Lajme
Turqia: Vendet myslimane të bashkohen kundër planit të Izraelit për ta marrë nën kontroll Gazën
Vendet myslimane duhet patjetër të veprojnë të bashkuara dhe ta kundërshtojnë planin e Izraelit për ta marrë nën kontroll Qytetin e Gazës, tha të shtunën ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, pas bisedimeve në Egjipt.
Fuqitë rajonale, Egjipti dhe Turqia, e dënuan planin e Izraelit të premten.
Ankaraja tha se kjo shënon një fazë e re në atë që e quajti politikë “gjenocidale dhe ekspansioniste” të Izraelit, duke bërë thirrje për masa globale për të ndaluar zbatimin e tij.
Izraeli e mohon këtë përshkrim të veprimeve të tij në Gazë.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në El Alamein me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty, pas një takimi edhe me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, Fidan tha se Organizata për Bashkëpunim Islamik (OIC) ishte thirrur në një mbledhje urgjente.
Fidan tha se politika e Izraelit synon t’i detyrojë palestinezët të largohen nga tokat e tyre përmes urisë dhe ta pushtojë përgjithmonë Gazën, duke shtuar vendet nuk e kanë më asnjë arsye për ta vazhduar mbështetjen e Izraelit.
Izraeli e mohon se synon shkaktimin e krizës së urisë në Gazë dhe thotë se grupi militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – mund t’i japë fund luftës duke u dorëzuar.
“Ajo që po ndodh sot është një zhvillim shumë i rrezikshëm… jo vetëm për popullin palestinez apo vendet fqinje”, tha Abdelatty, duke shtuar se planet e Izraelit janë “të papranueshme”.
Abdelatty tha se ka pajtueshmëri të plotë me Turqinë për çështjen e Gazës dhe iu referua një deklarate të publikuar të shtunën nga Komiteti Ministror i OIC, i cili dënoi planin e Izraelit.
Komiteti i OIC-it tha se plani i Izraelit përbën “një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm, një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një përpjekje për të forcuar pushtimin e paligjshëm”, duke paralajmëruar se ai do të “shkatërrojë çdo mundësi për paqe”.
Ekipet ndërmjetësuese nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar prej muajsh për të arritur një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.
OIC u bëri thirrje fuqive botërore dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që “të marrin përgjegjësitë e tyre ligjore dhe humanitare dhe të ndërmarrin veprime urgjente për të ndaluar” planin e Izraelit për Qytetin e Gazës, duke siguruar njëkohësisht përgjegjësinë e menjëhershme për atë që e quajti shkelje të ligjit ndërkombëtar nga Izraeli./REL
Lajme
Mbeturinat para shkollave dhe kopshteve në Tetovë ngrenë shqetësim, drejtori i NPK-së Samet Bislimi: Grumbullimi falas nga dera e secilës shtëpi dhe objekt
Grumbullimi i rregullt i mbeturinave dhe ruajtja e pastërtisë publike mbeten ndër sfidat kryesore në Tetovë, veçanërisht në zonat pranë çerdheve dhe shkollave, ku grumbullimi i kontejnerëve dhe hedhja e mbeturinave të vëllimshme krijojnë probleme për mjedisin dhe qytetarët.
Përballë kësaj situate, drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) në Tetovë, Samet Bislimi, thekson se qytetarët kanë në dispozicion një zgjidhje konkrete dhe pa pagesë për largimin e mbeturinave të vëllimshme nga shtëpitë e tyre.
“Ekipi shkon deri te dera e çdo qytetari dhe ia merr mbeturinat e vëllimshme, pa pagesë. Këtë shërbim e kemi organizuar që ta kemi qytetin më të pastër dhe qytetarët të kenë një zgjidhje se ku mund t’i hedhin këto mbeturina”, deklaroi Bislimi.
Shërbimi u mundëson qytetarëve të largojnë mobiliet e vjetra dhe sendet e tjera të mëdha pa pasur nevojë t’i lënë pranë kontejnerëve, në trotuare apo në hapësira publike, ku shpesh krijohen deponi të vogla ilegale.
Nga kompania Saubermacher Tetovë, përgjegjëse për zbrazjen e kontejnerëve dhe transportimin e mbeturinave drejt deponisë rajonale, thonë se ekipet e tyre po bëjnë përpjekje që grumbullimi i mbeturinave të kryhet rregullisht, madje edhe më shumë se një herë në ditë, aty ku paraqitet nevoja.
Sipas të dhënave të kompanisë, nga janari deri në shtator të këtij viti janë grumbulluar dhe transportuar mbi 25.000 tonë mbeturina komunale, si dhe afro 2.900 tonë mbeturina të vëllimshme. Gjatë kësaj periudhe, automjetet e kompanisë kanë përshkuar rreth 225.000 kilometra.
Vulnet Sela nga Saubermacher Tetovë theksoi se këto shifra dëshmojnë përmasat e punës së përditshme që nevojitet për të siguruar grumbullimin e mbeturinave në të gjithë territorin e Komunës së Tetovës.
Thirrje për përgjegjësi qytetare: mbeturinat e mëdha të mos lihen pranë kontejnerëve
Një nga problemet që rëndon pastërtinë e qytetit është hedhja e pakontrolluar e mbeturinave të vëllimshme, përfshirë mbetjet ndërtimore, mobiliet e vjetra dhe sendet e mëdha plastike, të cilat shpesh lihen pranë kontejnerëve ose drejtpërdrejt në tokë.
Kjo praktikë jo vetëm që krijon pamje të papastër, por kontribuon edhe në formimin e deponive të vogla në hapësira publike.
Nga NPK-ja e Tetovës u bëjnë thirrje qytetarëve që, në vend se t’i hedhin këto mbeturina në mënyrë të pakontrolluar, të kontaktojnë ndërmarrjen dhe të kërkojnë shërbimin falas të grumbullimit. Si alternativë, mbeturinat e vëllimshme mund të dërgohen edhe në qendrën grumbulluese të Saubermacher-it.
Ndërkohë, disa çerdhe dhe shkolla kanë kërkuar që kontejnerët pranë objekteve të tyre të zhvendosen në lokacione më të përshtatshme. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, ndërmarrjeve publike dhe qytetarëve.
Nën drejtimin e Samet Bislimit, NPK-ja e Tetovës u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë shërbimin falas për grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme, duke kontribuar kështu në parandalimin e deponive ilegale dhe në krijimin e një ambienti më të pastër për të gjithë.
Lajme
Gjest i madh, 18 vjeçari gjen kuletën me 18 mijë € dhe i’a kthen pronarit
Një i ri 18 vjeçar ka treguar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare, pasi ka gjetur dokumente personale dhe një shumë të konsiderueshme parash, të cilat i ka dorëzuar në polici, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas njoftimit të MPB-së, dje, në orën 14:00, në Stacionin Policor në Delçevë, një 18-vjeçar nga ky qytet ka dorëzuar dokumentet personale të gjetura dhe para në vlerë prej 114.000 denarësh dhe rreth 2.000 eurosh.
I riu i kishte gjetur paratë dhe dokumentet në bulevardin „Maqedonia“ në Delçevë. Bëhej fjalë për një dokument udhëtimi, letërnjoftimin e një banori të Delçevës, si dhe shumën e lartpërmendur të parave.
Pas gjetjes së tyre, ai kishte vepruar me përgjegjësi dhe i kishte dorëzuar të gjitha në stacionin policor.
Ministria e Punëve të Brendshme e përshëndeti këtë veprim, duke theksuar se ai përbën një shembull pozitiv të ndershmërisë, ndërgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë së lartë qytetare, veçanërisht te të rinjtë.
„Veprime të tilla meritojnë mirënjohje publike dhe përbëjnë një nxitje për kultivimin e vlerave shoqërore, besimit të ndërsjellë dhe sjelljes së përgjegjshme në komunitet“, theksuan nga MPB-ja.
Lajme
“Plumbin e kam ende në sy”, para nisjes drejt Italisë rrëfehet 28-vjeçari që u plagos në protestë
Një goditje, dy hapa dhe më pas rrëzimi në tokë. Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos në sy nga një plumb gome gjatë protestës.Mes dhimbjes dhe pasigurisë për shikimin, ai rrëfen për herë të parë ekskluzivisht për gazetarin e Top Channel Endi Tufa çfarë ndodhi, pak para se gjithçka të ndryshonte.
Plumbi ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa shpresa tashmë është te mjekët dhe një ndërhyrje më e specializuar.“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, tha ai.
Gjithçka ndodhi në pak sekonda. Erjoni tregon se pas goditjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm. Kujtimet për atë që ndodhi më pas janë të pakta, por ai mban mend ndihmën e një shoku, i cili e transportoi me makinë. Pas kësaj, nisi një tjetër betejë, këtë herë në spital, me dhimbjen dhe frikën se mund të humbasë shikimin.“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, u shpreh ai.
Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e majtë të Erjonit. Pasojat e goditjes dhe rreziku për shikimin mbeten shqetësimi kryesor. Ai nuk e fsheh dhimbjen, ndërsa për atë që mund të ndodhë në vijim, ende nuk ka siguri.“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh ai për Top Channel.
Në këto kushte, trajtimi i specializuar është kthyer në shpresën kryesore për të shpëtuar syrin e dëmtuar. Pas kontaktit të Top Channel me stafin e spitalit, mjekët dhe të afërmit e Erjonit, është siguruar transporti i tij drejt një spitali në Romë, ku pritet të niset pasditen e sotme për të marrë kujdes më të specializuar mjekësor.Mes dhimbjes dhe pasigurisë, Erjoni mbyll dëshminë e tij me dy fjalë: “Vetëm fitore”. Një shprehje që, pas asaj që ka përjetuar, merr një kuptim edhe më të fortë.
“Vetëm fitore”, thotë ai.Endi Tufa: Çfarë do të thotë kjo?
“Shqipëria është e jona”, e mbyll ai intervistën./ Top Channel
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 week agoÇmimi i naftës shënon rënie
