Connect with us

Lajme

Maqedonia e Veriut rrezikon humbjen e 134 milionë eurove nga BE, ka zbatuar vetëm 40% të reformave

Komisioni Evropian ka publikuar tabelën e rezultateve të Programit të Zhvillimit dhe Reformës në Ballkanin Perëndimor, ku Maqedonia e Veriut tregon progres modest, ndërsa Shqipëria dhe Serbia shënojnë ngecje të plotë.

Sipas raportit zyrtar të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes, Maqedonia ka arritur të përmbushë vetëm 2 nga 5 hapat e planifikuar deri në dhjetor 2024, që përfaqëson 40% të detyrimeve të saj. Për këtë, vendi mori rreth 8.5 milionë euro nga BE, shkruan Portalb.

Megjithatë, situata për vitin 2025 paraqitet edhe më problematike.

“Asnjë nga 19 reformat e planifikuara për vitin 2025 nuk është zbatuar,” thuhet në raportin e KE-së, duke paralajmëruar se Maqedonia rrezikon të humbasë 134 milionë euro, ndërsa në rrezik është vënë edhe një total prej 205 milionë eurosh mbështetje evropiane.

Në muajt e ardhshëm, vendi duhet të zbatojë deri në 48 reforma – të reja dhe të prapambetura. Këto përfshijnë riorganizimin e sistemit hekurudhor, rritjen e numrit të inspektorëve të punës, përforcimin e Agjencisë së Konfiskimit të Pasurive, reformimin e sektorit të energjisë, modernizimin e ndërtesave qeveritare, sigurinë kibernetike, përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe masat kundër korrupsionit.

“Maqedonia gjithashtu duhet të digjitalizojë shkollat, të zvogëlojë punësimin informal, të përmirësojë prokurimin publik dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe të prezantojë kontrollin e shpenzimeve përmes auditimeve të brendshme,” theksohet në dokument.

Raporti kërkon gjithashtu miratimin e një Kodi të ri Penal, pajisjen e Prokurorisë me staf ekspert për ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe zbatimin e procedurave transparente për emërimin e menaxherëve të ndërmarrjeve publike.

Pavarësisht rezultateve të dobëta, Maqedonia nuk është më e fundit në rajon.

“Shqipëria dhe Serbia nuk kanë zbatuar asnjë nga hapat e planifikuar – me performancë zero për qind dhe pa asnjë shpërndarje të fondeve evropiane,” vlerëson KE.

I vetmi vend që ka shënuar një ritëm relativisht të kënaqshëm është Mali i Zi, me një normë përfundimi prej 50%.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, u miratua më 8 nëntor 2023 nga Komisioni Evropian. Ai bazohet në katër shtylla: integrimi në tregun unik të BE-së, forcimi i bashkëpunimit rajonal, përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për mbështetjen e tyre./Portalb.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Nga 1 dhjetori, kontrolle dhe kritere të reja për pushimin mjekësor!

Nga 1 dhjetori 2026, në Maqedoninë e Veriut do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për hapjen dhe vazhdimin e pushimit mjekësor. Ndryshimet parashikojnë kritere shtesë mjekësore për përcaktimin e paaftësisë së përkohshme për punë, në varësi të diagnozës dhe kohëzgjatjes së mungesës.

Sipas rregullave të reja, mjekët amë do të vazhdojnë të kenë kompetencë për të miratuar pushim mjekësor deri në 15 ditë. Megjithatë, për mungesat që zgjasin më shumë se pesë ditë, do të zbatohen kritere shtesë mjekësore, të cilat do të përcaktohen në bazë të diagnozës së pacientit.

Ndërkaq, për pushimin mjekësor që tejkalon 15 ditë, vendimin do ta marrë komisioni mjekësor pranë Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH).

Ndryshimet janë përcaktuar në Rregulloren për mënyrën, procedurat dhe kriteret e përcaktimit të paaftësisë së përkohshme për punë, e publikuar në “Gazetën Zyrtare” nr. 254, më 30 tetor 2026.

Rregullorja është miratuar më 6 tetor nga Bordi i Drejtorëve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ndërsa zbatimi i saj do të nisë më 1 dhjetor të këtij viti.

Nga Fondi sqarojnë se ndryshimet nuk nënkuptojnë heqjen apo shkurtimin automatik të së drejtës për pushim mjekësor. Bëhet fjalë për ndryshimin e kritereve mjekësore mbi bazën e të cilave vlerësohet nëse një punonjës është përkohësisht i paaftë për të kryer detyrat e tij të punës.

Me rregullat e reja, synohet që vendimmarrja për pushimin mjekësor të bazohet në kritere më të përcaktuara, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore dhe diagnozën e secilit pacient.

Continue Reading

Lajme

Apeli konfirmon Taravarin në krye të ASH-së! Përfundon beteja gjyqësore për vulat dhe drejtimin e partisë

Gjykata e Apelit në Gostivar ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore të Tetovës, duke njohur Arben Taravarin si kryetar legjitim të Aleancës për Shqiptarët dhe duke lënë në fuqi ndryshimet statutare të miratuara në Kongresin e 4-të të Jashtëzakonshëm. Me këtë vendim, të datës 13 nëntor 2026, përfundon beteja disavjeçare gjyqësore mes dy krahëve të ASH-së për vulat dhe drejtimin e partisë, e cila nisi në vitin 2024 pas përçarjes mes Taravarit dhe Ziadin Selës.

Gjatë procesit, Gjykata e Tetovës kishte marrë disa vendime, të cilat Apeli i kishte kthyer në rigjykim, derisa në mars të vitit 2026 vendosi në favor të Taravarit. Ky vendim tashmë është konfirmuar nga shkalla e dytë, ndërsa Sela ndërkohë ka formuar subjektin e ri politik „Lidhja Shqiptare“.

Continue Reading

Lajme

Adnan Azizi: Flamurin shqiptar nuk ka kush e prek, shpifjet e UDB-së nuk na lëkundin

Deputeti dhe eksponenti i lartë i VLEN-it, Adnan Azizi ka reaguar pas publikimit të disa SMS-ve në të cilat pretendohet se ai u ka kërkuar aktivistëve të mos vendosin flamujt shqiptarë në hapësirat publike.

Azizi i ka cilësuar këto mesazhe si shpifje të porositura nga opozita, duke mohuar çdo përpjekje për të penguar vendosjen e flamurit kombëtar.

“Shpifjet e UDB-së nuk e ulin flamurin shqiptar – vetëm zbulojnë frikën dhe dëshpërimin e opozitës! Këto shpifje të ulëta flasin qartë për gjendjen aktuale të opozitës: të zhytur në llum, pa ide, pa vizion, pa projekt. Vetëm shpifje, gënjeshtra dhe montazhe. Flamuri kombëtar do të valojë si gjithmonë dhe nuk ka kush e prek”, ka thënë Azizi.

Ai gjithashtu ka ftuar qytetarët që ta ngritin lart flamurin shqiptar, duke theksuar se ai do të vendoset edhe në institucionet shtetërore dhe lokale, aty ku parashihet me ligj.

“Ju ftoj ta ngritni shqipen lart, me krenari, ashtu siç do të ngritët në të gjitha institucionet shtetërore dhe lokale ku e parashikon ligji”, ka theksuar Azizi.

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme19 hours ago

Nga 1 dhjetori, kontrolle dhe kritere të reja për pushimin mjekësor!

Nga 1 dhjetori 2026, në Maqedoninë e Veriut do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për hapjen dhe vazhdimin...

Lajme19 hours ago

Apeli konfirmon Taravarin në krye të ASH-së! Përfundon beteja gjyqësore për vulat dhe drejtimin e partisë

Gjykata e Apelit në Gostivar ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore të Tetovës, duke njohur Arben Taravarin si kryetar legjitim...

Lajme19 hours ago

Adnan Azizi: Flamurin shqiptar nuk ka kush e prek, shpifjet e UDB-së nuk na lëkundin

Deputeti dhe eksponenti i lartë i VLEN-it, Adnan Azizi ka reaguar pas publikimit të disa SMS-ve në të cilat pretendohet...

Lajme19 hours ago

Festa e 28 nëntorit, Mickoski: Flamuri shqiptar do të vendoset në shumë komuna

Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se flamuri shqiptar më 28 nëntor do të vendoset në vend në shumë komuna. Ai...

Lajme2 days ago

Liqeni i Treskës i kthehet komunës së Sarajit

Liqeni i Treskës po hap një kapitull të ri. Qeveria ka miratuar anulimin e Vendimit për themelimin e Zonës zhvillimore...

Lajme2 days ago

Kodra e Diellit hap shitjen online të biletave sezonale për sezonin e ri të skijimit

Ski-Qendra “Kodra e Diellit” ka njoftuar se ka filluar shitja online e biletave sezonale për sezonin e ri të skijimit....

Lajme2 days ago

Edon Rexhepi, studenti shqiptar që përfundoi Ekonomikun në Shkup me mesatare 10.00

Një sukses i veçantë akademik vjen nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Edon Rexhepi është shpallur studenti më...

Lajme2 days ago

Ahmeti letër të hapur Shasivarit: Mos i kufizoni të drejtat gjuhësore të shqiptarëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i është drejtuar me një letër të hapur ministrit të Drejtësisë,...

Lajme2 days ago

Pas reagimit të këshilltarëve shqiptarë, tabela në parkun “Oaza e Butelit” vendoset edhe në gjuhën shqipe

Tabela në hyrje të parkut “Oaza e Butelit”, në Komunën e Butelit, tashmë është vendosur edhe në gjuhën shqipe, pas...

Lajme3 days ago

Taravari: S’kanë faj VLEN-i, ata janë si kukulla në Qeveri

Arben Taravari në Click Plus, duke folur për Alta Banka, kritikoi ashpër përfaqësuesit e VLEN-it në Qeveri. “S’kanë faj VLEN-i....

Trending