Mënyra se si shoferët në Maqedoni paguajnë taksat rrugore mund të ndryshojë. Autoritetet po analizojnë një model të ri për mbledhjen e taksave në Maqedoni, i cili do të zvogëlonte radhët dhe pritjet në pikat e pagesës, dhe tarifa do të llogaritej sipas distancës së përshkuar, apo çmimi të varet nga numri i kilometrave të përshkuara në autostradë. Sistemi i ri po analizohet aktualisht për Korridorin 8 dhe pyetja më e madhe për qytetarët është nëse një ndryshim i tillë do të sjellë kosto më të ulëta apo më të larta udhëtimi. Studimi i ri i fizibilitetit për mbledhjen e taksave rrugore në Korridorin 8, duhet të tregojë nëse taksat rrugore do të mblidhen përmes një sistemi të mbyllur në autostradën nga Shkupi përmes Tetovës, Gostivarit, Kërçovës deri në Ohër, përkatësisht Strugës dhe pikës kufitare Qafëthanë drejt Shqipëri.
Studimi do të përcaktojë nëse kryqëzimet ekzistuese ose të planifikuara të autostradave (hyrje/dalje) janë të përshtatshme për instalimin e një sistemi të mbyllur të mbledhjes së taksave, cilat teknologji të mbledhjes së taksave janë të përshtatshme (manuale, automatike, elektronike, me rrjedhë të lirë)..
Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, analizat e para kanë të bëjnë me rrugën Kërçovë – Ohër, dhe më pas po shqyrtohet mundësia e aplikimit të tij në Korridorin 8 dhe pjesët e autostradës që po ndërtohen nga “Bechtel dhe Enka”. Sistemi i ri do të mbështetej në etiketa elektronike dhe regjistrimin e automjeteve në hyrje dhe dalje të autostradës, me qëllim që të mundësohet pagesa më e shpejtë pa ndalesa të panevojshme. Futja e tij do të kërkojë analiza teknike, përshtatje të infrastrukturës dhe një kornizë të përshtatshme ligjore.
Kjo metodë e tarifimit mund të jetë më e favorshme për shoferët që përdorin vetëm një pjesë të shkurtër të autostradës. Megjithatë, nëse ata do të paguajnë më pak do të varet nga tarifat që do të vendosen përfundimisht.
Ndryshe, të ardhurat nga taksat rrugore përfaqësojnë një burim të rëndësishëm fondesh për infrastrukturën rrugore në Maqedoni. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, shteti mblodhi një rekord prej 31 milionë euro, nga mbledhja e taksave. Nga mbledhja e taksave vitin e kaluar (deri më 23 dhjetor), u arrit një xhiro prej 67,6 milion euro dhe kjo shifër, duke pasur parasysh frekuencën e shtuar në korrik, gusht dhe shtator, me siguri do të tejkalohet gjatë këtij viti kalendarik. Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore informon se stacioni më i shpeshtë i pagesës së taksave është Tetova, ndërsa sipas mjeteve të mbledhura dhe çmimit të biletave, të ardhurat më të larta janë në Romanovcë, pranë Kumanovës, e ndjekur nga Miladinovci, Petrovec, Glumova, Zhelina, Tetova, Stobi, Preod, Gostivari, Sopoti, Gjevgjelia, Kadrifakova, Otovica dhe Demir Kapija.
Pjesa e mbledhjes elektronike të taksave me M-Card dhe M-TAG në qarkullimin total të taksave është 36 përqind, nga një total prej 11 stacionesh pagesash ku është futur në përdorim. (koha.mk)