Lajme
Buxhovi: Rugova ia dha përgjigjen Millosheviqit që në vitin 1989
Historiani Jusuf Buxhovi ka vlerësuar se 28 qershori i vitit 1989 në Gazimestan shënoi fillimin e fundit të mitit serb për Kosovën dhe të politikës hegjemoniste të regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Ai kujton se fjalimi i Millosheviqit hapi kapitullin e luftërave në ish-Jugosllavi, ndërsa kundërpërgjigjja e Ibrahim Rugovës në revistën gjermane Der Spiegel paralajmëroi dështimin e politikave serbe. S
Sipas Buxhovit, epilogu historik i kësaj përballjeje ishte çlirimi i Kosovës dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, ndonëse, siç thekson ai, klerofashizmi serb vazhdon të përpiqet ta mbajë gjallë mitin e Kosovës përmes shënimit të Vidovdanit.
MITI I SAJUAR I KOSOVËS, KLEROFASHIZMI SERB DHE SHTETI I KOSOVËS…
Para 37 vitesh në Gazimestan, para turmës një milionëshe serbe, me fjalët se “pas gjashtë shekujsh, prapë gjendemi para betejave dhe në beteja, të cilat nuk janë të armatosura, por sado që të tilla nuk përjashtohen”, Milosheviqi, hapi kapitullin e përgjakshëm të rrënimit të Jugosllavisë me pasoja tragjike për popujt e saj.
Në këtë ditë, në tribinën e Gazimestanit, para kryesisë së shkërmoqur jugosllave dhe sy botës së hutuar me ato që po ngjisnin me trashëgimin e Titos, u promovua “vozhdi” serb i reinkarnuar nga Lazari i Kosovës që ta rikthejë “lavdinë histotorike serbe” dhe, si tha, “misionarizmin e serbëve për ta mbrojtur qytetërimin europian” (kuptohet nga shqiptarët pushtues të tokave të shenjta serbe)!
Po ato ditë, diku afër Gazimestanit, dr. Ibrahim Rugova, asokohe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në një intervistë historike dhënë magazinit gjerman “Der Spiegel”, ndër të vetmit, në emër të ndërgjegjes intelektuale, historike, kulturore dhe politike (ndonëse pa mandat të saj), ia ktheu përgjigjen kërcënimeve të Millosheviqit drejtuar shqiptarëve po edhe të tjerëve në festën klerofashishte të Vidovdanit serb.
Me pak fjalë, kundërpërgjigja e Dr Rugovës Millosheviqit, në të përjavshmen më të fuqishme gjermane dhe europiane të kohës, ishte se në mars të atij viti, në ditën e 23-të, Millosheviqi, me tanke dhe në rrethanat e gjendjes së jashtëzakonshme, rrënoi autonominë e Kosovës, si njësi federative. Me këtë bëri puç ndaj kushtetutës jugosllave. Ky veprim nga shqiptarët shikohet si ripushtim i Kosovës, mbas atij të vitit 1945. Me këtë rast Rugova tërhiqte vërejtjen serbëve se “sa herë ndonjë popull i vogël, e të tillë janë edhe serbët, kanë provuar të vejnë hegjemoni në Ballkan, kanë përfunduar tragjikisht”.
Pra, orgjia klerofashishte serbe e qershorit të vitit 1989, përfundoi siç parashikonte dr Rugova në magazinin gjerman. Por nga këndvështrimi i sotëm historik, Gazimestani nxori në pah dy nga akterët më të rëndësishëm të saj, që shënuan epoka me kah të kundërt.
Në njërën anë, Millosheviqin – humbës të saj, i cili në vitin 2003, si president i mbetjes jugosllave, përfundoi në Trtibunalin Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte kundër njerëzimit ku edhe vdiq gjatë procesit në vitin 2006.
Dhe, në tjetrën anë – dr Ibrahim Rugovën, si lider historik të shqiptarëve, i cili, me themelimin e LDKs-ë më 23 dhjetor të vitit 1989, me mandatin e votës së lirë nga zgjedhet presidenciale dhe parlamentare në vitin 1992 dhe 1998, mori përgjegjësinë historike të rezistencës institucionale-aktive paqësore (me shtetin paralel) deri te ajo e armatosur, e cila solli ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.
Historia, midis demistifikimit të mitit të sajuar serb të Kosovës për qëllime hegjemoniste dhe të lirimit të Kosovës prej tij që për epilog pati shtetin e pavarur të Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, mund të thuhet se fillimin e fundit e pati më 28 qershor 1989 në Gazimestan.
Ky kapërcim i jashtëzakoshëm historik, megjithatatë, ka lënë prapa frymën e klerofashizmit serb, i cili, në çdo Vidovdan, përpiqet që në Kosovë, ta mbajë të gjallë mitin mesjetar të “Kosovës djep historik serb”, sadoqë realiteti (shteti i Kosovës dhe përkatësia perëndimore e shqiptarëve) e ka zhvlerësuar deri në anakronizëm!
Lajme
Lazim Destani feston ditëlindjen, urimi i të birit Blerim emocionon ndjekësit
“Urime ditëlindjen, babë i dashur!” – mesazhi i aktorit të njohur për të atin
Sot është një ditë e veçantë për familjen Destani. Biznesmeni dhe filantropi i njohur shqiptar, Lazim Destani, feston ditëlindjen, ndërsa në këtë ditë të veçantë nuk ka munguar urimi i të birit, aktorit me famë ndërkombëtare, Blerim Destani.
Me një mesazh të shkurtër, por plot dashuri e emocion, Blerimi ka zgjedhur rrjetet sociale për t’ia uruar ditëlindjen të atit.
“Urime ditëlindjen, babë i dashur!”, ka shkruar aktori, duke e shoqëruar urimin me një fotografi të ngrohtë përkrah të atit.
Një urim i thjeshtë në fjalë, por që përcjell shumë për marrëdhënien e veçantë mes babait dhe të birit.
Lazim Destani prej vitesh është një nga emrat e njohur të diasporës shqiptare, i vlerësuar për aktivitetin e tij në biznes, por edhe për kontributin në iniciativa humanitare, sociale dhe në mbështetje të komunitetit shqiptar.
Lajme
Vrasja në Ksamil, gjykata lë në burg Sokrat Vatën: Çfarë u vendos për të arrestuarit e tjerë
Gjykata e Sarandës ka caktuar masat e sigurisë për personat e arrestuar pas ngjarjes së rëndë në Ksamil, ku humbi jetën një turist portugez.
Për autorin e dyshuar të vrasjes, Sokrat Vatën është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Po ashtu me masën e arrestit me burg janë lënë edhe dy shtetasit turq, Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu.
Për Ildi Cekanin dhe Ardit Kasemin është caktuar arresti në burg për një afat 45-ditor.
Ndërkohë, për Luciano Seferin, Moisi Matushajn, Romeo Shehun dhe Kristo Koshon është vendosur masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Lajme
VANDALIZËM NË MALIN SHARR: Dëmtohen shtyllat që orientonin alpinistët
Shtyllat e shenjëzimit dimëror për orientim të vizitorëve në Malin Sharr janë dëmtuar. Këta shtylla janë vendosur në shtegun nga Kodra e Diellit deri tek Maja e Titos. Sipas kryetarit të Komunës së Bogovinës Feti Abazi, mbi 45 nga 112 shtyllat e vendosura janë dëmtuar, shkatërruar ose larguar. “Ky është një dëm i madh për një projekt të realizuar me mbështetjen e Ambasadave të Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë, me pjesëmarrjen e vullnetarëve dhe bizneseve lokale nga Komuna e Bogovinës dhe Tetovës. Turizmi malor është një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e Komunës së Bogovinës. Prandaj, çdo akt vandalizmi dëmton jo vetëm një investim, por edhe përpjekjet tona për ta zhvilluar dhe promovuar Malin Sharr si destinacion turistik”, shkruan në reagimin e tij kryetari i Komunës së Bogovinës Feti Abazi.
Ka reaguar edhe Ambasada e Austrisë. Nga Ambasada theksojnë se dëmi nuk është vetëm financiar, pasi shkatërrimi i shënjimeve mund të rrezikojë drejtpërdrejt sigurinë e alpinistëve, veçanërisht gjatë kushteve të vështira dimërore me borë, mjegull, erëra të forta dhe dukshmëri të reduktuar. Ambasada pret që institucionet kompetente të zbardhin të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave përgjegjës. “Shënjimi i shtigjeve malore nuk është vetëm një shtyllë apo një shenjë. Në kushte me borë, mjegull dhe stuhi, ai mund të bëjë dallimin ndërmjet kthimit të sigurt dhe humbjes në mal”, thuhet në reagim.
Shënjimi i kësaj traseje, e gjatë rreth 11 kilometra, u vendos nga nëntori i vitit 2025 deri në fund të korrikut 2026, me pjesëmarrjen e më shumë se 25 vullnetarëve, të cilët investuan një angazhim të konsiderueshëm dhe orë pune në transportin dhe vendosjen e pajisjeve. Nga Parku Kombëtar “Mali Sharr” thonë se në kushtet e dimrit, shenjëzimi veror mbulohet nga bora, ndërsa në pjesë të caktuara shtegu dimëror devijon qëllimisht nga ai veror për shkak të rrezikut nga ortekët dhe rreziqeve të tjera. “Shtyllat janë të prodhuara për kushte të vështira malore dhe janë të shënuara me shenja shumë të dukshme me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë, në mënyrë që të jenë të dallueshme edhe në borë, mjegull, gjatë natës dhe në kushte me dukshmëri të reduktuar. Kjo nuk është vetëm dëm material. Çdo shtyllë e hequr ose e shkatërruar nënkupton edhe humbjen e një pike orientimi, e cila në kushte të vështira dimërore mund të jetë vendimtare për sigurinë e alpinistëve”, thonë nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”. Rasti është raportuar në Stacionin Policor. Më 19 gusht 2026, një ekip profesional i policisë, në prani të përfaqësuesve të Parkut Kombëtar Mali Sharr, ka kryer inspektim në terren dhe ka dokumentuar lokacionet ku është konstatuar dëmtimi dhe largimi i pajisjeve.
Shoqatat malore theksojnë se ky nuk është vetëm dëm material. “Pas pajisjeve të shkatërruara qëndron diçka shumë më e rëndësishme, pra mundi i njerëzve që punuan që Mali Sharr të jetë më i sigurt dhe më mirë i përgatitur për alpinistët dhe vizitorë”, thuhet mes tjerash në reagimin e shoqatave malore. (koha.mk)
-
Lajme9 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme9 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
