Lajme
Dy gazetarë në Shqipëri akuzohen se morën para nga banda kriminale
Në Shqipëri, SPAK-u ka dhënë detaje mbi operacionin e dy dite më parë ndaj organizatës kriminale, që drejtohej nga Suel Çela, i shpallur në kërkim. SPAK-u bën të ditur se organizata trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt BE-së, kishte lidhje me gjyqtarë, policë dhe gazetarë. Mes të dyshuarve janë edhe gazetarët e kronikës së zezë Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët, sipas Prokurorisë, dyshohet të kenë marrë para nga Çela për qëndrimet e mbajtura në daljet mediatike apo artikuj të shkruar prej tyre. Por gazetari Hoxha, i pyetur nga Zëri i Amerikës, mohoi kategorikisht akuzën, ndërsa thotë në reagimin e tij se kurrë nuk e ka përdorur profesionin në favor të krimit, politikës dhe biznesit.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) detajoi të martën në njoftimin publik se grupi i drejtuar nga Suel Çela ishte përqendruar në trafikun e kokainës nga Amerika Latine, si dhe ishte përfshirë në vrasje e tentativa për vrasje, goditjen e një organizate rivale në qytetin e Elbasanit, si dhe korruptimin e funksionarëve të policisë dhe drejtësisë.
Hetimi që çoi në goditjen e organizatës së Suel Çelës ka patur si bazë, ndër të tjera, komunikimet e koduara përmes Sky dhe Encrochat-it, dhe është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës, Ekuadorit si dhe me Europol-in dhe Eurojust-in.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Çela synonte “kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale”, ndërsa lënda narkotike nga vendet e Amerikës Latine përfundonte në tregjet europiane, si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.
Sule Çela, i konsideruar si kreu i organizatës, ishte sipas SPAK-ut “përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe, ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”.
Prokuroria e Posaçme deklaron se ka arritur të dokumentojë një vrasje të mbetur në tentativë në vitin 2020, përpjekjet për vrasjen e dy personave po në vitin 2020, dy tentativa për trafikimin 930 kg dhe 466 kg kokainë nga Ekuadori, drejt vendeve europiane, në dhjetor të vitit 2020 dhe në janar të vitit 2021, si dhe “ushtrimin e ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias”.
Përveç anëtarëve të organizatës, urdhërat e arrestit kanë përfshirë dhe ish komisarin Dedan Gjoni, i arrestuar më herët për lidhje me organizata kriminale si dhe ish gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila ndodhej nën arrest shtëpie për një episod tjetër. Sipas Prokurorisë së Posaçme “duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale”. Organizata, shfrytëzonte lidhjet me njerëz në polici dhe drejtësi, jo vetëm për të lehtësuar aktivitetin e saj, por dhe për të goditur rivalët e vet.
Hetimi solli lëshimin e 19 urdhërave të arrestit dhe masave “detyrim paraqitje” për dy gazetarët e kronikës së zezë Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët sipas Prokurorisë dyshohet të kenë marrë para nga Çela, për qëndrime që ata kanë mbajtur në daljet mediatike apo artikuj të shkruar prej tyre.
Dy gazetarët e njohur të kronikës Hoxha dhe Qyno dyshohet se ndihmonin organizatën për të ndikuar në opinionin publik, me qëllim dobësimin e pozitave të grupeve rivale.
Por gazetari Artan Hoxha, i kontaktuar nga Zëri i Amerikës, mohoi akuzën kategorikisht në reagimin e tij, ku thekson se nuk ka qenë bashkëpunëtor i ndonjë organizate kriminele, dhe se nuk e ka përdorur kurrë profesionin në favor të interesave të krimit, politikës apo biznesit.
“Do të provojmë në gjykatë se akuzat ndaj nesh janë të padrejta dhe se shërbimi që i kemi bërë publikut ka qenë tërësisht profesional, korrekt, i paanshëm, duke i qëndruar gjithmonë publikimit të së vërtetës”, tha Hoxha.
Ai shtoi se në rastin konkret, përkundrazi ka denoncuar veprimtarinë e këtyre organizatave kriminale, lidhjet e tyre me agjencitë e zbatimit të ligjit si dhe bashkëpunimin me njerëz të pushtetit.
SPAK-u theksoi se “Suel Çela ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve”.
Prokuroria tha se “dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Hoxha dhe Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik”.
Por Hoxha theksoi se akuza si pjesëtar i një organizate është krejtësisht e pambështetur në prova dhe fakte të vërteta apo të besueshme, ndërsa organi i hetimit ka ngatërruar qëllimisht profesionin e gazetarit, teknikat gazetareske për të marrë informacion me aktivitetin kriminal të një organizate kriminale.
“Veprimi i SPAK-ut është shoqëruar nga një lumë akuzash dhe të pavertetash të publikuara në media nga eksponentë të rëndësishëm politikë, për të cilët kam publikuar akte korruptive në të kaluarën. Duket e çuditshme, për të mos thënë e qëllimshme, që SPAK-u vendos të veprojë ndaj dy gazetarëve kryesorë, të cilët kanë denoncuar informacione të siguruara nga rrjeti i kriptuar SkyeCC, të cilat tregojnë implikimin e krimit të organizuar me njerëz të politikës dhe zbatimit të ligjit. Kontrolli i paligjshëm i kryer në banesat tona, duke na sekuestruar mjetet dhe arkivën e punës si gazetarë, u shoqërua me akuzat që na kanë adresuar në mënyrë të padrejtë”, tha Hoxha.
Ai theksoi se në karrierën 30-vjeçare si gazetar investigativ, jo vetëm nuk ka bashkëpunuar me krimin e organizuar aq më pak të ketë kuruar imazhin e tij, por ka rrezikuar jetën e vet dhe të familjes, duke denoncuar aktivitetin e krimit të organizuar, bosët më të rëndësishëm të tij, lidhjet e tyre me pushtetin dhe politikën në dëm të shoqërisë shqiptare dhe të vendit.
Dje u kontrollua imtësisht banesa e gazetarit Hoxha dhe iu sekuestrua të gjithë mjetet e punës dhe arkiva elektronike, si dhe dokumentare, ndërsa në orët e pasdites u thirr në SPAK dhe iu komunikua se kontrolli ka qenë i paligjshem, duke ia kthyer të gjitha sendet e sekuestruara.
Personat e përfshirë deri më tani në këtë hetim të SPAK-ut dyshohen për të paktën 9 vepra të ndryshme penale, nga vrasje në tentativë, trafik lëndësh narkotike, organizatë kriminale, korrupsion apo pastrim parash. /VOA
Lajme
Kryetari i Studeniçanit mban premtimin, sigurohet transporti i organizuar për nxënësit
Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi, ka njoftuar se nga sot ka nisur zyrtarisht transporti i organizuar dhe i sigurt për nxënësit e kësaj komune, shkruan ZYRTARE.net
Abazi, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se më parë nxënësit detyroheshin të ecnin kilometra të tëra për të arritur në shkollë, shpesh në kushte të vështira atmosferike.
Ai theksoi se ky ishte një premtim i dhënë gjatë fushatës dhe se tashmë është realizuar.
“Premtim i dhënë – premtim i mbajtur!”, shkroi Abazi, duke uruar nxënësit dhe prindërit për fillimin e transportit të organizuar.
“Urime nxënësve dhe prindërve! Na priftë e mbara!”, përfundoi ai./ZYRTARE.NET/
Lajme
Zgjerohet “Safe City” në Kumanovë | Kamerat e reja do të vendosen në katër lokacione
Monitorimi i komunikacionit në qytetin e Kumanovës do të zgjerohet së shpejti me vendosjen e kamerave të reja nga projekti “Safe City”, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e shoferëve të papërgjegjshëm, informon tvfesta.mk
Këtë e bëri të ditur komandanti i Stacionit Policor në Kumanovë, Tomislav Dodevski, gjatë përgjigjes në pyetjet e këshilltarëve komunalë.
„Për shkak të kërkesave të qytetarëve, por edhe nga vlerësimet tona, kamerat ekzistuese të ‘Safe City’ nuk janë të mjaftueshme. Përveç bulevardit ‘Revolucioni i Tetorit’ dhe lokalitetit ‘Tabakana’, kam informacion se në periudhën më të shpejtë të mundshme do të vendosen kamera edhe në tre lokacione të tjera“, deklaroi Dodevski.
Sipas autoriteteve, vendosja e këtyre kamerave vjen si nevojë për të rritur sigurinë në rrugët e qytetit dhe për të reduktuar shkeljet e rregullave të komunikacionit.
Kujtojmë se procesi i shqiptimit të gjobave përmes sistemit “Safe City” në Kumanovë ka nisur që nga muaji shkurt i këtij viti. Aktualisht, kamerat janë të vendosura në dy pika në bulevardin “Revolucioni i Tetorit”, në hyrje-daljet e qytetit, si dhe në disa akse të rrugëve rajonale.tvfesta
Lajme
Gjendet i vdekur një 60-vjeçar në Gostivar, lëndohet rëndë polici gjatë kryerjes së ekspertizës në vendin e ngjarjes
SPB Tetovë njofton se është gjetur i vdekur një 60-vjeçar në stadiumin e fshatit Raven në Gostivar.
“Më 21.09.2026 në ora 23:15 në DPB Gostivar, J.A.(45) nga fshati Raven ka denoncuar se bashkëshorti i saj A.A.(60) rreth orës 07:00 ka shkuar në punë në Gostivar dhe nuk është kthyer në shtëpi, e as nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike.
Pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, më 22.09.2026 në ora 00:20, A.A. është gjetur i vdekur në stadiumin e fshatit Raven, ndërsa në afërsi të drejtpërdrejtë është gjetur një sharrë motorike. Vdekjen e ka konstatuar mjeku nga Qendra Urgjente Gostivar, ndërsa këqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë kryer Prokurori Publik, mjeku i mjekësisë ligjore, ekipi i këqyrjes nga DPB Gostivar dhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit Gostivar.
Gjatë kryerjes së veprimeve zyrtare në vendin e ngjarjes, rreth orës 01:50, zyrtari policor ka rënë në një pusë betoni të hapur dhe të pashënuar me thellësi prej rreth 1,5 metrash dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Qendrën Mjekësore në Gostivar”, thonë nga MPB.
-
Lajme10 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
