kishte qëllimin e kundërt: të mos lejohej shitja pa autorizim e pronës shtetërore. Partia e Ahmetit akuzon qeverinë e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it se me një vendim të vitit 2025 i obligoi institucionet të vihen në shërbim të hyrjes së Alta-s dhe Macurës në bankën e Manastirit.
Në fillim të nëntorit, ishte vetë BDI-ja ajo që e ngriti rastin si çështje e menaxhimit të mjeteve publike dhe e lidhjes së mundshme mes vendimeve politike dhe interesave bankare. Kjo e ndihmon të kuptohet pse të dyja partitë po e përdorin të njëjtin rast si armë kundër njëra-tjetrës.
Asnjë nga pretendimet për lidhje personale apo familjare nuk është konfirmuar deri tani nga ndonjë institucion hetimor. Alta Banka i ka mohuar më herët akuzat për pastrim parash dhe korrupsion.
Si u zhvillua kriza nga Beogradi në Manastir
Alta Banka e Beogradit, dikur JUBMES, u zgjerua shpejt vitet e fundit dhe në vitin 2025 mori bankën e dikurshme Stopanska Banka të Manastirit. Më 14 tetor 2026, kongresmeni republikan Joe Wilson, si bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit, i kërkoi Sekretarit të Shtetit Marco Rubio sanksione ndaj katër biznesmenëve serbë, mes tyre edhe Macurës. Sipas Radios Evropa e Lirë, në kërkesë ata cilësohen si bashkëpunëtorë të Vuçiqit.
Pas zgjedhjeve të 25 tetorit në Serbi, ku Lista Studentore mposhti listën e Vuçiqit, Banka Kombëtare e Serbisë ia hoqi licencën Alta Bankës në fund të tetorit dhe nisi procedurën e falimentimit. Më 1 nëntor, Banka Popullore në Shkup vendosi administrim të përkohshëm tremujor në degën e Manastirit dhe kufizoi tërheqjet me kartelë në 10 mijë denarë në javë. Guvernatori Trajko Sllaveski tha se banka e Manastirit është e kapitalizuar mirë dhe likuide, dhe se masa lidhet me aksionarin në Beograd. Depozitat janë të siguruara deri në 30 mijë euro. Sipas Sllaveskit, gjashtë investitorë kanë shfaqur interes për blerjen e bankës.
Pse ka rëndësi për shqiptarët dhe çfarë duhet ndjekur
Gara mes dy partive është e ngushtë. Sipas tri sondazheve të tetorit që i prezantoi Mickoski, BDI-ja ka 7,9 për qind dhe VLEN-i 7,1 për qind. Për VLEN-in, rasti është mënyrë për ta treguar BDI-në si pjesë të rrjeteve të ndërtuara në kohën e Vuçiqit, në javët kur vetë VLEN-i është nën presion për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Për BDI-në, mbrojtja kalon përmes argumentit se dera iu hap Alta-s në vitin 2025, nën qeverinë ku VLEN-i është partner.
Për Ahmetin personalisht, pesha politike e rastit varet nga dy gjëra që ende mungojnë: një përgjigje e drejtpërdrejtë e tij për pretendimet rreth AS Senjakut dhe një vlerësim nga institucionet. Pa to, publiku ka para vetes vetëm akuza politike dhe mohime partiake.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme12 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme4 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
