Lajme
Rrethrrotullimi pritet t’i japë fund ngarkesës në hyrje të Sarajit
Ngarkesa e madhe e trafikut në hyrje të Sarajit për të cilën vite me radhë banorët ankohen, pritet të adresohet me ndërtimin e një rrethrrotullimi, një ure të re dhe një bulevardi. Për këtë projekt janë paraparë rreth 7 milionë euro, ndërsa pritet të fillojë procedura e prokurimit publik. Nga Qyteti i Shkupit thonë se gjatë realizimit të projektit mund të ketë edhe rrënim ose dislokim të disa objekteve që ndodhen në trasenë e planifikuar, shkruan Portalb.mk.
Banorët kërkojnë rrethrrotullim
Rrethrrotullimi në Saraj është i nevojshëm për shkak të ngarkesës së madhe në trafik, thonë banorët e kësaj zone.
Sipas tyre, mungesa e një lidhjeje direkte drejt Kondovës i detyron shoferët të bëjnë rrugë shtesë, ndërsa në këtë pjesë krijohen edhe tollovi të mëdha.
“Meqë ka njoftim se do të ndërtohet, banorët këtu nuk janë kundër që të ndërtohet, sepse ka nevojë këtu për një rrethrrotullim, për shkak se këtu ka shumë tollovi”, na tha një banor i Sarajit.
Sipas tij, problemi është veçanërisht i theksuar për shoferët që udhëtojnë në drejtim të Kondovës, të cilët duhet të përshkojnë rreth dy kilometra shtesë për t’u kyçur në këtë vendbanim.
“Këtu ka problem me trafikun. Ai që duhet të shkojë nga Saraji në Kondovë, duhet të lëvizë një kilometër më poshtë, që të sillet edhe një kilometër për t’u kyçur në Kondovë. Edhe ata që janë në Gjorçe ose Kondovë, të cilët duan të shkojnë në qytet, nuk kanë të drejtë këtu. E shfrytëzojnë rrugën tjetër, ‘4 Korriku’, dhe qytetarët janë të rrezikuar në trafik të madh. Me rrethrrotullimin, varet se ku do të ndërtohet, duhet të zgjidhet edhe ai problem”, u shpreh banori.
Autoritetet paralajmëruan zgjidhje
Nga Qyteti i Shkupit bëjnë të ditur se në trasenë e planifikuar të projektit janë evidentuar objekte dhe prona ekzistuese. Për përcaktimin e saktë të pronësisë dhe gjendjes së tyre është porositur elaborat gjeodezik.
“Në trasenë e ndërhyrjeve të planifikuara infrastrukturore janë evidentuar objekte dhe prona që përfshihen në projekt. Për këtë qëllim, Qyteti i Shkupit tashmë ka porositur përgatitjen e një elaborati gjeodezik, me të cilin do të përcaktohen saktësisht struktura e pronësisë dhe gjendja e objekteve dhe pronave”, thonë nga Qyteti i Shkupit për Portalb.mk.
Nga atje shtojnë se, “në rast se konstatohet se objekte ose prona të caktuara ndodhen në trasenë e projektit dhe janë të domosdoshme për realizimin e tij, ato mund të rrënohen ose dislokohen, në përputhje me procedurën ligjore për shpronësim”.
Sa i përket afateve, nga Qyteti i Shkupit theksojnë se procedura e prokurimit publik, përfshirë nënshkrimin e kontratës, pritet të përfundojë brenda 60 ditëve, nëse nuk paraqiten rrethana shtesë. Afati i ndërtimit do të përcaktohet me kontratën me kompaninë e përzgjedhur. Projekti përfshin edhe rregullimin e shtratit të lumit Vardar.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, e ka vlerësuar projektin si të rëndësishëm për banorët, duke thënë se ai do të zgjidhë një problem të kahmotshëm infrastrukturor.
“Ky projekt është shumë domethënës për komunën tonë dhe vetë banorët e komunës. Zgjidhet një problem i kahmotshëm i Komunës së Sarajit, ku do të lidhet Komuna e Sarajit me dy pjesët e saj, Dërvenin dhe pjesën e Kondovës”, ka deklaruar Elmazi.
Sipas Elmazit, rrethrrotullimi është faza e parë e projektit, ndërsa në fazën e dytë parashihet edhe lidhja me Kondovën. Ai tha se për projektin janë paraparë rreth 420 milionë denarë, apo 7 milionë euro.

Premtime të vjetra për rrethrrotullimin në Saraj
Rrethrrotullimi në Saraj nuk është projekt i ri, pasi është premtuar disa herë ndër vite.

Në vitin 2017, ish-kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, e kishte përfshirë në programin e tij zgjedhor, si pjesë të projektit për “Portën Perëndimore të Shkupit”.
Katër vjet më vonë, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2021, edhe Danella Arsovska premtoi ndërtimin e një rrethrrotullimi të ri në hyrje të Sarajit.
Të dyja këto premtime mbetën pa u realizuar gjatë mandateve përkatëse, ndërsa tani projekti rikthehet në agjendë, kësaj here i zgjeruar me urën e re dhe bulevardin.
Lajme
Lirohen çmimet e derivateve të naftës
Çmimet me pakicë të derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut do të ulen mesatarisht për 2,43 për qind, sipas vendimit të ri të Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Sipas vendimit, benzina EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 do të lirohen për 2 denarë për litër. Kështu, çmimi i ri i benzinës BS-95 do të jetë 84 denarë për litër, ndërsa ai i BS-98 do të jetë 86 denarë.
Edhe nafta do të ketë çmim më të ulët. EURODIESEL (D-E V) do të lirohet për 2,5 denarë për litër dhe do të kushtojë 92 denarë.
Ndërkohë, vaji ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) do të ulet për 3 denarë për litër, duke arritur çmimin prej 100,50 denarësh.
Çmimi i mazutit M-1 NS do të ulet për 0,998 denarë për kilogram dhe do të jetë 48,314 denarë.
Lajme
Kondova paguan, por mbetet në terr! Banorët kërkojnë llogari nga Komuna e Gjorçe Petrovit
Banorët e fshatit Kondovë i janë drejtuar zyrtarisht Komunës së Gjorçe Petrovit dhe kryetarit Aleksandar Stojkoski, me kërkesë për vendosjen e ndriçimit publik në hyrje të fshatit, në pjesën që bie nën kompetencat e kësaj komune.
Sipas kërkesës së banorëve, kjo pjesë e rrugës prej një kohe të gjatë mbetet pa ndriçim publik, duke krijuar vështirësi dhe rrezik për këmbësorët, banorët dhe pjesëmarrësit në komunikacion, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës.
Banorët theksojnë se, pavarësisht mungesës së këtij shërbimi, ata paguajnë rregullisht taksën për ndriçim publik, duke kërkuar që Komuna të sqarojë pse ky shërbim nuk ofrohet në zonën e tyre.
Në kërkesën drejtuar autoriteteve komunale, banorët kërkojnë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë etnike, duke shprehur shqetësimin se mungesa e investimeve dhe shërbimeve publike në këtë pjesë të Kondovës mund të krijojë ndjenjën e trajtimit të pabarabartë.
Përmes kësaj kërkese, ata kërkojnë shqyrtimin urgjent të gjendjes në terren, ndërmarrjen e masave konkrete për vendosjen dhe funksionalizimin e ndriçimit publik, si dhe një përgjigje zyrtare lidhur me arsyet e mungesës së këtij shërbimi dhe afatin kohor për zgjidhjen e problemit.
Banorët presin që Komuna e Gjorçe Petrovit ta shqyrtojë kërkesën dhe të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Ndriçimi publik nuk është privilegj, por një shërbim bazë komunal që duhet t’u sigurohet të gjithë qytetarëve, pa përjashtim”, thuhet në kërkesën e banorëve të Kondovës.
Lajme
Tetova bëhet gati për festat e fundvitit, ja cilat hapësira do të zbukurohen!
Komuna e Tetovës ka planifikuar një sërë aktivitetesh për zbukurimin e qytetit në prag të festave të fundvitit, me synimin që hapësirat publike të marrin një pamje festive dhe të krijojnë një atmosferë të veçantë për qytetarët dhe vizitorët.
Sipas burimeve brenda Komunës së Tetovës, zbukurimet do të përfshijnë Sheshin e Qytetit, Bulevardin “Boris Kidriç”, rrethrrotullimet kryesore, si dhe shtyllat elektrike përgjatë akseve kryesore të qytetit.
Përmes këtij angazhimi, synohet që Tetova të marrë një pamje më të bukur dhe festive, duke sjellë më shumë gjallëri në hapësirat publike gjatë periudhës së festave të fundvitit.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle3 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme12 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 month agoÇmimi i naftës shënon rënie
