Sport
Intervistë ekskluzive/ Flet Adis Emruli, futbollisti shqiptar që po bën namin në Slloveni
Në futbollin e sotëm, gjithnjë e më shumë lojtarë të rinj po kërkojnë rrugën e tyre jashtë vendit. Një prej tyre është edhe Adis Emruli, futbollist me përvojë në kampionatin slloven, i cili është paraqitur me fanellat e NŠ Mura, NK Čarda Martjanci dhe Beltinci. Me një karrierë që po ndërtohet hap pas hapi, Emruli flet për përvojën e tij, sfidat dhe objektivat e së ardhmes.
Adis, si ka nisur rrugëtimi yt në futboll dhe si përfundove në kampionatin slloven?
Futbolli ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Kam kaluar shumë kohë duke punuar mbi veten dhe duke kërkuar hapin e radhës. Mundësia për të shkuar në Slloveni erdhi pas kontakteve profesionale dhe u bë një moment kyç për karrierën time. Vendosa ta pranoj sfidën dhe sot mund të them se ishte vendimi i duhur.

Cila ka qenë përvoja jote me klubet sllovene ku je paraqitur?
Në Slloveni kam qenë pjesë e disa klubeve, ndër to edhe Čarda Martjanci dhe Beltinci. Çdo klub ka pasur stilin e vet, filozofinë e vet të punës dhe çdo stinor më ka ndihmuar të rritem si lojtar. Futbolli slloven është i organizuar mirë dhe të detyron të punosh në detaje.
Në çfarë pozite ndihesh më komod në fushë dhe cilat janë cilësitë e tua më të forta?
Pozita ku luaj më shpesh është ajo e mbrojtësit. Është një rol që kërkon përqendrim, vendosmëri dhe komunikim të vazhdueshëm me ekipin. Mendoj se forca ime qëndron te leximi i lojës dhe qëndrueshmëria gjatë ndeshjes.
Sa sfiduese ka qenë të ndërtosh karrierën në një kampionat tjetër, larg shtëpisë?
Nuk është e lehtë të largohesh nga mjedisi yt i parë dhe të ndërtosh gjithçka nga fillimi. Por çdo sfidë e re të jep edhe forcë të re. Përshtatja ka kërkuar kohë, por me punë dhe disiplinë gjithçka bëhet më e lehtë.

Si e sheh nivelin e futbollit në Slloveni?
Futbolli këtu është i strukturuar mirë, me ritëm të shpejtë dhe me shumë theks te taktika. Edukimi sportiv është serioz dhe stafet punojnë shumë me lojtarët për t’i zhvilluar në çdo aspekt. Është vend i mirë për t’u rritur profesionalisht.
Cili ka qenë momenti që të ka lënë më shumë mbresa deri tani?
Ka pasur disa momente të bukura, por një prej tyre është debutimi im i parë në kampionatin slloven. Ishte një ndjenjë që nuk harrohet — një përzierje emocionesh, përgjegjësie dhe krenarie.

Sa e rëndësishme është për ty vazhdimësia dhe ruajtja e formës?
Shumë e rëndësishme. Futbolli është ritëm. Nëse nuk punon çdo ditë, e humb atë që ke ndërtuar. Stërvitja, ushqimi dhe rikuperimi janë pjesë e pandashme e jetës së një futbollisti.
Si është një ditë e zakonshme e jote gjatë sezonit?
Dita ime ndahet midis stërvitjes dhe kujdesit ndaj vetes. Zakonisht kam seancë fizike ose taktike me ekipin, pastaj rikuperim, analizë të ndeshjeve dhe punë individuale. Pjesën tjetër të kohës e përdor për të pushuar dhe për të qenë gati për sfidat e radhës.
Kush të ka mbështetur më shumë në rrugëtimin tënd?
Familja ka qenë gjithmonë pranë meje. Edhe kur jam larg, mbështetja e tyre më jep forcë. Po ashtu trajnerët dhe bashkëlojtarët kanë pasur rol të madh në rritjen time.

Çfarë objektivash ke për të ardhmen?
Dua të vazhdoj të rritem në nivel profesional dhe të arrij në një kategori më të lartë të futbollit evropian. Ambicia është një nga elementët që më shtyn përpara dhe më motivon çdo ditë.
Cili është mesazhi yt për të rinjtë që ëndërrojnë futbollin profesionist?
Të mos ndalen kurrë. Futbolli kërkon durim, disiplinë dhe shumë punë. Mundësitë vijnë kur je gati, prandaj çdo ditë duhet të jetë një hap drejt përmirësimit. Ëndrrat realizohen vetëm kur beson dhe punon fort për to.
Sport
Norvegjia “tremb” Francën, Haaland një “përbindësh”, shkëlqen me dygolësh
Norvegjia ka hedhur kandidaturën për të qenë një nga surprizat e mundshme të Kupës së Botës pas fitores 3-2 përballë Senegalit në ndeshjen e dytë në grup, duke u bërë gati për “finalen” përballë Francës që do të përcaktojë kreun, pasi të dy skuadrat kanë siguruar kualifikimin në turin tjetër.
Në një ndeshje të dominuar nga norvegjezët që në start, ishte Pedersen ai që u dha avantazhin në fundin e pjesës së parë.
Më pas, e kishte radhën Haland të shënonte dy herë, duke bërë të pavlefshme tentativat e ekipit afrikan për të marrë diçka nga kjo sfidë me dy golat e Sarr që shërbyen vetëm për statistikë.
Kështu, Norvegjia fitoi për herë të parë dy ndeshje në një edicion të Kupës së Botës dhe Haland mbeti në garë për “Këpucën e Artë” të turneut duke mos iu ndarë dyshes Mesi-Mbape. Kurse Senegali, mban ende gjallë shpresa për kualifikim mes të tretave më të mira nëse mund Irakun.
Sport
Francë – Irak, publikohen 11-shet zyrtare: Deschamps bën lëvizje në repartin ofensiv
Është gjithçka gati për ndeshjen mes Francës dhe Irakut, e vlefshme për javën e dytë të Grupit I në Kupën e Botës 2026.
Pas fitores së thellë në takimin e parë, Franca synon të vulosë kalimin në fazën me eliminim direkt, ndërsa Iraku hyn në këtë përballje me objektivin për të marrë pikët e para në kompeticion.
Trajneri Didier Deschamps ka zgjedhur formacionin më të mirë të mundshëm, duke i besuar vijës së sulmit të udhëhequr nga Kylian Mbappé, së bashku me Michael Olise, Ousmane Dembélé dhe Bradley Barcola.
Nga krahu tjetër, irakianët do ta kërkojnë befasinë me Basil në portë dhe me Hussein në sulm, përballë një prej skuadrave që konsiderohet favorite e turneut.
Francezët paraqiten në këtë duel me vetëbesim të lartë pas suksesit në debutim, aty ku u dalluan Michael Olise dhe Kylian Mbappé. Ndërkohë, Iraku do të përpiqet të përballojë presionin e “Les Bleus” dhe të mbetet në garë për kualifikim.
Formacioni i Francës: Maignan, Digne, Upamecano, Koundé, Saliba, Koné, Rabiot, Dembélé, Mbappé, Michael Olise, Barcola.
Formacioni i Irakut: Basil, Ali, Tahseen, Hashim, Doski, Bayesh, Iqbal, Alammari, Ismael, Qasem, Hussein.
Sport
Arijan Topallaj brutal para çekut, momneti kur e mposhti me “submission”
Kampioni shqiptar i MMA-së, Arijan Topallaj, ka shënuar një fitore të rëndësishme në karrierën e tij, sfidë ku i pranishëm ishte edhe ylli i Kosovës Fisnik Asllani.
Topallaj triumfoi ndaj çekut Jan Stanovsky në meçin e zhvilluar në Berlin të Gjermanisë, duke treguar edhe një herë cilësitë e tij në kafaz.
Përballja zgjati deri në raundin e dytë, kur shqiptari e detyroi kundërshtarin të dorëzohej pas një “submission”, duke siguruar kështu fitoren në mënyrë bindëse.
Me këtë sukses, “The Albanian Eagle” e çon bilancin e tij në 10 fitore, 2 humbje dhe 1 barazim në karrierën profesionale.
-
Lajme7 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme7 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
