Lajme
Çfarë dihet për kartelin ballkanik të drogës, anëtarë të të cilit u arrestuan në Mal të Zi?
Dymbëdhjetë arrestime, operacione në disa shtete, veprimtari në pesë kontinente dhe sekuestrim i 4.2 tonëve drogë. Ky është epilogu i një aksioni ndërkombëtar policor, të zhvilluar në Mal të Zi dhe në Gjermani.
Ndër të arrestuarit në Mal të Zi është edhe S.F., për të cilin policia e këtij vendi bëri të ditur se është një nga drejtuesit e kartelit ballkanik.
Mediat malazeze e identifikuan si Svetisllav Fillipoviq dhe ai dyshohet për prodhim, posedim dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve.
Ai përballet me një dënim deri në 15 vjet burg dhe, përveç kësaj, akuzohet edhe për tregti të paligjshme të armëve dhe materialeve shpërthyese.
Për të nuk ka shumë informacione, ndërsa gjatë publikimit të të dhënave për aksionin, policia evropiane, Europol, tha se në Mal të Zi është arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë.
Ai vjen nga Podgorica dhe është 47 vjeç, ndërsa që nga viti 2002 figuron si drejtor i kompanisë “Spectacular”, sipas regjistrit publik të të dhënave të biznesit “Company wall”.
Kjo kompani, deri më tani, ka pranuar 139 dërgesa nga 16 vende, përfshirë Ekuadorin, Ukrainën dhe Kolumbinë, tregojnë të dhënat e platformës Volza, e cila mbledh informacione për tregtinë globale.
Sipas saj, kompania ka importuar banane, shalqinj, fruta të thata dhe arra, ndërsa ndër furnizuesit e saj figuron edhe një kompani nga Hong Kongu.
Në vitin 2023, “Spectacular” gjeneroi të ardhura totale prej 664.206 eurosh. Fillipoviq është gjithashtu një nga bashkëpronarët e kompanisë “Europayment”.
Llogaritë e të dyja kompanive janë bllokuar.
Përveç arrestimeve në Mal të Zi, katër persona u arrestuan edhe në Gjermani, por ende nuk ka shumë informacione rreth tyre.
Sipas policisë ndërkombëtare, Interpol, në Gjermani veprojnë disa grupe globale të krimit të organizuar, të cilat merren me një gamë të gjerë krimesh, si: trafikim i drogës, krime kundër pronës dhe kontrabandë e qenieve njerëzore. Të arrestuarit më 15 prill akuzohen për dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika e Jugut në vendet e Bashkimit Evropian, tha drejtori i Drejtorisë së Policisë në Mal të Zi, Llazar Shqepanoviq.
Sipas tij, ky grup kriminal siguroi dhe ndërmjetësoi shitjen e kokainës dhe kanabisit, si në Mal të Zi ashtu edhe në vende të tjera, si: Gjermania, Holanda, Belgjika, Bolivia dhe Tajlanda.
Ky operacion konfirmon se, pavarësisht goditjeve të shkaktuara nga operacionet e mëparshme, grupet ballkanike nuk janë zhdukur, por vazhdojnë aktivitetet e tyre, duke i përshtatur dhe rindërtuar zinxhirët e tyre logjistikë, thotë Sasha Gjorgjeviq nga Iniciativa Globale për Luftën kundër Krimit të Organizuar Transnacional.
“Grupet kriminale ballkanike mbeten të rrënjosura fort në rrugët tradicionale të trafikimit të kokainës, veçanërisht në linjën Amerikë Latine-Evropë, me Gjermaninë që është ende një nga tregjet kryesore”, thotë Gjorgjeviq.
Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor janë identifikuar nga organizatat ndërkombëtare, si Europol dhe Interpol, si aktorë kryesorë në kontrabandën e kokainës nga vendet e Amerikës Latine – si Brazili, Kolumbia dhe Ekuadori – drejt tregjeve kryesisht të Evropës Perëndimore.
Por, përveç kokainës, u kontrabandua edhe kanabis – rreth 1.5 ton u gjet nga 12 sekuestrime të ndryshme.
Kanabisi, siç tha Europol-i, u kontrabandua në Bashkimin Evropian nga dhe përmes Shqipërisë, Tajlandës dhe Shteteve të Bashkuara. Prania e kanabisit, shpjegon Gjorgjeviq, tregon se grupet kriminale të Ballkanit nuk specializohen vetëm në kokainë.
“Ato tashmë po veprojnë në mënyrë oportuniste dhe po hyjnë në tregje të tjera, ku ofrojnë një kanal të sigurt dhe fitime të mira”, shton ai.
Rreth 100 oficerë policie morën pjesë në operacionin e fundit dhe, përveç institucioneve gjermane dhe malazeze, mbështetje dhanë edhe Austria, Spanja dhe Europol-i. Pas arrestimeve në Mal të Zi dhe në Gjermani, Zyra e Prokurorit të Lartë të Shtetit në Podgoricë ngriti aktakuzë kundër dhjetë personave.
Padia penale i ngarkon të dyshuarit me shitje, transportim dhe ndërmjetësim të përsëritur në shitjen e drogave narkotike – kokainë dhe kanabis – ndërsa një grup prej katër të dyshuarve akuzohet edhe për veprën penale të organizimit kriminal.
“Një i dyshuar urdhëroi dhe organizoi transportin detar ose ajror të ngarkesave me sasi të mëdha drogash narkotike – kokainë, kanabis dhe hashash – në Podgoricë, Gjermani, Bolivi, Tajlandë, Belgjikë dhe Republikën Dominikane”, deklaroi Zyra e Prokurorit.
Europol-i tha gjithashtu se grupi ka përdorur edhe trafikun ajror, përveç rrugëve detare. Gjorgjeviq thotë se kjo tregon se këto rrjete po i përshtatin vazhdimisht metodat e tyre dhe po kërkojnë kanale të reja për kontrabandë.
“Përdorimi i trafikut ajror, duke përfshirë korrierët dhe aviacionin e përgjithshëm, shkakton shqetësim prej kohësh, por shkalla e tij ende nuk është e qartë plotësisht”, thotë Gjorgjeviq.
Përveç metodave të reja të transportit, grupet po i ndryshojnë edhe rrugët.
Kështu, një hulumtim i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, vitin e kaluar, tregoi se grupet e krimit të organizuar, anëtarët e të cilëve kanë origjinë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përdorin një rrugë të re për të kontrabanduar kokainë nga Amerika Latine në Evropë, përmes vendeve të Afrikës Perëndimore. Mali i Zi është strehë e dy klaneve kriminale, Kavaç dhe Shkalar, të cilat janë në konflikt që nga viti 2014, kur disa qindra kilogramë kokainë u zhdukën në Valencia.
Më shumë se 70 persona janë vrarë në konfliktet e tyre deri më tani.
Vitin e kaluar, ky vend u rendit i dhjeti në Evropë në Indeksin Global të Krimit të Organizuar.
Përveç tij, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina janë gjithashtu në dhjetë vendet e para.
Indeksi Global i Krimit të Organizuar vlerëson nivelin e krimit dhe rezistencën ndaj krimit të organizuar në 193 vende të botës.
Lajme
Javën e ardhshme ulen çmimet e derivateve
Javën që vjen pritet ulje e vogël e çmimeve të derivative pasi në bursat botërore, një fuçi naftë është ulur për 3 dollarë, përkatësisht shënon 99,25 dollarë për fuçi. Përskaj kësaj siç pohoi kryeministri Hristijan Mickoski, Qeveria është në bisedime me furnizuesin e derivateve OKTA, që përskaj lirimit aktual të naftës për dy denarë, të ketë lirim shtesë periudhën që vijon. Sipas Mickoskit, Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë çmimet më të ulëta të derivateve në rajon por ndoshta edhe në Evropë.
Pres sipas analizave të bursave si lëvizin nga java e kaluar, të kemi ulje të çmimit të dizelit dhe benzinës javën e ardhshme sepse në Qeveri këtë e analizojmë dhe e ndjekim. Por këtë do ta thotë Komisioni Rregullator për Energjetikë. Negociojmë me furnizuesin më të madh për derivate OKTA për një lirim shtesë, me çka do të jemi shtet me çmim më të ulët të derivateve në rajon por ndoshta edhe në Evropë.” Tha Hristijan Mickoski – Kryeministër
Ulja e çmimeve të derivateve mund të vijë edhe nga vendimi i djeshëm i anëtarëve të G7 të cilët vendosën të hapin rezervat e tyre të derivateve, përkatësisht 100 milion fuçi nafte. Kjo sipas presidentit francez Emanuel Makron, do të ndihmojë zbutjen e rritjes së çmimeve. Gjithashtu anëtaret e G7tës, janë pajtuar se nuk do të kufizojnë apo ndalojnë eksportimin e naftës mes vete. Megjithatë sipas ekspertëve, kjo paraqet një zgjidhje të përkohshme dhe nuk e zgjidhë problemin në periudhë afatgjate.
Ndonëse jemi në prag të sezonit të ngrohjes, kryeministri njoftoi se shteti është i përgatitur edhe përskaj krizës energjetike që ka kapluar kryesisht Evropën.
Ne absolutisht mund të them se jemi të përgatitur. Termo blloqet në Manastir dhe Kërçovë po përfundojnë me rinovime apo do të përfundojnë deri në fund të muajit. Po përgatiten të gjitha resurset që TEC Oslomej dhe Manastir t’i përgjigjen sfidave. Hidro potenciali është diku 40% që paraqet mjaftueshëm për këtë periudhë të vitit.” Deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Mickoski gjithashtu theksoi se rishkimi i paralajmëruar i buxhetit do të ndodh nga mesi i muajit tetor./Alsat.mk
Lajme
Eli Fara më në fund del me reagimin e saj publik: Do vazhdoj me kokën lartë!
Këngëtarja e njohur Eli Fara ka reaguar këtë të shtunë pas publikimit të videove intime me kompozitorin Adrian Hila në rrjetet sociale, të cilat kanë qarkulluar ditët e fundit.
Në një reagim në rrjetin social Instagram, këngëtarja shprehet se është e lënduar, duke theksuar se nuk ka arsye të turpërohet. Ndërkohë, thekson se turpi u përket atyre që kanë filmuar ato video.
Sakaq, ajo ka theksuar se këtë rast do t’ia lërë në dorë drejtësisë.
Kam kaluar një jetë në skenë, duke ndarë me publikun këngën dhe dashurine për artin. Sot po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me giykime e fyerje që prekin edhe familjen time.
Në këtë shoqëri, grave u kërkohet shpesh të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre. U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim. Sot po e përjetoj vet sa e rëndë është të shohësh jetën tënde private te kthyer në spektakël dhe te ndiesh se, për disa njerëz, çdo gjë që ke ndërtuar vlen më pak se një moment intim.
Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem. Turpi u përket atyre që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një njeriu. Intimiteti i një gruaje nuk është leje për ta poshtëruar.
Të qenit artiste nuk ma heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet. Këtë të drejtë e ka çdo grua, pavarësisht emrit, profesionit apo zgjedhjeve të saj. Këtë çështje do t’ia lë në dorë drejtësisë. Nga
publiku kërkoj njerëzillëk dhe ndalimin e shpërndarjes. Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që lëndoni.
Falënderoj nga zemra familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që me kanë mbështetur, publikisht apo privatisht. Dashuria dhe mirëkuptimi juaj me japin force.
Do të marr kohën që më duhet dhe do të vazhdoj përpara, me dinjitet dhe me kokën lart.
Lajme
Miliarderi rus financoi dasmën e Trump Jr./ Kush është Umar Kremlev dhe lidhjet e tij me Putinin
Umar Kremlev, 43 vjeç, një figurë e fuqishme e botës së boksit në Rusi dhe president i Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA), është vënë në qendër të vëmendjes pas zbulimit se financoi një pjesë të festimeve të dasmës së Donald Trump Jr. në Bahamas.
Sipas një hetimi të ProPublica, Kremlev pagoi qindra mijëra dollarë për shpenzimet e dasmës, përfshirë marrjen me qira të një ishulli privat për disa net dhe një spektakël fishekzjarrësh. Çifti Trump Jr. dhe Bettina Trump e kanë konfirmuar se Kremlev organizoi dhe financoi dy net festimesh pas ceremonisë së martesës, duke e cilësuar pagesën si një dhuratë martese nga një mik.
Kremlev, i cili më parë njihej si Umar Lutfuloev, u rrit në Serpukhov, në jug të Moskës. Ai iu drejtua boksit që në moshë të re, por e ndërpreu karrierën sportive në moshën 19-vjeçare. Sipas burimeve të cituara në materialin investigativ, më pas ai u përfshi në organizimin e ndeshjeve të boksit.
Karriera e tij mori një kthesë të rëndësishme pas afrimit me rrethin e pushtetit në Rusi. Ai u bë pjesë e komunitetit të motoçiklistëve “Ujqërit e Natës”, të drejtuar nga Alexander Zaldostanov, i njohur si “Kirurgu”, i cili ka marrëdhënie të afërta me Vladimir Putinin.
Në vitin 2017, Kremlev mori drejtimin e Federatës Ruse të Boksit, ndërsa në vitin 2020 u zgjodh president i atëhershëm i Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit Amator, AIBA, e cila më vonë u riemërtua IBA.
Nën drejtimin e tij, IBA forcoi marrëdhëniet me Gazprom-in, gjigantin shtetëror rus të energjisë. Organizata më pas u përplas me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, i cili në vitin 2023 i hoqi IBA-s statusin e federatës ndërkombëtare të njohur për boksin olimpik.
Kremlev ka qenë gjithashtu një figurë e zëshme në debatet rreth boksit të femrave. Gjatë Lojërave Olimpike të Parisit 2024, ai kritikoi vendimin e IOC për të lejuar Imane Khelif të garonte në kategorinë e femrave dhe i dërgoi një letër presidentit amerikan Donald Trump për këtë çështje.
Marrëdhënia mes Kremlev dhe Donald Trump Jr. u bë publike edhe përmes aktiviteteve të IBA-s. Të dy u shfaqën së bashku në një aktivitet në Stamboll, ku Kremlev e prezantoi Trump Jr. si mikun e tij. Sipas deklaratës së zëdhënësit të Trump Jr., ata u njohën përmes një miku të përbashkët dhe u afruan për shkak të interesit të përbashkët për gjuetinë, boksin dhe aktivitetet në natyrë.
Zbulimi se Kremlev kishte financuar një pjesë të konsiderueshme të festimeve të dasmës shkaktoi edhe një hetim në Kongresin amerikan. Robert Garcia, demokrati kryesor në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, kërkoi të dhëna mbi marrëdhënien financiare dhe komunikimet mes Trump Jr. dhe Kremlev.
Donald Trump Jr. dhe bashkëshortja e tij e kanë mbrojtur marrëdhënien me Kremlev, duke thënë se pagesat ishin një dhuratë bujare nga një mik dhe se miqësia nuk kishte motiv politik. Zyra e Kremlev ka deklaruar gjithashtu se marrëdhënia mes dy burrave është miqësore dhe se ata janë takuar për herë të parë disa vite më parë.
Ndërkohë, vetë Donald Trump ka deklaruar se nuk e njeh Kremlevin dhe se nuk kishte dëgjuar më parë për të. Hetimi i ProPublica ka ngritur pyetje mbi natyrën e marrëdhënies mes Kremlev dhe Trump Jr., ndërsa vetë palët e përfshira e përshkruajnë atë si një marrëdhënie personale dhe miqësore.
-
Lajme10 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
