Connect with us

Lajme

Safet dhe Behar Bajri denoncojnë në SPAK Neomalësoren

Safet dhe Behar Bajri kanë depozituar në SPAK kallëzimin për Marjana Koçekun, “Neomalësoren”, pas deklaratave të kësaj të fundit. Ky kallëzim vjen pas deklaratave të saj për kërcënim, ku para pak ditësh bëri një postim në rrjete sociale, pas shkëputjes nga Partia Socialiste.

“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, thuhej në postimin e Koçekut.

“1. Më datë 17.06.2026, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Marjana Koçeku, ka publikuar në rrjete sociale (Facebook/Instagram), deklaratë e cila është riprodhuar gjerësisht në media, sa vijon: “Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën.”

2. Me këtë deklaratë publike, deputetja: (a) i drejton familjes Bajri një kërcënim të hapur për ta “shkatërruar”; dhe (b) lë të kuptohet/pretendon publikisht se familja Bajri ka kërcënuar familjen e saj. Pretendimi se familja Bajri e ka kërcënuar është i pavërtetë dhe i pambështetur në asnjë provë të paraqitur. Anëtarë të familjes ndodhen aktualisht të privuar nga liria (në burg), dhe nuk kanë pasur asnjë mundësi faktike për të kryer veprimet që u atribuohen.

3. Deputetja nuk i ka paraqitur provat e pretenduara pranë organeve kompetente, por ka zhvilluar akuza publike në media e rrjete sociale, duke i atribuar rrejshëm familjes një vepër penale (kanosje) dhe duke cenuar rëndë nderin e dinjitetin e saj.

4. Deklarata nuk i drejtohet një individi të caktuar, por familjes/fisit Bajri në tërësi. Akuza dhe kërcënimi publik shtrihen kështu mbi çdo anëtar të familjes, përfshirë persona që nuk janë palë në asnjë procedim, të afërm dhe fëmijë të mitur, duke cenuar nderin, dinjitetin dhe sigurinë e tyre, dhe duke paragjykuar edhe ata që mbrohen nga prezumimi i pafajësisë. Shtrirja kolektive e deklaratës, zotimi publik për ta “shkatërruar” familjen “sa ta kem jetën” dhe konteksti i mundshëm i gjakmarrjes, së bashku me faktin që deklarata vjen nga një person me autoritet publik dhe është përhapur gjerësisht, përbëjnë rrethana rënduese që shumëfishojnë dëmin dhe rrezikun ndaj familjes.

5. Kallëzuesi ngre dyshimin se këto deklarata mund të jenë bërë edhe për përfitim politik e publik, në kontekstin e zhvillimeve të fundit politike të deputetes; megjithatë, vlerësimi i motivit i mbetet hetimit.

II. CILËSIMI I MUNDSHËM JURIDIK

Faktet e mësipërme mund të përbëjnë:

6. “Shpifja” (neni 120/2 i Kodit Penal) — atribuim i rremë publik i një vepre penale (kanosje) ndaj familjes Bajri.
Elementi objektiv:

Deputetja ka deklaruar publikisht:

“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue…”

Kjo deklaratë, sipas kallëzuesit, përçon te publiku mesazhin se familja Bajri ka ndërmarrë ose po ndërmerr veprime kërcënuese ndaj familjes së deputetes.

Edhe pse nuk thuhet shprehimisht “familja Bajri më ka kërcënuar”, lidhja logjike që krijohet është se ekziston një rrezik që vjen prej tyre, aq sa deputetja ndien nevojën të paralajmërojë publikisht se do të reagojë ndaj tyre.
Për pasojë, publikut i paraqitet si fakt se familja Bajri është e përfshirë në sjellje kriminale ose intimidimi.
Pavërtetësia e faktit

Sipas pretendimit të kallëzuesit:
• nuk ekziston asnjë provë që familja Bajri ka kërcënuar deputeten ose familjen e saj;
• nuk ekziston asnjë procedim penal, vendim gjykate apo akt zyrtar që mbështet një pretendim të tillë;
• disa prej personave që identifikohen publikisht me familjen Bajri ndodhen të privuar nga liria dhe nuk kanë pasur mundësi faktike të kryejnë veprimet e nënkuptuara.

Në këto rrethana, deklarimi publik paraqitet si atribuim i një fakti të pavërtetë.
Cenimi i reputacionit:
Deklarata është bërë nga një deputete e Kuvendit dhe është shpërndarë gjerësisht në media kombëtare.

Për shkak të pozicionit publik të autores:
• deklarata ka pasur ndikim të gjerë;
• ka ekspozuar familjen Bajri para opinionit publik si burim kërcënimi dhe dhune;
• ka cenuar nderin, dinjitetin dhe reputacionin e anëtarëve të familjes.

Elementi subjektiv:

Autorja ka vepruar me dashje, pasi:
• ka identifikuar publikisht një familje të caktuar;
• ka zgjedhur të bëjë deklaratën në rrjete sociale;
• ka qenë e vetëdijshme për rezonancën publike që do të kishte deklarata e saj.

Prandaj mund të argumentohet se janë përmbushur elementet e veprës së shpifjes, paragrafi 2.
7. “Kanosja” (neni 84 i Kodit Penal) — vetë deklarata e deputetes përmban një kërcënim publik për ta “shkatërruar” familjen.
Elementi objektiv:

Në të njëjtën deklaratë deputetja shprehet:
“Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën.”
Ky nuk është thjesht një reagim emocional apo figurë retorike.

Deklarata:
• i drejtohet një subjekti konkret dhe të identifikueshëm (“Bajrajve të Shkodrës”);
• përmban premtimin e një veprimi të ardhshëm ndëshkues;
• përdor termin “ju shkatërrue”, i cili në gjuhën e zakonshme nënkupton shkaktimin e dëmit shumë serioz ndaj personit, familjes ose interesave të tij.

Krijimi i gjendjes së frikësimit:

Një familje e identifikuar në një deklaratë të tillë:
• është vendosur nën presion publik;
• është ekspozuar ndaj reagimeve të tretëve;
• është vënë përballë një paralajmërimi serioz për hakmarrje.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se deklarata nuk është bërë nga një person privat, por nga një figurë publike me autoritet institucional.
Intensiteti i kërcënimit:
• nuk është përdorur një shprehje e përgjithshme pakënaqësie;
• nuk është thënë “do të ndjek rrugën ligjore”;
• nuk është thënë “do të mbroj familjen time”;
por është përdorur shprehja:
“nuk kam me lanë pa ju shkatërrue sa ta kem jetën”,
e cila mund të interpretohet si paralajmërim për shkaktimin e një të keqeje serioze dhe të vazhdueshme.

Cilësimi përfundimtar i mbetet organit procedues. Rrezikshmëria e veçantë e kësaj akuze publike: duke e shpallur publikisht familjen Bajri si burimin e kërcënimit ndaj familjes së saj, e paditura ka krijuar një paragjykim publik që ia paracakton kësaj familjeje rolin e autorit për çdo dëm të mundshëm që mund t’i vijë familjes së deputetes në të ardhmen.

Kjo, së pari, orienton paraprakisht organet e ndjekjes penale që, për çdo ngjarje të mundshme ndaj familjes së deputetes, dyshimi të bjerë automatikisht mbi familjen Bajri, pavarësisht autorit real.

Së dyti, dhe më e rëndë, krijon një “fajtor të gatshëm” që mund të shfrytëzohet nga persona të cilët realisht janë në konflikt me fisin Bajri. Të tillë persona, duke ditur se përgjegjësia do t’i atribuohej paraprakisht Bajrajve për shkak të deklaratës publike të deputetes, mund të dëmtojnë qëllimisht familjarë të saj pikërisht për t’ia ngarkuar fajin familjes Bajri dhe për ta vënë atë në shënjestër të ndjekjes penale për një vepër që nuk e ka kryer.

Në këtë mënyrë, akuza e rreme nuk cenon vetëm nderin, por rrit në mënyrë konkrete dhe të parashikueshme rrezikun që familja Bajri të akuzohet e të ndiqet padrejtësisht për vepra që nuk i ka kryer.

III. MBI IMUNITETIN DHE PRECEDENTIN GJYQËSOR

Imuniteti i nenit 73 të Kushtetutës mbron mendimet e shprehura në ushtrim të funksionit parlamentar (p.sh. nga foltorja e Kuvendit). Deklarata është bërë në rrjete sociale, jashtë ushtrimit të funksionit, ndaj nuk përfshihet në mbrojtjen e imunitetit.
Statusi i deputetit nuk e përjashton përgjegjësinë penale për akuza publike të rreme. Në çështjen e njohur publikisht si “Babale”, ish-deputeti Ervin Salianji nuk paraqiti një kallëzim formal te organet, por publikoi materiale me të cilat i atribuonte vëllait të ish-ministrit të Brendshëm kryerjen e një vepre penale (trafik droge); procedimi penal u regjistrua mbi kallëzimin e të dëmtuarit.

Gjykata e rrëzoi mbrojtjen e tij se nuk kishte bërë “kallëzim” dhe se vepronte në kuadër të lirisë së shprehjes politike, dhe e shpalli fajtor për “kallëzim të rremë”, duke e dënuar me 1 vit burg (Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendimi nr. 2900, datë 18.12.2019; lënë në fuqi nga Apeli më 26.09.2024; Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin më 11.03.2025). Sipas nenit 71 të Kushtetutës, dënimi me vendim të formës së prerë sjell mbarimin e mandatit të deputetit. Ky precedent tregon se: (i) publikimi i një akuze të rreme, edhe pa denoncim formal te organet, mjafton për këtë vepër; (ii) çështja mund të nisë me kallëzimin e të dëmtuarit; dhe (iii) liria e shprehjes politike e deputetit nuk është mburojë ndaj përgjegjësisë penale.
Ky precedent tregon se liria e shprehjes politike e një deputeti nuk është mburojë ndaj përgjegjësisë penale për akuza publike të rreme.

IV. PROVAT DHE RRETHANAT MBËSHTETËSE
I. Pamja e postimit në rrjete sociale, me datën e orën — të ruajtura.
II. Publikimet e medias që riprodhojnë deklaratën (lista e linkeve dhe e kanaleve).
III. Vendimet e masave të sigurimit “arrest në burg” për anëtarët e familjes Bajri — që provojnë privimin nga liria dhe pamundësinë faktike për të kryer veprimet e pretenduara.
IV. Deklarata publike e përfaqësuesit ligjor të familjes Bajri (Av. Sokol Tahiraj) që i ka kundërshtuar pretendimet dhe ka kërkuar paraqitjen e provave pranë institucioneve.

V. KËRKESA
Për sa më sipër, i kërkoj Prokurorisë:
I. Të regjistrojë këtë kallëzim dhe të fillojë procedimin penal;
II. Të hetojë vërtetësinë e deklaratave dhe përgjegjësinë penale të deputetes Marjana Koçeku si dhe arsyet se përse ajo e ka bërë një deklaratë të tillë dhe cilët persona e kanë shtyrë;
III. Të sigurojë dhe ruajë menjëherë postimin origjinal në rrjete sociale dhe të dhënat e tij teknike, përpara fshirjes;
IV. Të administrojë provat e sipërpërmendura dhe të më njoftojë për veprimet e kryera, sipas të drejtave të kallëzuesit.

Kallëzuesit: Mbrojtës:
BEHAR BRAJOVIQ Av.Sokol Tahiraj
SAFET RUSTEMI”, thuhet në njoftim.

Lajme

Lazim Destani feston ditëlindjen, urimi i të birit Blerim emocionon ndjekësit

“Urime ditëlindjen, babë i dashur!” – mesazhi i aktorit të njohur për të atin

Sot është një ditë e veçantë për familjen Destani. Biznesmeni dhe filantropi i njohur shqiptar, Lazim Destani, feston ditëlindjen, ndërsa në këtë ditë të veçantë nuk ka munguar urimi i të birit, aktorit me famë ndërkombëtare, Blerim Destani.

Me një mesazh të shkurtër, por plot dashuri e emocion, Blerimi ka zgjedhur rrjetet sociale për t’ia uruar ditëlindjen të atit.

“Urime ditëlindjen, babë i dashur!”, ka shkruar aktori, duke e shoqëruar urimin me një fotografi të ngrohtë përkrah të atit.

Një urim i thjeshtë në fjalë, por që përcjell shumë për marrëdhënien e veçantë mes babait dhe të birit.

Lazim Destani prej vitesh është një nga emrat e njohur të diasporës shqiptare, i vlerësuar për aktivitetin e tij në biznes, por edhe për kontributin në iniciativa humanitare, sociale dhe në mbështetje të komunitetit shqiptar.

Continue Reading

Lajme

Vrasja në Ksamil, gjykata lë në burg Sokrat Vatën: Çfarë u vendos për të arrestuarit e tjerë

Gjykata e Sarandës ka caktuar masat e sigurisë për personat e arrestuar pas ngjarjes së rëndë në Ksamil, ku humbi jetën një turist portugez.

Për autorin e dyshuar të vrasjes, Sokrat Vatën është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Po ashtu me masën e arrestit me burg janë lënë edhe dy shtetasit turq, Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu.

Për Ildi Cekanin dhe Ardit Kasemin është caktuar arresti në burg për një afat 45-ditor.
Ndërkohë, për Luciano Seferin, Moisi Matushajn, Romeo Shehun dhe Kristo Koshon është vendosur masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Continue Reading

Lajme

VANDALIZËM NË MALIN SHARR: Dëmtohen shtyllat që orientonin alpinistët

Shtyllat e shenjëzimit dimëror për orientim të vizitorëve në Malin Sharr janë dëmtuar. Këta shtylla janë vendosur në shtegun nga Kodra e Diellit deri tek Maja e Titos. Sipas kryetarit të Komunës së Bogovinës Feti Abazi, mbi 45 nga 112 shtyllat e vendosura janë dëmtuar, shkatërruar ose larguar. “Ky është një dëm i madh për një projekt të realizuar me mbështetjen e Ambasadave të Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë, me pjesëmarrjen e vullnetarëve dhe bizneseve lokale nga Komuna e Bogovinës dhe Tetovës. Turizmi malor është një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e Komunës së Bogovinës. Prandaj, çdo akt vandalizmi dëmton jo vetëm një investim, por edhe përpjekjet tona për ta zhvilluar dhe promovuar Malin Sharr si destinacion turistik”, shkruan në reagimin e tij kryetari i Komunës së Bogovinës Feti Abazi.

Ka reaguar edhe Ambasada e Austrisë. Nga Ambasada theksojnë se dëmi nuk është vetëm financiar, pasi shkatërrimi i shënjimeve mund të rrezikojë drejtpërdrejt sigurinë e alpinistëve, veçanërisht gjatë kushteve të vështira dimërore me borë, mjegull, erëra të forta dhe dukshmëri të reduktuar. Ambasada pret që institucionet kompetente të zbardhin të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave përgjegjës. “Shënjimi i shtigjeve malore nuk është vetëm një shtyllë apo një shenjë. Në kushte me borë, mjegull dhe stuhi, ai mund të bëjë dallimin ndërmjet kthimit të sigurt dhe humbjes në mal”, thuhet në reagim.

Shënjimi i kësaj traseje, e gjatë rreth 11 kilometra, u vendos nga nëntori i vitit 2025 deri në fund të korrikut 2026, me pjesëmarrjen e më shumë se 25 vullnetarëve, të cilët investuan një angazhim të konsiderueshëm dhe orë pune në transportin dhe vendosjen e pajisjeve. Nga Parku Kombëtar “Mali Sharr” thonë se në kushtet e dimrit, shenjëzimi veror mbulohet nga bora, ndërsa në pjesë të caktuara shtegu dimëror devijon qëllimisht nga ai veror për shkak të rrezikut nga ortekët dhe rreziqeve të tjera. “Shtyllat janë të prodhuara për kushte të vështira malore dhe janë të shënuara me shenja shumë të dukshme me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë, në mënyrë që të jenë të dallueshme edhe në borë, mjegull, gjatë natës dhe në kushte me dukshmëri të reduktuar. Kjo nuk është vetëm dëm material. Çdo shtyllë e hequr ose e shkatërruar nënkupton edhe humbjen e një pike orientimi, e cila në kushte të vështira dimërore mund të jetë vendimtare për sigurinë e alpinistëve”, thonë nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”. Rasti është raportuar në Stacionin Policor. Më 19 gusht 2026, një ekip profesional i policisë, në prani të përfaqësuesve të Parkut Kombëtar Mali Sharr, ka kryer inspektim në terren dhe ka dokumentuar lokacionet ku është konstatuar dëmtimi dhe largimi i pajisjeve.

Shoqatat malore theksojnë se ky nuk është vetëm dëm material. “Pas pajisjeve të shkatërruara qëndron diçka shumë më e rëndësishme, pra mundi i njerëzve që punuan që Mali Sharr të jetë më i sigurt dhe më mirë i përgatitur për alpinistët dhe vizitorë”, thuhet mes tjerash në reagimin e shoqatave malore. (koha.mk)

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme21 minutes ago

Lazim Destani feston ditëlindjen, urimi i të birit Blerim emocionon ndjekësit

“Urime ditëlindjen, babë i dashur!” – mesazhi i aktorit të njohur për të atin Sot është një ditë e veçantë...

Lajme9 hours ago

Vrasja në Ksamil, gjykata lë në burg Sokrat Vatën: Çfarë u vendos për të arrestuarit e tjerë

Gjykata e Sarandës ka caktuar masat e sigurisë për personat e arrestuar pas ngjarjes së rëndë në Ksamil, ku humbi...

Lajme9 hours ago

VANDALIZËM NË MALIN SHARR: Dëmtohen shtyllat që orientonin alpinistët

Shtyllat e shenjëzimit dimëror për orientim të vizitorëve në Malin Sharr janë dëmtuar. Këta shtylla janë vendosur në shtegun nga...

Lajme9 hours ago

Zjarr i madh nga Serbia i afrohet Likovës dhe Kumanovës

Bëhet fjalë për një zjarr shumë të rrezikshëm me intensitet të jashtëzakonshëm – paralajmëron zëvendësdrejtori i NP „Pyjet Kombëtare“, i...

Lajme9 hours ago

Plazhet në Strugë prej 10 vitesh pa koncesion, komuna humb të paktën 500 mijë euro

Plazhet në bregun e Liqenit të Strugës prej rreth dhjetë vitesh funksionojnë pa koncesione, ndërsa Komuna e Strugës humb të...

Lajme10 hours ago

Maqedonisë i del tymi, 10 zjarre janë ende aktive

Qendra për Menaxhimin e Krisave informon se sot deri në orën 13:00 janë regjistruar gjithsej 13 zjarre në hapësirë të...

Lajme10 hours ago

Të shtëna me armë në Haraçinë, plagosen dy persona në një veturë “Skoda”

Sot, më 23 gusht 2026, në orën 05:45, në SPB Shkup është raportuar se në rrugën “18” në fshatin Haraçinë...

Lajme10 hours ago

JD Vance e pranon: Lufta me Iranin në një fazë të re, nisim presionin ekonomik

Zv.presidenti amerikan, JD Vance tha në një intervistë së fundmi, se konflikti mes SHBA dhe Iranit, ka hyrë tashmë në...

Lajme2 days ago

600 mijë euro për morgun ortodoks në Kumanovë, ndërsa varrezat muslimane mbeten në mëshirë të fatit

Përgatiti: Anila Pajaziti Kumanova është përfshirë nga një debat i nxehtë pas vendimit të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve për...

Lajme2 days ago

VLEN: Viti i ri shkollor me më shumë lehtësi për nxënësit, më pak shpenzime për prindërit

Fillimi i vitit shkollor sjell gëzim për fëmijët, por edhe shpenzime të shumta për prindërit. Pikërisht për t’ua lehtësuar këtë...

Trending