Connect with us

Lajme

Serbët nga Kosova për kërkesat dhe masat e Vuçiqit: Tradhti, mashtrim, besim

Dragan Nikolliq nga Leposaviqi shpreson se do të mund të kthehet në Policinë e Kosovës, të cilën, siç thotë ai, e la “nën presion” në nëntor të vitit 2022 pas dy dekadash punë në këtë institucion.

“Lajmi që duhet të largoheshim nga institucionet atëherë më goditi shumë, ende sot nuk mund të pajtohem me këtë”, thotë Nikoliq.

Tani, pas kërkesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës, Dragani thotë se ndihet “i tradhtuar dhe i përdorur”.

Dorëheqja e qindra serbëve nga institucionet në veri të Kosovës u iniciua nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – për shkak të përpjekjes së Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia me emrat e qyteteve të Kosovës.

Kjo dorëheqje kolektivisht nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë dhe organet gjyqësore, u mbështet nga Beogradi zyrtar, duke siguruar kompensime mujore për të gjithë ata që “mbetën pa punë”. Pasuan kriza të shumta në veri, ndërsa situata kulmoi më 24 shtator 2023 kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë në Banjskë pranë Zveçanit, duke vrarë një polic. Që atëherë, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur disa institucione serbe që funksiononin në veri të vendit sipas sistemit të Serbisë.

Vuçiq më 13 shtator kërkoi kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe organet gjyqësore, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, në mënyrë që në krye të tyre të vijnë serbë.

“Viktima të presioneve dhe politikës”

Dragan Nikolliq ishte një nga katër serbët nga Kosova që autoritetet serbe i arrestuan në prill të vitit 2023, duke i akuzuar se ishin pjesë e një “grupi të organizuar kriminal që synonte ndryshimin e dhunshëm të pushtetit, përkatësisht rrëzimin e rendit kushtetues të Republikës së Serbisë në veri të Kosovës”.

Ai u lirua për shkak të mungesës së provave dhe ndërkohë filloi të punojë si shofer në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Megjithatë, shpreson ende se do të mund të jetë përsëri polic.

Ai shton se rikthimin në Policinë e Kosovës e dëshirojnë edhe kolegë të tij, dhe konsideron se serbët në Kosovë janë “viktima të presioneve dhe të politikës së dikujt”.

Çfarë tjetër ka paralajmëruar apo kërkuar Vuçiqi?

Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur disa institucione të Serbisë, me arsyetimin se funksionimi i tyre cenon kushtetutshmërinë e Kosovës. Disa prej tyre janë: Organet e Përkohshme Komunale, Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Banka e Kursimeve Postare dhe zyrat e Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjera, më 13 shtator tha se rreth 5.800 punëtorë të institucioneve serbe të mbyllura në Kosovë do të vazhdojnë të marrin rregullisht pagat e tyre dhe paralajmëroi një rritje të mundshme.

Ai deklaroi se institucionet serbe në Kosovë “nuk do të shuhen, as nuk do të mbyllen”, por që “me qëllim të zbutjes së veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit kosovar”, në vendet Rudnicë dhe Ribariq në Serbi, afër kufirit me Kosovën, do të hapet një zyrë ku serbët do të kenë qasje në shërbime të mbrojtjes sociale dhe do të ofrohen shërbime shtetërore dhe administrative që, sipas tij, janë esenciale për qytetarët.

Gjithashtu, një nga masat është që territori i Kosovës do të shpallet “zonë e veçantë për mbrojtje sociale”, me çka do të sigurohet ndihmë financiare për serbët e papunë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008.

Presidenti i Serbisë më 13 shtator, gjithashtu, paralajmëroi investime të reja nga Beogradi në Kosovë, me vlerë dhjetëra milionë euro. Serbia nga buxheti i saj për vitin 2024 ka ndarë rreth 140 milionë euro për Kosovën, që është rreth 11 milionë euro më shumë se në vitin 2023.

“Me para nuk mund të na kompensohet dëmi”

Zdravko nga Leposaviqi thotë se masat dhe kërkesat e paraqitura nga presidenti i Serbisë janë joreale dhe se me para nuk mund të kompensohet “dëmi” shkaktuar anëtarëve të komunitetit serb.

Me “dëm” ai nënkupton mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe ardhjen në pushtet të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri, pasi serbët bojkotuan zgjedhjet, sërish me thirrjen e Listës Serbe.

“Kjo është si kur e gjuan topin në mur dhe ai të kthehet”, shprehet Zdravko për REL.

Për Goran Milenkoviqin, aktivist politik nga Leposaviqi, këto masa dhe kërkesa janë “keqpërdorim i popullit dhe mashtrim i opinionit publik.”

“I gjithë ky është mashtrim, në të cilin askush nuk beson më”, shton ai, duke shprehur bindjen se të gjitha ngjarjet e fundit janë “pjesë e një marrëveshjeje” ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që veriu të integrohet plotësisht në sistemin e Kosovës.

Çfarë thonë serbët në jug të Ibrit?

“Fjalë boshe”.

Kështu i komenton 38-vjeçarja Ivana nga komuna e Graçanicës masat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për anëtarët e komunitetit serb në Kosovë.

Ajo është e punësuar në një nga institucionet arsimore serbe në territorin e kësaj komune me shumicë serbe në jug të Ibrit. Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, ajo vlerëson se Beogradi zyrtar mund t’i ofrojë komunitetit serb vetëm ndihmë financiare, pasi “mbrojtja institucionale po zhduket ngadalë”.

“Ai (presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq) nuk ka më çfarë të ofrojë, përveç ndihmës financiare, për t’i mbajtur njerëzit këtu”, thotë ajo.

Në periudhën pas luftës, Serbia i zhvendosi institucionet e saj në zonat ku jetojnë anëtarët e komunitetit serb, përfshirë të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore. Përndryshe, të punësuarit në shëndetësi dhe arsim marrin të ashtuquajturën shtesë kosovare, përkatësisht 50 për qind shtesë mbi pagën bazë.

Ndërsa, pensionistja Lilana Llaziq beson se këto masa sociale do të kenë shumë rëndësi për të rinjtë e papunë në Kosovë.

“Më mirë të marrin diçka sesa asgjë. Unë i besoj Vuçiqit, e dëgjova me vëmendje dhe besoj se do ta kemi më mirë”, thotë ajo.

“Masa të rreme ose të pamjaftueshme”

Tridhjetëvjeçari Nikolla nga Graçanica, i cili nuk dëshiron që t’i publikohen të dhënat e tjera të tij personale, frikësohet se masat e Serbisë janë vetëm “të rreme” dhe se po çojnë drejt mbylljes së të gjitha institucioneve serbe në Kosovë.

“Deri tani nuk është treguar se mund të presim diçka të mirë”, thotë ai për REL-in.

Zvonko Mihajloviq nga Shtërpca beson se Serbia e ka detyrim t’i mbrojë interesat e serbëve në Kosovë, dhe se masat dhe kërkesat e presidentit të Serbisë janë të pamjaftueshme.

“Fokusi duhet të shkojë në një drejtim tjetër. Është e kotë të flasim për ndihmën financiare për serbët që jetojnë në Kosovë, por çfarë do të bëjmë me ata që janë detyruar të largohen nga Kosova (personat e zhvendosur) dhe duan të kthehen?! Sipas mendimit tim, kjo është përparësi”, thotë ai.

Momçilo Illiq, mësues matematike në pension dhe ish-drejtor i një shkolle fillore në komunën e Prizrenit që funksiononte sipas sistemit serb, beson se pa ndihmë financiare nga Serbia, serbët nuk mund të mbijetojnë në Kosovë.

Kur pyetet nëse është optimist, ai buzëqesh dhe thotë: “Koha do ta tregojë këtë”.

“Duhet të jemi të durueshëm. Jemi në një situatë ku po diskriminohemi (nga autoritetet kosovare), kjo diskriminim ndihet në çdo hap”, thotë Illiq.

Për të, një formë “diskriminimi” është edhe fakti që autoritetet kosovare ndaluan përdorimin e dinarit në fillim të vitit, duke e bërë të pamundur që ai të tërheqë pensionin e tij që merr nga buxheti i Serbisë.

Stojanoviq: Populli po paguan çmimin e politikave të gabuara

Branimir Stojanoviq nga Lëvizja Popullore Serbe vlerëson se masat që Serbia ka marrë, janë kryesisht “një kërkesë” ndaj autoriteteve të Kosovës që të lejojnë kthimin e serbëve në institucione, dhe se “asgjë nuk do të ndryshojë në terren”.
Sipas tij, serbëve në Kosovë në këtë moment u nevojitet një vetorganizim më i mirë për t’i zgjidhur problemet “e shkaktuara nga Lista Serbe”.

“Ka ndodhur kolapsi i një politike të gabuar dhe tani njeriu i zakonshëm po e paguan çmimin; nuk do ta paguajnë politikanët apo funksionarët… Taktika e Listës Serbe ‘hesht derisa të kalojë’ do të rezultojë me atë që (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti do t’i mbyllë të gjitha institucionet serbe”, thotë Stojanoviq për REL-in.

Ai thotë se Lista Serbe duhet të mbajë përgjegjësi, pasi ka marrë vendime që i kanë sjellë serbët e Kosovës në një “pozitë të palakmueshme”.

Lista Serbe nuk është prononcuar lidhur me kërkesat e Vuçiqit.

Sa u përket masave sociale, Stojanoviq thotë se mbijetesa në thelb nuk është çështje parash, por “gjendje shpirtërore e popullit tonë, që është krejtësisht i demoralizuar dhe i zhgënjyer me kushtet në të cilat jeton”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deri më tani, nuk ka dhënë ndonjë koment në lidhje me fjalimin e Vuçiqit, ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga partia e Kurtit, ka thënë se kthimi i serbëve në institucione “do të ishte antikushtetues”.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Kryetari i Studeniçanit mban premtimin, sigurohet transporti i organizuar për nxënësit

Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi, ka njoftuar se nga sot ka nisur zyrtarisht transporti i organizuar dhe i sigurt për nxënësit e kësaj komune, shkruan ZYRTARE.net

Abazi, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se më parë nxënësit detyroheshin të ecnin kilometra të tëra për të arritur në shkollë, shpesh në kushte të vështira atmosferike.

Ai theksoi se ky ishte një premtim i dhënë gjatë fushatës dhe se tashmë është realizuar.

“Premtim i dhënë – premtim i mbajtur!”, shkroi Abazi, duke uruar nxënësit dhe prindërit për fillimin e transportit të organizuar.

“Urime nxënësve dhe prindërve! Na priftë e mbara!”, përfundoi ai./ZYRTARE.NET/

Continue Reading

Lajme

Zgjerohet “Safe City” në Kumanovë | Kamerat e reja do të vendosen në katër lokacione

Monitorimi i komunikacionit në qytetin e Kumanovës do të zgjerohet së shpejti me vendosjen e kamerave të reja nga projekti “Safe City”, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e shoferëve të papërgjegjshëm, informon tvfesta.mk

Këtë e bëri të ditur komandanti i Stacionit Policor në Kumanovë, Tomislav Dodevski, gjatë përgjigjes në pyetjet e këshilltarëve komunalë.

„Për shkak të kërkesave të qytetarëve, por edhe nga vlerësimet tona, kamerat ekzistuese të ‘Safe City’ nuk janë të mjaftueshme. Përveç bulevardit ‘Revolucioni i Tetorit’ dhe lokalitetit ‘Tabakana’, kam informacion se në periudhën më të shpejtë të mundshme do të vendosen kamera edhe në tre lokacione të tjera“, deklaroi Dodevski.

Sipas autoriteteve, vendosja e këtyre kamerave vjen si nevojë për të rritur sigurinë në rrugët e qytetit dhe për të reduktuar shkeljet e rregullave të komunikacionit.

Kujtojmë se procesi i shqiptimit të gjobave përmes sistemit “Safe City” në Kumanovë ka nisur që nga muaji shkurt i këtij viti. Aktualisht, kamerat janë të vendosura në dy pika në bulevardin “Revolucioni i Tetorit”, në hyrje-daljet e qytetit, si dhe në disa akse të rrugëve rajonale.tvfesta

Continue Reading

Lajme

Gjendet i vdekur një 60-vjeçar në Gostivar, lëndohet rëndë polici gjatë kryerjes së ekspertizës në vendin e ngjarjes

SPB Tetovë njofton se është gjetur i vdekur një 60-vjeçar në stadiumin e fshatit Raven në Gostivar.

“Më 21.09.2026 në ora 23:15 në DPB Gostivar, J.A.(45) nga fshati Raven ka denoncuar se bashkëshorti i saj A.A.(60) rreth orës 07:00 ka shkuar në punë në Gostivar dhe nuk është kthyer në shtëpi, e as nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike.

Pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, më 22.09.2026 në ora 00:20, A.A. është gjetur i vdekur në stadiumin e fshatit Raven, ndërsa në afërsi të drejtpërdrejtë është gjetur një sharrë motorike. Vdekjen e ka konstatuar mjeku nga Qendra Urgjente Gostivar, ndërsa këqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë kryer Prokurori Publik, mjeku i mjekësisë ligjore, ekipi i këqyrjes nga DPB Gostivar dhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit Gostivar.

Gjatë kryerjes së veprimeve zyrtare në vendin e ngjarjes, rreth orës 01:50, zyrtari policor ka rënë në një pusë betoni të hapur dhe të pashënuar me thellësi prej rreth 1,5 metrash dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Qendrën Mjekësore në Gostivar”, thonë nga MPB.

Continue Reading

TË FUNDIT

Sport16 hours ago

Adrian Hadribeaj, krenaria shqiptare e MMA në SHBA, takon Edi Ramën në Michigan: Një ëndërr e madhe për Tiranën

Kampioni shqiptar i MMA-së në SHBA, Adrian Hadribeaj, është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një mbrëmjeje me...

Lajme20 hours ago

Kryetari i Studeniçanit mban premtimin, sigurohet transporti i organizuar për nxënësit

Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi, ka njoftuar se nga sot ka nisur zyrtarisht transporti i organizuar dhe i...

Lajme21 hours ago

Zgjerohet “Safe City” në Kumanovë | Kamerat e reja do të vendosen në katër lokacione

Monitorimi i komunikacionit në qytetin e Kumanovës do të zgjerohet së shpejti me vendosjen e kamerave të reja nga projekti...

Lajme21 hours ago

Gjendet i vdekur një 60-vjeçar në Gostivar, lëndohet rëndë polici gjatë kryerjes së ekspertizës në vendin e ngjarjes

SPB Tetovë njofton se është gjetur i vdekur një 60-vjeçar në stadiumin e fshatit Raven në Gostivar. “Më 21.09.2026 në...

Lajme21 hours ago

Shpërbëhet një grup kriminal për kontrabandë dhe korrupsion në Maqedoni, ndalohen gjashtë persona dhe sekuestrohen mbi 100.000 euro

MPB njofton se është shpërbë një grup kriminal për kontrabandë mallrash dhe vepra korruptive, me çka është dorëzuar kallëzim penal...

Lajme21 hours ago

Bie çmimi i naftës pas ofertës së Iranit për rihapjen e Hormuzit

Çmimi i naftës ka rënë nën 100 dollarë për fuçi pasi Irani ka bërë një “ofertë për ngushticën e Hormuzit”....

Lajme21 hours ago

Kurti diskutoi me presidentin Erdogan për vendimin e Gjykatës Speciale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të Javës së Nivelit...

Lajme21 hours ago

Izet Mexhiti: Në Çair po ndërtohet bulevard!

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar për avancimin e punimeve në disa projekte infrastrukturore, përfshirë zgjerimin e...

Lajme21 hours ago

Dramë si në filma aksion në Tetovë: Policia bastis banesën ku kryhej prostitucion, vajza që ndërmjetësonte kërcënon me vetëvrasje

Dramë si në filma aksion në Tetovë: Policia bastis banesën ku kryhej prostitucion, vajza që ndërmjetësonte kërcënon me vetëvrasje Policia...

Lifestyle1 day ago

Noga shfaqet në takim me ministrin Sveçla: “Miku i familjes”, takimi që ngjall shumë kureshtje

Një takim mes hip-hop artistit të njohur Noga dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka tërhequr...

Trending