Lajme
Letër nga Zonja e Parë Emine Erdoğan drejtuar Zonjës së Parë Melania Trump për Gazën
Zonja e Parë Emine Erdoğan, bashkëshortja e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, i ka dërguar një letër Zonjës së Parë Melania Trump, bashkëshortes së presidentit amerikan Donald Trump, duke i bërë thirrje që të tregojë të njëjtën ndjeshmëri ndaj krizës humanitare në Gaza siç ka treguar për luftën në Ukrainë.
Në letrën e saj, e cila fillon me përshëndetje dhe respekt të ngrohtë për zonjën Melania Trump, Zonja e Parë Emine Erdoğan vuri në dukje se fjalët e saj të ndjera dhe mikpritja e ngrohtë gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, D.C., gjashtë vjet më parë, kanë mbetur të gjalla në mendjen e saj.
Duke theksuar se ajo ndjeu se Zonja e Parë Melania Trump ishte thellësisht e vetëdijshme për çështjet e ngutshme të kohës sonë gjatë darkës së tyre private dhe shëtitjes në kopsht, Zonja e Parë Emine Erdoğan vuri në dukje se kjo ndjeshmëri morale u reflektua edhe një herë në letrën që Zonja Trump i drejtoi së fundmi presidentit të Federatës Ruse, Vlladimir Putin.
“Ndjeshmëria juaj për fëmijët e mbetur jetim është një nismë që frymëzon shpresë në zemrat e njerëzve.”
Zonja e Parë Emine Erdoğan theksoi se fjalët e zonjës Trump i dhanë zë ndërgjegjes së përbashkët të njerëzimit dhe se ajo e vlerëson thellësisht këtë qëndrim, duke shtuar:
“Ashtu siç e keni theksuar në letrën tuaj, e drejta e fëmijëve për t’u rritur në një ambient plot dashuri dhe të sigurt është universale dhe e padiskutueshme. Kjo e drejtë nuk është privilegj i ndonjë gjeografie, race, identiteti etnik, grupi fetar apo ideologjie të caktuar. Qëndrimi në krah të të shtypurve që u është mohuar kjo e drejtë është, para së gjithash, përmbushja e një përgjegjësie të madhe ndaj familjes sonë njerëzore. Ndjeshmëria juaj, veçanërisht si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj jetëve të shkatërruara, familjeve të ndara dhe fëmijëve të mbetur jetim nga pasojat shkatërruese të luftës në Ukrainë, është një nismë që frymëzon shpresë në zemrat e njerëzve. Thirrja juaj për t’i rikthyer të qeshurat e gëzueshme të fëmijëve ukrainas “të cilëve u është imponuar një e qeshur e heshtur” ka një domethënie të thellë. Kam besim se ndjeshmëria e rëndësishme që keni treguar për 648 fëmijët ukrainas që kanë humbur jetën në luftë do të shtrihet edhe në Gaza, ku, brenda dy viteve, 62.000 civilë të pafajshëm, përfshirë 18.000 fëmijë, janë vrarë brutalisht.”
“A mund ta kishit imagjinuar ndonjëherë që termi ‘ushtar i panjohur’, i përdorur për ushtarë të paidentifikuar në luftëra, një ditë të përdorej për fëmijë?”
Duke theksuar faktin se Gaza po përjeton një mizori të paparë, duke vuajtur gjenocidin më tragjik të kohës sonë, Zonja e Parë Emine Erdoğan tha: “Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët e krahason sipërfaqen e Gazës, ku çdo 45 minuta vritet një fëmijë, me ‘ferrin’, ndërsa tokën nën Gazë me një ‘varrezë fëmijësh’. A mund ta kishit imagjinuar ndonjëherë që termi ‘ushtar i panjohur’, i përdorur për ushtarë të paidentifikuar në luftëra, një ditë të përdorej për fëmijë? Fjalët ‘foshnje e panjohur’ të shkruara mbi qefinin e mijëra fëmijëve të Gazës që nuk kanë askënd pas tyre dhe emrat e të cilëve nuk mund të identifikohen, lënë plagë të pariparueshme në ndërgjegjen tonë kolektive. Këta fëmijë janë çuar drejt shkatërrimit psikologjik, kanë harruar plotësisht se si të buzëqeshin, qajnë para mikrofonave duke thënë se duan të vdesin, dhe mbajnë në zemrat e tyre të pafajshme lodhjen e një lufte të cilën është e pamundur ta përballojnë. Në Gaza, historia po regjistron thinjat në flokët e fëmijëve të vegjël jetimë nga dhimbja e papërshkrueshme dhe frika që përjetojnë vazhdimisht.”
“Thirrje për të dërguar një letër Netanyahut për Gazën”
Duke theksuar se nuk janë vetëm fëmijët e Ukrainës buzëqeshja e të cilëve është shuar, por edhe fëmijët e Palestinës meritojnë të njëjtin gëzim, të njëjtën liri dhe të ardhme dinjitoze, Zonja e Parë Emine Erdoğan tha: “Do të kishte një domethënie të thellë nëse do të dërgonit një letër, duke pasqyruar thirrjen tuaj të fuqishme për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza, kryeministrit izraelit Netanyahu. Në këto ditë, kur bota po përjeton një zgjim kolektiv dhe njohja e Palestinës është bërë një vullnet global, besoj se thirrja juaj në emër të Gazës do të përmbushte një përgjegjësi historike ndaj popullit palestinez.”
“Duhet t’i bashkojmë zërat dhe forcën tonë kundër këtij rendi të shtrembëruar”
Duke e përshkruar atë që po ndodh në Palestinë si më shumë se një gjenocid – si imponimin e një sistemi ndërkombëtar arbitrar, ku çdo gjë dhe çdo njeri mund të zhvlerësohet për hir të interesave dhe rehatisë së disa të privilegjuarve – Zonja e Parë Emine Erdoğan bëri thirrje për të bashkuar zërat dhe forcën kundër këtij rendi të shtrembëruar, ku jetët e fëmijëve në disa pjesë të botës konsiderohen më pak të vlefshme se të tjerët.
Zonja e Parë Emine Erdoğan theksoi se duhet të mbrojmë rregullat e diskredituara të së drejtës ndërkombëtare dhe vlerat tona të përbashkëta njerëzore, të bashkohemi rreth parimeve tona të përbashkëta, dhe tha:
“Vetëm atëherë mund të ushqejmë shpresën e brezave të ardhshëm, të cilët çdo ditë po çohen drejt dëshpërimit përballë kësaj mizorie. Vetëm atëherë mund të flasim për mundësinë e rikthimit të gëzimit tek fëmijët, të cilëve u është shuar e qeshura, dhe për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë në mbarë botën. Si nënë, si grua dhe si qenie njerëzore, unë i ndaj thellësisht ndjenjat e shprehura në letrën tuaj dhe shpresoj që ju do t’u jepni të njëjtën shpresë edhe fëmijëve të Gazës, të cilët gjithashtu dëshirojnë paqe dhe qetësi. Është tashmë tepër vonë për 18.885 foshnjat dhe fëmijët e Gazës që kemi humbur: si gjashtëvjeçarja Hind Rajab, e vrarë nga 335 plumba, dhe trevjeçarja Reem, të cilën gjyshi e përcolli me një puthje në sytë e saj dikur plot gjallëri e tashmë të zbehur. Megjithatë, ende kemi një shans për më shumë se një milion fëmijë të Gazës që kanë arritur të mbijetojnë. Vërtet, ka ardhur koha.”
Lajme
Bastisje në Shkup, sekuestrohet drogë dhe para, arrestohet 19-vjeçari
Një 19-vjeçar nga Shkupi është privuar nga liria pasi policia ka gjetur dhe sekuestruar marihuanë gjatë kontrollit ndaj tij, ndërsa më pas ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e tij.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur më 9 nëntor 2026, rreth orës 18:40, në një shteg këmbësorësh pranë lumit Vardar, në zonën e Gjorçe Petrovit.Nëpunësit policorë të Njësitit kundër Tregtisë së Palejuar me Drogë dhe Armë pranë SPB Shkup kanë privuar nga liria F.S. (19), pasi gjatë kontrollit personal kanë gjetur dhe sekuestruar marihuanë.
Me urdhër gjykate dhe në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminalistike pranë MPB-së, policia më pas ka realizuar bastisje në shtëpinë dhe ambientet e tjera të të dyshuarit.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe një substancë pluhurore e bardhë, si dhe para.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj 19-vjeçarit do të parashtrohet kallëzim përkatës, njoftojnë nga MPB-ja.
Lajme
Mexhiti dhe Kasami: Premtimi u bë realitet, jurisprudenca tashmë edhe në gjuhën shqipe
Bashkëkryetarët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë publikuar të njëjtin mesazh në rrjetet sociale, duke e cilësuar si historike mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Në postimet e tyre, Mexhiti dhe Kasami theksojnë se bëhet fjalë për një arritje të rëndësishme për studentët shqiptarë dhe për avancimin e barazisë gjuhësore në vend.
“Premtimi u bë realitet, jurisprudenca flet shqip! Një ditë historike për studentët shqiptarë dhe një hap i rëndësishëm për barazinë dhe dinjitetin e gjuhës shqipe. Fjalët marrin vlerë kur pas tyre qëndrojnë vepra. Sot kemi një arsye më shumë për të festuar! Studentë të dashur, ta gëzoni këtë të drejtë! Gëzuar Festat e Nëntorit”, thuhet në mesazhin e publikuar nga dy liderët e VLEN-it.
Ky reagim vjen në kohën kur çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka qenë në qendër të debatit politik në vend, ndërsa përfaqësuesit e VLEN-it e konsiderojnë këtë si realizim të një prej zotimeve të tyre ndaj qytetarëve shqiptarë.
Lajme
10 milionë euro nga gjobat! “Safe City” fitimprurës për shtetin
Rreth 10 milionë euro në vit pritet të derdhen në buxhetin e shtetit nga gjobat përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, thotë se bëhet fjalë për vlerësime fillestare dhe jo për shifra përfundimtare, pasi viti ende nuk ka përfunduar.
“Prurjet e përgjithshme që pritet të hyjnë çdo vit në buxhetin e shtetit janë rreth 10 milionë euro. Këto nuk janë shifra të përcaktuara saktësisht. Viti nuk ka përfunduar ende, por bazuar në dinamikën aktuale, pritjet janë që shuma të jetë rreth 10 milionë euro”, deklaroi Toshkovski. Nga këto mjete, 25 për qind, përkatësisht rreth 2,5 milionë euro, janë të destinuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe do të riinvestohen në zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të sistemit “Qyteti i Sigurt”.
“Pikërisht 25 për qind janë të destinuara për buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këto mjete do të riinvestohen në gjithçka që lidhet me zbatimin dhe avancimin e sistemit ‘Qyteti i Sigurt’”, tha ministri. Toshkovski theksoi se qëllimi kryesor i projektit nuk është mbushja e buxhetit me para nga gjobat, por rritja e sigurisë në komunikacion.
“Po e përsëris për të miliardën herë, qëllimi i këtij projekti nuk është mbushja e buxhetit të shtetit”, deklaroi Toshkovski.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme4 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
