Lajme
Ndalohet një person nga Shkupi, kërkohej me urdhër gjykate për vuajtjen e dënimit me burg prej shtatë vite e një muaj
MPB njofton se më 29.06.2026, në orën 20:00, në fsh. Vizbeg, rrethina e Shkupit, nëpunësit policorë të Njësitit të Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup e privuan nga liria S.Sh. (29) nga Shkupi.
“Më parë, në Qendrën e Azilit në Vizbeg, ai ishte sjellë në mënyrë agresive dhe e kishte kërcënuar një grua me një send të mprehtë, pas çka ishte larguar nga vendi i ngjarjes me automjet taksi. Shumë shpejt, pas marrjes së masave, automjeti është ndaluar, personi është privuar nga liria, ndërsa gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një thikë”.
“Gjatë marrjes së masave dhe verifikimit në evidencën operative, ishte konstatuat se S.Sh. kërkohej me urdhër gjykate për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit me burg prej shtatë vjet e një muaj. Personi është shoqëruar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues – Burgu i Idrizovës për vuajtjen e dënimit”, thonë nga MPB.
Lajme
Bejxhan Iljazi braktis Frontin Evropian, i bashkohet shumicës parlamentare
Deputeti i Partisë Demokratike Turke, Bejxhan Iljazi, i cili në zgjedhjet parlamentare ishte pjesë e Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI, i është bashkuar shumicës parlamentare në kuadër të procesit të rikonstruimit të Qeverisë. Me këtë zhvillim Fronti Evropian humb edhe një deputet në Kuvend, ndërsa shumica parlamentare forcon mbështetjen e saj.
Kalimi i Iljazit në shumicën parlamentare vjen në një periudhë kur po zhvillohen ndryshimet në përbërjen e Qeverisë dhe po rikonfigurohen raportet politike brenda koalicionit qeverisës.
Burime politike bëjnë të ditur se ende nuk është zyrtarizuar se cilin resor apo funksion do ta marrë Bejxhan Iljazi në kuadër të Qeverisë, ndërsa pritet që detajet të bëhen të ditura pas përfundimit të procesit të rikonstruimit.
Lajme
Nik Gjeloshaj: Malësia është në duar të sigurta, nuk pranojmë asnjë kompromis për territorin
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka reaguar ndaj manipulimeve lidhur me çështjen e territorit të Malësisë, duke theksuar se qëndrimi i tij dhe i përfaqësuesve të Forumit Shqiptar mbetet i pandryshuar.
Gjeloshaj deklaroi se puna e bërë gjatë shtatë viteve të fundit dëshmon angazhimin institucional për mbrojtjen e interesave të Malësisë dhe rikujtoi se komunat kadastrale të Malësisë janë të përcaktuara që nga viti 1952.
Ai bëri të ditur se prej tetë vitesh është kërkuar që Malësisë t’i bashkëngjiten disa vendbanime dhe zona të caktuara, përfshirë Dubravën pranë Vllanës, pjesën e Rakiqit, Kakarriqin, Luharin, Ledinën, Laparin, Rabrajin, si dhe një pjesë të bjeshkës së Koshticës dhe Liqenin e Rikavecit.
Sipas Gjeloshajt, ai, së bashku me Eminin dhe Nerminin, nuk do të votojnë dhe nuk do të nënshkruajnë asnjë zgjidhje tjetër përveç asaj që është paraqitur në hartën zyrtare me të gjitha kërkesat e tyre.
Duke komentuar protestat e paralajmëruara, Gjeloshaj theksoi se protesta është një e drejtë demokratike, por shtoi se, nëse ajo organizohet për çështjen e territorit, vendi i saj është në Podgoricë, ndaj institucioneve që ende nuk kanë pranuar kërkesat e Malësisë, e jo në Tuz.
Në fund të reagimit, ai hodhi poshtë përpjekjet për ndarje në baza fetare, duke theksuar se shqiptarët e Malësisë do të mbeten të bashkuar.
“Mund të jem mysliman apo katolik, por me na nda nuk keni. Kurrë e për jetë. Jemi shqiptarë dhe Malësinë kemi me e ruejtë shqiptare”, përfundon deklarata e zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj.
Ja postimi plotë:
Malësia është në duart të sigurta
Këtë nuk e dëshmojnë fjalët, por shtatë vjet punë, vendime dhe rezultate.
Për me i dhanë fund manipulimeve, po i rikujtoj faktet.
Komunat kadastrale të Malësisë, të cilat nuk i kam caktua unë, por janë kështu prej vitit 1952, janë:
KK Tuzi,
KK Dinosha,
KK Vranja,
KK Vuksanlekaj,
KK Trieshi i Epërm,
KK Trieshi i Poshtëm, KK Budza,
KK Hoti,
KK Gruda,
KK Traboini i Vjetër dhe
KK Koja.
Çdo komunë kadastrale përbëhet nga shumë vendbanime.
Prej tetë vitesh kemi kërkua që Malësisë t’i bashkëngjiten:
* Dubrava pranë Vllanës, nga KK Golubovci, me kalua në KK Vranë;
* pjesa e Rakiqit, nga KK Dajbabe, me kalua në KK Tuz;
* Kakarriqi, nga KK Maslina dhe KK Fundna, me kalua në KK Dinoshë;
* Luhari, Ledina, Lapari dhe Rabraji, nga KK Fundna, me kalua në KK Dinoshë;
* një pjesë e bjeshkës së Koshticës dhe Liqeni i Rikavecit, nga KK Gornje Stravçe dhe KK Orahovo, me kalua në KK Trieshi i Epërm.
Kurrë, as unë, as Emini e as Nermini, nuk kemi me pranua me votua apo me nënshkrua një zgjidhje tjetër, përveç asaj që paraqitet në hartë, me të gjitha kërkesat tona.
Nuk e di pse disa vazhdojnë me shpifje e manipulime. Apo jemi në prag të fushatës zgjedhore dhe, në mungesë të programit, njerëzve kredibilë e vizionit, manipulimi u ka mbetë e vetmja rrugë?
P.S. Në hartë, me të kuqe janë paraqitë komunat kadastrale të Malësisë, sipas ndarjes së vitit 1952, ndërsa me të bardhë janë paraqitë kërkesat tona për t’ua bashkëngjitë këto vendbanime komunave kadastrale të Malësisë.
Kjo është e vetmja hartë që kemi kërkua, paraqitë dhe nënshkrua.
Asnjë tjetër.
Me protestua, po. Është demokraci dhe krejt legjitime.
Por, nëse protesta është për territorin, atëherë vendi i saj është në Podgoricë, kundër atyne që nuk i pranojnë këto kërkesa. Në Tuz nuk protestohet për territorin, por kundër Forumit Shqiptar dhe pushtetit në Tuz.
Edhe kjo është legjitime në demokraci, por jo me parulla të rrejshme për territorin.
Sa për përpjekjet me na nda në baza fetare, e kanë kot.
Mund të jem mysliman apo katolik, por me na nda nuk keni. Kurrë e për jetë. Keni harrua një gjë: jemi shqiptarë dhe Malësinë kemi me e ruejtë shqiptare.
Nika, Emini e Nermini
Lajme
“Ishte në varkë së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët” – detaje të reja për zhdukjen e 25-vjeçarit në Liqenin e Batllavës
Një person 25-vjeçar dyshohet se është zhdukur pasditen e së martës në Liqenin e Batllavës, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit po vazhdon prej disa orësh.
Sipas burimeve të Tëvë1, 25-vjeçari kishte qenë në një varkë së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Në një moment ai dyshohet se është hedhur në ujë për të notuar, por nuk është parë më të dalë në sipërfaqe.
Po sipas të njëjtave burime, thellësia e ujit në zonën ku ndodhi rasti është rreth 10 metra.
Në operacionin e kërkimit është angazhuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila iu është bashkuar Policisë së Kosovës dhe ekipeve të tjera të kërkim-shpëtimit në përpjekjet për lokalizimin e 25-vjeçarit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar se rasti është raportuar rreth orës 13:00 dhe se operacioni është ende në zhvillim.
“Rreth orës 13:00, Policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë. Menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit. Aktualisht, operacioni i kërkimit dhe shpëtimit është duke vazhduar”, ka deklaruar Pllana në një përgjigje me shkrim.
Në vendin e ngjarjes mbeten të angazhuara njësitë e Policisë së Kosovës, pjesëtarët e FSK-së dhe ekipet e kërkim-shpëtimit, ndërsa kërkimet për gjetjen e 25-vjeçarit po vazhdojnë.
-
Lajme7 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme7 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
