Connect with us

Lajme

KSHZ: VMRO-ja fitoi 58 deputetë, Fronti Europian-19, LSDM-18

Me fitoren e Gordana Siljanovska Davkovës dhe të VMRO-DPMNE-së, sipas rezultateve fillestare të KSHZ-së përfunduan zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vend. Të gjithë pjesëmarrësit, si dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor vlerësuan se zgjedhjet kaluan në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Pas numërimit të 99,82 për qind të fletëvotimeve, Siljanovska Davkova fitoi 560.170 vota (65,14%) ndërsa kundërkandidati i saj Stevo pendarovski nga LSDM 251.541 (29,25%). Siljanovska Davkova është gruaja e parë presidente në vend. Në deklaratën e dhënë në konferencën e mbrëmshme për shtyp në Shtabin qendror zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, ajo premtoi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve.

“Unë pohoj se do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve. Kjo do të thotë e të gjitha grupeve etnike, e të gjithë anëtarëve të partive, e atyre të cilët nuk janë në parti, sepse nuk mundet asnjë president të synojë unitetin, nëse mban linja partiake”, deklaroi Siljanovska Davkova.

Në konferencën e mbrëmshme për media në Shtabin Qendror Zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, Siljanovska Davkova tha se portat e, siç tha, “zyrave të huazuara qytetare” janë të hapura për të gjithë.

“Atë që e premtova në fushatën para zgjedhjeve, duke filluar nga zyrat popullore, përmes paraqitjeve në Parlament, përmes personaliteteve në Këshillin Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Sigurisë, se do t’i kryej në bazë të profesionalizmit, kompetencës dhe nuk do ta harroj diversitetin”, tha ajo.

Siç shtoi, duhet të bëjmë përpjekje t’i japim fund ballkanizimit, t’i ndihmojmë njëri – tjetrit, të jemi politikanë.

“Për këtë duhet të fillojmë të kuptohemi mes vete, të ndihmohemi, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje”, tha ajo, duke shtuar se rrugët e saj prijnë së pari në Ballkan, ndërsa Brukseli, siç shtoi, nuk lihet anash.

Siljanovska Davkova potencoi se do t’i mbrojë interesat shtetërore dhe kombëtare.

Kundërkandidati i mbështetur nga LSDM dhe Koalicioni, i cili garoi për mandat të dytë, Stevo Pendarovski i uroi fituesit dhe u dëshiroi punë të suksesshme në katër vitet në vijim, përkatësisht pesë vite, duke cekur se rezultatet janë të qarta dhe se nuk ka ndërmend t’i arsyetojë më hollësisht.

“Koncepti im për Maqedoni multietnike plotësisht e integruar në strukturat euro-atlantike për fat të keq nuk mori mbështetje dhe jam i bindur thellë se vetëm e tillë Maqedonia mund të jetë e sukseshme”, tha Pendarovski.

Jam i bindur thellë, vazhdoi Pendarovsi, se vetëm e tillë Maqedonia mund të jetë e suksesshme, dhe ndërgjegjja ime është e pastër, por nuk besoj se e kanë të pastër ata të cilët penguan mijëra qytetarë që ta marrin edhe fletën e dytë dhe të votojnë për zgjedhjet presidenciale, duke iu referuar bojkotit të zgjedhjeve presidenciale.

Pendarovski i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që mundësuan që kjo ditë zgjedhore të zhvillohet në atmosferë demokratike, ndërsa për disa shkelje, theksoi ai, ua lëmë institucioneve kompetente që ta zgjidhin këtë.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, nga 99,27% të votave të numëruara, Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE fitoi 58 mandate për përbërjen e re të Kuvendit. Pas saj është koalicioni i Frontit evropian, kryesuar nga BDI me 19 mandate deputetësh, Koaliconi i kryesuar nga LSDM ka 18, koalicioni VLEN 13, E Majta dhe partia ZNAM nga gjashtë vende deputetësh.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se së shpejti do të fillojnë negociatat me partitë opozitare për koalicionim dhe tha se është i bindur se do të formojnë Qeveri në një kohë sa më të shkurtër dhe se procesi do të jetë transparent.

“Jemi në një fazë të avancuar të bisedimeve për një pako të fortë investimi që do të ndihmojë ekonominë. Këtë nuk desha ta shpall para fushatës për të mos u politizuar e njëjta, por prisni që në 100 ditët e para shumë lajme të mira për qytetarët dhe ekonominë e Maqedonisë”, shtoi ai.

Në konferencën e mbrëmshme për media në selinë e partisë, Mickoski theksoi se sonte janë mposhtur “krimi, korrupsioni dhe paaftësia”.

“Janë mposhtur edhe tradhtitë, përçarjet, ata qindra njerëz nga BDI dhe LSDM që mendonin se janë zotër të jetëve tona. Ata sot kanë dhembje koke, ka pse. Do të përgjigjen deri te i fundi. Secili që ka kryer krim dhe ka kryer korrupsion duhet të mbajë përgjegjësi që do të bazohet në drejtësi dhe ligje”, tha Mickoski duke shtuar se është triumfuar ndaj bojkotit të BDI-së.

Sipas tij, populli tregoi se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe të mbrohen përmes institucioneve.

“Populli iu dha leksionin më të rëndësishëm dhe e shpëtoi vendin e tij. Kjo gjeneratë ka mundësinë unike për të krijuar një kapitull të ri në të cilin Maqedonia do të jetë krenare dhe Maqedonia do të jetë e juaja dhe do të ketë një të ardhme që do të bazohet në vlera dhe shpresë. Do ta kthejmë shpresën dhe sonte kemi arsye për të festuar”, tha ai.

Rezultati i sotëm është zhgënjyes, LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë, tha kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në konferencën për media mbrëmë në selinë e partisë rreth rezultateve zgjedhore nga zgjedhjet e dyfishta dhe paralajmëroi proces të konsolidimit të partisë dhe zgjedhje të reja për kryetar dhe udhëheqësi të partisë.

Ai i vlerësoi zgjedhjet si korrekte dhe të lira, të organizuara sipas standardeve evropiane dhe ky është një hap i madh përpara si rezultat i lirisë së mediave dhe paqes dhe stabilitetit që kemi vendosur në vitet e kaluara. Ai i uroi fitoren konkurrentit politik VMRO-DPMNE dhe kryetarit të tyre Hristijan Mickoski si dhe Gordana Siljanovska Davkovës për zgjedhjen si presidente duke i dëshiruar që ta kryejë funksionin sipas kompetencave kushtetuese dhe përkushtimit euroatlantik.

Ai përgëzoi edhe qytetarët dhe anëtarësinë e LSDM-së ku edhe përkundër rezultateve të raundit të parë, dolën të votojnë me dinjitet dhe ndihmuan në arritjen e censusit për zgjedhjen e presidentit.
“LSDM përsëri tregoi patriotizëm dhe përgjegjësi për të qindtën herë. Më lehtë ishte që pas gjithë atyre akuzave dhe sulmeve të rreme nga VMRO-DPMNE të mos e mobilizonim anëtarësinë tonë për mosvotim në zgjedhjet presidenciale, por nuk ramë në atë kurth. Dëshmuam se Maqedonia është më me rëndësi për ne dhe kështu do të jetë gjithmonë. Rezultati i sotëm është zhgënjyes. LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga simpatizantët dhe mbështetësit e partisë. Në periudhën e ardhshme do të duhet më seriozisht dhe më thellë të gjejmë burimin dhe arsyet e këtij rezultati humbës”, tha Kovaçevski.

Ai paralajmëroi proces të konsolidimit të partisë dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja të të gjitha organeve partiake, duke filluar nga kryetari i partisë, udhëheqësia e deri te të gjitha organet e partisë.

“Nuk kam dyshim se shumë qytetarë sonte ndjejnë frikë, frikë nga pushteti i tepruar që ka një parti e cila njihet për shpërdorim të forcës. LSDM dhe koalicioni duhet të jenë një opozitë e fortë, e përgjegjshme dhe burrështetase”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se viti i ardhshëm është një mundësi për vendin që të vazhdojë integrimin evropian dhe nënvizoi se nëse humbet ai shans mund të humbet edhe një dekadë, por ndoshta një gjeneratë tjetër.

“LSDM do të sillet me përgjegjësi, por topi tani është në duart e qeverisë së re të udhëhequr nga Hristijan Mickoski”, tha Kovaçevski duke paralajmëruar mbi pasojat e përpjekjeve të mundshme për të bllokuar rrugën e Evropës dhe duke potencuar se vendi i Maqedonisë është në NATO dhe BE.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në paraqitjen e tij para mediave në selinë e partisë në Tetovë tha se Fronti evropian është forca e dytë në shtet pas zgjedhjeve të sotme.

“Legjitimitetin na e kanë dhënë qytetarët, shumica e shqiptarëve dhe komuniteteve të vogla si turqit, boshnjakët dhe romët të cilët i falënderoj dhe është hapi i parë drejt stazave të gjata të Frontit evropian deri në anëtarësim të plotë në BE”, tha ai.

Sipas Ahmetit, sot shteti më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe, zero probleme me fqinjët, sundim të ligjit dhe fillim të negociatave dhe hapjen e kapitullit të parë dhe mbledhjeve ndërqeveritare për fillim zyrtar të anëtarësimit në BE.

“Mbetemi fronti i fortë i misionarëve deri në realizimin e qëllimeve finale për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.

Në pyetjen për të komentuar fitoren e VMRO-DPMNE-së, Ahmeti tha se duhet të priten rezultatet finale nga KSHZ-ja, por ia uroi fitoren Mickoskit.

Në pyetjen nëse dhe çfarë opozite do të ishin, duke pasur parasysh rezultatin e VMRO-DPMNE-së, Ahmeti përsëriti se duhet të respektohen votat e fituara.

Koalicioni VLEN doli fitues në të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Nga nesër fillojnë negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve, deklaroi mbrëmë Bilall Kasami nga Lëvizja BESA.

Kjo, sipas Kasamit është rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë.

“Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj ju them 100 mijë herë ‘faleminderit, faleminderit, faleminderit!’ të gjithë atyre që erdhën dhe bënë ndryshimin në atdhe!”. Prandaj në emër të 100 mijë votave koalicionit VLEN ju themi faleminderit”, tha Kasami.

Sipas analizave që kemi, Kasami tha se me gjasë do të dalin me të njëjtin numër deputetësh sa koalicioni i BDI-së.

“Diferenca në vota nuk do të kalojë 10 mijë”, thekson Kasami.

Lëvizja ZNAM sonte shkroi historinë për Maqedoninë tonë. Konfirmuam minimum grup parlamentar dhe diku rreth 60 mijë vota. Do të jemi me qytetarët dhe do të punojmë për qytetarët, tha mbrëmë kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski.

Ai ka uruar qytetarët e vendit të cilët, siç tha, treguan “sens” për shtetin.

“Maqedonia zgjodhi president. Dua ta përgëzoj profesoreshën Gordana Siljanovska Davkova për fitoren e madhe dhe t’i uroj mandat të suksesshëm, ta udhëheq Maqedoninë në drejtimin e duhur, të jetë këtu gjithmonë pranë qytetarëve sepse lufta jonë është dhe do të jetë për qytetarët. Më lejoni ta përgëzoj edhe VMRO-DPMNE-në për fitoren bindëse që siguruan”, tha Dimitrievski.

Ai beson se këto zgjedhje do të jenë leksion shtesë për të gjitha subjektet tjera politike që gravitojnë në skenën politike.

“Me krenari mund të konfirmoj se ZNAM nga sonte e fillon luftën e saj për një Maqedoni të dinjitetshme”, nënvizoi Dimitrievski.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Prof. Dr. Vebi Bexheti shpallet “Qytetar Nderi” i Pianës së Arbëreshëve në Sicili

Komuna e Pianës së Arbëreshëve në Sicili i ka ndarë sot titullin “Qytetar Nderi” profesor Vebi Bexhetit, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij dhe angazhimin në forcimin e lidhjeve institucionale e kulturore me komunitetin arbëresh.

Ceremonia zyrtare dhe dorëzimi i titullit u zhvilluan sot në kuadër të aktiviteteve të Festës së Fondacionit, të cilat mbahen nga 24 deri më 30 gusht 2026.

Kryetari i Komunës së Pianës së Arbëreshëve, Rosario Petta, theksoi rëndësinë e këtij vlerësimi për promovimin e unitetit dhe pasurisë kulturore të komunitetit arbëresh.

Sipas tij, profesor Bexheti përfaqëson një figurë të spikatur për kontributin e tij kombëtar dhe për angazhimin në forcimin e lidhjeve me vlerat dhe trashëgiminë arbërore.

” “

Ndarja e titullit “Qytetar Nderi” për profesor Vebi Bexhetin vjen si një tjetër dëshmi e lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet shqiptarëve dhe komuniteteve arbëreshe në Itali.

Ngjarja rikthen në vëmendje edhe rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit, gjuhës dhe traditave shqiptare, si dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj.

Ky vlerësim nga Komuna e Pianës së Arbëreshëve shënon një moment të veçantë në bashkëpunimin kulturor dhe institucional ndërmjet komuniteteve shqiptare dhe arbëreshe. përcjell Zhurnal.mk .

Continue Reading

Lajme

BDI: Pse VLEN nuk po guxon ta përmend Stoillkoviçin? Me çfarë po i kushtëzon ai

Bashkimi Evtopian ka dënuar glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq nga ana e Ivan Stoillkoviçit, ndërsa VLEN këtij të fundit nuk guxon t’ia përmend emrin duke mbetur një pyetje e rëndë për opinion publik, ka reaguar kështu BDI përmes një komunikate për media.

BDI adreson kritikën ndaj VLEN-it, parti e cila sipas integristëve, jo vetëm që ka heshtur ndaj qëndrimeve dhe avancimeve me poste të larta shtetërore të partisë së Stoilkoviqit, por edhe i ka mbrojtur me vota në Kuvend.

Nuk duhet harruar, tehkson më tej BDI se, gjatë kësaj periudhe janë mundësuar zhvillime që dëshmojnë një depërtim gjithnjë e më të madh të strukturave dhe interesave të lidhura me projektin e “botës serbe” në vend.

Ivan Stoillkoviç madje e ka quajtur publikisht Republikën e Kosovës “Kosovo e Metohija”, ndërsa VLEN nuk nxori asnjë zë, thotë BDI.

Komunikata e plotë e BDI-së për media

Edhe institucionet e Bashkimit Evropian kanë dënuar glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mladiq, duke theksuar se glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat evropiane. Por kjo duket se nuk u intereson aspak Ivan Stoillkoviçit, partisë së tij dhe njerëzve të kësaj strukture politike, të cilët vazhdojnë të glorifikojnë e relativizojnë kriminelët më të mëdhenj të shekullit të kaluar në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa përballë kësaj, VLEN nuk guxon as t’ia përmendë emrin Ivan Stoillkoviçit. Kjo heshtje mbetet një pyetje e rëndë për opinionin publik, sidomos kur vetë Stoillkoviç ka deklaruar se përfaqësuesit e VLEN-it duhet të kenë kujdes, sepse dy-tri herë, sipas tij, i ka “shpëtuar nga turpi publik”. Prandaj pyetja është e pashmangshme: çfarë i lidh VLEN-in me Ivan Stoillkoviçin dhe pse nuk kanë guxim ta denoncojnë atë?

Që nga formimi i kësaj qeverie, Stoillkoviç dhe strukturat e tij politike janë shpërblyer me pozita të rëndësishme shtetërore. Pozita e zëvendëskryeministrit për implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, një dokument jetik për shqiptarët dhe komunitetet e tjera, i është besuar një strukture politike të lidhur me këtë orientim, ndërsa Dalibori, kuadër i afërt me Stoillkoviçin, është emëruar drejtor në Agjencinë për të Drejtat e Komuniteteve. Prej aty filloi një seri zhvillimesh dhe projektesh që ngrenë shqetësime serioze për depërtimin e projektit të ashtuquajtur “botë serbe” në Republikën e Maqedonisë së Veriut. VLEN, jo një herë, por disa herë, jo vetëm që ka heshtur, por ka mbrojtur Stoillkoviçin: me votë në Kuvend, duke mos lejuar që të kalojnë iniciativa për përgjegjësinë dhe shkarkimin e tij; me heshtje përballë sulmeve, sharjeve dhe ofendimeve të tij ndaj deputetëve shqiptarë; si dhe me propagandë, duke relativizuar, kamufluar dhe arsyetuar vendimet dhe veprimet e tij, madje duke u kthyer ashpër kundër shqiptarëve që e kundërshtojnë Stoillkoviçin.

Nuk duhet harruar se gjatë kësaj periudhe janë mundësuar zhvillime që dëshmojnë një depërtim gjithnjë e më të madh të strukturave dhe interesave të lidhura me projektin e “botës serbe” në vend. Janë parë aktivitete dhe marshime të strukturave ushtarake serbe, defilime dhe vizita të ministrave serbë në Maqedoninë e Veriut me deklarata provokuese se këto toka janë Serbi, si dhe ardhja e figurave të larta politike si Milorad Dodik. Në sektorin e energjetikës, drejtori i MEPSO-s, kuadër i VLEN-it, ka lidhur marrëveshje për projektin e largpërçuesit me Shqipërinë me kompani të afërta me Milorad Dodikun, duke ngritur shqetësime për depërtimin e këtij ndikimi edhe në sektorin strategjik të energjetikës. Alta Bank ka hyrë në sektorin bankar, MTL paraqitet si depërtim në sektorin e telekomunikimeve, ndërsa në fushën e mediave është themeluar televizion serb në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Së fundmi, Nedim Rama, i afërt me Izet Mexhitin dhe drejtues në NOMAGAS, ka nënshkruar marrëveshje me palën serbe për projektin e gazifikimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Nuk është rastësi që Parlamenti Evropian, jo një herë, por dy vite me radhë, ka ngritur shqetësimin se eksponentë të kësaj qeverie po promovojnë dhe ndihmojnë rritjen e ndikimit të “botës serbe” në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ivan Stoillkoviç madje e ka quajtur publikisht Republikën e Kosovës “Kosovo e Metohija”, ndërsa VLEN nuk nxori asnjë zë. Prandaj pyetja për VLEN-in është e thjeshtë: kur do të kërkoni largimin nga Qeveria të Ivan Stojilkoviçit dhe funksionarëve të tij, të cilët glorifikojnë Ratko Mladiqin dhe kriminelë të tjerë lufte? Nëse tek ju ka qoftë edhe një element të përgjegjësisë kombëtare shqiptare dhe përkushtimit ndaj vlerave evropiane, atëherë në këtë qeveri ose duhet të largohen ata që glorifikojnë kriminelët e luftës, ose duhet të largoheni ju. Por ju nuk po tregoni guxim për asnjërën. Sa më gjatë që heshtni, heshtja juaj nuk është neutralitet, por mbrojtje politike dhe bashkëpërgjegjësi. Sa më parë të shkoni në shtëpi, sepse me këtë heshtje dhe këtë nënshtrim politik, e keni mbuluar me turp përfaqësimin politik shqiptar.

Continue Reading

Lajme

Nikolla Memov: Nevojitet reformë e sistemit pensional

E ardhmja e pensioneve dhe e sistemit pensional është vënë në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe qytetarëve. Krejt e pritshme, kjo temë ka shkaktuar njëfarë shqetësimi për problemet e mundshme që lidhen me pagesën e pensioneve, tani ose në të ardhmen. Ju jeni në krye të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë (FSPIM) dhe i keni të gjitha informacionet e nevojshme.

Për fillim, le t’i sqarojmë zërat që po përhapen. A ekziston ndonjë rrezik lidhur me pagesën aktuale të pensioneve?

Në periudhën e fundit, sistemi pensional është vërtet në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe komentet e ndryshme nga ekspertë dhe analistë të ndryshëm kanë kontribuar në informimin e ndryshëm të qytetarëve. Është e rëndësishme të dihet se menaxhmenti i Fondit të FSPIM-it ka ndërtuar një vizion dhe analizë të qartë, me dobësi dhe anomali të identifikuara në sistemin pensional, të cilat duhet të jenë objekt i reformës së sistemit pensional në të ardhmen.

Të gjitha rekomandimet e institucioneve relevante financiare dhe partnerëve të shtetit, FMN-së dhe Bankës Botërore, tregojnë nevojën për reformë të sistemit pensional në Maqedoni, duke pasur parasysh stabilitetin financiar afatgjatë të sistemit pensional. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë nevojë dhe për këtë arsye po bëjmë të gjitha këto analiza të thelluara të strukturës së sistemit pensional.

Analiza e shërbimeve profesionale dhe e Departamentit Aktuarial në FSPIM tregon një problem të përbashkët strukturor në sistemin pensional.

Në disa segmente, lidhja ndërmjet kontributeve të paguara dhe lartësisë së të drejtës pensionale është dobësuar. Kjo dukuri shfaqet në segmentin e ulët përmes pensionit minimal relativisht të lartë, në segmentin e lartë përmes pensionit maksimal, ndërsa ndërmjet gjeneratave përmes trajtimit të ndryshëm të stazhit dhe pagave, në varësi të periudhës në të cilën janë realizuar.

Përfundimi kryesor është se dizajni aktual krijon dekurajime të ndryshme: për një pjesë të të siguruarve nuk ka përfitim të qartë nga pagesa e kontributeve mbi një bazë më të lartë, ndërsa te të siguruarit me paga të larta, pasi arrihet pensioni maksimal, zhduket efekti shtesë pensional nga pagesat e vazhdueshme. Te gjenerata të ndryshme mund të shfaqen dallime të konsiderueshme edhe pse parametrat personalë janë të njëjtë.

Sistemi pensional përballet me një problem që nuk është vetëm financiar, por edhe institucional dhe lidhet me besimin e të siguruarve. Nëse sistemi vazhdon të dërgojë mesazhin se kontributet më të larta nuk sjellin të drejta përkatëse më të larta, atëherë do të rriten stimujt për deklarim minimal të pagës, shmangie të pagesës së kontributeve dhe kërkim të formave alternative të të ardhurave.

Qasja më e përshtatshme është një reformë graduale, e argumentuar mirë dhe transparente, e cila do ta ruajë funksionin social të pensioneve, por do ta rikthejë lidhjen ndërmjet pagesave dhe të drejtave. Kjo reformë duhet të synojë llogaritje më të drejta, bazë më të fortë kontributesh, ndarje të qartë të pjesës solidare nga pjesa e sigurimit, besim më të madh në shtyllën e dytë dhe mbrojtje afatgjatë të pensionistëve të ardhshëm.

Sa u përket pagesave të pensioneve, ato paguhen dhe do të paguhen rregullisht dhe në kohë. Pretendimet se nuk do të ketë pagesë të rregullt të pensioneve janë të pabazuara dhe kanë për qëllim shqetësimin e pensionistëve dhe qytetarëve. Kontributet pensionale mblidhen rregullisht, transferet nga buxheti janë të rregullta dhe pensionistët pensionin e marrin çdo datë 1 të muajit.

Gjendja aktuale e sistemit pensional

Tani le të bëjmë një pasqyrë të gjendjes aktuale në sistemin pensional nga këndvështrimi i Fondit të FSPIM-it. Çfarë tregojnë të dhënat për numrin e përgjithshëm të personave që paguajnë kontribute dhe numrin e pensionistëve, mbulimin e secilit pensionist me numrin e personave që paguajnë kontribute, shumën e pensionit më të ulët, mesatar dhe më të lartë, grupet e pensionistëve sipas lartësisë së pensionit, për shembull sa persona marrin pension minimal?

Numri i përgjithshëm i përfituesve të pensioneve, sipas gjendjes më 30 qershor 2026, është 350.671 persona.

Pensionin më të ulët në tri grupet e marrin 97.585 persona dhe ai varion, në varësi të grupit dhe periudhës kur është realizuar e drejta, nga 20.888 deri në 23.945 denarë.

Numri i personave të punësuar që paguajnë kontribute, sipas së njëjtës gjendje në qershor 2026, është 571.855 persona, ndërsa raporti i mbulimit të të punësuarve ndaj pensionistëve është 1,63.

Të ardhurat e Fondit të FSPIM-it

Le të vendosim një diagnozë të saktë për “shëndetin afatgjatë” të sistemit pensional në vend, të identifikojmë anomalitë e mundshme dhe të shohim nëse mund të bëhet diçka. Do ta lëmë mënjanë shtyllën e dytë dhe të shohim se çfarë ndodh me shtyllën e parë, për të cilën është përgjegjës Fondi i FSPIM-it. Le të nisim nga të ardhurat. Aktualisht, sa pjesë e të ardhurave të përgjithshme të Fondit vijnë nga kontributet e paguara pensionale dhe sa nga Buxheti i shtetit? Sa është edhe shuma absolute që shteti ia transferon Fondit të FSPIM-it në vit? A ndryshojnë këto shifra ndër vite dhe si?

Në buxhetin e Fondit janë planifikuar të ardhura në vlerë prej 150 miliardë e 947 milionë denarësh, prej të cilave nga kontributet 85 miliardë e 811 milionë denarë, që përbën 56,8 për qind të të ardhurave të përgjithshme.

Transferi nga buxheti është planifikuar në 62 miliardë e 815 milionë denarë, që përbën 41,6 për qind të të ardhurave të përgjithshme.

Këtu do të doja të theksoja se rritja e mjeteve për transferet nga buxheti është rezultat i rritjes së pensioneve. Nga shtatori 2024 deri në mars të këtij viti, rritja ishte 7.000 denarë për pensionist në muaj, ndërsa në nivel vjetor rritja e pensioneve në vitin 2026 është rreth 500 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024.

Kemi konstatuar se ekziston një problem strukturor në sistemin pensional, i cili krijon pabarazi, dekurajim për pagesën e kontributeve, si dhe trajtim të ndryshëm të stazhit dhe pagave ndërmjet gjeneratave, në varësi të periudhës në të cilën janë realizuar.

Analiza e pabarazisë ndërgjenerative tregon se personat me të njëjtët parametra kryesorë – moshë, stazh, pagë mesatare dhe pa përfitime të veçanta – mund të marrin pensione të ndryshme vetëm për shkak të periudhës në të cilën është realizuar stazhi. (Normat e zëvendësimit bien nga 2,35 në 1,46 dhe nëse stazhi është realizuar më herët, mund të ketë dallim serioz në llogaritjen e pensionit.)

Thelbi i problemit është se renditja kalendarike e karrierës merr peshë më të madhe sesa kontributi i përgjithshëm ekonomik. Një rezultat i tillë e dobëson besimin në sistem, sepse të siguruarit presin që personat me të njëjtin kontribut të përgjithshëm dhe të njëjtën datë pensionimi të kenë të drejta pensionale të krahasueshme.

Pensioni minimal dhe maksimal krijojnë ulje të drejtësisë, sepse kontributet më të larta nuk shndërrohen në të drejtë pensionale më të lartë. Së dyti, krijohet një motiv racional ekonomik që një pjesë e të ardhurave të deklarohet mbi bazën minimale, ndërsa pjesa tjetër të paguhet përmes formave të tjera.

Nga ana tjetër, te pensioni maksimal problemi është i kundërt, por në thelb i ngjashëm: sistemi vendos një kufi të sipërm, pas të cilit kontributet shtesë nuk rezultojnë në të drejtë pensionale më të lartë.

Faktori demografik i indeksimit tregon se për një pensionist ka rreth 1,6 të punësuar që kontribuojnë. Ky trend është i rëndësishëm sepse sistemi pensional i shtyllës së parë financohet në mënyrë rrjedhëse: kontributet e sotme financojnë pensionet e sotme.

Problem të veçantë paraqet mënyra se si lidhen koeficientët e llogaritjes, për një vit të tërë ose për një periudhë prej gjashtë muajsh. Nëse i siguruari ka vetëm një ose dy ditë ndërprerje të stazhit gjatë një viti të caktuar, mund të ndodhë që të mos i njihet koeficienti vjetor, por vetëm koeficienti për gjashtë muaj, gjë që përbën një padrejtësi të madhe për të siguruarit aktualë.

Një rregull i tillë krijon efekt disproporcional: një ndërprerje minimale administrative ose faktike mund të prodhojë një pasojë të madhe në llogaritjen e pensionit.

A duhet të rritet kontributi pensional?

Është e qartë se të ardhurat e Fondit të FSPIM-it nga kontributet pensionale të paguara nuk janë të mjaftueshme. Çfarë mund të bëhet për t’i rritur këto të ardhura? Diçka lidhur me lartësinë e normës së kontributit pensional?

A është kontributi prej 18,8 për qind i mjaftueshëm për mbulimin e pensionit personal? Norma e kontributit për sigurimin pensional dhe invalidor prej 18,8 për qind të pagës bruto nuk duhet të vlerësohet vetëm si e ardhur aktuale e FSPIM-it, por edhe si çështje nëse i siguruari përmes kësaj norme grumbullon vlerë të mjaftueshme për pensionin e tij të ardhshëm.

Nga ana tjetër, i siguruari përmes kontributit të tij duhet të mbulojë edhe rreziqet e invaliditetit, vdekjes së parakohshme ose pensionit familjar. (Ndërkohë, këtu nuk janë përmendur shpenzimet për kategoritë e privilegjuara që i paguan FSPIM-i, pra nëse përfitimet e tyre duhet të jenë në barrë të këtyre të siguruarve apo në barrë të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë.)

Publiku duhet të jetë i vetëdijshëm se nga këto 18,8 për qind të kontributeve, Fondi i FSPIM-it përdor vetëm 12,8 për qind për pagesën e pensioneve, ndërsa 6 për qind të tjera (ose rreth 30 për qind e kontributeve të përgjithshme) transferohen në shoqëritë pensionale të shtyllës së dytë.

Për këtë qëllim nevojitet një rritje graduale e normës së kontributit për sigurimin pensional, bazuar në një llogaritje aktuariale që do të jetë e mjaftueshme për mbulimin e kostos reale të pritshme, në koordinim me punëdhënësit dhe odat ekonomike.

Anomalitë në anën e shpenzimeve

Supozoj se edhe ana e shpenzimeve të Fondit të FSPIM-it është e komplikuar. Cilat janë, sipas jush, anomalitë në këtë pjesë?

Kam përmendur një pjesë të arsyeve për anomalitë e sistemit. Metodologjia e llogaritjes së pensioneve vetë krijon padrejtësi dhe pabarazi ndërgjenerative në realizimin e të drejtave pensionale, në detyrimin e Fondit të FSPIM-it për pagesën e sigurimit shëndetësor të pensionistëve, por edhe te kategoritë e privilegjuara të të siguruarve në sistemin pensional.

Të drejtat pensionale të privilegjuara nuk janë problem në vetvete, por duhet të kenë justifikim të qartë publik, profesional dhe financiar. Trajtimi i veçantë është i arsyeshëm vetëm për profesionet me rrezik real, me vështirësi fizike, me aftësi të kufizuar për punë ose me funksion specifik publik.

ARM-ja, MPB-ja dhe kategori të ngjashme mund të kenë bazë për rregulla të veçanta, por ato duhet të jenë të matshme, të kufizuara dhe të financuara në mënyrë transparente.

Drejtësia nuk duhet të vlerësohet vetëm sipas pensionit mujor, por edhe sipas moshës së pensionimit, stazhit, normës së zëvendësimit dhe kohëzgjatjes së marrjes së pensionit.

Pensionimi më i hershëm nënkupton periudhë më të gjatë të marrjes së pensionit dhe kosto më të madhe të përgjithshme për sistemin.

Nëse pensioni i privilegjuar nuk mbulohet me kontribute përkatëse, diferencën e paguajnë të siguruarit e tjerë ose Buxheti.

Te personat fetarë (që paguajnë 50 për qind të kontributeve, pra dy herë më pak se një i siguruar i zakonshëm), bujqit (që paguajnë 20 për qind të kontributit, pesë herë më pak) dhe grupet e tjera specifike, duhet të përcaktohet qartë baza e kontributeve dhe kush e mbulon diferencën eventuale deri te e drejta e fituar.

Sistemi bëhet i padrejtë kur përjashtimet zgjerohen dhe të drejtat pensionale varen më shumë nga statusi sesa nga kontributet, stazhi dhe paga.

Përvojat ndërkombëtare tregojnë një tendencë drejt kufizimit, harmonizimit dhe transparencës më të madhe të regjimeve të veçanta pensionale.

Me pak fjalë, kategoritë e privilegjuara duhet të trajtohen si përjashtim, dhe jo si sistem paralel pensional.

Si të përmirësohet qëndrueshmëria financiare?

Çfarë mund të bëhet për të përmirësuar gjendjen në anën e shpenzimeve dhe për të përmirësuar në mënyrë thelbësore qëndrueshmërinë financiare të Fondit të FSPIM-it në planin afatgjatë?

Mendoj se në çdo rast duhet të ndërmerren hapa që do të sjellin më shumë besim në sistem dhe do të ndërpritet dërgimi i mesazhit se kontributet më të larta nuk sjellin të drejta përkatëse më të larta.

Gjithashtu, në vendosjen e strukturës së re të sistemit duhet të merren parasysh rregullat teknike të llogaritjes, trajtimi i burrave dhe grave, shtylla e dytë, norma e kontributeve, si dhe mosha e pensionimit.

Të gjitha këto masa do të japin rezultatin më të mirë përmes një qasjeje graduale, të argumentuar mirë dhe transparente, duke ruajtur funksionin social të pensioneve dhe duke rikthyer lidhjen ndërmjet pagesave dhe të drejtave.

Sigurimi shëndetësor dhe sistemi pensional

Në sistemin tonë pensional janë inkorporuar edhe elemente të sigurimit shëndetësor dhe elemente të politikës sociale. A është kjo një zgjidhje e zakonshme apo këto gjëra duhet të ndahen? Këtu duhet të preket edhe çështja e drejtësisë së sistemit pensional. Si mund të sigurohet ajo?

Fondi i FSPIM-it çdo muaj ndan mjete për sigurimin shëndetësor të pensionistëve. Ky detyrim, i cili realizohet në përputhje me zgjidhjen ligjore, paraqet një barrë të veçantë për Fondin.

Mjetet që ndahen dhe transferohen në Fondin e Shëndetësisë janë në lartësi prej 11,8 për qind të pensionit neto të paguar. Më parë, përkatësisht deri më 31 dhjetor 2025, ndaheshin 13 për qind e pensionit neto të paguar.

Në nivel vjetor, kjo shumë arrin në 13,7 miliardë denarë, përkatësisht mbi 220 milionë euro.

Dua të sqaroj se Fondi ndan mjete për sigurimin shëndetësor të pensionistëve nga mjetet e kontributeve për sigurimin pensional të të siguruarve aktualë.

Këtu duhet të ketë ndryshim dhe të gjendet një mënyrë tjetër për financimin e sigurimit shëndetësor të pensionistëve, dhe jo siç është tani, të financohet nga kontributet pensionale.

Shtylla e dytë e sistemit pensional

Biseda deri tani u përqendrua te Fondi i FSPIM-it, përkatësisht shtylla e parë, shtetërore e sistemit pensional. Tani le të kthehemi edhe te shtylla e dytë (private) e sistemit pensional, pjesa e të ashtuquajturit financim i detyrueshëm kapital. Si funksionon kjo në praktikë?

Është e pabesueshme se sa lehtë mund të dëgjohen pretendime paushalliste të tipit “paratë u zhdukën”, “paratë janë shpenzuar”, “paratë nuk transferohen” etj.

Aktualisht, modeli ligjor për pagesat nga shtylla e dytë është si vijon: pensioni nga shtylla e dytë paguhet nga mjetet e akumuluara në llogarinë individuale përmes tërheqjeve të programuara, anuitetit të drejtpërdrejtë të përjetshëm ose kombinimit të tërheqjeve të përkohshme të programuara dhe anuitetit të shtyrë të përjetshëm.

FSPIM-i nuk e paguan pensionin e rregullt nga shtylla e dytë, por ka rol në njohjen e së drejtës për pensionin e pleqërisë nga shtylla e parë, shkëmbimin e të dhënave dhe eventualisht plotësimin deri në shumën më të ulët të pensionit.

Te tërheqjet e programuara, në rast se pensioni i përgjithshëm i llogaritur është më i ulët se minimumi, shoqëria pensionale e rrit pagesën derisa të ketë mjete në llogarinë individuale.

Nëse mjetet shpenzohen, shoqëria pensionale ndalon pagesën dhe e njofton FSPIM-in, ndërsa FSPIM-i vazhdon me pensionin nga shtylla e parë dhe me diferencën deri në shumën më të ulët të pensionit.

Sipas disa llogaritjeve aktuariale që i bëjmë në FSPIM, pensionet e ardhshme të anëtarëve të shtyllës së dytë do të jenë të ngjashme me ato të personave që janë vetëm në shtyllën e parë.

Ne, si menaxhment i FSPIM-it, së bashku me Qeverinë, po kërkojmë mënyra dhe masa se si pensionistët e ardhshëm, anëtarë të shtyllës së dytë, të mund të realizojnë pensione më të larta. Për këtë qëllim, sigurisht që do të nevojiten ndryshime në legjislacion.

A duhet të ndryshojë funksionimi i shtyllës së dytë?

Në qendër të vëmendjes së opinionit publik aktualisht është funksionimi i shtyllës së dytë private të detyrueshme pensionale. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?

Një dilemë e veçantë është nëse është e arsyeshme që një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të shtyllës së dytë, afërsisht 60 për qind, sipas argumentit të paraqitur dhe ngjashëm me të dhënat për përqendrimin e lartë në obligacione shtetërore vendore, të investohet në obligacione të emetuara nga shteti, ndërsa më pas shteti përmes transfertave buxhetore të mbulojë deficitin në FSPIM.

Në këtë strukturë krijohet një qark i mbyllur: kontributet nuk hyjnë drejtpërdrejt në FSPIM, por një pjesë e tyre akumulohet në shtyllën e dytë; fondet pensionale blejnë obligacione shtetërore; shteti merr borxh dhe me këto mjete, ndër të tjera, financon deficitin e shtyllës së parë.

Kjo mund të jetë e qëndrueshme nga aspekti i financimit të borxhit publik në vend, por ngre pyetjen nëse shtylla e financuar në mënyrë kapitale e përmbush qëllimin e saj themelor: diversifikimin real, kthimin më të lartë të investimeve dhe uljen e presionit të ardhshëm mbi FSPIM-in.

Prandaj, pyetja nuk është nëse obligacionet shtetërore duhet të ekzistojnë në portofol, por nëse pjesëmarrja e tyre është tepër e lartë dhe nëse krijon një mekanizëm të fshehtë të financimit të shtyllës së parë përmes shtyllës së dytë.

Si përfundim, konsideroj se sistemi duhet ta favorizojë investimin në portofol aksionesh në tregun e lirë të letrave me vlerë në tregjet e huaja dhe depozita në banka të huaja, natyrisht nën rregulla të përcaktuara rreptësisht dhe kontrollin e MAPAS-it.

Këtu duhet të sigurohet që investimet të kenë një nivelim të shkallëzuar të rrezikut, në varësi të moshës së të siguruarve.

Në këtë mënyrë do të mundësohet të ardhurë pasive reale dhe rritje reale e vlerës së mjeteve të shtyllës së dytë.

Intervistën e zhvilloi: Zoran Jovanovski

https://ekonomijaibiznis.mk/mega-intervju-nikola-memov-potrebna-e-reforma-na-penziskiot-sistem/

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme20 hours ago

Prof. Dr. Vebi Bexheti shpallet “Qytetar Nderi” i Pianës së Arbëreshëve në Sicili

Komuna e Pianës së Arbëreshëve në Sicili i ka ndarë sot titullin “Qytetar Nderi” profesor Vebi Bexhetit, në shenjë vlerësimi për kontributin...

Lajme20 hours ago

BDI: Pse VLEN nuk po guxon ta përmend Stoillkoviçin? Me çfarë po i kushtëzon ai

Bashkimi Evtopian ka dënuar glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq nga ana e Ivan Stoillkoviçit, ndërsa VLEN këtij të...

Lajme1 day ago

Nikolla Memov: Nevojitet reformë e sistemit pensional

E ardhmja e pensioneve dhe e sistemit pensional është vënë në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe qytetarëve. Krejt...

Lajme2 days ago

Vuçiq ofron të organizojë varrimin në Serbi të “Kasapit të Bosnjës”

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka ofruar që Serbia të organizojë varrimin e kriminelit të dënuar serb të luftës të Bosnjës,...

Lajme2 days ago

A do të lirohet dizeli nën 100 denarë nga e hëna?

Pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të derivateve këtë javë, lëvizjet në bursat botërore po tregojnë një trend të kundërt....

Lajme3 days ago

Pakënaqësi në Telekom: Drejtori prej një muaji nuk paraqitet në punë, ndërsa paguhet rreth 20 mijë euro në muaj

Pakënaqësi ndaj drejtorit aktual të . Një pjesë e strukturave drejtuese janë të revoltuara për shkak të mungesës së drejtorit...

Lajme3 days ago

Kolona në kufi, pritje deri në 45 minuta me Greqinë dhe Serbinë

Rrugët e kryeqytetit sot janë më të qeta se zakonisht. Më pak njerëz në qendër, më pak automjete në rrugët...

Sport3 days ago

Shkëndijën ska kush e ndal, fiton edhe në Kratovë ndaj Sileksit

Shkëndija e Tetovës vazhdon me rezultate pozitive në kampionat, raporton SHENJA. Kuqezinjtë tetovarë regjistruan fitoren e pestë radhazi, pasi në...

Lajme3 days ago

Iseni: Shqiptarët nuk janë përjashtuar nga Akademia Policore, të flasim me fakte dhe jo me propagandë

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar lidhur me debatin për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë,...

Lajme3 days ago

Thaçi: Mickovski sillet si të jetë kryeministër vetëm i maqedonasve, i ka harruar shqiptarët

Lider i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh) Menduh Thaçi në një mega-intervistë per “Lajm TV dhe gazeta “Lajm”, ndër të tjera...

Trending