Connect with us

Lajme

Kallëzim penal për dy të mitur që sulmuan dhe kërcënuan me armë një person në Shipkovicë

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë ka parashtruar njoftim kundër një 16-vjeçari nga fshati Shipkovicë dhe një 16-vjeçari nga fshati Gajre, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “dhunë” dhe “rrezikim i sigurisë”.

​Sipas njoftimit zyrtar, më datë 20.02.2026 në fshatin Shipkovicë, të denoncuarit e kanë sulmuar fizikisht personin Z.I. në oborrin e tij.

Gjatë incidentit, i denoncuari i parë, përveç sulmit fizik, e ka kërcënuar viktimën edhe me armë automatike.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Ministri Ferati: 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, detyra jonë është ta shndërrojmë paqen në besim dhe besimin në një të ardhme më të mirë

Në manifestimin qendror me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, theksoi se 13 gushti 2001 nuk është vetëm një datë e rëndësishme në historinë moderne të Maqedonisë së Veriut, por një moment që ndryshoi rrjedhën e shtetit dhe u dha mijëra familjeve mundësinë të mendonin sërish për të ardhmen.

Në fjalimin e tij, Ferati tha se disa ditë mbeten të shkruara në kalendar, ndërsa të tjera mbeten të shkruara në jetën e njerëzve, duke e cilësuar 13 gushtin si një nga ato ditë.

„Jo vetëm sepse u nënshkrua një marrëveshje. Por sepse mijëra familje patën mundësi, edhe një herë, të mendojnë për të nesërmen“, tha Ferati.

Ai e ndërtoi fjalimin e tij përmes një figure simbolike – një fëmije të lindur në gusht të vitit 2001, i cili sot është 25 vjeç.

„Sot, ai ose ajo është 25 vjeç. Nuk i kujton ditët kur frika ishte më e fuqishme se shpresa. Nuk i kujton bisedimet e gjata që formësuan fatin e vendit. Nuk e kujton pasigurinë me të cilën ky vend zgjohej çdo mëngjes“, theksoi ministri.

Sipas Feratit, pikërisht këtu qëndron kuptimi më i madh i zgjedhjes së bërë 25 vite më parë – fitorja më e madhe e çdo paqeje nuk është që ajo të mbetet e shkruar në dokumente, por që brezat e rinj të mos kenë nevojë të kujtojnë pse ajo paqe ishte e nevojshme.

„Marrëveshja e Ohrit vazhdon të jetojë në jetën e njerëzve“
Ferati theksoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk duhet të shihet vetëm si një dokument i arkivuar, por si një marrëveshje që vazhdon të ketë ndikim në jetën e qytetarëve.

„Ka marrëveshje që përfundojnë në arkiva. Dhe ka marrëveshje që vazhdojnë të jetojnë në jetën e njerëzve. Marrëveshja Kornizë e Ohrit i përket llojit të dytë“, tha ai.

Sipas tij, marrëveshja nuk ishte e përsosur dhe nuk i zgjidhi të gjitha problemet, por në një nga momentet më të vështira të historisë së vendit i dha Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj mundësinë të zgjedhin sërish të ardhmen.

Duke iu referuar parimeve themelore të marrëveshjes, Ferati theksoi se refuzimi i dhunës dhe zgjedhja e zgjidhjeve politike paqësore përbëjnë një vendim me karakter civilizues.

„Asnjë fitore nuk ka vlerë nëse çmimi i saj është jeta e njeriut. Dialogu, sado i vështirë të jetë, gjithmonë vlen më shumë se heshtja që sjellin armët. Dhe e ardhmja gjithmonë vlen më shumë se ndarja“, tha Ferati.

Nga Krusheva dhe ASNOM-i te 2001, historia si varg zgjedhjesh

Në fjalimin e tij, ministri e vendosi Marrëveshjen e Ohrit në kontekstin më të gjerë të historisë së shtetformimit të Maqedonisë së Veriut.

Ai përmendi Krushevën, ASNOM-in, pavarësinë e vitit 1991 dhe vitin 2001 si etapa të një historie të përbashkët.

„Këto nuk janë histori të ndara. Ato janë një storje e vetme. Storja e një vendi që, sa herë që historia e ka vendosur përballë një zgjedhjeje të vështirë, ka zgjedhur të ardhmen“, u shpreh Ferati.

Ai theksoi gjithashtu se historia nuk ndërtohet vetëm nga burrështetasit dhe figurat politike, por edhe nga qytetarët e zakonshëm që, në momentet më të vështira, vazhduan ta mbajnë gjallë jetën e përbashkët.

Sipas tij, paqja nuk krijohet vetëm nga ata që negociojnë.

„Paqja krijohet edhe nga ata që të nesërmen vendosin të jetojnë sërish së bashku.“

Evropa duhet të ndërtohet edhe këtu
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Feratit iu kushtua perspektivës evropiane të vendit.

Ai tha se Evropa nuk është vetëm një destinacion drejt të cilit po udhëton Maqedonia e Veriut, por edhe një mënyrë jetese dhe një standard që duhet të ndërtohet brenda vendit.

„Evropa është një mënyrë jetese. Një mënyrë jetese në të cilën respektohen qytetarët. Në të cilën mbrohet drejtësia. Në të cilën dinjiteti nuk varet nga emri që mbani, gjuha që flisni apo vendi ku keni lindur“, theksoi ministri.

Ferati nënvizoi se integrimi evropian nuk duhet të kuptohet vetëm si proces institucional, por si një transformim i mënyrës se si qytetarët dhe institucionet sillen me njëri-tjetrin.

„Evropa nuk do të vijë në Maqedoninë e Veriut vetëm përmes një nënshkrimi. Ajo do të vijë përmes mënyrës se si sillemi me njëri-tjetrin“, tha ai.

Sipas Feratit, dallimet gjuhësore, kulturore dhe etnike nuk janë pengesë për shtetin, nëse ndërtohet besimi.

„Kur ndërtohet besimi, gjuhët e ndryshme nuk janë më kufij. Ato bëhen ura“, u shpreh ministri.

„Çfarë do t’u lëmë brezave që vijnë pas nesh?“
Duke folur për përgjegjësinë e brezit të sotëm, Ferati shtroi pyetjen se çfarë do t’u lihet brezave që vijnë.

Ai theksoi se brezat e mëparshëm lanë pas ideale, shtetësi, pavarësi dhe paqe, ndërsa brezi i sotëm duhet të ndërtojë besim, institucione funksionale, drejtësi dhe mundësi për të rinjtë.

„Detyra jonë kërkon jo më pak guxim. Kërkon një lloj tjetër guximi. Guximin për të ndërtuar besim. Në institucionet. Në drejtësi. Në fjalën që japim. Dhe mbi të gjitha, tek njëri-tjetri“, tha Ferati.

Sipas tij, besimi nuk mund të votohet, të nënshkruhet apo të urdhërohet.

„Besimi duhet të fitohet. Me durim. Me punë. Me përgjegjësi. Ndonjëherë, madje, edhe përmes brezave.“

Shteti ndërtohet çdo ditë

Ferati theksoi se ndërtimi i shtetit nuk përfundon në sallat ku merren vendimet politike, por vazhdon çdo ditë në shkolla, spitale, gjykata, fabrika dhe familje.

„Vendet nuk ndërtohen vetëm në sallat ku merren vendimet. Ato ndërtohen në klasa. Në sallat e gjyqeve. Në spitale. Në shtëpi. Në mënyrën se si u flasim atyre që flasin dhe mendojnë ndryshe. Në mënyrën se si e ndihmojmë fqinjin tonë. Në mënyrën se si i rrisim fëmijët tanë“, theksoi ai.

Në këtë kontekst, ministri u rikthye te figura e fëmijës së lindur në vitin 2001, i cili sot është i ri dhe nesër do të jetë prind.

Ai tha se një ditë fëmijët e tyre do të pyesin se çfarë ndodhi në vitin 2001 dhe se përgjigjja nuk duhet të jetë vetëm historia e një marrëveshjeje.

„Shpresoj të dëgjojnë storjen e njerëzve që, kur ishte më së vështiri, nuk lejuan që frika të ishte më e fortë se arsyeja. Historinë e një vendi që kishte më shumë se një rrugë përpara. Dhe zgjodhi atë që çonte drejt së ardhmes“, tha Ferati.

„25 e më tej – për rininë, me rininë, së bashku drejt së ardhmes“
Në përmbyllje të fjalimit, Ferati theksoi se 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit nuk duhet të jetë vetëm përkujtim i së kaluarës, por edhe një zotim për të ardhmen.

Ai tha se brezi i sotëm duhet të sigurojë që çdo fëmijë, pavarësisht emrit, gjuhës apo vendit ku ka lindur, ta ndiejë Maqedoninë e Veriut si shtëpinë e tij.

„Para 25 vitesh, zgjodhëm paqen. Sot, brezi ynë duhet të zgjedhë të ardhmen“, tha ministri.

Sipas tij, hapi i ardhshëm është që paqja të shndërrohet në besim, besimi në institucione funksionale dhe institucionet në mundësi për të rinjtë.

„Sepse 25 vitet e ardhshme nuk do të maten vetëm me atë që kemi ruajtur. Ato do të maten me atë që kemi ndërtuar“, përfundoi Ferati, duke e përmbledhur mesazhin e tij me moton:

„25 e më tej. Për rininë. Me rininë. Së bashku drejt së ardhmes.“

Dhe në fund, ai përcolli mesazhin: „Të mos presim të ardhmen. Ta meritojmë atë. Së bashku.“

Continue Reading

Lajme

Ali Ahmeti përkujton viktimat e Lubotenit: Plagët e historisë nuk mbyllen duke i harruar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përkujtuar viktimat e ngjarjeve të Lubotenit, në 25-vjetorin e tragjedisë së 12 gushtit 2001.

Në një postim në rrjetet sociale, Ahmeti ka theksuar se kujtimi i viktimave është i domosdoshëm për të mos lejuar përsëritjen e tragjedive të tilla.

“Plagët e historisë nuk mbyllen duke i harruar, por duke i kujtuar me dinjitet dhe duke mos lejuar që tragjedi të tilla të përsëriten”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, Luboteni mbetet një nga plagët më të rënda të vitit 2001. Ahmeti ka kujtuar se më 12 gusht të atij viti, dhjetë civilë shqiptarë, mes tyre edhe një fëmijë gjashtëvjeçar, humbën jetën.

“Një çerek shekulli më vonë, kujtimi i tyre na obligon të mbrojmë me vendosmëri paqen, barazinë dhe dinjitetin kombëtar”, ka theksuar kreu i BDI-së.

Në fund të mesazhit të tij, Ahmeti ka shprehur nderimin për viktimat e Lubotenit.

“Sot nderojmë viktimat e pafajshme të Lubotenit. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre!”, ka përfunduar Ahmeti, përcjell Zhurnal.

Continue Reading

Lajme

Një çerek shekulli nga Ohri: Marrëveshja që i dha Maqedonisë së Veriut të ardhmen

Nga Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë

Ka momente në histori kur e ardhmja e një vendi përcaktohet nga një dokument i vetëm. Marrëveshje të tilla janë të rralla, por ndikimi i tyre ndihet për breza me radhë. Marrëveshja Kornizë e Ohrit është një prej tyre. Më 13 gusht 2001, njëzet e pesë vjet më parë, udhëheqësit politikë të Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, nënshkruan një marrëveshje, nga çdo pikëpamje historike, e cila do të përcaktonte rrjedhën e shtetit për dekadat që do të pasonin.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet një nga arritjet më të rëndësishme politike dhe diplomatike në historinë moderne të rajonit. Ajo dëshmoi se konfliktet ndëretnike në Ballkan nuk do të gjenin zgjidhje përmes forcës, por përmes dialogut, kompromisit politik, respektimit të të drejtave dhe ndërtimit të institucioneve që u japin të gjithë qytetarëve një vend të barabartë në shtet. Në një kohë kur rajoni ende kishte të hapura plagët e luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë, Ohri solli një model tjetër: jo ndarjen, por bashkëjetesën; jo fitoren e njërës palë mbi tjetrën, por kompromisin; jo përjashtimin, por ndryshimin e mënyrës se si ndërtohet dhe funksionon shteti për të gjithë.

Marrëveshja e Ohrit ishte dhe mbetet një zgjedhje strategjike për paqen, për bashkëjetesën dhe për ndërtimin e një shteti multietnik, në të cilin dallimet nuk do të ishin më burim konflikti, por pjesë e një rendi të përbashkët politik dhe shoqëror. Ishte vendimi që i dha Maqedonisë së Veriut mundësinë të mos mbetej peng i konfliktit të saj, por të ndërtonte një shtet më demokratik, më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm, me një perspektivë të qartë evropiane. Njëzet e pesë vjet më vonë, kjo mbetet trashëgimia më e rëndësishme e Ohrit dhe përgjegjësia më e madhe e brezit të sotëm: ta ruajë atë që u arrit, ta çojë më tej frymën e saj dhe ta bëjë të pakthyeshme paqen, bashkëjetesën dhe orientimin evropian të vendit.

Shqipëria nuk e ka parë kurrë stabilitetin dhe mirëqenien e Maqedonisë së Veriut thjesht si një çështje të një vendi tjetër. Për ne, ai ka qenë dhe mbetet pjesë e drejtpërdrejtë e stabilitetit dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor. Marrëdhëniet e mira ndërmjet komuniteteve, barazia, respekti për identitetin dhe gjuhën, përfaqësimi i drejtë dhe mundësia që çdo qytetar të ndihet plotësisht pjesë e shtetit nuk janë vetëm çështje parimesh dhe të drejtash, sado themelore të jenë ato. Janë njëkohësisht çështje të paqes, të sigurisë, të stabilitetit dhe të së ardhmes evropiane të rajonit. Ishte pikërisht kjo që u kuptua dhe u materializua në Ohër, një çerek shekulli më parë.
Ky është edhe mësimi më i rëndësishëm që Ohri i jep sot rajonit. Paqja nuk konsolidohet vetëm duke i dhënë fund konfliktit; ajo bëhet e qëndrueshme kur mishërohet në institucione, në të drejta, në mundësi të barabarta dhe në besim të ndërsjellë. Një marrëveshje paqeje e përmbush misionin e saj jo vetëm kur heshtin armët, por kur brezat që vijnë nuk kanë më arsye t’u kthehen atyre. Përmes garantimit të të drejtave për komunitetet, përfaqësimit më të drejtë në administratë dhe njohjes së karakterit multietnik të shoqërisë, marrëveshja krijoi një ekuilibër të ri politik dhe social.
Pikërisht për këtë arsye, Marrëveshja e Ohrit nuk duhet parë si një dokument i ngrirë në kohë. Ajo duhet kuptuar si një kontratë politike që kërkon kujdes e vëmendje të vazhdueshme sepse është dhe mbetet përcaktuese për të ardhmen e shtetit, si angazhim i përbashkët për një Maqedoni të Veriut demokratike, multietnike, gjithëpërfshirëse dhe evropiane. Ruajtja e frymës së Ohrit nuk do të thotë të jetosh me kujtesën e konfliktit, por të sigurohesh që shkaqet që e ushqyen atë konflikt të mos kthehen më kurrë në burim përçarjeje.

Në këtë kuptim, anëtarësimi në NATO, bashkëpunimi i njëmendtë rajonal dhe marrëdhëniet e miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë si dhe rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut janë sa materializim, aq edhe vazhdim i natyrshëm i frymës së Ohrit. Evropa nuk kërkon që dallimet të zhduken; ajo kërkon që ato të jetojnë së bashku brenda institucioneve të forta, shtetit të së drejtës dhe një demokracie që garanton barazi dhe dinjitet për të gjithë.

Në planin e marrëdhënieve ndër etnike, Marrëveshja e Ohrit afirmoi një realitet të patjetërsueshëm, të njohur që në vitin 2001: se shqiptarët janë pjesë thelbësore e shoqërisë dhe pjesë shtetformuese e Maqedonisë së Veriut. Të drejtat e tyre nuk janë një koncesion i dhënë nga shumica dhe as një privilegj që mund të rishikohet sipas klimës politike të momentit. Ato janë pjesë e kontratës politike dhe pjesë e themeleve mbi të cilën qëndron shteti demokratik dhe multietnik.
Përvojat më të mira evropiane por edhe shembujt më pozitive në rajonin tonë kanë treguar bindshëm se një shtet që respekton dhe garanton, në ligj dhe në praktikë, në germë dhe në frymë, identitetin, gjuhën, kulturën dhe të drejtat e komuniteteve të tij është më i fortë. Po ashtu, një komunitet që e sheh veten të barabartë dhe të përfaqësuar ka më shumë arsye ta shohë shtetin si të vetin, ta forcojë atë dhe të investojë në të ardhmen e tij. Në këtë kuptim, Ohri nuk u dha shqiptarëve vetëm të drejta. Ai ndryshoi vetë mënyrën se si duhet kuptuar shteti, jo si një ekuilibër i përkohshëm ndërmjet komuniteteve, por një model shtetëror ku barazia dhe forca e shtetit ecin bashkë; ku diversiteti nuk shihet si kërcënim, por si pjesë e identitetit të përbashkët; dhe ku përkatësia etnike nuk përcakton shkallën e qytetarisë.

Në këtë përvjetor, një mësim mbetet veçanërisht aktual. Marrëveshja e Ohrit na kujton se paqja nuk është një e dhënë e përhershme. Ajo duhet të ruhet e të ushqehet përmes institucioneve demokratike, respektit për diversitetin dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen.

Për Shqipërinë, stabiliteti, siguria dhe begatia e Maqedonisë së Veriut janë pjesë e pandashme e zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë rajonit tonë. Dy vendet tona ndajnë jo vetëm kufij, interesa strategjike dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian, por edhe bindjen se marrëdhëniet ndëretnike të bazuara në respekt dhe barazi janë themeli mbi të cilin ndërtohen shoqëritë moderne evropiane.

Shqipëria ndan bindjen e palëkundur se paqja e qëndrueshme në Ballkan ndërtohet duke afruar njerëzit, duke forcuar institucionet demokratike, marrëdhëniet dy e shumëpalëshe, duke respektuar të drejtat e njeriut, dhe duke i dhënë gjithë shoqërisë, pa asnjë dallim, arsye për ta parë të ardhmen brenda të njëjtit projekt.
Ohri e hapi këtë rrugë njëzet e pesë vjet më parë. Detyra e brezit të sotëm është ta çojë më tej.

Ky përvjetor është edhe moment për të analizuar shkallën dhe cilësinë e zbatimit dhe çfarë mbetet ende për t’u bërë. Zbatimi i plotë i frymës së Ohrit mbetet punë në vazhdim: debatet e këtij viti rreth përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë kujtojnë se të drejtat e fituara në 2001 kërkojnë vëmendje dhe kujdes institucional të vazhdueshëm, jo vetëm përkujtim solemn. Maqedonia e Veriut e sotme nuk është ajo e vitit 2001. Shoqëria ka ndryshuar. Rajoni ka ndryshuar. Evropa ka ndryshuar. Edhe vetë kuptimi i sigurisë, i sovranitetit dhe i bashkëpunimit ka ndryshuar.
Prandaj, edhe Ohri duhet të lexohet në dritën e kësaj të ardhmeje. Të ruash Ohrin do të thotë të vazhdosh të ndërtosh një shtet ku kthimi te logjika e përplasjes dhe e dasive bëhet e pamundur. Kjo kërkon përgjegjësi nga të gjithë, si nga grupet shoqërore ashtu edhe nga elitat politike. Ashtu siç kërkohet nga të gjitha vendet tona në rajon, duhet të kuptojmë se stabiliteti i njërit nuk ndërtohet mbi pasigurinë e tjetrit.

Për Shqipërinë, marrëdhënia me Maqedoninë e Veriut është bartëse e një rëndësie të veçantë. Jemi fqinjë, vende mike, aleatë në NATO, partnerë në procesin e integrimit evropian dhe pjesë e së njëjtës hapësirë ballkanike që e njeh çmimin e lartë për konfliktet e së kaluarës por edhe vlerën e investimit të njëmendtë tek e ardhmja e përbashkët.
Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë të drejtat e shqiptarëve kudo ku jetojnë, ashtu siç do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionimin demokratik të shteteve ku ata jetojnë.
Këto dy qëndrime nuk bien në kundërshtim. Përkundrazi, janë pjesë e të njëjtit parim: të drejtat e komuniteteve dhe forca e shtetit nuk janë kundërshtare. Njëra e forcon tjetrën. Ky është një mësim i rëndësishëm i Ohrit.

Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit, Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet themel sepse i dha përgjigje një pyetjeje themelore: a mund të ndërtohet në Ballkanin Përendimor një shtet i përbashkët duke respektuar identitetet e ndryshme dhe duke i bërë ato pjesë të forcës së tij?

Përgjigjja e historisë së 25 viteve të fundit është, padyshim, po. Dhe kjo përgjigje duhet të provohet çdo ditë, përmes besimit dhe investimit të sinqertë që e shtyn vendin drejt së ardhmes.

Një çerek shekulli më vonë, ndoshta mënyra më e mirë për të lartësuar vendimin e 13 gushtit 2001 dhe për të kremtuar arritjet e saj është të mos e shohim Ohrin si marrëveshjen që i dha fund konfliktit dhe ndarjes, por si marrëveshjen që na mësoi të gjithëve si të ndërtojmë paqen e qëndrueshme.

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme4 hours ago

Ministri Ferati: 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, detyra jonë është ta shndërrojmë paqen në besim dhe besimin në një të ardhme më të mirë

Në manifestimin qendror me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon...

Lajme1 day ago

Ali Ahmeti përkujton viktimat e Lubotenit: Plagët e historisë nuk mbyllen duke i harruar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përkujtuar viktimat e ngjarjeve të Lubotenit, në 25-vjetorin e tragjedisë...

Lajme1 day ago

Një çerek shekulli nga Ohri: Marrëveshja që i dha Maqedonisë së Veriut të ardhmen

Nga Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë Ka momente në histori kur e...

Lajme1 day ago

Çështja e emrave të rrugëve në Tetovë drejt zgjidhjes, Albi Qamili: Miratuam edhe 145 emra të rinj!

Çështja shumëvjeçare e emrave të rrugëve në Tetovë po shkon drejt zgjidhjes përfundimtare. Grupi i Punës për Riemërtimin e Rrugëve...

Lajme1 day ago

Ndërron jetë babai i Izet Mexhitit

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se babai i tij, Beqir Mexhiti, ka ndërruar jetë,...

Lajme3 days ago

Driton Kuçi ambasador edhe për një mandat, Jusufi në Stokholm, Todorovska në Prishtinë

Qeveria ka bërë gati listën e ambasadorëve të rinj që do të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në disa prej misioneve...

Lajme3 days ago

Korrigjohet tabela në Tabanoc, shqipja tashmë pa gabime drejtshkrimore (FOTO)

Tabela në pikën kufitare Tabanoc, në hyrje të Maqedonisë së Veriut, është korrigjuar pas denoncimeve për gabime drejtshkrimore në versionin...

Lajme3 days ago

“Non grata” për Belën dhe Alimin, Ahmeti: Jam i sigurt se shteti shqiptar nuk u bie në qafë shqiptarëve

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka komentuar vendimet e fundit të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë për shpalljen “non grata”...

Lajme3 days ago

Menduh Thaçi: Ali Ahmeti është njeriu më i pabesë që kam takuar në jetë

Politikani shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Menduh Thaçi, ka hedhur akuza të forta ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke...

Lajme3 days ago

Ahmeti: U ndjeva goxha keq kur e pashë Kurtin krah Mickoskit

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në ”Click” të RTV21, ka folur për raportet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin...

Trending