Connect with us

Lajme

Një e treta e qytetarëve duan të largohen nga vendi, kryesisht të moshës 40 – 49 vjeç

Çdo i treti person në Maqedoni të Veriut mendon të largohet nga vendi, tregon hulumtimi i opinionit publik i realizuar për Detektor nga Instituti për hulumtime politike në Shkup. Sipas hulumtimit 32.3% e të anketuarve deklaruan se po mendonin ose kishin menduar ndonjëherë të largoheshin nga vendi, ndërsa 63.6% nuk ​​kishin menduar për këtë temë.

INSTITUTI PËR HULUMTIME POLITIKE

“Është për t’u habitur që më së shumti për emigracionin mendojnë personat nga mosha 40 deri në 49 vjeç, ku 42.5% prej tyre thanë se kishin apo kanë plane për t’u larguar nga vendi. Numra të ngjashmëm prej 42.2% të qytetarëve që mendojnë të largohen janë edhe në grupmoshën 30-39 vjeç, ndërsa ndër më të rinjtë, ata nën 30 vjeç, 37.8% kanë menduar ose po mendojnë të largohen nga vendi”

Krahasimi me anketat e viteve të kaluara, të cilat i ka bërë instituti, nuk tregojnë ndonjë ndryshim të dukshëm në qëndrimet e qytetarëve. Në të gjitha anketat e 5 viteve të fundit, përqindja e qytetarëve që kanë menduar ose po mendojnë të largohen është mbi 30%.

Megjithatë 52,7% e të gjithë qytetarëve të anketuar kanë thënë se në 5 vitet e ardhshme nuk kanë mundësi që të shpërngulen nga vendi, ndërsa 11,5% e të anketuarve janë të sigurt se do të largohen në të njëjtën periudhë.

INSTITUTI PËR HULUMTIME POLITIKE

“Qytetarët shpesh vendosin të largohen për shkak të pagave më të larta (17.2%), kushteve më të mira të punës (15.7%), mundësive më të mira që u ofrohen fëmijëve (12.2%) si dhe sistemit më të mirë shëndetësor dhe arsimor që ofrojnë vendet e huaja (11.5% )”

Tek të rinjtë nën 30 vjeç, pagat e pritshme më të larta (21.7%) dhe kushtet më të mira të karrierës (20.6%) janë arsyet kryesore pse ata largohen ose do të largoheshin nga vendi.

Destinacioni më i preferuar për zhvendosje janë vendet e Bashkimit Europian. 42.7% e qytetarëve thanë se nëse vendosin të largohen, do të shpërngulen në një nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Dy të tretat e qytetarëve tashmë kanë një të afërm që është shpërngulur jashtë vendit. Krahasimi me anketat e 5 viteve të fundit tregon se numri i qytetarëve që kanë të afërm që janë shpërngulur nga vendi është rritur nga 60% vitin e kaluar në 66.6% këtë vit.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Bërvenica para kutive të votimit: Shqiptarët me 3 kandidatë, 6 emra në garë për kryetar!

Komuna e Bërvenicës, ku sipas regjistrimit të fundit shqiptarët përbëjnë rreth 54% të popullsisë, ndërsa maqedonasit 45%, të dielën, më 18 tetor, do të zgjedhë kryetarin e ri në zgjedhjet e parakohshme lokale.

Zgjedhjet mbahen pas vdekjes së papritur të kryetarit Jovica Ilievski në qershor të këtij viti.

Në bllokun politik shqiptar, gara zhvillohet ndërmjet kandidatëve të VLEN-it dhe BDI-së, ndërsa në fletëvotim është edhe një kandidate e pavarur shqiptare.

Koalicioni VLEN garon me Jakup Huseinin, magjistër i shkencave juridike dhe nëpunës në administratën komunale. VLEN thekson se përvoja e tij institucionale i mundëson të fillojë menjëherë punën.

Nga ana tjetër, BDI-ja dhe koalicioni AKI kanë kandiduar Arkin Jahiji, jurist dhe këshilltar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë. Jahiji në fushatën e tij ka theksuar bashkimin e qytetarëve dhe tejkalimin e ndarjeve në komunë.

Në garë merr pjesë edhe kandidatja e pavarur Arife Idrizi, e cila synon mbështetjen e votuesve jashtë blloqeve kryesore partiake.

Ndërkohë, në bllokun maqedonas, VMRO-DPMNE garon me Stojançe Radiçeskin, i cili premton vazhdimin e projekteve infrastrukturore, ndërsa LSDM-ja me Jovica Radeskin, i cili ka vënë theksin te përkujdesja sociale dhe pensionistët. Kandidat i pavarur është edhe Dushan Bogdanovski.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka shprehur mbështetje për kandidatin e VMRO-DPMNE-së dhe ka deklaruar se pret fitore që në raundin e parë.

 

Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, gara në Bërvenicë ishte jashtëzakonisht e ngushtë. Jovica Ilievski fitoi ndaj kandidatit të VLEN-it, Haqim Ramadani, me vetëm 145 vota diferencë në raundin e dytë.

Votimi për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm do të zhvillohet të shtunën, ndërsa të dielën vendvotimet hapen në orën 07:00.

Nëse asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk siguron shumicën e nevojshme, do të mbahet raundi i dytë pas dy javësh.

Continue Reading

Lajme

Taksa e re: Sa ecën, aq paguan! Korridori 8 ndryshon pagesën

Mënyra se si shoferët në Maqedoni paguajnë taksat rrugore mund të ndryshojë. Autoritetet po analizojnë një model të ri për mbledhjen e taksave në Maqedoni, i cili do të zvogëlonte radhët dhe pritjet në pikat e pagesës, dhe tarifa do të llogaritej sipas distancës së përshkuar, apo çmimi të varet nga numri i kilometrave të përshkuara në autostradë. Sistemi i ri po analizohet aktualisht për Korridorin 8 dhe pyetja më e madhe për qytetarët është nëse një ndryshim i tillë do të sjellë kosto më të ulëta apo më të larta udhëtimi. Studimi i ri i fizibilitetit për mbledhjen e taksave rrugore në Korridorin 8, duhet të tregojë nëse taksat rrugore do të mblidhen përmes një sistemi të mbyllur në autostradën nga Shkupi përmes Tetovës, Gostivarit, Kërçovës deri në Ohër, përkatësisht Strugës dhe pikës kufitare Qafëthanë drejt Shqipëri.

Studimi do të përcaktojë nëse kryqëzimet ekzistuese ose të planifikuara të autostradave (hyrje/dalje) janë të përshtatshme për instalimin e një sistemi të mbyllur të mbledhjes së taksave, cilat teknologji të mbledhjes së taksave janë të përshtatshme (manuale, automatike, elektronike, me rrjedhë të lirë)..

Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, analizat e para kanë të bëjnë me rrugën Kërçovë – Ohër, dhe më pas po shqyrtohet mundësia e aplikimit të tij në Korridorin 8 dhe pjesët e autostradës që po ndërtohen nga “Bechtel dhe Enka”. Sistemi i ri do të mbështetej në etiketa elektronike dhe regjistrimin e automjeteve në hyrje dhe dalje të autostradës, me qëllim që të mundësohet pagesa më e shpejtë pa ndalesa të panevojshme. Futja e tij do të kërkojë analiza teknike, përshtatje të infrastrukturës dhe një kornizë të përshtatshme ligjore.

Kjo metodë e tarifimit mund të jetë më e favorshme për shoferët që përdorin vetëm një pjesë të shkurtër të autostradës. Megjithatë, nëse ata do të paguajnë më pak do të varet nga tarifat që do të vendosen përfundimisht.

Ndryshe, të ardhurat nga taksat rrugore përfaqësojnë një burim të rëndësishëm fondesh për infrastrukturën rrugore në Maqedoni. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, shteti mblodhi një rekord prej 31 milionë euro, nga mbledhja e taksave. Nga mbledhja e taksave vitin e kaluar (deri më 23 dhjetor), u arrit një xhiro prej 67,6 milion euro dhe kjo shifër, duke pasur parasysh frekuencën e shtuar në korrik, gusht dhe shtator, me siguri do të tejkalohet gjatë këtij viti kalendarik. Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore informon se stacioni më i shpeshtë i pagesës së taksave është Tetova, ndërsa sipas mjeteve të mbledhura dhe çmimit të biletave, të ardhurat më të larta janë në Romanovcë, pranë Kumanovës, e ndjekur nga Miladinovci, Petrovec, Glumova, Zhelina, Tetova, Stobi, Preod, Gostivari, Sopoti, Gjevgjelia, Kadrifakova, Otovica dhe Demir Kapija.

Pjesa e mbledhjes elektronike të taksave me M-Card dhe M-TAG në qarkullimin total të taksave është 36 përqind, nga një total prej 11 stacionesh pagesash ku është futur në përdorim. (koha.mk)

Continue Reading

Lajme

Protestat në Shqipëri zgjerohen edhe në 10 qytete të tjera

Edhe këtë të premte Tirana është zgjuar mes valës së protestave të të rinjve, të cilët po protestojnë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe korrupsionit dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protesta po zhvillohen edhe në qytete të tjera të Shqipërsië si, Lezha, Shkodra, Burreli, Laçi, Elbasani, Korça, Vlora, Gjirokastra, Dibra, dhe Pogradeci. Të rinjtë, gjimnazistë dhe studentë, kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar. Edhe në këto qytete, sikurse në Tiranë, protestat janë zhvilluar në një atmosferë të tensionuar.

Në Lezhë ka pasur tensione mes protestuesve dhe Policisë, ku palët janë përplasur fizikisht dhe ka pasur të lënduar policë dhe një protestuese. Në drejtim të një gjimnazi janë hedhur gurë. Më pas, Policisë i është dhënë urdhër të tërhiqet dhe të shmangë përplasjet me të rinjtë.

Në Tiranë protestuesit janë grumbulluar para Ministrisë së Arsimit ku ka nisur përplasja me policinë.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama ka reaguar nga një prej kioskave të djegura në qendër të Tiranës, Rama përsëriti dhe njëherë, se kjo nuk është dorë e studentëve. Ai tha se, ata që fshihen pas këtij kaosi, po i rrezikojnë jetën të miturve, duke i maskuar e nxitur drejt dhunës e shkatërrimit.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

“Këta nuk janë studentët, as ata që marrin peng qytetin gjatë ditës nuk janë studentët, e as ata që në mbrëmje predikojnë lëvizjen, përpjekjen, revoltën studentore s’kanë të bëjnë me ju. Si mund të nxirren të miturit në rrugë, si mund të nxiten të miturit të vënë maska, të shkulin trotuarët që mirëmbahen përditë me taksat tuaja dhe të qëllojnë policinë. Si mund të rrezikohet jeta e të miturve duke u hedhur në rrugë për agjentë të tjerëkujt”.

Që nga 13 tetori, protestat e studentëve janë shoqëruar me përplasje me Policinë, djegie dhe dëmtime të pronës publike e private. Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për t’i shpërndarë turmat dhe për të vënë situatën nën kontroll. 

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme10 hours ago

Bërvenica para kutive të votimit: Shqiptarët me 3 kandidatë, 6 emra në garë për kryetar!

Komuna e Bërvenicës, ku sipas regjistrimit të fundit shqiptarët përbëjnë rreth 54% të popullsisë, ndërsa maqedonasit 45%, të dielën, më...

Lajme10 hours ago

Taksa e re: Sa ecën, aq paguan! Korridori 8 ndryshon pagesën

Mënyra se si shoferët në Maqedoni paguajnë taksat rrugore mund të ndryshojë. Autoritetet po analizojnë një model të ri për...

Lajme10 hours ago

Protestat në Shqipëri zgjerohen edhe në 10 qytete të tjera

Edhe këtë të premte Tirana është zgjuar mes valës së protestave të të rinjve, të cilët po protestojnë kundër rritjes...

Lajme10 hours ago

Rritje pagash për ushtarët nga 1 janari, zgjidhje për ata që mbushin 45 vjeç

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vlado Misajllovski, ka paralajmëruar rritje të pagave për pjesëtarët e Armatës dhe punonjësit...

Lifestyle1 day ago

Afrona dhe Androna Thaçi, motrat e vogla nga Tetova që po sjellin emocion me këngën “Për çdo fëmijë” në “Akordet e Kosovës”

Talentet e reja nga Tetova po ngjiten në skenën muzikore! Afrona dhe Androna Thaçi marrin pjesë në edicionin e katërt...

Lajme2 days ago

Në Maqedoni do të prodhohen pjesë për “Audi”! Mickoski: 2.000 vende të reja pune

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi sot një investim të ri të kompanisë gjermane “Kromberg & Schubert”, i...

Lajme2 days ago

Ndryshimet në postet e zv/ministrave dhe drejtorëve, Kasami: Javën tjetër takohemi me Mickoskin

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami në një deklaratë për mediat, ka thënë se javën tjetër pritet të takohet me kryetarin...

Lajme2 days ago

Rama: Nuk jap dorëheqje, Qeveritë ndryshohen me zgjedhje, jo me dhunë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes pas protestave të shoqëruara me përplasje dhe dëmtime në Tiranë,...

Lajme2 days ago

Shkup–Dubai pa ndalesa: Nga marsi nisin fluturimet tri herë në javë!

Nga marsi i vitit 2027, Shkupi dhe Dubai do të lidhen me fluturime të drejtpërdrejta, tri herë në javë, përmes...

Lajme2 days ago

Pëson lëndim të rëndë, Shkëndija mbetet pa Drilon Islamin

Ndeshja përballë Shkëndijës së Haraçinës ka rezultuar fatale për mesfushorin e Shkëndijës së Tetovës, Drilon Islami, i cili pësoi një...

Trending