Lajme
Vuçiq humbi pushtetin, por jo retorikën për Kosovën! Këndon këngën nacionaliste: Nuk e heqin dot Kosovën nga shpirti im
Humbja politike dhe përballja me lëvizjen studentore nuk duket se e kanë larguar Aleksandar Vuçiçin nga retorika nacionaliste. Ish-presidenti serb u shfaq duke kënduar këngën “Vidovdan”, një prej simboleve të nacionalizmit serb, në një takim me mbështetësit e tij në veri të Serbisë, ku Kosova ishte sërish në qendër të mesazhit politik.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar mbrëmjen e së premtes në qytetin e Sremska Mitrovicës, në rajonin e Vojvodinës, Vuçiç iu bashkua mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në interpretimin e këngës, ndërsa ish-kryeministrja Ana Bërnabiç e përqafonte.
“ Kudo që shkoj, te ti kthehem sërish; askush s’mund të ma heqë Kosovën nga shpirti”, këndoi Vuçiç, duke përcjellë një mesazh që ka shoqëruar për dekada politikën nacionaliste në Serbi.
Takimi u zhvillua në një moment të vështirë politik për ish-presidentin, pas humbjes përballë lëvizjes studentore dhe përfundimit të dominimit të SNS-së në pushtet. Përpara mbështetësve, Vuçiç shpalli një kapitull të ri për partinë e tij, të cilën e prezantoi si një “opozitë shtetformuese”.
Megjithatë, vëmendjen e mori më shumë skena e këngës sesa mesazhet politike. Rikthimi te simbolika e Kosovës tregon se, edhe përballë një realiteti të ri politik në Serbi, Vuçiç vazhdon të përdorë të njëjtën gjuhë nacionaliste që ka qenë pjesë e pandashme e karrierës së tij.
Kënga “Vidovdan”, e krijuar në vitin 1989 dhe e interpretuar nga Gordana Lazareviç, lidhet me kujtesën historike serbe për Betejën e Kosovës të vitit 1389. Ajo u kthye në një simbol të nacionalizmit serb në të njëjtën periudhë kur Sllobodan Millosheviçi përdorte mitin e Kosovës për të mobilizuar mbështetjen politike.
Më 28 qershor 1989, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, Millosheviçi mbajti fjalimin e njohur në Gazimestan, ku iu referua betejave dhe sakrificave historike të serbëve. Fjalimi, i mbajtur dy vite përpara shpërthimit të luftërave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë, u interpretua gjerësisht si një prej momenteve që paralajmëruan përshkallëzimin e nacionalizmit në rajon.
Lidhja e Vuçiçit me atë periudhë nuk është vetëm përmes simbolikës. Ai e nisi karrierën politike në Partinë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit dhe në vitin 1998, kur ishte 28 vjeç, mori postin e ministrit të Informacionit në qeverinë e Millosheviçit.
Gjatë kësaj periudhe, qeveria vendosi kufizime të ashpra ndaj mediave dhe ndëshkoi organet kritike të shtypit me gjoba të rënda.
Pavarësisht viteve që kanë kaluar, Kosova mbetet një nga temat kryesore të retorikës politike në Serbi. Edhe tani, pas humbjes së pushtetit, Vuçiç duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kjo kartë politike.
Por një tjetër pikëpyetje lidhet me qëndrimin që do të mbajë ndaj Kosovës forca e re politike e dalë nga lëvizja studentore, e cila sfidoi pushtetin e tij.
Sinjalet e deritanishme nuk tregojnë një ndryshim të madh në këtë drejtim. Edhe Lista Studentore, e cila u bë protagoniste e ndryshimit politik në Serbi, e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë, kundërshton njohjen e pavarësisë së saj dhe kërkon rishikimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Prishtinën.
Kështu, largimi i Vuçiçit nga pushteti nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe një ndryshim të politikës serbe ndaj Kosovës.
Lajme
Kasami: Afër 500 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar transportin publik në Tetovë brenda një viti
Kreu i Tetovës, Bilall Kasami, vazhdon të prezantojë punët dhe projektet e realizuara gjatë njëvjetorit të mandatit të tij të dytë.
Në kuadër të bilancit njëvjeçar, Kasami ka bërë të ditur se afër 500 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar shërbimet e transportit publik në Tetovë.
Përveç zgjerimit dhe përmirësimit të shërbimit të transportit publik, sipas Kasamit, gjatë kësaj periudhe është investuar edhe në digjitalizimin e shërbimeve, me qëllim që qytetarëve t’u mundësohet qasje më e lehtë, më e shpejtë dhe më efikase.
Përmes këtyre të dhënave, Kasami po vazhdon të prezantojë para qytetarëve rezultatet e punës së realizuar gjatë një viti në krye të Komunës së Tetovës.
Lajme
Me dokumente ‘zviceran’, por me zemër në Sllupçan: Dr. Mirsad Osmani – një histori suksesi në Zvicër
Ekipi i Televizionit News gjatë qëndrimit në Zvicër ka vizituar ordinancën e dr. Mirsad Osmanit në Flums, ku realizoi një intervistë ekskluzive me mjekun me origjinë nga Sllupçani.
Gjatë vizitës, ekipi ynë pati mundësinë të njihet nga afër me ambientet e ordinancës, pajisjet moderne dhe kushtet bashkëkohore në të cilat dr. Osmani ushtron veprimtarinë e tij profesionale.
Rrugëtimi i tij nga Sllupçani drejt Zvicrës është një histori përkushtimi, pune dhe sakrifice. Me vite angazhim profesional, ai arriti të ndërtojë karrierën e tij në Zvicër dhe të realizojë një nga synimet e rëndësishme të jetës profesionale, hapjen e ordinancës së vet në Flums.
Në intervistën për Televizionin News, dr. Mirsad Osmani flet për rrugëtimin e tij, sfidat e profesionit, punën në Zvicër dhe lidhjen që vazhdon ta ruajë me vendlindjen dhe bashkëkombësit.
” ”
Pavarësisht largësisë, Sllupçani mbetet pjesë e pandashme e identitetit dhe kujtimeve të tij.
Lajme
AKI bojkoton festën e Kumanovës: Nuk do të bëhemi dekor i Maksim Dimitrievskit!
Përfaqësuesit e AKI-së nuk do të marrin pjesë në seancën solemne me rastin e Ditës së Kumanovës, pas deklaratave të kryetarit të komunës, Maksim Dimitrievski.
Ata theksojnë se nuk mund të jenë pjesë e aktiviteteve ku, sipas tyre, mungon respekti për shqiptarët, gjuhën shqipe dhe barazinë në një qytet multietnik.
„Aty ku na luftojnë dhe nuk na respektojnë, nuk kemi çfarë kërkojmë. Prania jonë nuk mund të jetë dekor i askujt“, thuhet në reagimin e tyre.
Nga AKI vlerësojnë se deklaratat e Dimitrievskit i shërbejnë më shumë rejtingut partiak sesa bashkëjetesës dhe interesit të përbashkët të qytetarëve.
Ata e cilësojnë vendimin si bojkot të festës së qytetit dhe u bëjnë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen këtij qëndrimi, duke theksuar se dinjiteti dhe respekti nuk negociohen.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
