Lajme
Kapet rrjeti i fajdexhinjëve në Shkup, 12 veta, përfitime të paligjshme mbi 2 milionë euro
Ka përfunduar aksioni i bastisjeve në disa lokacione në Shkup. Prokuroria ka lëshuar urdhër për zhvillimin e hetimeve ndaj 12 personave të dyshuar për veprat penale dhënie të parave me fajde, pastrim parash dhe fitime nga vepra të dënueshme.
Nga Prokuroria njoftojnë se për nëntë prej tyre, ekzistojnë dyshime se ishin bashkëkryerës ose ndihmës në veprat penale, ndërsa tre të tjerë dyshohen për veprën penale pastrim parash dhe fitime nga vepra të dënueshme.
“Sipas hetimeve, nëntë të dyshuarit, nga fillimi i vitit 2022 e deri më sot, janë organizuar në një grup kriminal që merrej me dhënie parash me fajde, duke kërkuar përfitime të pajustifikuara materiale – në para, mjete apo pasuri të paluajtshme. Ata, duke shfrytëzuar gjendjen financiare të personave të dëmtuar, u huazonin para me interes mujor prej 5% deri në 15%, i cili rritej për çdo vonesë në pagesë”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, nga personat e dëmtuar kërkohej t’i kthenin paratë e huazuara me interesin e llogaritur ose të paguanin çdo muaj shumën e kamatës. Kur të dëmtuarit nuk ishin në gjendje të kthenin borxhin, të dyshuarit kërkonin që ata të dorëzonin ose të vendosnin hipotekë mbi pasurinë e tyre, duke e kaluar në emër të ndonjërit prej të dyshuarve. Pagesat e parave bëheshin drejtpërdrejt nga ndonjë prej të dyshuarve ose përmes llogarive bankare – nga llogaria e personit të dëmtuar në atë të ndonjërit prej të dyshuarve.
“Dyshohet se gjatë kësaj periudhe, 12 të dyshuarit dhe një person juridik si pjesë e një grupi të organizuar për pastrim parash, janë pasuruar në mënyrë të paligjshme me 125.033.527 denarë(rreth 2 milionë euro), të përfituara nga veprimtaria e kamatëdhënies”- thonë nga Prokuroria.
Një pjesë e parave të marra në mënyrë të tillë, të cilat u janë transferuar në llogaritë e tyre ose u janë dorëzuar në dorë nga persona të ndryshëm, ata i kanë përdorur për të krijuar përshtypjen se fondet janë të ligjshme – duke kryer transaksione ndaj llogarive të personave fizikë dhe juridikë, duke i përdorur për nevoja personale, blerje pasurish të paluajtshme dhe të luajtshme, si dhe për një jetesë luksoze, një pjesë e madhe e parave është tërhequr në para të gatshme.
Prokurori publik pritet që nesër t’i dorëzojë gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, propozimet për sigurimin e pranisë së të dyshuarve.
Lajme
Memishi: Qytetarët dhe mërgimtarët me interesim të shtuar për shërbimet komunale në Tearcë, së shpejti funksionalizohen aplikacionet online
Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për mërgimtarët, të cilët gjatë këtyre ditëve po vizitojnë komunën për t’u informuar lidhur me gjendjen e tyre administrative, pagesat e tatimit në pronë dhe obligimet e tjera komunale.
Sipas Memishit, interesimi i shtuar i qytetarëve dhe përgjegjësia e treguar ndaj detyrimeve komunale janë dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, duke kontribuar në ndërtimin e një komune më të organizuar, më transparente dhe më të zhvilluar.
Ai bëri të ditur se së shpejti do të funksionalizohen edhe aplikacionet online, të cilat do t’ua lehtësojnë qytetarëve marrjen e shërbimeve komunale, pavarësisht se ku ndodhen.
Në fund, kryetari Memishi falënderoi qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të vazhdohet drejt modernizimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të Komunës së Tearcës.
Lajme
Dogana konfiskoi 5.000 pako cigare me vlerë 9 milionë denarë, u arrestua shoferi i kamionit
Në një aksion të shërbimeve doganore në pikën kufitare Bogorodicë, gjatë kontrollit të një automjeti transportues të deklaruar për transit, janë zbuluar dhe konfiskuar 5.000 pako cigare me vlerë prej 9 milionë denarësh.
Shoferi i kamionit, shtetas i Serbisë, i cili kishte tentuar t’i kontrabandonte cigaret, është arrestuar dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli për veprën penale “kontrabandë”, njoftoi Drejtoria Doganore.
Sipas njoftimit, kamioni ishte deklaruar për transit nga Greqia drejt Serbisë dhe, sipas dokumentacionit të paraqitur, transportonte materiale ndërtimore – lesh guri.
Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet doganore zbuluan mbi paletat me mallin e deklaruar 100 kuti të pashënuara, secila me nga 50 pako cigare, përkatësisht gjithsej 5.000 pako cigare pa pulla akcize, të cilat nuk ishin deklaruar.
Lajme
BDI: Rebalanci i Buxhetit 2026 injoron interesat dhe nevojat e shqiptarëve
BDI sot ka reaguar ndaj rebalancimit të Buxhetit për vitin 2026.
Nga atje thonë se pas përfundimit të debatit për rebalancin e Buxhetit për vitin 2026, është e qartë se kjo Qeveri edhe një herë dëshmoi se kur bëhet fjalë për interesat e shqiptarëve, zgjedh t’i injorojë ato.
“Grupi ynë parlamentar paraqiti një sërë amendamentesh serioze, të argumentuara dhe të bazuara në nevojat reale të qytetarëve. Këto amendamente nuk kishin karakter partiak. Ato kishin për qëllim të siguronin më shumë investime për komunat shqiptare, më shumë mjete për zhvillim rajonal, mbështetje për shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën dhe një shpërndarje më të drejtë të buxhetit.
Megjithatë, asnjë nga amendamentet tona nuk u pranua.
Ky është një model i përsëritur i sjelljes së kësaj Qeverie, e cila vazhdimisht refuzon çdo propozim që synon përmirësimin e kushteve të jetesës në komunat me shumicë shqiptare.
Kur refuzohet financimi për Klinikën Universitare në Tetovë, kur nuk sigurohen mjete shtesë për Spitalin e Kërçovës, kur nuk mbështetet zhvillimi i barabartë rajonal dhe kur mungon transparenca për projektet kapitale nëpër komuna, atëherë qytetarët kanë të drejtë të pyesin: A trajtohen shqiptarët me të njëjtin standard si pjesa tjetër e vendit?
Në vend që të korrigjojë pabarazitë, kjo Qeveri po i thellon ato. Në vend që të investojë aty ku nevojat janë më të mëdha, ajo vazhdon të favorizojë të njëjtat zona dhe të lërë pas dore komunat shqiptare.
Shifrat flasin vetë. Mjetet për zhvillim të barabartë rajonal janë ulur. Nuk ka mjete për Klinikën Universitare në Tetovë. Nuk ka rritje të investimeve për komunat shqiptare. Nuk ka transparencë të mjaftueshme për shpërndarjen e investimeve kapitale. Ndërkohë, çdo propozim i opozitës shqiptare është refuzuar pa asnjë gatishmëri për dialog.
Ky është një mesazh politik shumë i qartë. Kjo Qeveri flet për barazi, por kur vjen momenti për ta dëshmuar atë përmes buxhetit, shqiptarët mbeten jashtë prioriteteve.
Ne nuk do të heshtim përballë kësaj padrejtësie. Do të vazhdojmë të kërkojmë që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në investime, pavarësisht nëse jeton në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Çair, Saraj apo në çdo komunë tjetër shqiptare”, thonë nga BDI.
Nga atje theksojnë se Buxheti i shtetit nuk mund të jetë instrument i favorizimit politik. Ai duhet të jetë instrument i zhvillimit të barabartë dhe i drejtësisë për të gjithë qytetarët.
“Refuzimi i të gjitha amendamenteve tona nuk është vetëm refuzim i opozitës. Është refuzim i kërkesave dhe nevojave të dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë që presin investime, zhvillim dhe trajtim të barabartë.
Kjo formë e politikbërjes nuk është veç majorizim, kjo nuk është vetëm formë jodemokratike, kjo formë e imponimit i hap rrugë një sistemi autoritar, që është në kundërshtim me tendencat eurointegruse”, shtojnë nga BDI.
-
Lajme8 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme8 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
