Lajme
Dy gazetarë në Shqipëri akuzohen se morën para nga banda kriminale
Në Shqipëri, SPAK-u ka dhënë detaje mbi operacionin e dy dite më parë ndaj organizatës kriminale, që drejtohej nga Suel Çela, i shpallur në kërkim. SPAK-u bën të ditur se organizata trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt BE-së, kishte lidhje me gjyqtarë, policë dhe gazetarë. Mes të dyshuarve janë edhe gazetarët e kronikës së zezë Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët, sipas Prokurorisë, dyshohet të kenë marrë para nga Çela për qëndrimet e mbajtura në daljet mediatike apo artikuj të shkruar prej tyre. Por gazetari Hoxha, i pyetur nga Zëri i Amerikës, mohoi kategorikisht akuzën, ndërsa thotë në reagimin e tij se kurrë nuk e ka përdorur profesionin në favor të krimit, politikës dhe biznesit.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) detajoi të martën në njoftimin publik se grupi i drejtuar nga Suel Çela ishte përqendruar në trafikun e kokainës nga Amerika Latine, si dhe ishte përfshirë në vrasje e tentativa për vrasje, goditjen e një organizate rivale në qytetin e Elbasanit, si dhe korruptimin e funksionarëve të policisë dhe drejtësisë.
Hetimi që çoi në goditjen e organizatës së Suel Çelës ka patur si bazë, ndër të tjera, komunikimet e koduara përmes Sky dhe Encrochat-it, dhe është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës, Ekuadorit si dhe me Europol-in dhe Eurojust-in.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Çela synonte “kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale”, ndërsa lënda narkotike nga vendet e Amerikës Latine përfundonte në tregjet europiane, si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.
Sule Çela, i konsideruar si kreu i organizatës, ishte sipas SPAK-ut “përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe, ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”.
Prokuroria e Posaçme deklaron se ka arritur të dokumentojë një vrasje të mbetur në tentativë në vitin 2020, përpjekjet për vrasjen e dy personave po në vitin 2020, dy tentativa për trafikimin 930 kg dhe 466 kg kokainë nga Ekuadori, drejt vendeve europiane, në dhjetor të vitit 2020 dhe në janar të vitit 2021, si dhe “ushtrimin e ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias”.
Përveç anëtarëve të organizatës, urdhërat e arrestit kanë përfshirë dhe ish komisarin Dedan Gjoni, i arrestuar më herët për lidhje me organizata kriminale si dhe ish gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila ndodhej nën arrest shtëpie për një episod tjetër. Sipas Prokurorisë së Posaçme “duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale”. Organizata, shfrytëzonte lidhjet me njerëz në polici dhe drejtësi, jo vetëm për të lehtësuar aktivitetin e saj, por dhe për të goditur rivalët e vet.
Hetimi solli lëshimin e 19 urdhërave të arrestit dhe masave “detyrim paraqitje” për dy gazetarët e kronikës së zezë Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët sipas Prokurorisë dyshohet të kenë marrë para nga Çela, për qëndrime që ata kanë mbajtur në daljet mediatike apo artikuj të shkruar prej tyre.
Dy gazetarët e njohur të kronikës Hoxha dhe Qyno dyshohet se ndihmonin organizatën për të ndikuar në opinionin publik, me qëllim dobësimin e pozitave të grupeve rivale.
Por gazetari Artan Hoxha, i kontaktuar nga Zëri i Amerikës, mohoi akuzën kategorikisht në reagimin e tij, ku thekson se nuk ka qenë bashkëpunëtor i ndonjë organizate kriminele, dhe se nuk e ka përdorur kurrë profesionin në favor të interesave të krimit, politikës apo biznesit.
“Do të provojmë në gjykatë se akuzat ndaj nesh janë të padrejta dhe se shërbimi që i kemi bërë publikut ka qenë tërësisht profesional, korrekt, i paanshëm, duke i qëndruar gjithmonë publikimit të së vërtetës”, tha Hoxha.
Ai shtoi se në rastin konkret, përkundrazi ka denoncuar veprimtarinë e këtyre organizatave kriminale, lidhjet e tyre me agjencitë e zbatimit të ligjit si dhe bashkëpunimin me njerëz të pushtetit.
SPAK-u theksoi se “Suel Çela ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve”.
Prokuroria tha se “dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Hoxha dhe Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik”.
Por Hoxha theksoi se akuza si pjesëtar i një organizate është krejtësisht e pambështetur në prova dhe fakte të vërteta apo të besueshme, ndërsa organi i hetimit ka ngatërruar qëllimisht profesionin e gazetarit, teknikat gazetareske për të marrë informacion me aktivitetin kriminal të një organizate kriminale.
“Veprimi i SPAK-ut është shoqëruar nga një lumë akuzash dhe të pavertetash të publikuara në media nga eksponentë të rëndësishëm politikë, për të cilët kam publikuar akte korruptive në të kaluarën. Duket e çuditshme, për të mos thënë e qëllimshme, që SPAK-u vendos të veprojë ndaj dy gazetarëve kryesorë, të cilët kanë denoncuar informacione të siguruara nga rrjeti i kriptuar SkyeCC, të cilat tregojnë implikimin e krimit të organizuar me njerëz të politikës dhe zbatimit të ligjit. Kontrolli i paligjshëm i kryer në banesat tona, duke na sekuestruar mjetet dhe arkivën e punës si gazetarë, u shoqërua me akuzat që na kanë adresuar në mënyrë të padrejtë”, tha Hoxha.
Ai theksoi se në karrierën 30-vjeçare si gazetar investigativ, jo vetëm nuk ka bashkëpunuar me krimin e organizuar aq më pak të ketë kuruar imazhin e tij, por ka rrezikuar jetën e vet dhe të familjes, duke denoncuar aktivitetin e krimit të organizuar, bosët më të rëndësishëm të tij, lidhjet e tyre me pushtetin dhe politikën në dëm të shoqërisë shqiptare dhe të vendit.
Dje u kontrollua imtësisht banesa e gazetarit Hoxha dhe iu sekuestrua të gjithë mjetet e punës dhe arkiva elektronike, si dhe dokumentare, ndërsa në orët e pasdites u thirr në SPAK dhe iu komunikua se kontrolli ka qenë i paligjshem, duke ia kthyer të gjitha sendet e sekuestruara.
Personat e përfshirë deri më tani në këtë hetim të SPAK-ut dyshohen për të paktën 9 vepra të ndryshme penale, nga vrasje në tentativë, trafik lëndësh narkotike, organizatë kriminale, korrupsion apo pastrim parash. /VOA
Lajme
Limani me mesazh për spekulimet: Jam dhe mbetem në ASH, nuk jam politikan “tregtar “- çdo veprim imi është transparent
Limani me mesazh për spekulimet politike: Veprimet e mia janë publike, mbetem në ASH
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka komentuar pjesëmarrjen e tij në aktivitetin e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, me rastin e vizitës së kryeparlamentares së Kosovës, Albulena Haxhiu, duke hedhur poshtë interpretimet politike që janë bërë lidhur me praninë e tij në këtë ngjarje.
Në një intervistë për emisionin „Dialog te Lajmi“, Limani tha se në aktivitet kishte marrë pjesë me ftesë të ambasadorit të Kosovës, z. Qehaja, dhe se nuk sheh asgjë të jashtëzakonshme që si kryetar i një komune me shumicë shqiptare të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Ambasada e Kosovës.
Ai theksoi se përfaqëson të gjithë qytetarët e Gostivarit dhe se respekti i tij ndaj institucioneve të Kosovës është i njëjtë me atë ndaj institucioneve të Shqipërisë.
„Nuk shoh asgjë tragjike që si kryetar komune me shumicë shqiptare të marr pjesë në një aktivitet të cilin e organizon Ambasada e Republikës së Kosovës. Interpretimet gjithmonë mund të jenë të ndryshme, por unë përfaqësoj Komunën e Gostivarit dhe të gjithë banorët e saj. Ambasada e Kosovës e ka respektin e njëjtë sikurse edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë. Ne jemi të lidhur shpirtërisht dhe në forma të ndryshme si me Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe me Republikën e Kosovës“, deklaroi Limani.
Ai bëri të ditur se, sipas informacioneve që ka, ftesa për këtë aktivitet u ishte dërguar të gjithë kryetarëve shqiptarë të komunave, duke theksuar se duhet të krijohet një standard i ri politik, ku raportet me Kosovën dhe Shqipërinë trajtohen në mënyrë të barabartë dhe vëllazërore.
Ndërkaq, duke komentuar interpretimet dhe spekulimet për pozicionimin e tij politik dhe mundësinë e kalimit në VLEN, Limani ishte i drejtpërdrejtë, duke theksuar se mbetet në Aleancën për Shqiptarët (ASH).
„E kam thënë dhe përsëri do ta them: unë nuk jam politikan tregtar dhe secilin veprim timin e bëj me vetëdije të plotë, në mënyrë transparente dhe publike. Ata që interpretojnë se diçka po ndodh, le të mos kenë dert, sepse nëse ndonjëherë ndodh diçka, gjithçka do të jetë publike dhe të gjithë do ta dinë“, u shpreh Limani.
Me këtë deklaratë, Limani u dërgoi mesazh atyre që spekulojnë për të ardhmen e tij politike, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndryshim të pozicionimit të tij dhe se vazhdon të jetë pjesë e Aleancës për Shqiptarët, e jo e VLEN-it.
Lajme
Bastisje në këmbimore e te noterët në Kumanovë, bie në pranga një emër i njohur
Kontrolle policore në një këmbimore, zyre noteriale dhe në disa lokacione të tjera në Kumanovë: Dyshime për zhvatje, pastrim parash dhe fajde, si dhe informacione jozyrtare për arrestimin e një personi të njohur me pseudonimin “Shtuka”.
Aksioni që po zhvillohet sot, më 5 nëntor, është konfirmuar nga MPB-ja dhe Prokuroria Publike, por tani për tani nuk kumtohen emra të të dyshuarve dhe as numri i personave të arrestuar.
“Në bazë të urdhëresave të siguruara nga prokuroria publike kompetente, po kryhen disa kontrolle për sigurimin e provave lidhur me veprat penale ‘zhvatje’, ‘pastrim parash dhe të mecamave të tjera nga vepra e dënueshme’ dhe ‘punë e ndërgjegjshme në shërbim’“, njoftoi Prokuroria Publike.
Aksionin po e zbaton Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë MPB-së, nën koordinimin e prokurorit nga Prokuroria për Njekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara gjatë ditës, hetuesit po verifikojnë dyshimet se një grup personash për një periudhë më të gjatë ka vepruar në Kumanovë dhe në rajonin më të gjerë, duke përdorur dhunë, kërcënime dhe shantazhe për përfitimin e dobisë pasurore kundërligjshme. Përmendet edhe fajdeja, por kjo nuk është caktuar ndër veprat penale në informacionin e parë zyrtar nga Prokuroria.
Përveç këmbimores, objekt i verifikimeve, sipas të njëjtave informacione jozyrtare, është edhe një zyre noteriale. Po shqyrtohen lidhjet e mundshme me aktivitetet financiare të dyshimta, ndërsa u shfaqën edhe pretendime për transferime të tokës të lidhura me borxhe fajdeje dhe përfshirje të mundshme të notarëve. Se a kanë mbetur debtors pa pronë, për cilat patundshmëri bëhet fjalë dhe a ka qytetarë të dëmtuar, tani për tani nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Jozyrtarisht, gjatë kontrolleve janë gjetur mjete monetare, automjete dhe dokumentacion. Autoritetet ende nuk kanë kumtuar se çfarë saktësisht është gjetur dhe konfiskuar, e as sa është vlera e mecamave që po verifikohen. Si organizator i mundshëm i grupit përmendet një person me pseudonimin “Shtuka”, për të cilin u shfaqën pretendime se është pronar i këmbimores dhe se është arrestuar. MPB-ja dhe Prokuroria, megjithatë, nuk e konfirmuan arrestimin e tij, e as nuk njoftuan se a ka statusin e të dyshuarit. Jozyrtarisht përmenden edhe arrestime të notarëve, por edhe këto informacione mbeten të pakonfirmuara.
Tani për tani nuk dihen numri i personave të përfshirë në procedurë, shuma e parave që janë objekt i hetimit, e as se a është iniciuar procedurë hetimore kundër personave konkretë apo është kërkuar paraburgim. Kontrollet po ndërmerren për sigurimin e provave dhe nuk përbëjnë konfirmim për vepër penale të kryer.
Prokuroria paralajmëroi se pas përfundimit të plotë të aksionit do ta njoftojë më tej opinionin. Atëherë duhet të jetë më e qartë se a ka persona të arrestuar, çfarë është konfiskuar gjatë kontrolleve dhe çfarë masash të mëtejshme do të ndërmerren.
Bastisje në Kumanovë! Policia gjen para, automjete dhe dokumentacion gjatë aksionit kundër krimit të organizuar
Gjatë aksionit policor në Kumanovë, që ka në shënjestër një grup të dyshuar kriminal, raportohet se janë gjetur para, automjete dhe dokumentacion që mund të shërbejnë si prova në hetime.
Grupi dyshohet për përfshirje në zhvatje, fajde, kërcënime dhe pastrim parash. Hetimet përfshijnë edhe një këmbimore dhe një zyrë noteriale, ndërsa si organizator i dyshuar përmendet një person me nofkën “Shtuka”.
Aksioni zhvillohet në koordinim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Lajme
Alta Banka nis pagesat në para të gatshme për klientët pa kartela, kufiri është 20 mijë denarë
Ka nisur pagesa e mjeteve në para të gatshme për klientët e Alta Bankës në Manastir, të cilët nuk posedojnë kartela bankare.
Kryesisht pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale mund të tërheqin deri në 20.000 denarë brenda dy javësh, në sportelet e posaçme të degës së bankës. Pagesat do të bëhen sipas orarit të caktuar, ndërsa klientët do të njoftohen përmes SMS-it.
Nga Banka Popullore bëjnë të ditur se pensionet dhe pagat vazhdojnë të derdhen në llogaritë e klientëve, ndërsa mjetet nuk janë të ngrira.
Për klientët e tjerë fizikë vazhdon të vlejë kufizimi prej 10.000 denarësh në javë për tërheqje të parave dhe pagesa te tregtarët me kartelat e lëshuara nga banka. Transaksionet brenda bankës mbeten pa kufizim.
Kufizimet janë vendosur pas marrjes së bankës nën administrim nga tre administratorë të emëruar nga Banka Popullore, për një periudhë deri në tre muaj, për shkak të rrethanave që mund të rrezikojnë seriozisht aftësinë paguese të saj.
Administratorët kanë afat prej 21 ditësh për të shqyrtuar gjendjen financiare të bankës dhe për të dorëzuar raport në Bankën Popullore.
Ndërkohë, Banka Popullore po shqyrton edhe zgjidhjet për kompanitë që duhet të paguajnë pagat e punonjësve dhe detyrimet tatimore deri më 15 nëntor.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
