Lajme
VLEN kërkon hetim për lidhjet e dyshuara afariste mes kompanive të afërta me BDI-në dhe Alta Bankës
VLEN ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth Alta Bankës, duke ngritur dyshime për lidhje afariste ndërmjet kompanive të afërta me figura të BDI-së dhe strukturave të lidhura me pushtetin në Serbi.
“Kjo kronologji kërkon përgjigje të qarta. Nuk mund të mbetet pa u hetuar një zinxhir transaksionesh që përfshin kompani të afërta me figura të larta politike, ish-struktura të pushtetit dhe institucione financiare në Serbi”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga kjo parti kërkojnë që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokuroria Publike të hetojnë transaksionet e kompanisë AS Senjak me Sasho Mijallkovin dhe Alta Bankën, përfshirë kredinë prej 5 milionë eurosh dhe kontratat komunale me vlerë prej 90 milionë denarësh.
VLEN kërkon gjithashtu publikimin e procesverbaleve të takimeve të Bujar Osmanit dhe Ali Ahmetit me Aleksandar Vuçiqin dhe zyrtarë të tjerë serbë.
“Ali Ahmeti personalisht të sqarojë marrëdhëniet afariste të kompanisë së krushkut të tij me Sasho Mijallkovin dhe Alta Bankën, përfshirë kredinë dhe shitblerjen e aksioneve”, theksohet në reagim.
Në fund, VLEN thekson se qytetarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi, duke shtuar se heshtja nuk mund të jetë përgjigje ndaj çështjeve që prekin interesin publik.
Lajme
U ofronte ndihmë te bankomati, pastaj u vidhte para: Arrestohet 50-vjeçari në Kumanovë
Një banor 50-vjeçar i fshatit Pçinjë është arrestuar pasi, sipas policisë, para një banke në rrugën “Ivo Lola Ribar” në Kumanovë u ofronte ndihmë qytetarëve gjatë tërheqjes së parave nga bankomati dhe më pas u merrte një pjesë të parave.
Incidenti është raportuar më 2 nëntor rreth orës 10:30, kur oficerët e policisë nga SPB Kumanovë arrestuan M.Z. (50).
Sipas informacioneve të policisë, ai shfrytëzonte pakujdesinë e qytetarëve të cilëve u ndihmonte për të tërhequr para nga bankomati dhe mbante për vete një pjesë të shumës.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tij do të paraqitet kallëzim penal i përshtatshëm.
Lajme
Dorëzohet interpelancë për Stoillkoviqin!
Grupi parlamentar i LSDM-së ka dorëzuar në Kuvend interpelancë për punën e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoillkoviq, duke kërkuar përgjegjësi politike për veprimet dhe deklaratat e tij. Deputeti Mitko Trajçuleski tha se interpelanca bazohet në sjelljen e papërshtatshme të ministrit ndaj deputetëve, si dhe në aktivitetet e tij që, sipas LSDM-së, janë në kundërshtim me interesat strategjike të vendit.
Opozita e akuzon Stoillkoviqin për lidhje me struktura serbe, ruse dhe kineze, glorifikim të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq dhe kërcënime ndaj deputetëve të LSDM-së, Fatmir Bytyqit, Mitko Trajçuleskit dhe Arbanë Pashollit. LSDM-ja kërkon që shumica parlamentare të mbështesë interpelancën dhe të kërkojë përgjegjësi nga ministri.
“Ministri ka për obligim të përgjigjet para Kuvendit dhe ta pranojë kritikën parlamentare. Kur pyetjeve dhe kritikave të parashtruara u përgjigjet me kërcënime, ai shkel dinjitetin e institucionit dhe dëshmon se nuk është i denjë për funksionin. Stoillkoviqi nuk është thirrur asnjëherë në përgjegjësi dhe as nuk ka kërkuar falje personalisht”,, tha Mitko Trajçuleski
Lajme
Si u rrënua perandoria financiare e Alta Bankës në Serbi
Davor Macura, drejtuesi i Alta Bankës në Serbi, sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar (TOK), është thirrur nga policia rreth orës 04:00 të mëngjesit të shtunën e 31 tetorit, në kuadër të një hetimi. Kjo ndodhi pasi Banka Popullore e Serbisë(NBS) kishte konstatuar se banka kishte detyrime të papaguara, ndonëse prej vitesh ishte paraqitur si një nga bankat më të suksesshme në vend.
Prokuroria serbe dyshon se vetë Macura, në një periudhë para dates 31 tetor, është futur në thesarin e bankës i ndihmuar nga dy punonjës të saj dhe ka marrë rreth 388 milionë euro. Arsyeja e këtij veprimi mbetet e paqartë. Po ashtu, ende nuk dihet se ku kanë përfunduar paratë dhe çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Policia serbe kaloi më shumë se 30 orë duke kryer kontrolle në këtë bankë. Macura kishte shkuar vet në bankë, por më 2 nëntor ai u arrestua, bashkë me dy personat e tjerë, dhe ndaj tij u caktua masa e ndalimit për 48 orë.

Ndërkohë, në periudhën paszgjedhore në Serbi nisën të qarkullonin në rrjetet sociale dhe në media informacione se nga bankat po nxirreshin shuma të mëdha parash në dorë.
Dyshimet për transferimin e parave jashtë shtetit
Në rrjetet sociale dhe në media nisën të qarkullonin video dhe fotografi të nxjerrjes së dokumenteve të grisura nga institucione të ndryshme. Pretendohej se po zhdukeshin gjurmë të veprimeve të kryera gjatë pushtetit të mëparshëm, përfshirë pagesa ndaj personave të ndryshëm.
Por, ajo që shkaktoi shqetësimin më të madh ishte nxjerrja e parave nga bankat. Kjo e detyroi Bankën Popullore të Serbisë (NBS) të publikonte një komunikatë për të mohuar, siç i cilësoi vetë, lajmet e pavërteta.
I pari që ngriti alarmin ishte avokati nga Beogradi, Ivan Niniq. Ai bëri të ditur në rrjetin social X se i kishte dorëzuar NBS-së një kërkesë për nisjen urgjente të një procedure të kontrollit të jashtëzakonshëm të veprimtarisë së një banke. Niniq pretendonte se kishte informacione se banka kishte nisur një proces të “transferimit intensiv dhe të përshpejtuar të mjeteve financiare jashtë shtetit”.
NBS deklaroi se kryen vazhdimisht mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së të gjitha bankave, me qëllim ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.
Por avokati këmbëngulte se dispononte informacione operative sipas të cilave, që nga 26 tetori, një bankë kishte filluar transferimin intensiv dhe të përshpejtuar të mjeteve financiare likuide jashtë vendit dhe se paratë po transferoheshin në llogari dhe subjekte juridike në Moskë dhe Shkup.
Roli i Vuçiqit
Disa ditë më vonë, më 28 tetor, në mediat serbe u shfaq Nemanja Karoviq, përfaqësues i Listës Studentore. Në një intervistë në RTS ai tha se pushteti i Aleksandar Vuçiqit, i cili sipas tij vazhdonte të kontrollonte institucionet, po e keqpërdorte situatën, duke rrezikuar ekonominë dhe sigurinë e vendit.
Karoviq tha se punonjësit e një banke shtetërore, “Poshtanska Shtedionica”, ose Bankës së Kursimeve Postare, kishin ndaluar disa persona që të nxirrnin para nga kjo bankë.
“Ekzistojnë dyshime serioze se nga kjo bankë është tentuar të nxirren rreth një miliard dinarë (rreth 8,5 milionë euro)”, deklaroi Karoviq.

Banka e Kursimeve Postare është 100 për qind në pronësi të shtetit. Përmes saj paguhen një pjesë e pensioneve, pagave dhe ndihmave sociale në sektorin publik.
Guvernatorja e NBS, Jorgovanka Tabakoviq, tha se: “Informacionet lidhur me procedurat konkrete të kontrollit, rrjedhën e tyre, përmbajtjen e gjetjeve individuale dhe të dhënat e tjera që përbëjnë informacione konfidenciale mbikëqyrëse, nuk mund t’i komunikohen publikut jashtë kufijve të lejuar me ligj”.
Ndërkaq, Banka e Kursimeve Postare i mohoi pretendimet, duke deklaruar se një tentativë e tillë për të nxjerrë para nuk kishte ndodhur.
Ngritja e Alta bankës
Historia e suksesit të Davor Macurës, të cilin mediat serbe e cilësojnë si të afërt me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit, mund të dukej si një histori e ëndrrës së bërë realitet. Por, pas ngritjes së tij në botën e biznesit fshihen pikëpyetje për biografinë dhe lidhjet e tij.
Sipas një hulumtimi të BIRN-it, Macura ka bashkëpunuar përmes kompanisë së tij “Danica Park” edhe me Nikola Petroviqin, kumbarin e Aleksandar Vuçiqit, por edhe me Milan Radoiçiqin, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës për terrorizëm lidhur me rastin e Banjskës të vitit 2023, si dhe me bashkëshorten e Zvonko Veselinoviqit, i cili zhvillonte aktivitete biznesi në Kosovë dhe Serbi së bashku me Radoiçiqin.
Gjatë sulmit në Banjskë, një grup i armatosur serbësh hyri në veri të Kosovës. Pas përleshjeve me policinë, mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.
Duke i falënderuar lidhjeve të fuqishme me pushtetin dhe qarqe të tjera, biznesmeni Davor Macura, një 44-vjeçar, i lindur në Rijekë të Kroacisë, filloi në Serbi nga një biznes i vogël dhe u shndërrua në një pre figurave më të fuqishme me influencë të madhe. Ai themeloi kompani të shumta në Serbi dhe vende të tjera.
Shpesh paraqitej në listat e sipërmarrësve më të suksesshëm dhe me ndikim në ekonominë e Serbisë. Gjatë një forumi në Kongresin Amerikan, në vitin 2024, ambasadori Xhon Krejg i dorëzoi Davor Macurës mirënjohjen “Lider i Gjeneratës së Ardhshme”, për përkushtimin e tij në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve afariste transatlantike ndërmjet Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe SHBA-së.
Në faqen e internetit të Alta Group janë publikuar informacione për vizitat e Macurës në SHBA dhe takimet e tij me anëtarë të Kongresit Amerikan.

Por, vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Serbi, kongresmeni republikan, Xho Vilson, i dërgoi një letër sekretarit amerikan të shtetit, Marko Rubio, duke kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj katër biznesmenëve nga Serbia: Davor Macurës, pronarit të Alta Group, Zhelko Mitroviqit, pronarit të televizionit Pink, si dhe Ivan Boshniakut dhe Stojan Vujko, pronarëve të kompanisë Millennium Team.
Çfarë ndodh tani me klientët e bankës?
Bankomatet dhe filialet e Alta Bankës janë mbyllur, ndërsa banka ka kaluar nën administrimin e institucioneve shtetërore. Një pjesë e dyqaneve nuk mund të pranojnë më pagesa me kartelë, pasi terminalet e tyre të pagesave ishin të lidhura me këtë bankë. Për këtë arsye, ato mund të pranojnë vetëm pagesa në para të gatshme.
Për klientët, humbja e licencës së bankës nuk do të thotë automatikisht se do t’i humbin paratë. Megjithatë, kjo sjell kufizime të menjëhershme në përdorimin e llogarive, kartelave dhe depozitave.
Në Serbi, depozitat janë të siguruara deri në 50.000 euro për depozitues, në secilën bankë. Kjo mbrojtje zbatohet përmes Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.
Për shumat që tejkalojnë këtë kufi, rikuperimi i parave është më i ndërlikuar. Pjesa që nuk mbulohet nga sigurimi i depozitave mund të kërkohet në procedurën e falimentimit. Pagesat varen nga pasuria e bankës, shitja e aseteve dhe rikthimi i kredive që klientët i kanë marrë prej saj. Ky proces mund të zgjasë.
Alta Banka ishte banka e nëntë më e madhe në Serbi dhe zotëronte rreth tre përqind të tregut bankar në Serbi.https:/dw.com/
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
