Lajme
Vuçiq humbi pushtetin, por jo retorikën për Kosovën! Këndon këngën nacionaliste: Nuk e heqin dot Kosovën nga shpirti im
Humbja politike dhe përballja me lëvizjen studentore nuk duket se e kanë larguar Aleksandar Vuçiçin nga retorika nacionaliste. Ish-presidenti serb u shfaq duke kënduar këngën “Vidovdan”, një prej simboleve të nacionalizmit serb, në një takim me mbështetësit e tij në veri të Serbisë, ku Kosova ishte sërish në qendër të mesazhit politik.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar mbrëmjen e së premtes në qytetin e Sremska Mitrovicës, në rajonin e Vojvodinës, Vuçiç iu bashkua mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në interpretimin e këngës, ndërsa ish-kryeministrja Ana Bërnabiç e përqafonte.
“ Kudo që shkoj, te ti kthehem sërish; askush s’mund të ma heqë Kosovën nga shpirti”, këndoi Vuçiç, duke përcjellë një mesazh që ka shoqëruar për dekada politikën nacionaliste në Serbi.
Takimi u zhvillua në një moment të vështirë politik për ish-presidentin, pas humbjes përballë lëvizjes studentore dhe përfundimit të dominimit të SNS-së në pushtet. Përpara mbështetësve, Vuçiç shpalli një kapitull të ri për partinë e tij, të cilën e prezantoi si një “opozitë shtetformuese”.
Megjithatë, vëmendjen e mori më shumë skena e këngës sesa mesazhet politike. Rikthimi te simbolika e Kosovës tregon se, edhe përballë një realiteti të ri politik në Serbi, Vuçiç vazhdon të përdorë të njëjtën gjuhë nacionaliste që ka qenë pjesë e pandashme e karrierës së tij.
Kënga “Vidovdan”, e krijuar në vitin 1989 dhe e interpretuar nga Gordana Lazareviç, lidhet me kujtesën historike serbe për Betejën e Kosovës të vitit 1389. Ajo u kthye në një simbol të nacionalizmit serb në të njëjtën periudhë kur Sllobodan Millosheviçi përdorte mitin e Kosovës për të mobilizuar mbështetjen politike.
Më 28 qershor 1989, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, Millosheviçi mbajti fjalimin e njohur në Gazimestan, ku iu referua betejave dhe sakrificave historike të serbëve. Fjalimi, i mbajtur dy vite përpara shpërthimit të luftërave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë, u interpretua gjerësisht si një prej momenteve që paralajmëruan përshkallëzimin e nacionalizmit në rajon.
Lidhja e Vuçiçit me atë periudhë nuk është vetëm përmes simbolikës. Ai e nisi karrierën politike në Partinë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit dhe në vitin 1998, kur ishte 28 vjeç, mori postin e ministrit të Informacionit në qeverinë e Millosheviçit.
Gjatë kësaj periudhe, qeveria vendosi kufizime të ashpra ndaj mediave dhe ndëshkoi organet kritike të shtypit me gjoba të rënda.
Pavarësisht viteve që kanë kaluar, Kosova mbetet një nga temat kryesore të retorikës politike në Serbi. Edhe tani, pas humbjes së pushtetit, Vuçiç duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kjo kartë politike.
Por një tjetër pikëpyetje lidhet me qëndrimin që do të mbajë ndaj Kosovës forca e re politike e dalë nga lëvizja studentore, e cila sfidoi pushtetin e tij.
Sinjalet e deritanishme nuk tregojnë një ndryshim të madh në këtë drejtim. Edhe Lista Studentore, e cila u bë protagoniste e ndryshimit politik në Serbi, e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë, kundërshton njohjen e pavarësisë së saj dhe kërkon rishikimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Prishtinën.
Kështu, largimi i Vuçiçit nga pushteti nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe një ndryshim të politikës serbe ndaj Kosovës.
Lajme
Ilire Dauti ia përplas shifrat Dimitrievskit: „Grupi i vogël“ shqiptar është më shumë se gjysma e maqedonasve!
Deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të ZNAM-it dhe kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili shqiptarët i kishte cilësuar si „një grup i vogël qytetarësh“.
Dauti i është përgjigjur me argumente demografike, duke rikujtuar se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë, ndërsa maqedonasit 54.2%.
„Pra, shqiptarët janë sa 54.4% e numrit të maqedonasve, më shumë se gjysma e tyre. Ky grup vështirë se mund të quhet i vogël, përveçse në matematikën tuaj politike“, ka shkruar Dauti.
Ajo i ka dërguar edhe një mesazh të drejtpërdrejtë Dimitrievskit, duke i kërkuar të ketë kujdes në deklaratat për shqiptarët dhe gjuhën shqipe.
„Në Qeveri ndaç rri, ndaç mos, veç kujdes kur flet për shqiptarët dhe gjuhën shqipe“, përfundon reagimi i deputetes, me shprehjen: „Не мешај баби и жаби!“ (Mos i ngatërro gjërat që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën!).
Lajme
Sali Ramadani në Parlament, 8 korrik 1997: “Unë jam nipi i Mefailave të Zajazit!”
Më 8 korrik 1997, deputeti shqiptar Sali Ramadani shpalosi flamurin kombëtar shqiptar në Parlamentin e Maqedonisë, duke sfiduar reagimet e deputetëve dhe drejtuesve të institucionit.
Përballë kundërshtimeve, ai mbajti edhe një fjalim në gjuhën shqipe, duke deklaruar se do të vinte dita kur flamuri shqiptar do të ishte zyrtar dhe në Parlament do të flitej shqip.
Fjalët e tij mbetën në kujtesën politike shqiptare:
“Mos u frikësoni, nuk kafshon ky! Do të vijë dita që ky flamur të jetë zyrtar, do të vijë dita që në këtë Parlament të flitet shqip. Unë nuk kam frikë nga ju. Nëse nuk e dini, unë jam nipi i Mefailave të Zajazit. Unë jam Sali Ramadani!”
Ngjarja ndodhi vetëm një ditë para përplasjeve të 9 korrikut 1997 në Gostivar, të shkaktuara nga çështja e përdorimit të flamurit shqiptar në institucionet lokale.
Sali Ramadani, i njohur edhe si Sali Ramadani i Kërçovës, ndërroi jetë më 27 janar 2018. Fjalimi dhe veprimi i tij mbeten pjesë e kujtesës së historisë politike të shqiptarëve në Maqedoni.
Lajme
Pamje të pazakonta në Bit Pazar: Ndërtesa mbi ndërtesa dhe një gropë e mbushur me mbeturina
Në afërsi të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, rreth 50 metra larg saj, ndodhen disa objekte me pamje të pazakontë, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve.
Pamjet e publikuara në grupin e Facebook-ut „Skopje Skopska“ tregojnë ndërtesa të ndërtuara njëra mbi tjetrën, ndërsa pranë tyre shihet edhe një gropë e madhe e mbushur me mbeturina.
Lokacioni ndodhet pranë „Galerija 7“, ku, sipas postimit, vizitorët mund të shijojnë lahmaxhunin, por edhe një pamje aspak të zakonshme të ndërtimeve dhe mbeturinave përreth.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie


