Lajme
Sistemi “Qyteti i Sigurt” nuk i uli viktimat në Shkup
Përderisa ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mburrej në televizion se falë sistemit “Qyteti i Sigurt” ka pasur një rënie të madhe të numrit të viktimave në aksidentet rrugore, një pjesë e banorëve të lagjes Butel po ktheheshin në shtëpi nga protestashkruanPrizma.
Pas përplasjes së një fëmije në rrugën ku banojnë, banorët e Butelit bllokuan qarkullimin duke kërkuar prani më të madhe policore dhe ndalimin e vozitjes së pakontrolluar të makinave. Në pjesën e tyre të rrugës“Butelska” nuk janë instaluar kamera të sistemit “Qyteti i Sigurt”. Kamerat më të afërta ndodhen gjysmë kilometri më poshtë, në drejtim të Çairit, kështu që shoferët shpesh i ngasin makinat me shpejtësi të madhe, duke e ditur se nuk do të kapen nga sistemi dhe nuk do të gjobiten.
Disa muaj pas lëshimit zyrtar të projektit “Qyteti i Sigurt”, redaksia e BIRN-it analizoi rezultatet e arritura, por edhe problemet me të cilat përballet ky sistem, i cili u shpall si mjeti kryesor për rregullimin e kaosit në rrugë, që çdo vit merr më shumë se 100 jetë njerëzish. Komisioni Evropian tashmë e ka paralajmëruar Maqedoninë e Veriut për këtë situatë në raportet e rregullta të progresit. Vitin e kaluar, në vend u regjistruan 72 viktima për një milion banorë nga aksidentet rrugore, që është një mesatare dukshëm më e lartë se ajo e BE-së (43 viktima për 1 milion banorë).
Ndonëse rezultatet fillestare të sistemit “Qyteti i Sigurt” flasin për ndryshime pozitive, të dhënat për tre muajt e parë të funksionimit zyrtar tregojnë se në Shkup ky projekt nuk ka ndikuar shumë në zvogëlimin e numrit të të vdekurve në komunikacion. Ndërkohë, problemet teknike e vërshuan me ankesa Gjykatën e Shkupit, pasi gjobat po u arrijnë edhe automjeteve që janë të privilegjuara me ligj, e të cilat pastaj duhet të fshihen manualisht.
“Kjo nuk mund të jetë një zgjidhje e menjëhershme. Nuk ka mund t’ia lëmë gjithçka vetëm kamerave dhe “Qytetit të Sigurt”.” Kamerat janë një mjet në duart e Ministrisë së Punëve të Brendshme që duhet të zëvendësojë një pjesë të detyrave të punonjësve të policisë, por nuk mund të mbulojnë gjithçka. Ata duhet të jenë të pranishëm në terren, sidomos policët për ato vepra penale që nuk zbulohen nga sistemi”, thotë Dejan Trpevski, inxhinier i komunikacionit rrugor dhe ekspert ligjor i cili i ndjek proceset e reja.
Më pak aksidente, rrezik i njëjtë
Statistikat e sistemit “Qyteti i Sigurt” në Shkup nga MPB për tre muajt e parë pas lëshimit zyrtar thonë se në muajin prill nuk kishte pasur asnjë viktimë në kryeqytet.
Mirëpo, në muajin maj gjendja ndryshoi drastikisht, kur tre 20-vjeçarë dhe babai i njërit prej tyre humbën jetën në një aksident të tmerrshëm në qarkoren e Shkupit. Në një tjetër aksident, jetën e humbi një motoçiklist 19-vjeçar, i cili u përplas nga një shofer i dehur dhe nën efektin e drogës.
Statistikat për periudhën nga muaji shkurt deri në prill nuk tregojnë një trend të rënies së numrit të viktimave në kryeqytet, krahasuar me të njëjtën periudhë të tre viteve të fundit. Prandaj, siç shpjegon Dejan Trpevski, është shumë herët për të nxjerrë konkluzione të nxituara rreth numrit të jetëve të shpëtuara. Këtë vit, për shembull, në tre muajt e parë që nga lëshimi zyrtar i projektit “Qyteti i Sigurt” në Shkup u regjistruan katër viktima, ndërsa para dy vitesh ishin regjistruar tre. Edhe më parë ka pasur muaj pa asnjë të vdekur, por kjo jo gjithmonë ka ndikuar në uljen e mesatares vjetore.
Ajo që tani është konkrete dhe e dukshme mbetet numri i zvogëluar i aksidenteve rrugore në kryeqytet, krahasuar me muajt paraprakë.
“Për tre muajt e parë rezultatet janë inkurajuese. Numri i aksidenteve rrugore po bie, jo në mënyrë drastike, por ka një rënie të konsiderueshme”, thotë Trpevski.
Këtë gjë e kanë vënë re edhe qytetarët. Ata u shprehën se lëvizja me makina nëpër Shkup është bërë më e qetë dhe se shoferët ndalojnë më shumë në semaforët e kuq dhe në kalimet për këmbësorë, ndonëse kamerat ende nuk e regjistrojnë këtë shkelje të fundit.
Për momentin, sistemi dërgon gjoba vetëm për tri lloje shkeljesh: tejkalim të shpejtësisë, kalim në semafor të kuq dhe drejtim të automjetit të paregjistruar. Numri më i madh i gjobave është përshkruar për vozitje me shpejtësi mbi 50 km/orë, ndërsa ndryshim më drastik ka në kalimin në semafor të kuq – 175 gjoba në muajin shkurt, ndërsa në muajt në vijim numri i tyre ka rënë nën 50.
Pritshmëritë janë se instalimi i më shumë kamerave, të cilat do të regjistrojnë edhe më shumë lloje shkeljesh, do të sjellë rezultate më të mira. Nga MPB-ja tashmë kanë njoftuar për një përmirësim të sistemit, por pa dhënë një afat të saktë kohor.
Ajo që Trpevski nuk e sheh të bëhet është krijimi i një sistemi të ri për përballjen me pasojat e aksidenteve në komunikacionin rrugor, i cili fillon me edukimin që në kopshtin e fëmijëve.
“Në vendin tonë sistemi nuk është i zhvilluar mirë dhe shpesh ka boshllëqe. Ja një shembull: ministri doli publikisht dhe tha se motoçiklistët e pakujdesshëm do të ndiqen penalisht. Kjo nuk duhet të jetë një njoftim, por një procedurë e rregullt 24/7, e cila nuk do të varet nga vullneti i ministrit”, thotë ai.
Ajo që nuk varet nga ministri dhe në përgjithësi nga faktori njerëzor është se kujt do t’i dërgojë gjobë “Qyteti i Sigurt”.
“Sistemi nuk njeh emra, funksione apo pozita – ai vetëm i regjistron shkeljet. Ligji vlen për të gjithë”, theksoi Toshkovski pak para lëshimit zyrtar.
Por, ka përjashtime të caktuara për automjetet me përparësi kalimi, siç janë ambulancat dhe zjarrfikësit, por edhe për automjetet që e shoqërojnë ushtrinë dhe policinë, për të cilat zbatohen rregulla të tjera të komunikacionit kur janë në detyrë.
Sistemi edhe atyre u dërgon gjoba, por, siç shpjegojnë nga MPB-ja, pastaj në çdo rast konkret përcaktohet nëse automjeti ka kryer shkelje apo jo. Nga atje nuk e zbulojnë numrin e automjeteve të tilla, me arsyetimin se është i ndryshueshëm. E gjithë kjo hapësirë për keqpërdorime, duke pasur parasysh se regjistrimet fshihen pas 30 ditësh dhe kështu humbet gjurma e shkeljes së regjistruar.
Për shembull, nga Qendra e urgjencës në Shkup deri më tani në MBP kanë dorëzuar dy herë një listë të regjistrimeve të automjeteve të ambulancës, që të mos duhet të raportojnë për çdo gjobë.
“Nëse i paraqesim një nga një, për çdo gjobë, nuk do kemi kohë të bëjmë asgjë tjetër”, shpjegon Anita Dimovska, udhëheqëse e Shërbimit të ndihmës së shpejtë në Shkup.
Nga 476 ankesat deri te gjobat e para në gjykatë
Edhe çdo rast që përfundon në gjykatë duhet të shqyrtohet individualisht. Në muajin shkurt, kur filluan të arrinin gjobat nga “Qyteti i Sigurt”, gjykata u vërshua nga 476 ankesa, që pastaj në dy muajt e ardhshëm, në mars dhe në prill, ky numër të jetë 65, përkatësisht 38. Nga MPB thonë se numri i ankesave në muajin shkurt ka qenë aq i lartë sepse kompanitë janë ankuar se po u arrinin gjoba për automjetet që i kishin dhënë me qira, kështu që kanë shpejtuar për ta kapur afatin ligjor prej 8 ditësh.
“Kjo sfidë teknike u kapërcye brenda një periudhe të shkurtër kohore, pas së cilës u siguruan kushte adekuate teknike për funksionim të pandërprerë, gjë që e konfirmon edhe numri i reduktuar i ankesave të dorëzuara”, shpjeguan nga atje për BIRN.
Por, për çështje të tjera qytetarët do duhet të presin vendim gjykate. Seancat gjyqësore për ankesat e dorëzuara në mesin e muajit shkurt janë caktuar për në muajin tetor. Në mesin e tyre janë edhe ato për qytetarët që janë ankuar se edhe pse e kanë drejtuar automjetin me shpejtësi nën 50 km/orë, u është dërguar gjobë sepse janë tejkaluan nga motoçikleta nën kamerë, targat e të cilave janë më të vështira për t’u zbuluar.
Gjykimet për personat e pakënaqur me dënimet e dhëna nga “Qyteti i Sigurt” filluan kah mesi i muajit maj.
Në njërën anë të sallës së gjyqit ishte vendosur një prozhektor i madh. E përderisa gjykatësja Sanja Llazova Stojanova sekondë pas sekonde e analizonte videon nga kamera e “Qytetit të Sigurt”, i pandehuri u mrrol. Ai ishte i bindur se nuk kishte kaluar në semafor të kuq, por pamjet tregonin të kundërtën, kur u nis automjeti i të pandehurit ishte ndezur drita e verdhë, që pastaj ai të futet në udhëkryq pas dy automjeteve të tjera që lëviznin para tij kur u ndez e kuqja.
Ai e kishte kryer shkeljen vetëm disa ditë pasi u lëshua “Qyteti i Sigurt” në Shkup. Atij iu shqiptua një gjobë prej 250 eurosh dhe 3.000 denarë shpenzime gjyqësore dhe një ndalesë për drejtimin e automjetit për tre muaj.
“Tani ndalem edhe kur nga larg e shoh semaforin jeshil që po fillon të fiket e të ndizet”, tha ai në gjykatë.
Ndryshimet e këtilla, nëse nuk kufizohen vetëm në deklarata para gjykatës, kanë si rezultat edhe një komunikacion më të sigurt. Këtë herë nën ndikimin e kamerave dhe gjobave të dërguara nga “Qyteti i Sigurt”.
Kjo nuk vlen edhe për 3 kilometrat në rrugën “Butelska” ku ka vetëm një kamera dhe mungojnë kontrollet e rregullta nga ana e policisë. Këtë fundjavë në të u vendosën pengesa në rrugë me qëllim që ta ngadalësojnë lëvizjen e automjeteve. Nëse edhe kjo nuk ka efekt, banorët e saj sërish do të dalin në protestë.
Lajme
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Parqe dhe Gjelbërim, Muamer Seferi: Po transformojmë shëtitoren e lumit Vardar
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Parqe dhe Gjelbërim, Muamer Seferi, ka njoftuar se ekipet në terren po zhvillojnë një aksion për mirëmbajtjen dhe rregullimin e hapësirave të gjelbra përgjatë Shëtitores së Vardarit.
Sipas Seferit, po realizohen aktivitete për kositjen dhe rregullimin e sipërfaqeve të gjelbra në të dyja anët e Kejit të Vardarit, në segmentin nga ura te bulevardi “8 Shtatori” deri te Ura Binjake në Novo Lisiçe.
Ai theksoi se falë angazhimit të vazhdueshëm të ekipeve në terren, shëtitorja po merr një pamje më të rregullt dhe më të mirëmbajtur, me qëllim që qytetarët të kenë hapësira publike më të pastra dhe më funksionale.
“Mbajtja e hapësirave publike të pastra dhe funksionale për qytetarët mbetet një nga prioritetet tona kryesore, ndërsa aktivitetet në terren vazhdojnë në të gjitha pjesët e qytetit”, ka deklaruar Seferi.
Nga Ndërmarrja për Parqe dhe Gjelbërim bëjnë të ditur se aksione të ngjashme do të vazhdojnë edhe në lokacione të tjera të kryeqytetit, në kuadër të aktiviteteve të rregullta për mirëmbajtjen e gjelbërimit urban.
Lajme
Messi shkruan histori me het-trik, Argjentina nis mbrojtjen e titullit me fitore të thellë
Argjentina e ka nisur me fitore fushatën në Kupën e Botës, duke mposhtur Algjeria me rezultat 3-0 në ndeshjen e Grupit J të zhvilluar në Kansas City.
Heroi i takimit ishte kapiteni Lionel Messi, i cili realizoi të tre golat në minutat 17, 60 dhe 76, duke udhëhequr kampionët në fuqi drejt një fillimi perfekt në turne.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me dy gola të anuluar brenda tetë minutave të para. Fillimisht Messi shënoi në minutën e 4-t, por goli u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa pak më vonë Fares Chaïbi shënoi për Algjerinë, por goli i tij u anulua gjithashtu.
Në minutën e 17-të, Argjentina kaloi në avantazh. Rodrigo De Paul asistoi për Messin, i cili u fut në zonë dhe realizoi me një goditje të saktë nga rreth 17 metra.
Me këtë gol, të 14-tin e tij në historinë e Kupave të Botës, Messi iu bashkua emrave si Kylian Mbappé dhe Gerd Müller në listën e golashënuesve më të mirë historikë të turneut.
Në pjesën e dytë, Argjentina e vulosi fitoren. Në minutën e 60-të, pas një tentative të Alexis Mac Allister që u devijua nga portieri Luca Zidane, Messi ishte i pari në top dhe e dërgoi në rrjetë për 2-0.
Ky ishte goli i tij i 15-të në Kupën e Botës, duke e barazuar me Cristiano Ronaldon në listën historike të realizuesve.
Het-triku u kompletua në minutën e 76-të, pas një kombinimi me Nicolás González, kur Messi realizoi bukur nga kufiri i zonës për 3-0 final.
Në minutën e 79-të, trajneri Lionel Scaloni e zëvendësoi Messin, ndërsa i gjithë stadiumi e përcolli me duartrokitje.
Përveç fitores, Messi vendosi edhe rekorde historike: arriti 200 paraqitje me kombëtaren dhe u bë lojtari i parë që luan në gjashtë Kupa Bote të ndryshme.
Argjentina e nis kështu me dominim të plotë mbrojtjen e titullit botëror.
Lajme
Tetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës
Në fshatin e vogël grek Nivici (Psaredes) në brigjet e Liqenit të Prespës në territorin e Greqisë, para tetë viteve, më 17 qershor 2018, Shkupi dhe Athina e nënshkruan Marrëveshjen e Prespës me të cilën u mbyll kontesti shumëvjeçar bilateral mes dy vendeve, Republika e Maqedonisë e ndryshoi emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, Greqia e njohi gjuhën dhe identitetin maqedonas, vendi ynë u bë anëtare e NATO-s, ndërkaq u intensifikua edhe bashkëpunimi bilateral me fqinjin jugor.
Marrëveshja u nënshkrua në periudhën kur tek fqinji jonë jugor në pushtet ishte SYRIZA, ndërsa tek ne LSDM-ja dhe u nënshkrua nga ministrat e atëhershëm të jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koksias, në praninë e kryeministrave të atëhershëm, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, mediatorit negociues Methju Nimic, ish-komisionerit për Zgjerimin e BE-së Johanes Han dhe ish- Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë dhe Siguri, Federika Mogerini, dhe përfaqësues të tjerë të lartë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të dy vendeve.
-
Lajme7 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme7 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
