Lajme
VLEN: Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po kthehet në ligj pas dy dekadash vonesë
Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Daut Memishi, ka deklaruar se vendi ndodhet “para një momenti historik”, duke iu referuar miratimit të ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilin ai e cilësoi si zbatim të drejtpërdrejtë të parimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.
Sipas Memishit, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është më vetëm parim kushtetues apo premtim politik, por tashmë po shndërrohet në detyrim ligjor për të gjitha institucionet. Ai theksoi se ky ligj, sipas tij, është vonuar për më shumë se dy dekada dhe se nuk është realizuar nga qeveritë e mëparshme, pavarësisht premtimeve të përsëritura.
Memishi kritikoi kundërshtarët politikë, duke thënë se kanë pasur mundësi dhe pushtet për ta miratuar një ligj të tillë, por nuk kanë pasur vullnet politik. Ai shtoi se ka pasur përpjekje për ta paraqitur Marrëveshjen e Ohrit si të përmbyllur, ndërsa, sipas tij, mungesa e këtij ligji tregon të kundërtën.
Në fund të deklaratës, ai theksoi se VLEN po e realizon këtë proces “brenda 25 muajve”, duke e krahasuar me periudhën shumë më të gjatë të mosveprimit të mëhershëm, dhe se sipas tij, për qytetarët është më e rëndësishme ekzistenca e një ligji mbrojtës sesa funksionet politike.
Lajme
Ministri Hoxha në Sofje takoi eurokomisioneren për Mjedis, Qëndrueshmërinë e Burimeve Ujore dhe Ekonominë Qarkulluese Konkurruese, Jessika Roswall
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha ditë më parë mori pjesë në Konferencën Ministrore të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), e mbajtur në Sofje, ku fokusi kryesor ishte adresimi i sfidave klimatike, tranzicioni i gjelbër dhe avancimi i bashkëpunimit rajonal në fushën e mjedisit.
Në margjinat e konferencës Hoxha realizoi takim me eurokomisioneren për Mjedisin, Qëndrueshmërinë e Burimeve Ujore dhe Ekonominë Qarkulluese Konkurruese, Jessika Roswall, me të cilën diskutoi për prioritetet mjedisore të vendit, procesin e harmonizimit me politikat evropiane dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e veprimit të koordinuar përballë ndryshimeve klimatike, menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe përshpejtimit të tranzicionit drejt një ekonomie më të gjelbër dhe më konkurruese.
Ministri Hoxha vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Evropian në zbatimin e reformave mjedisore dhe nënvizoi përkushtimin e vendit për të avancuar standardet evropiane në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Pjesëmarrja e eurokomisioneres Roswall në konferencë, sipas ministrit Hoxha, konfirmon rëndësinë që Bashkimi Evropian i kushton bashkëpunimit rajonal dhe përballjes së përbashkët me sfidat klimatike për një të ardhme më të qëndrueshme për qytetarët e rajonit.
Lajme
Komuna e Tetovës do t’i japë 1.1 milionë denarë BFI-së
Komuna e Tetovës do t’i japë 1,144,484 denarë (rreth 18 mijë euro) Bashkësisë Fetare Islame pasi kjo e fundit ka kërkuar nga komuna që t’ia kthejë tatimin e qarkullimit për riblerjen e kompleksit Arabati Baba Teqe, shkruan Portalb.mk.
Këtë vendim e solli Këshilli Komunal me 23 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur.
Ky vendim erdhi pasi Bashkësia Fetare Islame përmes një letre kërkoi nga Komuna e Tetovës t’i kthejë tatimin e qarkullimit për riblerjen e kompleksit Arabati Baba Teqe.
“Duke marrë parasysh faktin se shuma e paguar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame e RMV-së për riblerjen e disa pjesëve të kompleksit Arabati nga kompania Teteks është e lartë, dhe kjo ka rezultuar në pagesën e mëdha drejt institucionit tuaj, Myftinia e BFI Tetovë kërkon nga ju të na mundësoni kthimin e tatim qarkullimit gjatë riblerjes së këtij monumenti fetar”, thuhet në letër.
Në arsyetim të kësaj kërkese thuhet se kompleksi do të shërbejë vetëm për aktivitete fetare-sociale dhe nuk do të ketë ndonjë karakter tjetër tregtar apo ekonomik.
“Me këtë vendim i ndahet ndihmë e njëhershme financiare Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së – Myftina e Tetovës, në vlerë prej 1,144,484 denarë. Mjetet e nevojshme për realizimin e këtij vendimi në vlerë prej 1,144,484 denarë, do të sigurohen nga Buxheti i Komunës së Tetovës për vitin 2026”, thuhet në vendimin e miratuar nga Këshilli Komunal.
Lajme
“Mos e prek gjakun e lirisë: Pankarta te shtabi i VV-së nē Shkup
Një seri pankartash me mesazhe politike dhe kombëtare janë vendosur para shtabit të Lëvizjes Vetëvendosje në Shkup, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe kalimtarëve.
Në hyrjen e objektit shihen pankarta me mbishkrime si: “Mos e shkel gjakun e lirisë”, “Liria nuk shitet”, “Ata ranë, ju përçani?”, “Pushteti kalon, dëmi mbetet” dhe “Amaneti tradhtohet?”.
Mesazhet shoqërohen edhe me thirrje të tjera si “Mos luani me gjakun”, “Mos përçani kombin”, “Kujt i shërbeni?” dhe “Shqiptarët nuk ndahen”, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një reagim ndaj zhvillimeve dhe përçarjeve politike në kampin shqiptar.
Pankartat janë vendosur gjatë ditës së sotme dhe kanë ngjallur reagime të ndryshme në opinion. Deri në këto momente nuk ka një sqarim zyrtar se kush qëndron pas vendosjes së tyre.
Mesazhet janë fokusuar kryesisht te uniteti kombëtar, ruajtja e idealeve të luftës dhe kritikat ndaj përçarjeve politike, duke e shndërruar hyrjen e shtabit në një hapësirë simbolike proteste.
Ndërkohë, mbetet të shihet nëse do të ketë reagim nga përfaqësuesit e VV-së në Shkup lidhur me këto pankarta dhe mesazhet e shfaqura para selisë së tyre.
-
Lajme6 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme6 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
