Connect with us

Lajme

Fasulja e Tetovës arrin çmime astronomike, kilogrami shkon deri në 700 denarë

Fasulja e Tetovës po arrin çmime rekord, ndërsa prodhimi i saj në fushat e Pollogut po zvogëlohet vit pas viti. Në fillim të korrjes së sivjetshme, një kilogram fasule autentike të Tetovës shitet nga 600 deri në 700 denarë, ndërsa fasulja e korrjes së vitit të kaluar në tregun e Tetovës shitet për rreth 500 denarë kilogrami.

Edhe pse fasulja e Tetovës prej dekadash është një nga produktet më të njohura bujqësore të Tetovës dhe Fushës së Pollogut, sot ajo gjendet gjithnjë e më rrallë në tregun e qytetit. Shkak për këtë janë temperaturat e larta, thatësira, mungesa e ujit për ujitje, por edhe interesimi gjithnjë e më i vogël i të rinjve për bujqësinë.

Uzeini, një shitës prej shumë vitesh në tregun e gjelbër të Tetovës, i cili më shumë se 40 vjet shet fasule, thotë se nuk mban mend që çmimi i këtij produkti të ketë qenë ndonjëherë kaq i lartë.

“Unë më shumë se 40 vjet shes fasule në tregun e Tetovës dhe çmimi i saj asnjëherë nuk ka qenë kaq i lartë në krahasim me produktet e tjera. Fasulja e korrjes së vitit të kaluar, po flas për fasulen origjinale të Tetovës, tani shitet 500 denarë, ndërsa fasulja që tani ka filluar të mblidhet më ofrohet me çmim prej 600 deri në 700 denarë për kilogram. Kjo ndodh sepse ka gjithnjë e më pak fasule të Tetovës për shkak të motit të nxehtë, por edhe sepse nuk ka kush ta kultivojë. Të rinjtë nuk duan të punojnë në ara, ndaj kanë mbetur vetëm njerëzit më të moshuar që e mbjellin, dhe zakonisht prodhojnë vetëm për nevojat e tyre, ndërsa shumë pak për shitje”, thotë Uzeini.

” “

Ai jep edhe këshilla se si konsumatorët mund ta dallojnë fasulen autentike të Tetovës nga ajo e importuar që shitet me këtë emër.

“Po, në treg mund të shihni në disa vende thasë me fasule ku shkruan se është fasule e Tetovës. Por nëse është vërtet ashtu, mund të kontrollohet shumë lehtë. Futeni dorën në thes, përzieni pak fasulet dhe kur ta nxirrni dorën, nëse në të ka diçka si pluhur i bardhë, atëherë, sipas meje, nuk është fasule e Tetovës. Fasulja e Tetovës nuk krijon një pluhur të tillë të bardhë. Ajo është e pastër dhe e çelët dhe, sado që ta përzieni në thes, dora do t’ju mbetet e pastër”, këshillon Uzeini.

Deri disa dekada më parë, fasulja e Tetovës ishte një nga produktet më të rëndësishme bujqësore dhe eksportuese të Fushës së Pollogut. Fasulja e Tetovës ushqente të gjithë ish-Jugosllavinë, ndërsa dërgohej edhe për eksport jashtë vendit.

Sot prodhohen sasi minimale dhe ekziston rreziku që fasulja e Tetovës të zhduket plotësisht nga arat dhe tryezat tona.

Bujqit thonë se problemet më të mëdha vijnë nga kushtet e vështira klimatike, veçanërisht temperaturat jashtëzakonisht të larta dhe thatësira, por ankohen edhe për mungesën e fuqisë punëtore. Të rinjtë, thonë ata, nuk janë më të interesuar të merren me bujqësi.

Abdulla Muaremi nga fshati Tearcë tregon se këtë vit ka mbjellë shumë më pak fasule për shkak të thatësirës dhe problemeve me ujitjen.

“Çdo vit kam mbjellë nga 3-4 dekarë me fasule, por tani mezi mbolla 2 dekarë për shkak të thatësirës së madhe. Për shkak të verave jashtëzakonisht të nxehta, tani fasulja duhet të ujitet deri në shtatë herë që të arrish të shpëtosh diçka nga rendimenti. Por edhe kjo vështirë realizohet, sepse kanali për ujitje është i mbyllur dhe nuk ka radhë për përdorimin e ujit. Më parë mjaftonte ta ujisnim fasulen vetëm dy herë dhe merrja 300 deri në 400 kilogramë për dekar, ndërsa tani mezi nxora 300 kilogramë nga 2 dekarë”, thotë Muaremi.

Sipas tij, numri i prodhuesve të fasules po zvogëlohet çdo vit, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore po bëhet problem gjithnjë e më i madh.

“Gjithnjë e më shumë po zvogëlohet numri i prodhuesve të fasules, ndërsa nuk ka kush të punojë. Të rinjtë nuk duan të merren me bujqësi, e aq më pak me kultivimin e fasules”, thekson Muaremi.

Kështu, ndërsa çmimi i fasules së Tetovës ka arritur deri në 700 denarë për kilogram, prodhimi i saj po shkon drejt minimumit. Thatësira, mungesa e ujit dhe largimi i të rinjve nga bujqësia po kërcënojnë një prej produkteve më të njohura tradicionale të Tetovës, i cili dikur prodhohej në sasi të mëdha dhe eksportohej edhe jashtë vendit.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Në ditën e parë u shitën mbi 24.5 milionë kopje të GTA 6, 2.36 miliardë dollarë të ardhura

Pas 13 vitesh pritje, videoloja e shumëpritur Grand Theft Auto 6 (GTA 6) ka debutuar me një sukses të jashtëzakonshëm tregtar. E publikuar më 19 nëntor, loja ka arritur të kthehet brenda pak orësh në një nga lançimet më të mëdha në historinë e industrisë së argëtimit.

Sipas vlerësimeve paraprake të kompanisë analitike Sensor Tower, shitjet e GTA 6, duke përfshirë edhe porositë paraprake, kanë kaluar 24.5 milionë kopje. Të ardhurat vlerësohen në rreth 2.36 miliardë dollarë.

Nëse këto shifra konfirmohen, GTA 6 do të regjistrojë një nga debutimet më të mëdha tregtare të të gjitha kohërave. Kompania mëmë Take-Two Interactive dhe zhvilluesi Rockstar Games nuk kanë publikuar ende shifra zyrtare të shitjeve, por e kanë përshkruar kërkesën për lojën si të paprecedentë.

Sipas agjencisë Reuters, vlerësimet e Sensor Tower tregojnë se GTA 6 ka shitur pothuajse trefishin e kopjeve që kishte shitur paraardhësi i tij, GTA 5, gjatë 24 orëve të para të publikimit në vitin 2013.

Të ardhura sa një superprodhim hollivudian

Përmasat e suksesit bëhen edhe më të dukshme kur krahasohen me industrinë e filmit. Sipas të dhënave të cituara në raport, filmi Spider-Man: Brand New Day ka grumbulluar rreth 2.5 miliardë dollarë nga shitja e biletave në kinematë botërore.

GTA 6 ka arritur t’i afrohet kësaj shifre që në ditën e parë të publikimit, duke përfshirë edhe porositë paraprake.

Ndërkohë, kompania kërkimore e tregut Niko Partners parashikon se të ardhurat nga loja mund të kalojnë 3 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2026.

Miliona lojtarë në pritje, rekord edhe në trafikun e internetit

Publikimi i GTA 6 ka shkaktuar një mobilizim të jashtëzakonshëm të lojtarëve në mbarë botën. Shumë prej tyre kanë qëndruar zgjuar gjatë natës për të nisur menjëherë aventurën e re, ndërsa të tjerë kanë planifikuar të marrin pushim nga puna për t’i kushtuar më shumë kohë lojës.

Interesi masiv është reflektuar edhe në trafikun e internetit. Në Britaninë e Madhe, operatori Virgin Media O2 ka regjistruar nivele rekord të transferimit të të dhënave, për shkak të shkarkimeve dhe instalimeve paraprake të lojës.

GTA 6 zë rreth 212 GB hapësirë, çka kërkon një sasi të konsiderueshme të dhënash për shkarkim dhe instalim.

Një nga videolojërat më të shtrenjta në histori

Pas këtij projekti qëndron një investim gjigant. Kostoja e zhvillimit të GTA 6 vlerësohet të ketë kaluar 1 miliard dollarë, shifër që, nëse konfirmohet, do ta rendiste atë ndër videolojërat më të shtrenjta të prodhuara ndonjëherë.

Rockstar Games ka punuar për më shumë se një dekadë për të sjellë pasardhësin e GTA 5, i cili u publikua në vitin 2013 dhe u shndërrua në një prej lojërave më të suksesshme komerciale të të gjitha kohërave.

Ngjarjet e lojës zhvillohen në Leonida, një shtet imagjinar i frymëzuar nga Florida, ndërsa qendra kryesore e historisë është Vice City, e ndërtuar mbi modelin e Majamit.

Protagonistët janë Lucia dhe partneri i saj Jason, dy personazhe të përfshirë në botën e krimit, grabitjeve dhe ndjekjeve të rrezikshme. Loja ndërthur aksionin me satirën sociale, duke trajtuar kulturën amerikane dhe anën e errët të ëndrrës amerikane.

Rockstar ka ende dy burime të mëdha të ardhurash

Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm të ditëve të para, potenciali tregtar i GTA 6 mund të rritet edhe më tej.

Për momentin, loja është e disponueshme për PlayStation 5 dhe Xbox Series X|S. Ende nuk është njoftuar një datë zyrtare për versionin e kompjuterëve, ndërsa pritet edhe prezantimi i modalitetit online, ku lojtarët do të mund të ndërveprojnë dhe të zhvillojnë misione së bashku përmes internetit.

Përvoja e GTA 5 tregon rëndësinë që mund të ketë kjo pjesë e lojës. GTA Online u shndërrua në një burim të rëndësishëm të ardhurash për kompaninë, përmes blerjeve virtuale, automjeteve luksoze, pronave dhe përmbajtjeve të tjera shtesë.

Kufizime në disa tregje

Përmbajtja e lojës, e cila përfshin skena të dhunshme dhe materiale të destinuara për të rritur, ka sjellë edhe kufizime në disa tregje ndërkombëtare.

Në Japoni janë raportuar ndërhyrje për përshtatjen e përmbajtjes me rregullat vendase, ndërsa në Kinën kontinentale loja nuk ka marrë miratimin për shitje zyrtare.

Megjithatë, këto kufizime nuk duket se kanë ndikuar në interesin e jashtëzakonshëm global.

Me më shumë se 24.5 milionë kopje të shitura sipas vlerësimeve paraprake dhe të ardhura që kapin rreth 2.36 miliardë dollarë, GTA 6 po vendos një standard të ri për industrinë e videolojërave. Për Rockstar Games, debutimi i 19 nëntorit mund të jetë vetëm fillimi i një suksesi që pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Continue Reading

Lajme

Era e fuqishme në Tetovë dhe Pollog! Rreth 15 intervenime, pa të lënduar

Erërat e fuqishme që përfshinë mbrëmë Tetovën dhe rajonin e Pollogut shkaktuan dëme të shumta materiale. Pemë të rrëzuara, kulme të dëmtuara, rrugë të bllokuara dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa vendbanime. Ekipet e zjarrfikësve intervenuan në rreth 15 raste, ndërsa në terren gjatë gjithë natës ishin edhe ekipet e ndërmarrjes publike komunale për largimin e pemëve dhe degëve të rrëzuara.

“Patëm rreth 15 intervenime, dy zjarre, disa kulme të rrëzuara, rrugë të bllokuara, si dhe shtylla elektrike të dëmtuara. Kemi intervenuar në të gjitha rastet dhe situatën e kemi pasur nën kontroll. Fatmirësisht, nuk kemi persona të lënduar”, deklaroi Avni Ameti, shef i NjTKZ Tetovë.

Komuna e Tetovës u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes gjatë motit të lig dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. Deri më tani, në Komunë nuk është paraqitur asnjë kërkesë zyrtare për kompensimin apo evidentimin e dëmeve.

“Komuna e Tetovës mbrëmë doli me apel për qytetarët që të kenë kujdes dhe të shmangin lëvizjet gjatë erërave të fuqishme. Deri më tani nuk kemi pasur denoncime nga banorët për dëmet materiale, por nëse paraqiten raste të tilla, Komuna së bashku me inspektoratin do të dalë në terren për verifikimin e tyre dhe marrjen e masave të nevojshme”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

Në polici është raportuar edhe dëmtimi i një automjeti nga tjegullat e një kulmi në rrugën industriale. Ekipet e SPB Tetovë, zjarrfikësit dhe ndërmarrja publike komunale kanë bashkëpunuar për sigurimin dhe pastrimin e rrugëve. Deri më tani, as në Qendrën për Menaxhim me Kriza nuk janë raportuar dëme më të mëdha materiale. Fatmirësisht, nga të gjitha incidentet nuk ka persona të lënduar.

Continue Reading

Lajme

Imer Aliu: PPD, BDI dhe VLEN – emra të ndryshëm, e njëjta filozofi politike!

35 vite pluralizëm, emra të rinj partish, por e njëjta formulë politike: kompromiset për pushtet në kurriz të interesave të shqiptarëve. Kështu e përshkruan përfaqësimin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Imer Aliu, përfaqësues i lartë i PDSH-së.

Sipas Aliut, nga PPD-ja te BDI-ja dhe VLEN-i, partitë kanë ndryshuar emrat, por jo filozofinë politike, duke e vendosur qëndrimin në pushtet mbi interesat e shqiptarëve.

Ai thekson se PDSH-ja ka përfaqësuar një koncept tjetër, të bazuar në dinjitetin kombëtar, barazinë politike dhe refuzimin e nënshtrimit për interesa pushteti.

“Sa herë duhet të ndryshojnë emrat e partive që më në fund të kuptoni se po votoni për të njëjtin model politik?”, pyet Aliu.

Continue Reading

TË FUNDIT

Sport2 days ago

Ejup Ademi zgjidhet kryetar i ri i Klubit të Mundjes Liria

Ejup Ademi është zgjedhur kryetar i ri i Klubit të Mundjes Liria, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të mbajtur sot, ku...

Lajme2 days ago

Në ditën e parë u shitën mbi 24.5 milionë kopje të GTA 6, 2.36 miliardë dollarë të ardhura

Pas 13 vitesh pritje, videoloja e shumëpritur Grand Theft Auto 6 (GTA 6) ka debutuar me një sukses të jashtëzakonshëm...

Lajme2 days ago

Era e fuqishme në Tetovë dhe Pollog! Rreth 15 intervenime, pa të lënduar

Erërat e fuqishme që përfshinë mbrëmë Tetovën dhe rajonin e Pollogut shkaktuan dëme të shumta materiale. Pemë të rrëzuara, kulme...

Lajme2 days ago

Imer Aliu: PPD, BDI dhe VLEN – emra të ndryshëm, e njëjta filozofi politike!

35 vite pluralizëm, emra të rinj partish, por e njëjta formulë politike: kompromiset për pushtet në kurriz të interesave të...

Lajme2 days ago

BFI-ja konfirmon: Kemi marrë lejen për ndërtimin e objektit të ri pranë Kalasë së Shkupit

Nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) thonë se kanë siguruar lejen për ndërtimin e objektit të ri administrativ në pronën e...

Lajme2 days ago

Arabia Saudite e para në botë për shërbimet qeveritare digjitale, përmbush objektivin e Vizionit 2030

Mbretëria renditet e para mes 194 vendeve dhe territoreve të vlerësuara nga OKB-ja për shërbimet qeveritare online dhe ngjitet në...

Lajme3 days ago

Kujdes nëse udhëtoni drejt Greqisë! Mbyllet për tri ditë autostrada Selanik–Evzoni, ndryshon qarkullimi!

Një pjesë e autostradës Selanik–Evzoni, që lidh Greqinë me Maqedoninë e Veriut, do të mbyllet plotësisht në të dy drejtimet,...

Lajme3 days ago

Kush e solli Alta Bankën në Maqedoni? Përgjigjet Ademi

Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, foli lidhur me çështjen e Alta Bankës dhepretendimet me përfshirjen e Qeverisë në këtë...

Lajme3 days ago

Levica akuzon Albi Qamilin: Ka siguruar Badenterin për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë

Partia Levica ka reaguar ndaj zv/kryetarit të Komunës së Tetovës, Albi Qamili, njëherësh kryetar i Komisionit për riemërimin e rrugëve,...

Lajme3 days ago

Ademi: Oponent e kemi VMRO-në, VLEN nuk pyetet as për ministrat e vet

Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, në emisionin “Debat në Shenja”, ka hedhur poshtëpretendimet se BDI është e rezervuar në...

Trending