Connect with us

Lajme

Çmimi i ilaçit „Foster“ kundër astmës u rrit nga 300 në 1.081 denarë

Çmimi i pompës për inhalim „Foster“, të cilën e përdorin pacientët me astmë dhe sëmundje pulmonare obstruktive kronike (SPOK), u rrit nga 300 në 1.081 denarë në farmacitë e Maqedonisë së Veriut, shkruan Sloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.

Çmimet e reja i publikoi Fondi i Sigurimit Shëndetësor të enjten më 18 qershor. Në pyetjen se pse pacientët për „Foster“ në farmaci paguajnë 1.081 denarë në vend të 300 denarëve të deritanishëm, nga Fondi për „Slloboden Peçat“ thanë se formimi dhe miratimi i çmimeve të ilaçeve është në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pse vetë Fondi është përgjegjës për formimin e çmimeve referente.

Por, „Foster“ u bë më i shtrenjtë për pacientët pasi në treg në listën pozitive u fut ilaçi gjenerik „Bloceta“, i cili sipas FSSHRMV-së është zëvendësim për „Foster“ dhe për të cilin pacientët nuk do të duhet të paguajnë shtesë. Çmimi i ilaçit origjinal „Foster“ u rrit për pacientët sepse FSSHRMV e zvogëloi pjesëmarrjen e tij në mbulimin e shpenzimeve për këtë ilaçt – pra e zvogëloi çmimin referent. Me fjalë të tjera, pagesa shtesë për pacientin u bë më e lartë.

Nga Fondi thonë se prezantimi e një ilaçi gjenerik për astmën dhe SPOK-un është një lehtësim financiar për pacientët.

“Me këtë personat e siguruar bëhen me një opsion terapeutik shtesë në ngarkesë të Fondit, pa pagesë shtesë për dallimin në çmim, gjë që siguron një disponueshmëri më të madhe të terapisë dhe lehtësim financiar për pacientët. Përfshirja e ilaçeve gjenerike në sistemin shëndetësor është një praktikë që aplikohet në sistemet më të zhvilluara shëndetësore evropiane dhe është në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, thonë nga Fondi Shëndetësor për „Slloboden Peçat“.

Por, ka pacientë që duan të vazhdojnë ta përdorin ilaçin e vjetër „Foster“, të cilin kompania „Providence“ e ka regjistruar dhe e importon në Maqedoni nga prodhuesi italian që nga viti 2009. Këta pacientë për „Slloboden Peçat“ thonë se do t’i shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat ligjorë për reagim.

Një pompë „Foster“ ka 120 doza, ndërsa disa pacientë më kritikë me astmë dhe SPOK marrin edhe nga 8 doza në ditë në fazat fillestare të sulmeve. Për të gjithë ata një dozë „Foster“ deri më tani kushtonte 2,5 denarë, kurse nga e enjtja e njëjta dozë u kushton 10,6 denarë.

Që atëherë në rrjetet sociale ka reagime të shumta nga pacientët që publikojnë fotografi të llogarive fiskale me të cilat janë befasuar në farmaci dhe po përgatisin një parashtresë zyrtare drejtuar FSSHRMV-së, Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilën kërkojnë të kthehet çmimi i vjetër i ilaçit.

Marija Zafirova, nismëtare e parashtresës, për „Slloboden Peçat“ rritjen e çmimit të „Foster“ e vlerëson si „jonjerëzore“ dhe paralajmëron se pacientët do t’i shfrytëzojnë mekanizmat për reagim. Në shkrimin e saj janë përfshirë edhe juristë. Edhe Zafirova edhe nëna e saj janë të diagnostikuara me astmë dhe ajo druan se ngarkesa financiare nga çmimet e reja do të jetë shumë e madhe për njerëzit që kanë të ardhura prej vetëm 20 mijë denarë nga pensioni.

“ Bëhet fjalë për një ilaç me inhalim që për shumë njerëz nuk është zgjedhje, por një domosdoshmëri që të mund të marrin frymë normalisht. Fillova me mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve nga të gjithë personat e prekur lidhur me çmimin e „Foster“, me qëllim që të përgatisim një parashtresë zyrtare drejtuar institucioneve kompetente. Brenda vetëm pak orëve më shkruan më shumë se 30 persona që duan të përfshihen me emër dhe mbiemër në parashtresë. Fillova sinqerisht, sepse nëna ime me pensionin e saj nuk do të ketë mundësi të ndajë një mijë denarë vetëm për të marrë frymë”, thotë Zafirova në një deklaratë për „Slloboden Peçat“.

Në parashtresën e cila së shpejti do t’i dorëzohet FSSHRMV-së, MALMED-it dhe Ministrisë së Shëndetësisë ajo dhe dhjetëra pacientë të tjerë kërkojnë të vërtetohet arsyetueshmëria e rritjes drastike të shumës së pagesës shtesë për ilaçin „Foster“ që bie në kurriz të të siguruarve.

Rritja e menjëhershme e pagesës për ilaçin „Foster“ për pacientët me sëmundje kronike respiratore, pjesa më e madhe e të cilëve janë pensionistë dhe kategori të cenueshme sociale, krijon një barrierë ekonomike direkte. Me këtë rrezikohet e drejta e tyre e garantuar me Kushtetutë për mbrojtje shëndetësore dhe shkelet neni 2 i të njëjtit ligj, i cili garanton „mbrojtje shëndetësore cilësore dhe të vazhdueshme në përputhje me nevojat individuale“, thuhet në parashtresë.

Me të kërkohet të verifikohet metodologjia për përllogaritjen e çmimit referent. Çmimi referent (shuma që e mbulon FSSHRMV-ja) përcaktohet me një analizë komparative të çmimeve të shitjes me shumicë në vendet referente: Slloveni, Kroaci, Bullgari dhe Serbi.

Por, gjatë përllogaritjes duhet të merret parasysh edhe „koeficienti i paritetit të fuqisë blerëse“, i cili e pasqyron standardin real ekonomik në shtet. Parashtruesi kërkon një revizion urgjent të përllogaritjeve për të vërtetuar nëse gjatë përcaktimit të çmimit të „Foster“ është marrë parasysh ky paritet dhe nëse analiza komparative me vendet referente është zbatuar siç duhet, shkruajnë parashtruesit.

Ata kërkojnë që FSSHRMV ta elaborojë me shkrim procesin e miratimit të propozim-vendimit për çmimin referent të këtij ilaçi dhe të dorëzojë të dhëna nëse janë marrë parasysh vërejtjet e mbajtësve të lejeve për lëshimin e ilaçit në treg në fazën e shpalljes publike të propozim-çmimeve.

FSSHRMV dhe Ministria e Shëndetësisë urgjentisht të ngrenë procedurë për mbrojtjen e shfrytëzuesve të shërbimeve në përputhje me nenin 103 të LPA-së (Shërbime me interes të përgjithshëm), me qëllim që të sigurohet ilaçi esencial „Foster“ me çmim të arsyeshëm dhe në vazhdimësi, përmes harmonizimit të duhur të çmimit referent ose me aktivizimin e mekanizmave për pagesë shtesë/participim që nuk do të bien në kurriz të qytetarëve. Nëse në afatin e paraparë nuk veprohet sipas kësaj kërkese dhe nuk vërtetohet arsyetueshmëria për rritjen e çmimit që e rrezikon drejtpërdrejt jetën e pacientëve, do të detyrohemi të ngremë procedurë para Avokatit të Popullit për shkeljen e të drejtave të qytetarëve në fushën e mbrojtjes shëndetësore, si dhe t’i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat e tjerë juridikë dhe institucionalë, shkruan në parashtresën që do t’i dorëzohet FSSHRMV-së, MALMED-it dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Një farmaciste që punon në farmaci e që dëshiroi të mbetet anonime për “Slloboden Peçat” sqaroi se farmacia nuk përfiton asgjë nga shtrenjtimi i ilaçit.

“Në fund të muajit participimi i arkëtuar që farmacia e merr nga pacientët derdhet në llogarinë e FSSHRMV-së, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve – pagesa shtesë dhe çmimi referent që FSSHRMV ia paguan farmacisë shkojnë në llogarinë e veledrogerisë. Për farmacinë mbetet marzhi prej 16 përqind. Punoj në farmaci dhe vërtet bashkëndjej me pacientët, na tha ajo.

Nga FSSHRMV nuk iu përgjigjën pyetjes sonë se sa udhëzime janë realizuar në farmaci në muajin maj të vitit 2026 (muajin e kaluar) për ilaçin „Foster“. Por, jozyrtarisht bëhet fjalë për mijëra pompa.

Ndryshe, barnat me përbërës aktiv “rosuvastatin” renditen në vend të parë sipas shumës totale të faturuar, dhe për to në vitin 2025 janë faturuar gjithsej 279,1 milionë denarë, që përbën rreth 7,76% të shumës totale për barna. Ky bar bën pjesë në grupin e barnave kardiologjike që ulin nivelin e yndyrnave në serum.

10 barnat më të shtrenjta sipas shumës totale përbëjnë rreth 40,4% të shpenzimeve totale për barna në vitin 2025.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Petar Bogojeskit i “dhemb” propozimi i Shasivarit: Për 10 vjet, i gjithë gjyqësori do të flasë shqip!

Nacionalisti Petar Bogojeski ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin gjyqësor, pas propozimit të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, për zhvillimin e Provimit të Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

Në një status në gjuhën maqedonase, Bogojeski pretendon se brenda dhjetë vjetësh gjykatësit shqiptarë do të gjykojnë qytetarë maqedonas përmes përkthyesve, pasi, sipas tij, nuk do ta njohin gjuhën maqedonase.

“Për një kohë të shkurtër (10 vjet), do të kemi një gjykatës shqiptar etnik që do të gjykojë dy maqedonas etnikë me përkthyes, sepse nuk do ta dijë gjuhën maqedonase. Ose një prokuror…”, shkruan Bogojeski.

Ai e cilëson këtë skenar si të paqëndrueshëm dhe pretendon se përdorimi i gjuhës shqipe në sistemin gjyqësor mund ta çojë Maqedoninë e Veriut drejt kantonizimit ose federalizimit.

Bogojeski shkon edhe më tej, duke paralajmëruar se, sipas tij, ndarja mbi baza etnike mund të përhapet edhe në arsim, shëndetësi dhe administratë.

Në reagimin e tij, ai kundërshton përdorimin e shqipes si gjuhë institucionale paralele dhe kërkon që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ta mësojnë gjuhën maqedonase.

“Shqiptarët duhet ta kuptojnë se në Maqedoni duhet ta mësojnë dhe ta dinë gjuhën maqedonase. Shqipja është e tyre, e padiskutueshme, por nuk mund të jetë gjuhë paralele sistemore”, shkruan ai.

Në fund, Bogojeski ironizon edhe mundësinë që institucionet të përdorin përkthyes për gjuhët e vendit, ndërsa statusin e përmbyll me shprehjen “Maqedoni e mjerë”.

Continue Reading

Lajme

NPK “SHARRI”: Uji në Tetovë i sigurtë për pije

NPK „SHARRI“ – Tetovë informon se, sipas analizave laboratorike dhe monitorimit të rregullt nga IPSH – Qendra e Shëndetit Publik Tetovë, rezultatet e dokumentuara konfirmojnë se mostrat e analizuara të ujit i plotësojnë kriteret e përcaktuara për ujë të pijshëm.

Për transparencë të plotë, NPK Sharri ka bashkangjitur edhe dokumentet laboratorike dhe njoftimin zyrtar të Qendrës së Shëndetit Publik Tetovë.

Në postimin në Facebook të NPK Sharri që e ka shpërndarë edhe Komuna e Tetovës shtrohet pyetja: Pse mund të ndihet një erë karakteristike në ujë?

Sipas tyre, Gjatë stinës së vjeshtës, veçanërisht pas reshjeve të shiut dhe rënies së gjetheve në rajonin e Malit Sharr, në ujë mund të shfaqet përkohësisht një erë karakteristike e bimësisë.

Kjo dukuri mund të lidhet me lëndët organike që çlirohen gjatë shpërbërjes së gjetheve dhe materialeve të tjera bimore, të cilat arrijnë në burimet ujore.

Por, a është uji i sigurt për pije? – shtrohet pyetja tjetër.

Prania e një ere të tillë nuk nënkupton domosdoshmërisht përkeqësim të cilësisë së ujit. Siguria e tij përcaktohet përmes analizave laboratorike dhe jo vetëm në bazë të erës apo shijes.

Sipas rezultateve të bashkëngjitura të kontrollit, uji i analizuar i plotëson kushtet për pije.

NPK „SHARRI“ – Tetovë u bën thirrje qytetarëve që nëse vërejnë ndryshime të theksuara të erës, shijes apo pamjes së ujit, që ta informojnë këtë ndërmarrje duke treguar rrugën ose lagjen ku është vërejtur dukuria.

Continue Reading

Lajme

Morën kredi prej 12 milionë denarë në emër të disa personave, kallëzim penal ndaj dy kumanovareve dhe pesë punonjësve bankarë

SPB Kumanovë ka paraqitur kallëzim penal ndaj A.S.D. (23) dhe M.V. (35), të dyja nga Kumanova, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale “mashtrim” dhe “keqpërdorim i të dhënave personale”, si dhe ndaj M.P. (34), S.M. (27), N.N. (34), D.M. (48) dhe S.O. (36), mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar”.

“E kallëzuara e parë, gjatë periudhës nga janari deri në korrik të vitit 2026, në 18 raste, duke shfrytëzuar të dhënat personale të disa personave, në emër të tyre dhe pa pëlqimin e tyre, ka aplikuar për kredi të shpejta konsumatore, ndërsa pas miratimit dhe pagesës së mjeteve financiare, ato janë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme nga e të kallëzuarës së parë dhe të dytë.
“Ndërkaq, të kallëzuarit e tjerë, të punësuar si nëpunës bankarë në një filial të një banke, kanë mundësuar realizimin e mashtrimit dhe dispozicionin e mjeteve financiare, duke i mundësuar kështu të kallëzuarës së parë dhe të dytë të përfitojnë kundërligjshëm pasuri në vlerë të përgjithshme prej 12.221.500 denarë”, thonë nga MPB.

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme18 hours ago

Petar Bogojeskit i “dhemb” propozimi i Shasivarit: Për 10 vjet, i gjithë gjyqësori do të flasë shqip!

Nacionalisti Petar Bogojeski ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin gjyqësor, pas propozimit të ministrit të Drejtësisë,...

Lajme18 hours ago

NPK “SHARRI”: Uji në Tetovë i sigurtë për pije

NPK „SHARRI“ – Tetovë informon se, sipas analizave laboratorike dhe monitorimit të rregullt nga IPSH – Qendra e Shëndetit Publik...

Lajme18 hours ago

Morën kredi prej 12 milionë denarë në emër të disa personave, kallëzim penal ndaj dy kumanovareve dhe pesë punonjësve bankarë

SPB Kumanovë ka paraqitur kallëzim penal ndaj A.S.D. (23) dhe M.V. (35), të dyja nga Kumanova, mbi dyshime të bazuara...

Lajme18 hours ago

Nesër regjim i posaçëm i komunikacionit në Shkup

Nesër, më 23.10.2026 (e premte), me fillim në orën 08:00, në organizim të Klubit të Atletikës, do të mbahet një...

Sport2 days ago

Nga Gjilani drejt majave së botës/ Rinor Ramizi synon titullin botëror në K1-Kickbox me luftëtarin e tij Mirhad Babic

Një karrierë me 70 ndeshje, një përballje e fundit dhe një titull botëror në lojë. Më 31 tetor 2026, në...

Lajme2 days ago

Durmishi paralajmëron masa për punësimin e të rinjve

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot mori pjesë në forumin “NextGen CareerUp” i cili u mbajt në Tetovë...

Lajme2 days ago

Erë dhe shi ditët në vazhdim, vijon mot më i freskët

Nën ndikimin e masës ajrore të lagësht dhe të paqëndrueshme, nesër veçanërish pasdite dhe gjatë natës do të ketë reshje...

Lajme2 days ago

Gjokoviq dënohet me 10 vjet burg për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Millorad Gjokoviqin për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar...

Lajme2 days ago

ASH-ja i reagon Shasivarit për provimin e jurisprudencës: Në shkurt e mbroje, në tetor e përgjysmove!

Aleanca për Shqiptarët (ASH) i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivarit, të sqarojë se çfarë ka ndryshuar nga shkurti...

Lajme2 days ago

Albi Qamili me mesazh të fortë për të rinjtë: “Tetova ka potencial, të ardhmen duhet ta ndërtojnë në vendlindje”

Zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, mori pjesë në forumin e karrierës “NextGen CareerUp 26”, të organizuar nga Instituti...

Trending