Lajme
Putin paralajmëron NATO-n: Po shkojmë drejt luftës globale, pasojat do të jenë serioze
Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar ashpër ndaj hipotezave se Kievi do të përdorë raketat e furnizuara nga vendet e NATO-s për të goditur thellë në territorin rus. Duke folur në një konferencë shtypi në Tashkent, në fund të një vizite në Uzbekistan, ai solli në vëmendje Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili të shtunën foli për nevojën e lejimit të Ukrainës që të përdorë armatimet perëndimore kundër Rusisë.
“Pasojat do të jenë serioze”, paralajmëroi Putin, duke nënvizuar se në çdo rast Moska do të mbajë NATO-n drejtpërdrejt përgjegjëse për sulmet, duke vlerësuar se raketat me rreze të gjatë si ato amerikane Atacms nuk mund të përdoren “pa të dhënat e inteligjencës satelitore” të zhvilluara nga teknikat e Aleancës.
Kreu i Kremlinit tha se nuk e kupton pozicionin e Stoltenberg. “Kur ai ishte kryeministër i Norvegjisë ne diskutuam çështje të ndryshme dhe në atë kohë jam i sigurt se ai nuk vuante nga demencia”, vuri në dukje ai. Por tani “ai nuk mund të mos e dijë” se përdorimi i raketave të tilla si Atacms kundër territorit rus do të kërkonte një rol të drejtpërdrejtë të teknikëve të NATO-s. Me të gjitha pasojat e rastit.
Pyetja është se si do të përgjigjet Moska. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u kufizua duke bërë të ditur se “komandanti suprem”, pra vetë Putini dhe udhëheqësit ushtarakë “po marrin kundërmasa adekuate dhe po përgatiten”. Masa për të cilat vetëm ata janë në dijeni.
Por fjalët e presidentit duket se lënë të hapur edhe një skenar të tmerrshëm, atë të një lufte mes Rusisë dhe NATO-s. Kreu i Kremlinit paralajmëroi veçanërisht ato vende evropiane “me një territor të vogël por me një dendësi të madhe popullsie”, të cilat do të pësonin pasojat më shkatërruese. Është e lehtë të shihet përmendja e shteteve baltike, mbështetës të linjës më intransigjente të mundshme kundër Moskës. Prandaj, ata duhet t’i marrin parasysh këta faktorë rreziku “para se të flasin për sulme thellë brenda territorit rus”.
Disa nga këto vende, së bashku me Poloninë, kanë thënë gjithashtu se janë gati të dërgojnë trupa në terren në Ukrainë, të parashtruara fillimisht nga presidenti francez Emmanuel Macron. Ky do të ishte “një hap tjetër” drejt “një konflikti global”, komentoi Putin, duke paralajmëruar se këta ushtarë “do ta gjenin veten në zonën e pushkatimit të forcave të armatosura ruse”.
Lajme
Mickoski nga Strumica në 36-vjetorin e VMRO: Ideja për Maqedoninë sot është më e fortë se kurrë
Kryeministri Hristijan Mickoski, sonte nga Strumica porositi se ideja që nisi para 36 vitesh me themelimin e VMRO-DPMNE-së jo vetëm që ka mbijetuar, por sot është më e fortë se kurrë.
Në fjalimin e tij me rastin e 36-vjetorit të partisë, Mickoski theksoi se ky tubim nuk është vetëm shënim i një jubileu, por konfirmim se ëndrra për Maqedoninë vazhdon të jetojë dhe të zhvillohet.
“Jemi mbledhur sonte për të treguar se ideja që filloi para 36 vitesh jo vetëm që mbijetoi, por sot është më e fortë se kurrë. Ajo ide, ajo ëndrra jonë, ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë Maqedonia”, tha Mickoski.
Ai nënvizoi se Maqedonia ka rikthyer energjinë, shpresën dhe vizionin, duke shtuar se qytetarët po besojnë sërish te vetja dhe te e ardhmja e shtetit.
Sipas tij, forca e Maqedonisë qëndron te populli, i cili, siç tha ai, nuk hoqi dorë nga atdheu dhe qëndroi i fortë edhe në periudhat më të vështira. Mickoski vlerësoi se pikërisht kjo energji popullore është motori i ndryshimeve dhe përparimit.
Nga Strumica u dërgua mesazhi se shteti po ecën përpara dhe se procesi i zhvillimit duhet të vazhdojë me ritëm edhe më të shpejtë.
“Maqedonia po ngrihet në këmbë, hap pas hapi po ecim përpara dhe duhet të përshpejtojmë. Ky është obligimi ynë. Maqedonia që përshpejton”, theksoi kryeministri.
Në fjalimin e tij ai u ndal edhe te kritikat se rezultatet nuk po vijnë mjaftueshëm shpejt, duke theksuar se i kupton pritjet e qytetarëve, por edhe peshën e problemeve të trashëguara.
“Do të doja të kisha një shkop magjik për t’i zgjidhur problemet brenda natës, por nuk e kam. Mund të them se po bëjmë hapa përpara. Të vegjël, ndoshta jo aq të mëdhenj, por të sigurt”, tha Mickoski.
Ai shtoi se qeveria po punon në kushte me shumë sfida dhe probleme të trashëguara, por se çdo energji e investuar dhe çdo sakrificë për një të ardhme më të mirë të qytetarëve ia vlen.
Lajme
Ali Ahmeti: Asgjë nuk na është dhuruar, çdo e drejtë është fituar me sakrificë
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së partisë në Karposh, ku ka vlerësuar organizimin dhe përkushtimin e anëtarësisë ndaj vlerave mbi të cilat, sipas tij, është ndërtuar rrugëtimi politik i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Në fjalimin e tij, Ahmeti u ndal te historia dhe sfidat me të cilat janë përballur shqiptarët e Karposhit ndër vite, duke kujtuar periudhat kur ata ishin të ekspozuar ndaj padrejtësive, presioneve dhe përpjekjeve për margjinalizim.
“Karposhi mban në kujtesën e tij kohë jo të lehta, kur shqiptari përballej me padrejtësi, me frikë dhe me përpjekje të vazhdueshme për t’u margjinalizuar. Por asnjëherë nuk u dorëzua. Përkundrazi, nga ato sfida lindi vendosmëria për të qëndruar dhe për të mbrojtur dinjitetin”, tha Ahmeti.
Lideri i BDI-së theksoi se të arriturat e shqiptarëve nuk kanë ardhur rastësisht, por janë rezultat i sakrificës së gjeneratave të tëra.
“Asgjë nuk na është dhuruar. Çdo e drejtë, çdo avancim dhe çdo sukses mban vulën e sakrificës së brezave të tërë. Në këtë rrugëtim, BDI ka qenë organizimi politik që ka artikuluar, mbrojtur dhe avancuar kërkesat legjitime të shqiptarëve”, deklaroi ai.
Ahmeti bëri thirrje për ruajtjen e unitetit dhe vazhdimin e angazhimit politik me vizion e përgjegjësi, duke theksuar se Karposhi mbetet një dëshmi e qëndresës dhe e aftësisë së shqiptarëve për të ndërtuar të ardhmen e tyre me dinjitet.
Sipas tij, përgjegjësia e brezit të sotëm është të ruajë trashëgiminë politike dhe kombëtare, duke vazhduar rrugën përpara me besim dhe përkushtim.
Lajme
Haziri për konstituimin e institucioneve: Partitë duhet të bëjnë ‘marrëveshje pako’ për të evituar krizën e re
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, foli për “marrëveshje pako”.
Në një intervistë për T7, ai tha se askush nuk ka fuqi politike, “duhet ulur ta gjejmë një zgjedhje dhe eviton krizën e re politike”, theksoi Haziri.
Prandaj sipas tij, “partitë politike duhet të bashkëpunojnë në një marrëveshje politike pako”.
Teksa shton se “shtetit do i kthehej stabiliteti, normaliteti politik”.
-
Lajme7 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme7 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
