Lajme
Gashi për zgjedhjet në Bërvenicë: Le të fitojë më i miri!
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi duke folur për zgjedhjet që do të mbahen ditën e diel në Bërvenicë ka deklaruar se qytetarët në zgjedhjet lokale duhet të zgjedhin kandidatin që mendojnë se do ua zgjidh problemet lokale.
“Unë uroj që ne t’i tejkalojmë këto provincializma dhe të ndahemi etnikisht, sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale. Megjithatë, për fat të keq, ende jemi në një fazë ku te partitë politike dhe në zgjedhje, prioritet është apo shpesh mbisundon elementi etnik, pra se për kë duhet të votohet. Mendoj se sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, kur qytetarët kanë nevojë të zgjidhin probleme esenciale si ujësjellësi, kanalizimi dhe asfaltimi i rrugëve, duhet të fokusohen te zgjidhja më e mirë, te programi më i mirë dhe te kandidati më i mirë. Kjo është ajo që ka rëndësi në parim. Mendoj se duhet të ngrihet kultura politike, por fatkeqësisht ende konstatoj se nuk jemi në atë nivel. Prandaj, uroj që edhe në këto zgjedhje, sikurse në të gjitha zgjedhjet, të fitojë më i miri dhe ai që u shërben të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë partiake, etnike, religjioze etj”, tha Gashi.
Lajme
Volkswagen në humbje prej 5.8 miliardë eurosh, 50 mijë vende pune në rrezik
Gjiganti gjerman i automobilave “Volkswagen” ka regjistruar rënie të të ardhurave dhe humbje të mëdha financiare gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Të ardhurat nga korriku deri në shtator kanë rënë për 6.3 për qind, në 75.3 miliardë euro, ndërsa numri i automjeteve të dorëzuara ka shënuar rënie prej 14.3 për qind, në 1.89 milionë.
Si pasojë, kompania ka regjistruar humbje neto prej 5.8 miliardë eurosh. Një ndikim të madh në këto rezultate ka pasur edhe tregu kinez, raporton “Der Spiegel”.
Ndër arsyet kryesore për rezultatet e dobëta janë zhvlerësimi prej 6.4 miliardë eurosh i lidhur me markën “Porsche”, dobësimi i aktivitetit afarist në Kinë, si dhe shpenzimet për ristrukturimin e grupit. Sipas raportimeve, vetëm gjatë tremujorit të tretë, “Volkswagen” ka pasur shpenzime të jashtëzakonshme në vlerë prej 7.8 miliardë eurosh.
Edhe pse zhvlerësimi i lidhur me “Porsche” nuk nënkupton dalje reale të parave nga kompania, ai ka ndikuar ndjeshëm në uljen e fitimit operativ të raportuar.
“Rezultatet për nëntë muajt e parë tregojnë qartë se nuk duhet të humbim kohë dhe se duhet të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri”, deklaroi drejtori financiar i grupit, Arno Antlitz.
Ndërkohë, sipas portalit „B-92“, kjo situatë mund të çojë në largimin nga puna të rreth 50 mijë punonjësve.
Marka „Porsche“, dikur një nga segmentet më fitimprurëse të grupit, prej kohësh po përballet me krizë. Sfidat kryesore përfshijnë rënien e shitjeve në Kinë, politikat doganore të SHBA-së, si dhe ndryshimet në strategjinë e kompanisë për elektrifikimin e automjeteve.
Edhe pse rezultatet e saj afariste kohët e fundit kanë shfaqur shenja stabilizimi, presioni financiar mbi të gjithë grupin „Volkswagen“ mbetet i lartë.
Lajme
Tragjedi në Kapadoki, tre të vdekur nga shembja e shkëmbinjve! Mes viktimave edhe një çift i sapomartuar
Tre persona kanë humbur jetën dhe 5 të tjerë janë plagosur nga shembja e pjesëve të një formacioni shkëmbor në Kapadokia të Turqisë.
Ngjarja ka ndodhur të enjten, më 29 tetor, pranë Muzeut të Hapur të Göremes, në provincën Nevşehir.
Sipas agjencisë turke të lajmeve Anadolu Agency (AA), masa shkëmbore janë shkëputur nga një formacion natyror në zonën turistike dhe kanë rënë mbi personat që ndodheshin aty.
Mes viktimave është një turiste franceze, e identifikuar si Cynthia Francine Marie Madeleine Huppert, si dhe një çift i sapomartuar turk, gazetari Fatih Eray Tuna dhe bashkëshortja e tij, Begüm Çetinkaya Tuna.
Çifti ishte martuar më 5 korrik 2026 dhe kishte zgjedhur Kapadokinë për të kaluar pushimet. Vdekja e tyre ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa lajmi për tragjedinë është përhapur edhe në rrjetet sociale.
Guvernatori i Nevşehirit, Hüseyin Kök, ka deklaruar se reshjet e dendura të shiut dyshohet se kanë ndikuar në shkëputjen e masave shkëmbore.
Pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë ndërhyrë ekipet e Policisë, Xhandarmërisë, Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) dhe shërbimet mjekësore.
Autoritetet kanë konfirmuar përfundimin e operacionit të kërkim-shpëtimit.
Nga 5 të plagosurit, 4 janë liruar nga spitali pas trajtimit mjekësor, ndërsa 1 person ka mbetur i hospitalizuar për shkak të një frakture në legen.
Prokuroria e Nevşehirit ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të tragjedisë. Për këtë qëllim janë caktuar edhe 5 ekspertë.
Kapadokia është ndër destinacionet më të njohura turistike të Turqisë, e famshme për formacionet e saj natyrore shkëmbore dhe qytetet e lashta nëntokësore.
Lajme
Bizneset në Maqedoni realizuan mbi 36 miliardë euro qarkullim brenda një viti!
Bizneset në Maqedoninë e Veriut realizuan mbi 36 miliardë euro qarkullim gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, gjithsej 70.843 subjekte afariste të orientuara drejt tregut realizuan qarkullim prej 2.226.478 milionë denarësh, apo rreth 36,19 miliardë euro.
Nga aktiviteti i tyre ekonomik u krijua vlerë e shtuar bruto prej 522.087 milionë denarësh, që përkthehet në rreth 8,49 miliardë euro.
Pjesën më të madhe të qarkullimit e realizuan bizneset e sektorit të tregtisë me shumicë dhe pakicë, me 38,7 për qind. Pas tyre renditet industria përpunuese, e cila kontribuoi me 24,5 për qind të qarkullimit të përgjithshëm.
Ndërkaq, kur bëhet fjalë për vlerën e shtuar bruto, në vend të parë është industria përpunuese me 26,2 për qind. Pas saj vjen tregtia me shumicë dhe pakicë me 20 për qind, ndërtimtaria me 10 për qind, ndërsa sektori i telekomunikacionit, programimit kompjuterik, konsulencës dhe veprimtarive të tjera informatike me 9,2 për qind.
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
