Lajme
Konjufca pas vendimit në Hagë: Gjykim i tmerrshëm për Kosovën, dëm i madh për shtetin
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Konjufca ishte i pranishëm në Dhomat e Specializuara gjatë shpalljes së vendimit.
Duke dalë nga objekti i gjykatës, Konjufca e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të pamerituar.
“Gjykim i tmerrshëm për Kosovën, për luftën tonë çlirimtare. Kosova e ka përjetuar vetë luftën, e dimë çka është lufta e UÇK-së dhe ne e dimë që nuk ka pas far mekanizmi kriminal për me cenu asnjë popullatë. Është vendim i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka thënë se vendimi, sipas tij, do të ketë pasoja të mëdha për narracionin e Kosovës dhe shtetin e saj.
“Vërtet është diçka për të cilën do të jetë dëm shumë i madh, edhe për narracionin tonë, edhe për shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.
Konjufca ka kritikuar gjithashtu faktin që, sipas tij, aktakuza është mbështetur edhe në materiale të ardhura nga Serbia, duke e vënë në pikëpyetje drejtësinë e vendimit.
“Kur po më kujtohet që aktakuzën e kanë pas Serbi, që janë dënuar 15 vjet në mungesë e kjo gjykatë kinse në emër të popullit me këto dënime drakonike”, ka deklaruar Konjufca.
Aktgjykimi i shpallur sot dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.
Lajme
Lazim Destani pas vendimit të Gjykatës Speciale: Kosova ka nevojë urgjente për bashkim, t’i lëmë mënjanë përplasjet politike
Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, filantropi i njohur Lazim Destani ka bërë një reagim publik, duke shprehur zhgënjimin e tij të thellë dhe njëkohësisht duke dhënë një mesazh të fuqishëm uniteti për politikën dhe shoqërinë në Kosovë.
Më poshtë gjeni reagimin dhe thirrjen e tij të plotë:
Sot jam thellësisht i zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.
Është e vështirë të përshkruhet me fjalë ndjenja që kemi në një ditë si kjo. Emri i UÇK-së është i lidhur me një periudhë vendimtare të historisë së Kosovës, me luftën për liri, me sakrificën dhe me shpresën që një ditë fëmijët tanë të rriteshin të lirë në vendin e tyre.
Besojmë dhe shpresojmë se në procesin e apelit çdo fakt, argument dhe rrethanë do të shqyrtohet me drejtësi dhe përgjegjësi të plotë.
Sot dua të bëj një apel që shkon përtej çdo partie dhe çdo dallimi politik.
Kosova sot ka nevojë për bashkim.
U bëj thirrje të gjitha forcave politike që, të paktën në momente të këtilla, t’i lënë mënjanë përplasjet dhe interesat partiake dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për çështjet që prekin vendin.
Dhe kur është në pyetje Kosova, duhet të dimë të qëndrojmë bashkë.
Lajme
Ali Ahmeti pas aktgjykimit në Hagë: Vendim i padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ahmeti e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka bërë thirrje për maturi e unitet.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në reagimin e tij, Ahmeti e ka cilësuar aktgjykimin si “të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes”, duke theksuar se në këto momente duhet të ruhet qetësia dhe uniteti.
“Vendimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është një vendim që e konsideroj të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka bërë thirrje që zhvillimet e fundit të mos shndërrohen në burim tensionesh apo përçarjesh.
“Në këto momente të rënda, bëj thirrje për maturi dhe unitet. Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë”, ka deklaruar lideri i BDI-së.
Ahmeti në reagimin e tij është ndalur edhe te roli i UÇK-së dhe qëllimi i luftës së saj.
“UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës”, ka theksuar ai.
Sipas Ahmetit, pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, të cilat për vite me radhë ishin lidhur me UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u shndërruan në akuza në procesin gjyqësor në Hagë.
“Pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, që rënduan për vite mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u shndërruan në akuza në këtë proces”, ka shkruar Ahmeti.
Lajme
Kasami: Keqardhje për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e vërteta historike e luftës çlirimtare nuk rishkruhet
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka shprehur keqardhje të thellë për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Përmes një reagimi, Kasami ka deklaruar se vendimi është i rëndë për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, të cilët, sipas tij, kanë dhënë kontribut në luftën për çlirimin e Kosovës dhe vazhdojnë të jenë larg familjeve të tyre.
“Ky aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Kasami.
Ai e ka cilësuar luftën çlirimtare në Kosovë si “pjesën më të lavdishme të historisë sonë kombëtare”, ndërsa ka shprehur pritjen që vendimi të rishqyrtohet në Apel.
“Presim që Apeli ta rishqyrtojë dhe ta rrëzojë këtë vendim”, ka theksuar Kasami.
Në reagimin e tij, bashkëkryetari i VLEN-it ka shprehur solidaritet me familjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, me bashkëluftëtarët e tyre dhe me të gjithë ata që, siç thotë ai, e përjetojnë këtë ditë me dhimbje.
“Historia e Kosovës është histori e një populli që luftoi për liri. Dhe kjo histori nuk rishkruhet”, përfundon Kasami.
Gjykata Speciale në Hagë shpalli sot aktgjykimin në shkallë të parë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, ku të gjithë së bashku u dënuan me 81 vite burgim në një proces që kishte nisur në prill të vitit 2023.
-
Lajme10 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
