Lajme
Lazim Destani nga Düsseldorf: Investimet janë kyçe për zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut
Lazim Destani, Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, mori pjesë në një panel diskutimi me temë “Mundësitë e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut”, i cili u mbajt në Düsseldorf.
Paneli mblodhi përfaqësues të biznesit nga Maqedonia e Veriut dhe Gjermania, si dhe përfaqësues institucionalë, duke përfshirë Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin për Çështjet Evropiane, Bekim Sali. Pjesëmarrja e gjerë dëshmoi interesin dhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për tërheqjen e investimeve të huaja.
Gjatë diskutimeve u trajtuan në mënyrë konkrete potencialet ekonomike të vendit, reformat e ndërmarra për përmirësimin e klimës së biznesit, si dhe mekanizmat që garantojnë siguri dhe mbështetje për investitorët e huaj.
Në fjalën e tij, Destani theksoi rëndësinë e rolit të diasporës në promovimin e mundësive investuese dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve dhe institucioneve.
Ngjarja u organizua nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjermani, nën drejtimin e ambasadorit Ylber Sela, në bashkëpunim me Wirtschaftsclub Düsseldorf.
Ky aktivitet konfirmoi se dialogu i drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit mbetet kyç për krijimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe për nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
Ja postimi plotë:
Këto ditë mora pjesë në një panel diskutimi me temë: “Mundësitë e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut”. Takimi u mbajt në Dyzeldorf ndërsa u zhvillua diskutim i drejtpërdrejtë dhe strategjik mbi këtë temë që sot është kyçe për zhvillimin ekonomik dhe pozicionimin ndërkombëtar të vendit.
Rëndësinë e këtij paneli e dëshmoi pjesëmarrja e një grupi biznesmenësh nga vendi ynë dhe Gjermania, por edhe prania e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministër për Çështjet Europiane, Bekim Sali, që tregon përkushtimin serioz institucional ndaj tërheqjes së investimeve të huaja dhe avancimit të agjendës europiane.
Në këtë ngjarje, diskutimet nuk u kufizuan vetëm në aspektin teorik por u fol konkretisht për potencialin real ekonomik të vendit, për lehtësirat dhe reformat e ndërmarra, si dhe për nivelin e sigurisë dhe garancive që u ofrohen investitorëve të huaj.
Për mua si pjesëmarrës, ky ishte një moment i rëndësishëm për të vlerësuar nga afër se sa konkurruese është sot Maqedonia e Veriut në tregun ndërkombëtar të investimeve dhe cilët sektorë paraqesin mundësitë më të mëdha për zhvillim.
Nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ambasadorin Ylber Sela dhe në bashkëpunim me Wirtschaftsclub Düsseldorf, kjo ngjarje konfirmoi se dialogu i drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe biznesit është thelbësor.
Takimet e këtilla nuk janë vetëm diskutime, ato paraqesin platforma konkrete që ndërtojnë mirëbesim, krijojnë partneritete dhe hapin rrugën për investime reale dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.




Lajme
Sulm ndaj punonjësve të EVN-së në Shkup: Arrestohet 47-vjeçari pasi rrëzoi punëtorin nga shkallët dhe goditi kolegun e tij
Një incident i rëndë është regjistruar të hënën në mëngjes në zonën e Shuto Orizarës në Shkup, ku dy punonjës të “EVN Maqedoni” janë sulmuar fizikisht gjährend në kryerje të detyrës zyrtare, ndërsa autoritetet policore kanë arrestuar menjëherë autorin e dyshuar të ngjarjes.
Sipas informacioneve zyrtare nga Sektori për Punë e Brendshme (SPB) Shkup, efektivët e policisë kanë privuar nga liria shtetasin D.G. (47) nga Shkupi, i cili dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të dhunshme ndaj ekipeve të terrenit, duke rrëzuar me forcë shkallët në të cilat po punonte njëri nga punonjësit dhe më pas duke sulmuar fizikisht e me një send të fortë një punonjës tjetër të kompanisë që ndodhej në vendngjarje.
Pas dokumentimit të plotë të rregullit dhe rastit, Njësiti për Krime me Dhunë pranë SPB Shkup do të dorëzojë kallëzim penal përkatës kundër të dyshuarit, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për veprën penale “Dhunë”, duke sjellë në vëmendje sfidat dhe rreziqet me të cilat përballen punonjësit e shërbimeve publike gjatë ushtrimit të detyrave të tyre të përditshme profesionale.(INA)
Lajme
Mediat turke: Roberto Carlos e ka pranuar Islamin
Legjenda braziliane e futbollit dhe ish-lojtari i Real Madridit e Fenerbahçes, Roberto Carlos, raportohet se ka përqafuar Islamin rreth katër javë më parë në Brazil.
Lajmi është bërë publik nga deputeti turk Ali Şahin, i cili tha se këtë informacion e ka marrë nga Sheikh Jihad Hammadeh, një figurë e njohur e komunitetit mysliman në Brazil dhe nënkryetar e këshilltar fetar i Shoqatës Kombëtare të Juristëve Islamikë (ANAJI).
Sipas Şahin, Roberto Carlos kishte qenë në kontakt me Sheikh Hammadeh për një periudhë kohore dhe rreth katër javë më parë e kishte vizituar atë. Gjatë takimit, ish-futbollisti thuhet se ka shqiptuar shehadetin, deklaratën e besimit islam, duke përqafuar Islamin.
Carlos, 53 vjeç, konsiderohet ndër mbrojtësit e majtë më të mëdhenj në historinë e futbollit. Ai kaloi pjesën më të madhe të karrierës te Real Madridi, ndërsa në vitin 2007 u transferua te gjiganti turk Fenerbahçe.
Megjithatë, Roberto Carlos nuk e ka konfirmuar publikisht deri tani këtë lajm, ndaj raportimi mbetet i pakonfirmuar nga vetë futbollisti.
Lajme
Ambasadorja amerikane në Dibër, shijon Liqenin dhe bukuritë e qytetit!
Ushtruesja e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Nicole Varnes, dje pasdite qëndroi në Dibër, ku u takua me kryetarin e komunës, Fisnik Mela.
“Vizita u zhvillua në një atmosferë miqësore, ndërsa Warnes pati mundësinë të njihej nga afër me bukuritë natyrore, potencialin turistik dhe mikpritjen e Dibrës”, njoftuan nga Komuna.
Vizita nisi me kafe pranë Liqenit të Dibrës dhe vazhdoi me një shëtitje me varkë, duke i mundësuar të ftuarës së lartë të shijonte peizazhin dhe bukuritë e veçanta natyrore të liqenit.
Gjatë vizitës u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve të mira, si dhe promovimi i potencialeve turistike dhe natyrore të Komunës së Dibrës.
Ambasadorja u takua gjithashtu me përfaqësues të komunitetit të biznesit dibran në SHBA, të udhëhequr nga Ibrahim Kolyari, i cili ka kompani edhe në Dibër dhe njihet si filantrop.
-
Lajme9 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme9 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
