Lajme
Qeveria realizoi vetëm 18% të premtimeve në dy vitet e para
Vetëm 18 përqind e premtimeve të Qeverisë janë realizuar plotësisht gjatë dy viteve të para të mandatit, ndërsa gati 40 përqind nuk kanë shënuar asnjë përparim. Kjo është një nga gjetjet kryesore të raportit “Kompasi i Premtimeve të Qeverisë”, i përgatitur nga Finance Think në bashkëpunim me Forumin Rinor Arsimor dhe Lidhjen e Mjekëve të Maqedonisë. Raporti evidenton dallime të konsiderueshme mes sektorëve, me arsimin në krye për nga realizimi i premtimeve, ndërsa politikat sociale, barazia gjinore dhe disa objektiva ekonomike vazhdojnë të mbeten larg përmbushjes, shkruan Portalb.mk.
Bllagica Petreska nga Finance Think, gjatë prezantimit të hulumtimit “Kompasi i Premtimeve” sqaroi se hulumtimi ka përfshirë periudhën 2024–2028. Siç tha ajo, pas dy vitesh qeverisjeje, gjysma e premtimeve kanë shënuar përparim, por vetëm disa prej tyre janë realizuar. Konkretisht, vetëm 18 përqind e premtimeve janë realizuar, 30 përqind janë në proces realizimi, 39 përqind nuk tregojnë përparim, gjashtë përqind lëvizin plotësisht në drejtim të kundërt, ndërsa për shtatë përqind nuk ka të dhëna.
“Por nga një pasqyrë e tillë vërehen dallime drastike mes sektorëve. Sektori i arsimit udhëheq për nga realizimi i premtimeve. Treguesit makroekonomikë premtojnë një pamje të kënaqshme, shëndetësia dhe politikat për të rinjtë kanë përparim të moderuar, ndërsa politikat sociale dhe politikat për barazi gjinore nuk kanë asnjë realizim të premtimeve. Në premtimet socioekonomike ka pasur 44 premtime dhe 36 përqind e tyre kanë trajektore pozitive, ndërsa vetëm 11 përqind janë realizuar plotësisht. Ndërkaq, 47 përqind nuk janë realizuar aspak dhe 16 përqind lëvizin në drejtim të kundërt. Vlen të theksohet se ka pasur edhe rritje të inflacionit”, tha Petreska.
Siç u shpreh ajo, në këto dy vite ka pasur rënie të papunësisë dhe janë krijuar vende të reja pune. Ajo shtoi se kjo dinamikë, në dy vitet e ardhshme, duhet të forcohet që të kemi ulje edhe më të madhe të papunësisë.
“Përkujdesja sociale është një ndër sektorët më të rrezikuar. Në pjesën e sistemit pensional, rritja e pensioneve ishte një nga premtimet e realizuara që nga viti i parë i qeverisjes. Por premtimet më të rrezikuara janë ato që po lëvizin në drejtim të kundërt dhe për të cilat kemi identifikuar rrezik që të mos realizohen. Ato janë inflacioni, ekonomia gri dhe investimet e huaja. Megjithatë, që të realizohen të gjitha premtimet deri në fund të mandatit do të jetë e vështirë. Hulumtimi ka ardhur në përfundim se jo gjithmonë ajo që Qeveria premton është prioritet edhe për qytetarët”, tha në fund Petreska.
Doktor Kiril Soleski nga Lidhja e Mjekëve të Maqedonisë tha se ata kanë ndjekur sektorin e shëndetësisë sa u përket premtimeve të Qeverisë. Ai tha se Qeveria ka realizuar vetëm 13 përqind të premtimeve në sektorin e shëndetësisë, ndërsa 16 përqind janë në proces realizimi. Ndërsa numri më i madh i tyre, 71 përqind, nuk janë realizuar dhe as nuk kanë filluar ende.
“Ajo që është vërejtur është një rritje e lehtë e buxhetit të ndarë për shëndetësinë. Rezultatet më të mira janë arritur në përmirësimin e shërbimeve. Këtu mund të përmendim rritjen e kapitacionit për mjekët amë, heqjen e drejtorëve ekonomikë në institucionet shëndetësore, zgjerimin e listës pozitive të barnave dhe zvogëlimin e çmimit të disa barnave”, tha Soleski.
Ai shtoi se viti i kaluar është shfrytëzuar mjaftueshëm për të përmirësuar shërbimet shëndetësore dhe sistemet organizative në sistemin shëndetësor.
Nga ana tjetër, kryetari i Forumit Rinor Arsimor (FRA), Risto Saveski, foli për reformat dhe politikat rinore të Qeverisë. Ai tha se koalicioni qeverisës ka pasur 31 premtime në sektorin e të rinjve, prej të cilave, pas dy vitesh qeverisjeje, vetëm katër premtime, apo 17 përqind, janë realizuar, ndërsa pesë janë në proces realizimi dhe 22 nuk janë realizuar aspak.
“Gjatë këtij viti janë realizuar vetëm dy premtime shtesë nga ana e Qeverisë sa i përket sektorit të të rinjve. Një prej tyre është ndarja e vauçerëve me vlerë prej 250 eurosh për pajisje elektronike për studentët dhe operacionalizimi i projektit ‘Blej shtëpi’ për të rinjtë. Realizimi i këtyre premtimeve është me rëndësi, pasi ato janë çështje kyçe për të rinjtë”, u shpreh Saveski.
Ai shtoi se Qeveria duhet të fokusohet edhe te premtimet për rritjen e aftësive të të rinjve në fushën e IT-së, të cilat i ka premtuar, por gjatë këtyre dy viteve nuk është realizuar asnjë trajnim. Saveski nënvizoi se këto janë disa nga faktet që tregojnë se jetojmë në një vend me ligje dhe strategji të mira, por ku mungon zbatimi i masave dhe premtimeve.
“Një nga shembujt më të mirë për këtë është premtimi i Qeverisë për hapjen e 42 qendrave rinore, por numri vazhdon të mbetet 14, aq sa ka qenë edhe më parë. Gjithashtu, nuk janë realizuar masat që lidhen me mundësinë që studentët të punojnë me orar të shkurtuar dhe të kryejnë praktikën mësimore në kuadër të institucioneve”, nënvizoi Saveski.
Ndërkohë, procesi i integrimit evropian i Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet i bllokuar, në vend nuk ka sinjale se do të miratohen ndryshimet kushtetuese të cilat janë kusht për hapjen e negociatave.
Raporti i detajuar gjendet KËTU.
Lajme
Netanyahu: Irani shënjestroi një nga djemtë e mi
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Irani është përpjekur të vrasë një nga djemtë e tij ndërsa informacioni për komplotin e dyshuar është mbajtur i fshehtë për disa muaj.
Netanyahu e bëri deklaratën gjatë një interviste telefonike me korrespondentin ushtarak të Channel 14, Noam Amir, duke e lidhur kërcënimin me nevojën për masa të vazhdueshme sigurie për familjen e tij.
“Irani shënjestroi një nga djemtë e mi. U përpoq të vriste një nga djemtë e mi. Kjo është arsyeja pse kjo siguri nuk është luks. Pa të, ata do të kenë sukses”, tha Netanyahu.
Kryeministri izraelit nuk bëri të ditur se cili prej dy djemve të tij, Yair apo Avner, ishte objektivi dhe nuk dha detaje mbi mënyrën apo kohën kur dyshohet se ka ndodhur komploti.
Netanyahu tha gjithashtu se kishte komunikuar me kreun e Shin Bet, David Zini, të cilit i kishte kërkuar që të sigurojë mbrojtjen e përshtatshme për çdo kandidat për postin e kryeministrit, veçanërisht në periudhën e fushatës zgjedhore.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa Netanyahu u bëri thirrje gjithashtu aktorëve politikë që të tregojnë përmbajtje gjatë fushatës.
Lajme
“Lotaria” / Prokuroria me 231 prova dhe 7 dëshmitarë kundër Grubit dhe 7 personave të tjerë
Me shoqërim policor, ish zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, nga paraburgimi u soll sot në Gjykatën Penale të Shkupit për seancën e parë gjyqësore lidhur me lëndën për shpërdorim e 8.2 milionë eurove në Lotarinë Shtetërore.
Grubi i shoqëruar nga dy avokatët, Goce Ristevski dhe Vlladimir Donevski u ul në bankën e të akuzuarit, ndërsa për veprën që i ngarkohet, Kodi Penal parashikon prej 1 deri në 5 vjet burg.
Krahas tij, sot në seancë janë paraqitur edhe 6 të akuzuar të tjerë. Në afërsi të tij, është ulur Metodija Dimovski, ish sekretar i Qeverisë, por edhe të akuzuarit Skender Memeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Bashkim Avdi dhe Aleksandar Dimitrieski. Mungoi vetëm ish drejtori i Lotarisë Përparim Bajrami, i cili është i akuzuar i parë në këtë lëndë, por që mbetet në arrati prej dhjetorit të vitit 2024.
Megjithatë seancë e sotme zgjati shkurt, meqë organi i akuzës nuk ua ka dorëzuar palëve provat. Për këtë, prokurorët e lëndës Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski kishin përgatitur tetë pako me prova, të cilat i morën avokatët e të akuzuarve. Siç shpjeguan prokurorët, ata posedojnë listë me 231 prova materiale, të cilat thanë se do t’i prezantojnë brenda një seance gjyqësore, ndërsa ato verbale, respektivisht dëshmitë e 7 dëshmitarëve për 2 deri në 3 seanca, ndonëse kjo nuk mund të përcaktohet pasi do të varet edhe nga numri i pyetjeve të kryqëzuara nga ana e avokatëve të mbrojtjes.
Meqenëse mbrojtja nuk ka pasur mundësi të përgatitet për shkak se nuk i ka pasur provat, gjykatësja e lëndës Biljana Shuplinovska – Jovevski u dha dy javë kohë, respektivisht caktoi seancën e radhës për më 7 shtator. Deri atëherë, avokatët duhet t’i studiojnë provat e Prokurorisë, të përgatisin mbrojtjen dhe të dorëzojnë listë të tyre me prova.
Njëkohësisht, gjyqtarja në pajtim me palët caktoi dinamikën e gjykimit për periudhën e ardhshme, e cila sipas terminëve do të jetë mjaftë e ngjeshur. Gjatë muajit shtator, do të mbahen 6 seanca gjyqësore, ndërsa 7 të tjera janë caktuar në tetor.
Sipas Prokurorisë, Artan Grubi dhe 7 persona të tjerë akuzohen se kanë “Keqpërdorur detyrën zyrtare” pasi kanë qenë pjesë e operacionit për furnizimin e VLT aparateve për lojëra elektronike të fatit, për nevojat e Lotarisë Shtetërore edhe pse të njëjtat asnjëherë nuk janë përdorur, pasi që Lotaria Shtetërore nuk ka të drejtë ligjore për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Prokuroria e zhvilloi hetimin për veprën penale “Mashtrim në shërbim” për të cilën parashihet dënim me burg prej 4 deri në 20 vjet burg, megjithatë propozim akuzën e dorëzoi për vepër tjetër penale që parashikon dënim më të butë, respektivisht prej 1 deri në 5 vjet burg. /Alsat.mk
Lajme
E dhimbshme: Ky është kosovari që vdiq në detin e Shëngjinit
Një 18-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën në zonën e Kunes, në Shëngjin, ndërsa burime të Klankosova.tv bëjnë të ditur se i riu është identifikuar si Shpëtim Syla.
I riu është gjetur pa shenja jete në ujë. Ende nuk janë të qarta rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse 18-vjeçari është mbytur gjatë qëndrimit në det apo ka pësuar arrest kardiak.
Trupi i pajetë është transportuar në morgun e Lezhës, ku pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Ekspertiza pritet të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të vdekjes./Klankosova.tv
-
Lajme9 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme9 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
