Lajme
ASH: Ministri Azir Aliu mashtroi 155 punonjës shëndetësorë në Tetovë
Aleanca për Shqiptarët (ASH) e udhëhequr nga Arben Taravari thekson se ministri aktual i shëndetësisë, Azir Aliu ka mashtruar 155 punonjës shëndetësorë në Tetovë, duke u premtuar se problemi me ta do të zgjidhet dhe se do të ketë vendime pune.
Ja reagimi i plotë:
Më 17 qershor 2025, Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një vizitë publike në Spitalin Klinik të Tetovës, u premtoi 155 infermiereve dhe punonjësve shëndetësorë se problemi me vendimet e punës do të zgjidhet “shumë shpejt”. Ai deklaroi se ata janë pjesë vitale e sistemit shëndetësor dhe se zgjidhja “duhet të ndodhë para afateve ligjore”.
Por sot, më 20 korrik, ajo që mbetet nga ato deklarata janë vetëm fjalë boshe.
Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga Azir Aliu, ka dështuar rëndë. Fondi për Sigurim Shëndetësor, me dokument zyrtar të datës 14.07.2025, të nënshkruar nga dy drejtorë të saj, ka dhënë “mendim negativ” për kërkesën për punësimin e 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës.
Kjo është jo vetëm një goditje e rëndë për stafin shëndetësor që punon në kushte të vështira dhe pa status të siguruar, por edhe një turp i madh politik për ministrin Aliu dhe subjektin që e propozoi – VLEN.
Ky është mashtrim publik me kamera. Premtim i dhënë, por i tradhtuar. Garanci e dhënë, por e braktisur.
Kjo tregon qartë pafuqinë totale të Ministrit të Shëndetësisë për të ndikuar në vendimmarrjen institucionale edhe kur bëhet fjalë për çështje jetike për komunitetin shqiptar,por e qasjen përjashtuese dhe diskriminuese të shtetit ndaj institucioneve ku shumica janë shqiptarë, duke përdorur burokracinë si instrument për të shtypur të drejtat themelore – siç është e drejta për punë të qëndrueshme.
Ne i kujtojmë Ministrit Azir Aliu se qytetarët nuk kanë harruar premtimet e tij të zëshme në fillim të mandatit, dhe as nuk do ta harrojnë heshtjen e tij të sotme – në ditën kur vendimi zyrtar për refuzim ka dalë.
Nëse Ministri i Shëndetësisë nuk është në gjendje as të bindë Fondin për të përkrahur një vendim që vetë e ka iniciuar, atëherë është e qart, Aliu nuk është Ministër, por një spektator i paaftë në një sistem që i përjashton shqiptarët.
E njëjta gjë vlen edhe për VLEN, nëse nuk mund të sigurojë të drejtat më elementare të profesionistëve shqiptarë në institucionet publike, atëherë e ka humbur të drejtën morale për të përfaqësuar këtë popull”, reagoi ASh.
Lajme
MEF Energy Forum 2026/ Hoxha: Shkupi do të jetë nikoqir i forumit më të madh energjetik në rajon
Më 1 dhe 2 qershor 2026, Shkupi do të shndërrohet në qendrën e dialogut rajonal për të ardhmen energjetike dhe klimatike të Evropës Juglindore, përmes edicionit të nëntë të MEF Energy Forum 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon.
Në kushtet e një transformimi gjithnjë e më intensiv klimatik dhe energjetik, fokusi nuk është më nëse ndryshimet do të ndodhin, por si do të realizohen ato, me çfarë ritmi dhe sa të drejta do të jenë për qytetarët dhe ekonomitë. Pikërisht për këtë arsye, forumi paraqet një platformë të rëndësishme që bashkon vendimmarrës, rregullatorë, investitorë, organizata ndërkombëtare dhe përfaqësues të shoqërisë civile, theksojnë organizatorët.
Gjatë viteve të fundit, MEF është konsoliduar si një nga platformat kryesore rajonale për diskutim dhe hartim politikash në fushën e energjisë dhe ndryshimeve klimatike. Edicioni i sivjetshëm merr peshë shtesë pasi forumi do të jetë një ngjarje zyrtare partnere në kuadër të presidencës së COP31.
Organizatorët theksojnë se përfundimet dhe rekomandimet që do të dalin nga forumi nuk do të kenë rëndësi vetëm për vendet e rajonit, por do të kontribuojnë edhe në debatet më të gjera ndërkombëtare për politikat klimatike dhe tranzicionin energjetik.
Ngjarja organizohet në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
“Sfidat e sotme nuk njohin kufij, prandaj edhe përgjigjja duhet të jetë e përbashkët. Bashkëpunimi rajonal është kyç për qëndrueshmërinë klimatike, stabilitetin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm. MEF është një mundësi për partneritete të reja dhe zgjidhje konkrete me efekt real për qytetarët”, deklaroi ministri Muhamet Hoxha.
Një theks i veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit rajonal si parakusht për qëndrueshmërinë klimatike, stabilitetin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Forumi do të mundësojë lidhjen e përfaqësuesve qeveritarë, kompanive dhe institucioneve financiare nga Ballkani Perëndimor, Turqia, Bashkimi Evropian dhe partnerë të tjerë globalë.
Sipas organizatorëve, MEF Energy Forum 2026 nuk është vetëm një konferencë, por një hapësirë ku politikat lidhen me sfidat reale, ndërsa ambiciet klimatike shndërrohen në iniciativa dhe zgjidhje konkrete. Kështu, këtë verë Shkupi do të jetë vendi ku do të zhvillohen diskutimet kyçe për të ardhmen energjetike të rajonit.
Lajme
Zbulohen fitimet e biznesit legal të Gruevskit në Hungari?!
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili nga viti 2018 jeton në Hungari, prej disa vitesh ka të regjistruar një kompani konsulence përmes së cilës siguron të ardhura nga shërbimet e biznesit, njoftoi portali hungarez “444”.
Sipas të dhënave që transmeton ky portal, Gruevski në vitin 2021 ka themeluar kompaninë “I.C.I.C Kft.”, e regjistruar për aktivitete konsulence. Bëhet fjalë për një kompani të vogël pa punonjës, e cila vepron në fushën e këshillimit për biznes dhe menaxhim.
Pasqyrat financiare tregojnë se kompania në vitin 2025 ka realizuar të ardhura prej rreth 9.600 euro, përkatësisht 3,4 milionë forinta hungareze.
Në vitin 2024, të ardhurat kanë qenë pak më të larta dhe kanë arritur në rreth 11.600 euro, respektivisht 4,1 milionë forinta.
Sipas të dhënave të publikuara, kompania në vitin 2025 ka përfunduar me një fitim prej rreth 5.650 euro, ose pothuajse 2 milionë forinta. Edhe pse të ardhurat nuk janë të larta, ato tregojnë se firma ka një aktivitet të vazhdueshëm që nga themelimi i saj.
Mediumi hungarez shton se të ardhurat e rregullta mund të tregojnë për një klient të përhershëm ose për një rreth të kufizuar klientësh, por në të dhënat e disponueshme nuk specifikohet se kush i shfrytëzon shërbimet e kësaj kompanie.
Ky informacion publikohet në një periudhë kur sërish është hapur çështja e statusit juridik të Gruevskit në Hungari. Portali hulumtues “VSquare” njoftoi se ish-kryeministri dyshohet se ka marrë shtetësinë hungareze në vitin 2022, bazuar në interesin shtetëror hungarez.
Një informacion i tillë deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar publik nga autoritetet hungareze. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria nuk ka informacion zyrtar nëse Gruevski posedon shtetësi hungareze.
Nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se Gruevski vazhdon të jetë shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe se institucionet po i vijojnë procedurat lidhur me ekstradimin e tij, në përputhje me legjislacionin vendas, marrëveshjet dypalëshe dhe konventat ndërkombëtare.
Rasti mbetet aktual për shkak të procedurave gjyqësore që po zhvillohen në Maqedoni, si dhe për shkak të pyetjeve lidhur со statusin dhe qëndrimin e tij në Hungari.(INA)
Lajme
Personi që humbi jetën mbrëmë në Shkup, pas përplasjes me motor, është një 19 vjeçar
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë në rrugën e Plastikave në Shkup, ku janë përplasur një veturë dhe një motoçikletë.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e Ndihmës së Shpejtë, të cilat kanë ndërmarrë përpjekje për reanimimin e të riut 19 vjeçar i cili ka drejtuar motoçikletën dhe më pas e kanë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Qytetit.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, vdekja e M.F. është konstatuar në orën 23:11.
Policia ka bllokuar pjesërisht segmentin rrugor ku ndodhi aksidenti dhe ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit. Hetimet janë në vazhdim.
-
Lajme6 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme6 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
