Lajme
Gjykatat e kthyen në punë mjekun “tik-toker” që i xhironte pacientet në Gjinekologjinë e Tetovës
Tre vite më parë anesteziologu Valton Dervishi nga spitali i Tetovës u vu nën pranga, u dënua nga publiku dhe u paraqit si një shembull i rrallë se institucionet më në fund reagojnë kur një mjek e keqpërdor besimin e pacientëve. Mjeku, jo vetëm që i ka xhiruar në mënyrë të paligjshme pacientet dhe kolegët në repartin e gjinekologjisë, por një pjesë të regjistrimeve i ka transmetuar drejtpërdrejt në profilin e tij në “Tik-Tok”. Drejtori i atëhershëm i spitalit rastin e ka raportuar në polici, pas çka Dervishi është arrestuar menjëherë dhe i është caktuar masa e paraburgimit, raporton Laboratori i Gazetarisë Investigative (IRL), transmeton Portalb.mk.
Vetëm një muaj më vonë ai e pranoi fajin për veprat penale “Kryerje e pandërgjegjshme e detyrës” dhe “Xhirim i paautorizuar”. Gjykata Themelore në Tetovë e dënoi me 15 muaj burg, ndërsa Oda e Mjekëve, edhe pse përkohësisht për shkak të procedurave gjyqësore në vijim, ia mori licencën për shtatë vjet – masa më e rreptë disiplinore që mund t’i shqiptohet një mjeku në vendin tonë.
Me përsëritjen e gjykimit, deklaratat e reja të noterizuara të disa prej viktimave dhe një sërë vendimesh gjyqësore në Tetovë dhe Gostivar, dënimi me burg i Dervishit u ul në tre muaj, ndërsa një pjesë e veprave penale u rikualifikuan. Kjo gjë i mundësoi atij që t’i evitojë pengesat ligjore për ripunësim dhe që të kërkojë kthimin e licencës së tij.
“Unë gabova, e pranova fajin, nuk e dija se isha duke xhiruar. Nuk kisha në plan ta bëja një gjë të tillë. Kam punuar atje për shtatëmbëdhjetë vjet dhe asnjëherë nuk kam kërkuar që të më paguhet asnjë denar për orët shtesë. Vetëm e vetëm që të rrjedhë puna”, tha Dr. Valton Dervishi për IRL.
Analiza e IRL-së e vendimeve të plotfuqishme të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës Civile në Tetovë dhe Gjykatës së Apelit në Gostivar sugjeron se as gjykatësit dhe as prokurorët nuk kanë bërë një punë të hollësishme dhe të përkushtuar për ta mbrojtur interesin publik. Si dëshmi në procedurën e përsëritur janë përdorur deklarata të noterizuara nga mjekët e punësuar në spitalin e Tetovës, të cilët kanë dëshmuar se ai ka qenë një koleg i mirë dhe se ata nuk e kanë konsideruar si diçka serioze atë që ai e kishte bërë.
Nuk ka bazë ligjore: Si e mbyllën institucionet çështjen hap pas hapi
Procedura kundër Dr. Valton Dervishit në Odën e Mjekëve ende nuk ka përfunduar zyrtarisht. Nga Oda e Mjekëve shpjegojnë se prokurori në Gjykatën e Nderit të Odës së Mjekëve ka iniciuar një procedurë për shkelje të Kodit të Deontologjisë Mjekësore, pas së cilës u mbajtën disa seanca kryesore. Në procedurën e shkallës së parë mjekut iu shqiptua masa e marrjes së përkohshme të licencës për punë për një kohëzgjatje prej shtatë vitesh. Por, ky vendim nuk u bë kurrë i plotfuqishëm.
Dervishi ka dorëzuar ankesë dhe ka dorëzuar prova të reja, pas çka Këshilli i Shkallës së Dytë i Gjykatës së Nderit e ka pranuar ankesën dhe e ka kthyer lëndën në rishqyrtim.
Në procedurën e përsëritur mbrojtja ka dorëzuar një aktgjykim të ri nga Gjykata Themelore në Tetovë, me të cilin dënimi fillestar me burg prej një viti e tre muajsh është ulur në tre muaj, në të cilin tashmë ishte llogaritur edhe paraburgimi. Përveç kësaj, gjykata nuk ka shqiptuar ndalesë për ushtrimin e profesionit.
Pas shqyrtimit të rrethanave të reja në Odën e Mjekëve sërish është vendosur për statusin e mjekut dhe në vend të marrjes së licencës për shtatë vjet, është caktuar masa e marrjes së përkohshme të licencës për një kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.
Dervishi ka dorëzuar ankesë edhe për këtë vendim, procedura për të cilën është në vijim e sipër.
“Meqenëse me vendim gjyqësor të plotfuqishëm mjekut nuk i është shqiptuar masa e ndalesës për ushtrimin e profesionit, ndërsa procedura për shkelje të Kodit të Deontologjisë Mjekësore e zhvilluar nga Oda e Mjekëve nuk ka përfunduar ligjërisht, Oda e Mjekëve për momentin nuk ka bazë ligjore për t’ia marrë licencën e punës Dr. Dervishit”, thonë nga Oda e Mjekëve.
Pikërisht formulimi “nuk ka bazë ligjore” sot është fjalia kyçe në të gjithë rastin.
Në vend të pacientes të dëmtuar, prokurori e ka ftuar si dëshmitar bashkëshortin e saj
Pas vendimit të parë prej 15 muajsh burg Dr. Dervishi ka siguruar një deklaratë të noterizuar nga një paciente, e cila ka qenë pjesë e videos së tij të publikuar në “Tik-Tok”, në të cilën ajo ka hequr dorë nga ndjekja penale e tij dhe kërkesa për dëmshpërblim.
Në deklaratën të cilën pacientja Besmira Sherifi Ramani e ofron si provë të re në favor të mjekut, thuhet se ajo aspak nuk është thirrur për të dëshmuar në gjykatë, ndërsa në vend të saj prokurori e ka thërritur bashkëshortin e saj, i cili nuk është aspak në videon në fjalë.
Prokuroria është dakorduar për një gjykim të ri, ndërsa Këshilli Penal i Gjykatës së Tetovës, i përbërë nga gjykatësit Hasan Asani, Jordan Vellkovski dhe Sadulla Idairi ka vendosur që dëshmia e pacientes mund të çojë deri në lirimin e të pandehurit. Për këtë arsye kanë lejuar që procedura gjyqësore të përsëritet.
Prokurori publik ka bërë rikualifikimin e veprave penale, kështu që në vend që të ndiqet penalisht për një vepër penale për të cilën është paraparë një dënim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, në gjykimin e dytë mjeku është akuzuar për vepra penale për të cilat dënimi minimal është tre muaj, ndërsa ai maksimal gjashtë vjet.
Me rikualifikimin e veprës, me një dënim minimal prej tre muajsh mjeku nuk mund të pushohet nga puna, si dhe nuk mund t’i merret përkohësisht licenca e punës.
Gjykimi është caktuar për më 27 qershor të vitit 2024, ndërsa deri më atëherë mjeku ka siguruar edhe tre deklarata të tjera të noterizuara nga koleget e tij, të cilat gjithashtu ishin xhiruar pa autorizim, ku thuhej se ata po hiqnin dorë nga ndjekja penale. Gjykatësi dhe prokurori në rigjykim janë Nazif Ilijazi dhe Bashkim Hyseni, por këtë herë aktgjykimi është plotësisht në favor të mjekut.
Për veprën e parë penale “Kryerje e pandërgjegjshme e detyrës” dënimi nga një vit është ulur në vetëm tre muaj burg, ndërsa për veprën e dytë “Xhirim i paautorizuar” nga pesë muaj u ndryshua në gjobë me para prej 250 euro.
Dënimi me tre muaj burgim ia hapi dyert e spitalit
Sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës punonjësi mund të pushohet nga puna nëse me vendim të plotfuqishëm i ndalohet kryerja e veprimtarisë, ose i është shqiptuar dënim me burg me kohëzgjatje prej më shumë se gjashtë muaj. Anesteziologu, edhe pse i dënuar, nuk bën pjesë në asnjë kategori. Kështu fillon një betejë paralele në Gjykatën Civile në Tetovë kundër spitalit dhe Odës së Mjekëve për kthimin e licencës.
Në padinë drejtuar Gjykatës Civile në Tetovë thuhet se pushimi nga puna nuk ka qenë i ligjshëm, sepse punëdhënësi paraprakisht është dashur të ngrejë procedurë disiplinore. Përveç kësaj në vendimin për pushimin nga puna nuk është shënuar konkretisht se në çfarë konsiston shkelja e rregullave të punës dhe disiplinës, si dhe nuk është shënuar se çfarë sekreti afarist, zyrtar ose profesional kishte zbuluar mjeku.
Më 30 tetor të vitit 2025 gjykata sjell aktvendim me të cilin e anulon vendimin për pushimin e Dervishit nga puna dhe e urdhëron spitalin që ta rikthejë atë në punë. Gjykatësit e Gjykatës Civile në Tetovë i referohen vendimit të Gjykatës Supreme nga viti 2016, në të cilin thuhet se nuk ka shkelje të rendit të punës dhe disiplinës me zbulim të paautorizuar të një sekreti afarist nëse punëdhënësi paraprakisht në një akt të veçantë nuk ka përcaktuar se cilat fakte, leje, të dhëna dhe dokumente shpallen sekret afarist. Spitali një Rregullore të tillë ka miratuar më 18 prill të vitit 2023, katër ditë pas incidentit me videon në “Tik-Tok”.
Spitali e apeloi aktgjykimin në Gjykatën e Apelit në Gostivar, por më 31 mars të këtij viti e humbi kontestin. Dhe me këtë spitali i shteron të gjitha mekanizmat ligjorë për një betejë ligjore kundër mjekut influencer.
Shpresën e fundit spitali e sheh në revizionin para Gjykatës Supreme. Ata ende nuk kanë vepruar sipas vendimit.
“Lidhur me rikthimin e mundshëm të punonjësit në punë, institucioni do të veprojë ekskluzivisht në përputhje me ligjin, vendimet gjyqësore dhe rregulloret në fuqi, duke marrë parasysh para së gjithash mbrojtjen e pacientëve, standardet profesionale dhe funksionimin normal të veprimtarisë shëndetësore. Përveç kësaj, institucioni do t’i shqyrtojë të gjitha bazat dhe rrethanat ligjore që janë relevante për statusin e mëtejshëm të punësimit dhe ligjor të personit”, tha për IRL përfaqësuesi ligjor i spitalit, avokati Darko Kosteski.
Dervishi po kthehet në punë dhe me një licencë mjekësore aktive sepse Oda e Mjekëve për momentin nuk ka bazë ligjore për t’ja marrë atë përsëri.
Tre vjet pas arrestimit të tij, mjeku i cili u bë një lloj simbol i reagimi institucional kundër keqpërdorimeve në shëndetësi pret të kthehet sërish në punë në spitalin e Tetovës.
“Unë kam një aktgjykim të plotfuqishëm dhe pres të më thërrasin në punë. Kanë kaluar më shumë se dy javë dhe ende nuk kam marrë asnjë përgjigje nga spitali. Nuk e dini se çfarë vuajtjesh kam kaluar. Atë që e bëra e bëra pa asnjë qëllim “, thotë Dervishi.
Nga Gjykata Themelore në Tetovë sqarojnë se lënda ishte kualifikuar në një mënyrë që mundësonte një dënim më të butë sepse as kolegët e dëmtuar dhe as pacientja nuk iu bashkëngjithën ndjekjes penale dhe nuk kërkuan dëmshpërblim.
Për më tepër, palët e dëmtuara nuk u dëgjuan aspak në gjykatë sepse i pandehuri e pranoi fajin tij plotësisht. Sipas ligjit, në një rast të tillë situata faktike konsiderohet e vërtetuar dhe nuk thirren dëshmitarë.
Nga Prokuroria thonë se aktgjykimin e konsiderojnë si të ligjshëm dhe adekuat për rrethanat e rastit.
Kështu, lënda që filloi me arrestim, shok për publikun dhe mesazhe për zero tolerancë ndaj keqpërdorimit të pacientëve, përmes një labirinti me ankesa, rikualifikime dhe deklarata noteriale, përfundoi me një aktgjykim që e rikthen mjekun në punë.
Vetëm pesë licenca të marra në një periudhë prej 15 vitesh
Në 15 vitet e fundit pranë Gjykatës së Nderit të Odës së Mjekëve kanë arritur tetë ankesa, ndërsa për pesë prej tyre janë shqiptuar masa disiplinore. Masat e shqiptuara sillen nga dënime më të buta si paralajmërim, marrje e përkohshme e licencës, deri në marrje të përhershme të licencës mjekësore. Sipas rregulloreve ligjore ekziston edhe mundësia për paralajmërim publik të një mjeku, por deri më tani nuk është shqiptuar.
Sipas Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore marrja e përhershme e licencës mund të bëhet vetëm nëse sillet një vendim i plotfuqishëm gjyqësor. Në Maqedoni nga viti 2010 deri në muajin qershor të vitit 2025 janë marrë vetëm pesë licenca.
Nga viti 2022 deri në vitin 2025 pranë Odës së Mjekëve janë dorëzuar gjithsej 225 ankesa nga pacientë, anëtarë të familjeve të pacientëve dhe institucione.
Dervishi, i punësuar si anesteziolog në Spitalin e Tetovës ka shpërndarë video të drejtpërdrejtë (live) në TikTok nga reparti i Gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës, ku shiheshin pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore si dhe personel mjekësor.
Më 14 mars 2023 nëpunësit policor arrestuan Dervishin (43) duke vepruar pas paraqitjes nga ana e drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, për veprën e kryer.
Fillimisht atij iu caktua masë paraburgimi prej tetë ditësh, ndërkaq më pas paraburgimi iu vazhdua edhe për 30 ditë.
Anesteziologu pas këtij rasti u përjashtua nga puna. Ndërkaq Oda e Mjekëve ia mori licencën për shtatë vjet.
Lajme
Burri dhe gruaja dogjën vilën duke përgaditur hajvarin
Burri dhe gruaja shkaktuan zjarr në fshatin Gorno Sonje ndërsa po bënin ajvar, pasi hirit nga soba me thëngjill e derdhën pranë shtëpisë. Policia intervenoi dhe zjarri u shua pa të lënduar.
Sipas informacioneve të MPB-së, dje rreth orës 19:50 në polici u raportua se në fshatin Gorno Sonje, pranë Shkupit, kishte filluar zjarr, ku ishte djegur një vilë dhe bari.
“Policët e SPB Shkup dolën në vendngjarje dhe biseduan me D.M. (74), pronarin e vilës, i cili shpjegoi se me bashkëshorten po bënin dimërishte dhe pranë shtëpisë kishin derdhur hirin nga soba, në të cilën ka të ngjarë të kishte thëngjill, dhe ishin larguar, pas së cilës kishte filluar zjarri», thonë nga MBP-ja.
Nuk pati të lënduar, ndërsa ekipi i Brigadës së Mbrojtjes nga Zjarri Shkup e shoi zjarrrin.
Lajme
VLEN merr dy poste të tjera të zëvendësministrave: Priten rokada në eshallonin e dytë qeveritar
Koalicioni VLEN pritet të marrë pozicionet e zëvendësministrave në dikasteret e Shëndetësisë dhe të Politikës Sociale, pas bisedimeve dhe marrëveshjes së arritur me kryeministrin Hristijan Mickoski.
Burime nga koalicioni konfirmojnë se propozimet konkrete me emrat e kandidatëve i janë dorëzuar tashmë kryeministrit për konfirmim përfundimtar, përcjell INA.
Ndryshimet në eshallonin e dytë vijnë si rrjedhojë e riorganizimit të kabinetit qeveritar në korrik, gjatë të cilit VLEN mbeti pa drejtimin e këtyre dy ministrive. Argumenti kryesor i koalicionit është ruajtja e balancit politik brenda partnerëve të pushtetit.
Për të marrë këto dy poste pa ndryshuar peshën e përgjithshme në qeveri, VLEN do të duhet të heqë dorë nga dy pozita të tjera zëvendësministrash.
Është pothuajse e sigurt se koalicioni do të lirojë postin e zëvendësministrit në Bujqësi (ku ministri është nga lëvizja ZNAM), vend i cili pritet t’i kalojë VMRO-DPMNE-së.
Po ashtu do lirohet edhe posti i zëvendësministrit të Kulturës, që pritet t’i takojë VMRO-DPMNE-së ose lëvizjes ZNAM, pasi ministri aktual i Kulturës është nga radhët e VLEN-it.
Kjo parti gjithashtu pret të marrë edhe një tjetër post zëvendësministri, përveç atyre që ka në Energjetikë dhe Transformim Digjital.
Kryeministri Mickoski ka paralajmëruar se kompletimi dhe rokadat në eshallonin e dytë qeveritar do të përmbyllen brenda gjysmës së dytë të tetorit.(INA)
Lajme
Qytetarët ofrojnë garancion për Artan Grubin!
Vazhdon seria e deklaratave publike në mbështetje të Artan Grubit. Pas reagimeve të Asllan Kokës dhe Uka Shaqirit, edhe Blero Arifi nga Velesi ka bërë të ditur se është i gatshëm të vendosë në dispozicion të gjithë pasurinë e tij si garanci për lirimin e Grubit informon Tetovasot.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Arifi ka shkruar se, me mirëkuptimin e familjes, është i gatshëm të vendosë në garanci edhe pasurinë e saj.
“Edhe unë jam gati të vë në garanci gjithçka që kam — pasurinë time dhe, me mirëkuptimin e familjes, edhe pasurinë e saj për lirimin e Artan Grubit,” ka shkruar Blero Arifi.
Ai ka sqaruar se këtë qëndrim e merr për shkak të bindjes së tij personale.
“E bëj këtë sepse besoj në pafajësinë e tij dhe besoj se ndaj tij po zhvillohet një përndjekje politike,” është shprehur Arifi.
Në fund të postimit, ai shton se bindjet duhet të mbështeten me veprime.
“Kur beson te drejtësia, nuk mjafton vetëm të flasësh. Duhet të jesh i gatshëm të qëndrosh pas bindjes tënde edhe kur kjo të kushton,” ka përfunduar ai.
Deklarata e Blero Arifit vjen pas disa reagimeve të ngjashme të mbështetësve të Artan Grubit, të cilët ditët e fundit kanë shprehur publikisht gatishmërinë për të ofruar pasurinë e tyre si garanci.
Ndërsa, tetovari Asllan Koka ka bërë një deklaratë publike, duke shprehur gatishmërinë që pasurinë e tij të paluajtshme ta vendosë si garanci pasurore për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koka ka shkruar se është i gatshëm ta japë shtëpinë e tij si garanci me qëllim që Grubit t’i kthehet pasaporta.
“Edhe pasuria e paluajtshme e ime është në dispozicion të Artan Grubit për t’u vendosur si garanci pasurore, me qëllim që t’i kthehet pasaporta,” ka shkruar Asllan Koka.(INA)
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
