Connect with us

Lajme

Serbët nga Kosova për kërkesat dhe masat e Vuçiqit: Tradhti, mashtrim, besim

Dragan Nikolliq nga Leposaviqi shpreson se do të mund të kthehet në Policinë e Kosovës, të cilën, siç thotë ai, e la “nën presion” në nëntor të vitit 2022 pas dy dekadash punë në këtë institucion.

“Lajmi që duhet të largoheshim nga institucionet atëherë më goditi shumë, ende sot nuk mund të pajtohem me këtë”, thotë Nikoliq.

Tani, pas kërkesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës, Dragani thotë se ndihet “i tradhtuar dhe i përdorur”.

Dorëheqja e qindra serbëve nga institucionet në veri të Kosovës u iniciua nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – për shkak të përpjekjes së Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia me emrat e qyteteve të Kosovës.

Kjo dorëheqje kolektivisht nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policinë dhe organet gjyqësore, u mbështet nga Beogradi zyrtar, duke siguruar kompensime mujore për të gjithë ata që “mbetën pa punë”. Pasuan kriza të shumta në veri, ndërsa situata kulmoi më 24 shtator 2023 kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë në Banjskë pranë Zveçanit, duke vrarë një polic. Që atëherë, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur disa institucione serbe që funksiononin në veri të vendit sipas sistemit të Serbisë.

Vuçiq më 13 shtator kërkoi kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe organet gjyqësore, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, në mënyrë që në krye të tyre të vijnë serbë.

“Viktima të presioneve dhe politikës”

Dragan Nikolliq ishte një nga katër serbët nga Kosova që autoritetet serbe i arrestuan në prill të vitit 2023, duke i akuzuar se ishin pjesë e një “grupi të organizuar kriminal që synonte ndryshimin e dhunshëm të pushtetit, përkatësisht rrëzimin e rendit kushtetues të Republikës së Serbisë në veri të Kosovës”.

Ai u lirua për shkak të mungesës së provave dhe ndërkohë filloi të punojë si shofer në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Megjithatë, shpreson ende se do të mund të jetë përsëri polic.

Ai shton se rikthimin në Policinë e Kosovës e dëshirojnë edhe kolegë të tij, dhe konsideron se serbët në Kosovë janë “viktima të presioneve dhe të politikës së dikujt”.

Çfarë tjetër ka paralajmëruar apo kërkuar Vuçiqi?

Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur disa institucione të Serbisë, me arsyetimin se funksionimi i tyre cenon kushtetutshmërinë e Kosovës. Disa prej tyre janë: Organet e Përkohshme Komunale, Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Banka e Kursimeve Postare dhe zyrat e Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjera, më 13 shtator tha se rreth 5.800 punëtorë të institucioneve serbe të mbyllura në Kosovë do të vazhdojnë të marrin rregullisht pagat e tyre dhe paralajmëroi një rritje të mundshme.

Ai deklaroi se institucionet serbe në Kosovë “nuk do të shuhen, as nuk do të mbyllen”, por që “me qëllim të zbutjes së veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit kosovar”, në vendet Rudnicë dhe Ribariq në Serbi, afër kufirit me Kosovën, do të hapet një zyrë ku serbët do të kenë qasje në shërbime të mbrojtjes sociale dhe do të ofrohen shërbime shtetërore dhe administrative që, sipas tij, janë esenciale për qytetarët.

Gjithashtu, një nga masat është që territori i Kosovës do të shpallet “zonë e veçantë për mbrojtje sociale”, me çka do të sigurohet ndihmë financiare për serbët e papunë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008.

Presidenti i Serbisë më 13 shtator, gjithashtu, paralajmëroi investime të reja nga Beogradi në Kosovë, me vlerë dhjetëra milionë euro. Serbia nga buxheti i saj për vitin 2024 ka ndarë rreth 140 milionë euro për Kosovën, që është rreth 11 milionë euro më shumë se në vitin 2023.

“Me para nuk mund të na kompensohet dëmi”

Zdravko nga Leposaviqi thotë se masat dhe kërkesat e paraqitura nga presidenti i Serbisë janë joreale dhe se me para nuk mund të kompensohet “dëmi” shkaktuar anëtarëve të komunitetit serb.

Me “dëm” ai nënkupton mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe ardhjen në pushtet të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri, pasi serbët bojkotuan zgjedhjet, sërish me thirrjen e Listës Serbe.

“Kjo është si kur e gjuan topin në mur dhe ai të kthehet”, shprehet Zdravko për REL.

Për Goran Milenkoviqin, aktivist politik nga Leposaviqi, këto masa dhe kërkesa janë “keqpërdorim i popullit dhe mashtrim i opinionit publik.”

“I gjithë ky është mashtrim, në të cilin askush nuk beson më”, shton ai, duke shprehur bindjen se të gjitha ngjarjet e fundit janë “pjesë e një marrëveshjeje” ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që veriu të integrohet plotësisht në sistemin e Kosovës.

Çfarë thonë serbët në jug të Ibrit?

“Fjalë boshe”.

Kështu i komenton 38-vjeçarja Ivana nga komuna e Graçanicës masat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për anëtarët e komunitetit serb në Kosovë.

Ajo është e punësuar në një nga institucionet arsimore serbe në territorin e kësaj komune me shumicë serbe në jug të Ibrit. Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, ajo vlerëson se Beogradi zyrtar mund t’i ofrojë komunitetit serb vetëm ndihmë financiare, pasi “mbrojtja institucionale po zhduket ngadalë”.

“Ai (presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq) nuk ka më çfarë të ofrojë, përveç ndihmës financiare, për t’i mbajtur njerëzit këtu”, thotë ajo.

Në periudhën pas luftës, Serbia i zhvendosi institucionet e saj në zonat ku jetojnë anëtarët e komunitetit serb, përfshirë të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore. Përndryshe, të punësuarit në shëndetësi dhe arsim marrin të ashtuquajturën shtesë kosovare, përkatësisht 50 për qind shtesë mbi pagën bazë.

Ndërsa, pensionistja Lilana Llaziq beson se këto masa sociale do të kenë shumë rëndësi për të rinjtë e papunë në Kosovë.

“Më mirë të marrin diçka sesa asgjë. Unë i besoj Vuçiqit, e dëgjova me vëmendje dhe besoj se do ta kemi më mirë”, thotë ajo.

“Masa të rreme ose të pamjaftueshme”

Tridhjetëvjeçari Nikolla nga Graçanica, i cili nuk dëshiron që t’i publikohen të dhënat e tjera të tij personale, frikësohet se masat e Serbisë janë vetëm “të rreme” dhe se po çojnë drejt mbylljes së të gjitha institucioneve serbe në Kosovë.

“Deri tani nuk është treguar se mund të presim diçka të mirë”, thotë ai për REL-in.

Zvonko Mihajloviq nga Shtërpca beson se Serbia e ka detyrim t’i mbrojë interesat e serbëve në Kosovë, dhe se masat dhe kërkesat e presidentit të Serbisë janë të pamjaftueshme.

“Fokusi duhet të shkojë në një drejtim tjetër. Është e kotë të flasim për ndihmën financiare për serbët që jetojnë në Kosovë, por çfarë do të bëjmë me ata që janë detyruar të largohen nga Kosova (personat e zhvendosur) dhe duan të kthehen?! Sipas mendimit tim, kjo është përparësi”, thotë ai.

Momçilo Illiq, mësues matematike në pension dhe ish-drejtor i një shkolle fillore në komunën e Prizrenit që funksiononte sipas sistemit serb, beson se pa ndihmë financiare nga Serbia, serbët nuk mund të mbijetojnë në Kosovë.

Kur pyetet nëse është optimist, ai buzëqesh dhe thotë: “Koha do ta tregojë këtë”.

“Duhet të jemi të durueshëm. Jemi në një situatë ku po diskriminohemi (nga autoritetet kosovare), kjo diskriminim ndihet në çdo hap”, thotë Illiq.

Për të, një formë “diskriminimi” është edhe fakti që autoritetet kosovare ndaluan përdorimin e dinarit në fillim të vitit, duke e bërë të pamundur që ai të tërheqë pensionin e tij që merr nga buxheti i Serbisë.

Stojanoviq: Populli po paguan çmimin e politikave të gabuara

Branimir Stojanoviq nga Lëvizja Popullore Serbe vlerëson se masat që Serbia ka marrë, janë kryesisht “një kërkesë” ndaj autoriteteve të Kosovës që të lejojnë kthimin e serbëve në institucione, dhe se “asgjë nuk do të ndryshojë në terren”.
Sipas tij, serbëve në Kosovë në këtë moment u nevojitet një vetorganizim më i mirë për t’i zgjidhur problemet “e shkaktuara nga Lista Serbe”.

“Ka ndodhur kolapsi i një politike të gabuar dhe tani njeriu i zakonshëm po e paguan çmimin; nuk do ta paguajnë politikanët apo funksionarët… Taktika e Listës Serbe ‘hesht derisa të kalojë’ do të rezultojë me atë që (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti do t’i mbyllë të gjitha institucionet serbe”, thotë Stojanoviq për REL-in.

Ai thotë se Lista Serbe duhet të mbajë përgjegjësi, pasi ka marrë vendime që i kanë sjellë serbët e Kosovës në një “pozitë të palakmueshme”.

Lista Serbe nuk është prononcuar lidhur me kërkesat e Vuçiqit.

Sa u përket masave sociale, Stojanoviq thotë se mbijetesa në thelb nuk është çështje parash, por “gjendje shpirtërore e popullit tonë, që është krejtësisht i demoralizuar dhe i zhgënjyer me kushtet në të cilat jeton”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deri më tani, nuk ka dhënë ndonjë koment në lidhje me fjalimin e Vuçiqit, ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga partia e Kurtit, ka thënë se kthimi i serbëve në institucione “do të ishte antikushtetues”.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Numri i të vdekurve nga Ebola në Kongo shkon në 200, rritet frika për një epidemi masive

Numri i të vdekurve nga virusi Ebola kaloi shifrën 200 të enjten, ndërsa infeksionet u rritën në shpërthimin në Republikën Demokratike të Kongos në lindje, thanë të enjten Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) në një përditësim.

Rastet e konfirmuara të sëmundjes janë rritur në 875, përfshirë 202 vdekje që nga shpallja e shpërthimit më 15 maj, me një shkallë vdekshmërie prej 23%, treguan të dhënat e CDC-së për Afrikën.

Virusi po përhapet në provincat lindore të Iturit, Kivusë Veriore dhe Kivusë Jugore, me Iturin që përbën gati 95% të rasteve.

Ndërkohë, 19 raste, përfshirë dy vdekje, janë konfirmuar në Ugandën fqinje.

Kapaciteti i testimit dhe mbikëqyrja dixhitale janë shkallëzuar për të mbyllur boshllëkun e zbulimit, tha Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të Afrikës.

Drejtori i Përgjithshëm i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) për Afrikën, Jean Kaseya, ka paralajmëruar se shpërthimi mund të jetë më i keq se ai që u pa në epideminë e Afrikës Perëndimore të viteve 2014-2016 që vrau më shumë se 11,000 njerëz në Guine, Liberi dhe Sierra Leone, nëse transmetimi nuk vihet nën kontroll shumë shpejt.

Ministri i Shëndetësisë i Kongos, Roger Kamba, vizitoi të enjten kryeqytetin provincial të Iturit, Bunia, për të vlerësuar progresin e reagimit, vështirësitë e hasura dhe strategjitë e reja për të përshpejtuar kontrollin e sëmundjes.

Shkencëtarët nga Departamenti i Laboratorit Kombëtar të Shëndetit dhe Shërbimeve Diagnostikuese të Ministrisë së Shëndetësisë të Ugandës dhe nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve Biomjekësore i Kongos thanë se lloji aktual, Ebola Bundibugyo, erdhi nga një përhapje e re në jetën e egër, duke përjashtuar mundësinë që ai të mund të lidhet me një shpërthim të vjetër që mbeti i fshehur ose vazhdoi të përhapet pa u zbuluar.

Continue Reading

Lajme

VLEN: Skandal parlamentar, BDI nuk mbështeti Universitetin “Nënë Tereza”

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, një hap i rëndësishëm për konsolidimin dhe zhvillimin e mëtejmë të këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.

Megjithatë, deputetët e BDI-së nuk e mbështetën këtë vendim. BDI zgjodhi të mos votojë për ndryshimet statutore të universitetit.

Ndryshimet e miratuara zyrtarizojnë Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin e Shkencave Humane, mundësojnë lëshimin e diplomave dhe shtojcave të diplomës në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze, si dhe harmonizojnë funksionimin e universitetit me legjislacionin në fuqi.

Është skandaloze që një parti e cila shet patriotizëm të rremë, nuk gjeti forcën të mbështesë një vendim që forcon pozitën institucionale të Universitetit “Nënë Tereza” dhe krijon kushte më të mira për studentët.

Qytetarët dhe studentët shqiptarë meritojnë të dinë të vërtetën: kur erdhi momenti i votimit për Universitetin “Nënë Tereza”, VLEN dhe shumica parlamentare votuan PËR, ndërsa BDI nuk e mbështeti vendimin.

Dallimi është i qartë: ne punojmë për forcimin e institucioneve shqiptare, ndërsa të tjerët mjaftohen me retorikë.

Continue Reading

Lajme

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për emrat e rrugëve në Tetovë, Sulemjani: Gjykata është dorë e zgjatur e pushtetit të kaluar, do të gjejmë zgjidhje

Në emisionin Debat në Shenja, zëvendësministri i Arsimit dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Driton Sulemjani, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykata Kushtetuese lidhur me emërtimet e rrugëve dhe shesheve, duke kritikuar institucionin dhe mënyrën se si janë trajtuar këto çështje në të kaluarën.

Sulemjani deklaroi se janë të vetëdijshëm për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se sipas tij, kjo gjykatë paraqet “dorë të zgjatur të pushtetit të kaluar”. Ai tha se ekzistojnë fakte dhe argumente që, sipas tij, dëshmojnë ndikimin politik në këtë institucion, duke përmendur deklaratat e një anëtari të gjykatës, Kadri Osmani, që ka pranuar se është zgjedhur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

“Parimisht, qeveria nuk duhet të përzihet në gjykata. Deklarata e tij është skandaloze”, tha Sulemjani.

Duke folur për emërtimet e rrugëve dhe shesheve, ai vlerësoi se gjatë periudhës së qeverisjes së BDI-së, nga viti 2007 e tutje, nuk janë sjellë zgjidhje të qëndrueshme dhe të plota ligjore. Sipas tij, pushteti i kaluar ka ofruar vetëm “gjysmë-zgjidhje”, ndërsa çështja do të shqyrtohet më tej nga këshillat përkatës.

“Sa i përket emrave të rrugëve, prej vitit 2007 deri kur BDI ka qeverisur, nuk është sjellë me badenter. Pra pushteti i kaluar ka sjellë gjysmë zgjidhje. Këshilli do të shqyrtojë situatën. Sa i përket vendimit konkret pse ishte sheshi Iliria dhe tani Marshall Tito, në realitet asnjëherë nuk ka qene Ilira”, deklaroi ai.

“Tani do të sjellim vendime të plota ligjore dhe nuk do të shfuqizohen nga Gjykata”, theksoi ai.

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme2 hours ago

Numri i të vdekurve nga Ebola në Kongo shkon në 200, rritet frika për një epidemi masive

Numri i të vdekurve nga virusi Ebola kaloi shifrën 200 të enjten, ndërsa infeksionet u rritën në shpërthimin në Republikën...

Lajme12 hours ago

VLEN: Skandal parlamentar, BDI nuk mbështeti Universitetin “Nënë Tereza”

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, një...

Lajme12 hours ago

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për emrat e rrugëve në Tetovë, Sulemjani: Gjykata është dorë e zgjatur e pushtetit të kaluar, do të gjejmë zgjidhje

Në emisionin Debat në Shenja, zëvendësministri i Arsimit dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Driton Sulemjani, ka komentuar vendimin e fundit të...

Sport12 hours ago

Nuk ka fitues në Atlanta, Çekia dhe Afrika e Jugut ndajnë pikët në një barazim që nuk i shërben askujt

Republika Çeke dhe Afrika e Jugut kanë ndarë pikët në ndeshjen e dytë të Grupit A, në një barazim 1-1....

Lajme13 hours ago

Drejtori Eljesa Neziri nderohet për kontributin në mbrojtjen e rubinit si gur gjysmë i çmuar kombëtar

Drejtori i ESHPI-së, Eljesa Neziri, është nderuar me mirënjohje të veçantë nga ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja...

Sport13 hours ago

Aulon Kurtishi, një talent që premton të ardhme në futboll

Sukseset e Aulon Kurtishit nuk kanë të ndalur. Futbollisti 16-vjeçar i Akademisë së Futbollit Shkëndija nga Tetova po dëshmon dita.ditës...

Lajme13 hours ago

Mexhiti: Kampusi i Universitetit “Nënë Tereza” po merr formë

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, realizoi vizitë në Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, ku nga afër inspektoi ecurinë...

Lajme14 hours ago

Safet dhe Behar Bajri denoncojnë në SPAK Neomalësoren

Safet dhe Behar Bajri kanë depozituar në SPAK kallëzimin për Marjana Koçekun, “Neomalësoren”, pas deklaratave të kësaj të fundit. Ky...

Lifestyle14 hours ago

Pse disa njerëz pickohen më shumë nga mushkonjat?

Nëse ju duket se mushkonjat ju zgjedhin gjithmonë ju si objektivin e tyre kryesor, shkenca ka një shpjegim. Studiuesit kanë...

Lajme15 hours ago

Samet Bislimi, drejtuesi që po transformon NPK Tetova dhe po përmirëson shërbimet për qytetarët

Nën drejtimin e drejtorit Samet Bislimi, Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) Tetova ka shënuar rezultate të dukshme në funksionimin e saj,...

Trending