Sport
Nuk është shqiptar, por hyri me flamurin kuqezi për nder dhe respekt ndaj trajnerit të tij Rinor Ramizi, Mirhad Babic shpallet kampion bote me nokaut
Në natën më të rëndësishme të karrierës së tij, Mirhad Babic dha një mesazh që shkoi përtej kufijve të sportit. Ndonëse nuk është shqiptar, luftëtari 40-vjeçar hyri në arenë duke mbajtur, krahas flamurit boshnjak, edhe flamurin kuqezi, në shenjë nderimi dhe respekti ndaj trajnerit të tij shqiptar, Rinor Ramizi, me origjinë nga Gjilani i Kosovës. Një gjest i veçantë që dëshmoi se respekti dhe besnikëria nuk njohin kufij kombëtarë.
Por Babic nuk u mjaftua vetëm me këtë moment emocionues. Përballë tajlandezit Jakkapat Makkhaloed, një luftëtar me 120 ndeshje profesioniste, ai dominoi që nga sekondat e para dhe e përfundoi përballjen me një nokaut spektakolar në raundin e parë. Një goditje e pastër me gjurin e majtë në mëlçi i dha fund ndeshjes dhe e kurorëzoi Mirhad Babic kampion bote në K1, duke shpërblyer katër muaj përgatitjesh intensive nën drejtimin e Rinor Ramizit.

Dominim dhe nokaut në raundin e parë
Më 31 tetor 2026, në eventin Fightnight Wil, të zhvilluar në Bronschhofen të Zvicrës, Babic ushtroi presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit tajlandez që nga fillimi i përballjes.
Pas tri goditjeve me gju në trup, një goditje e katërt, e pastër me gjurin e majtë drejtpërdrejt në mëlçi, e rrëzoi përfundimisht Jakkapat Makkhaloed.
Nokaut në raundin e parë dhe titulli i kampionit të botës në K1, në federatën WKU, për Mirhad Babic!
Pas këtij triumfi qëndrojnë katër muaj përgatitjesh, përgjegjësie dhe besimi të ndërsjellë mes luftëtarit dhe trajnerit të tij. Në një intervistë pas ndeshjes, Rinor Ramizi dhe Mirhad Babic rrëfejnë momentet që publiku nuk pati mundësi t’i shihte në ring.
Sport
Rinor Ramizi: Ndeshjet fitohen gjatë përgatitjeve, në ring shkon vetëm për të korrur atë që ke mbjellë
Rinor, pas katër muajsh përgatitjesh intensive, çfarë ndjeve në momentin kur kundërshtari ra në dysheme dhe Mirhadi u shpall kampion bote?
„Të jem plotësisht i sinqertë? Në momentin e parë ndjeva një gëzim të jashtëzakonshëm. Por vetëm pak sekonda më vonë, dëshiroja që kundërshtari të ngrihej edhe një herë.
Doja që Mirhadi të kishte mundësinë të tregonte edhe më shumë nga ajo që kishim përgatitur gjatë këtyre katër muajve. Madje, do të kisha dashur ta shihja duke realizuar edhe një goditje spektakolare me gju në kërcim drejt kokës.
Nuk ishte se fitorja nuk më mjaftonte, por e dija sa shumë kishte ende për të treguar Mirhadi.“
Mirhad Babic hyri në ring jo vetëm me flamurin boshnjak, por edhe me flamurin shqiptar, në shenjë respekti ndaj teje dhe popullit shqiptar. Çfarë domethënie kishte ky gjest për ty?
„Me këtë gjest, Mirhadi më nderoi jashtëzakonisht shumë, jo vetëm mua personalisht, por edhe gjithë popullin shqiptar.
Në sportet luftarake, hyrja në ring është një moment shumë personal për çdo luftëtar. Është momenti i tij, ku ai përfaqëson identitetin, prejardhjen dhe gjithçka për të cilën lufton. Fakti që Mirhadi vendosi ta ndajë këtë moment edhe me mua dhe me flamurin tim kombëtar, ka një vlerë të veçantë për mua.
Ai më kishte treguar para ndeshjes për dëshirën e tij. Unë i thashë se nuk kishte asnjë detyrim ta bënte këtë dhe se nuk ishte diçka që e prisja prej tij. Por ai këmbënguli, sepse ishte dëshira e tij personale.
Pikërisht kjo e bën gjestin edhe më domethënës. Ishte një shprehje e sinqertë respekti dhe nderimi, të cilën nuk do ta harroj.“
Katër muaj përgatitje intensive, përgjegjësi e madhe dhe një kundërshtar me 120 ndeshje profesioniste. A pate ndonjëherë dyshime se mund ta fitonit këtë titull botëror?
„Dyshimi ndoshta nuk është fjala e duhur. Si trajner, mbi supet e mia mbaj një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Jo vetëm për luftëtarin tim, por edhe për klubin, ekipin dhe të gjithë njerëzit që qëndrojnë pas nesh dhe besojnë tek ne.
Natyrisht që mendon edhe për skenarët negativë, për gjithçka që mund të shkojë keq. Por pikërisht këtu fillon roli im i vërtetë si trajner.
Duhet të njohësh në detaje pikat e forta dhe dobësitë e luftëtarit tënd, të punosh mbi to dhe njëkohësisht të analizosh kundërshtarin për të ndërtuar strategjinë e duhur.
Sa më shumë punon, analizon dhe përgatitesh, aq më pak hapësirë mbetet për pasiguri. Kështu i largon dyshimet, jo me fjalë, por me punë dhe përgatitje.
Dhe mund të them se sa më shumë i afroheshim mbrëmjes së ndeshjes, aq më i bindur bëhesha se titullin botëror do ta fitonim ne.“
Mirhad është 40 vjeç, ka kaluar disa operacione, vite larg ringut dhe shumë vështirësi. Çfarë të ka impresionuar më së shumti tek ai gjatë këtyre katër muajve përgatitje?
„Unë dhe Mirhadi i përkasim ende shkollës së vjetër. Ne e dimë shumë mirë se ndeshjet fitohen gjatë përgatitjeve. Në ring shkon vetëm për të korrur atë që ke mbjellë.
Ajo që më ka impresionuar më së shumti tek ai ka qenë disiplina dhe ambicia e tij e jashtëzakonshme.
Në moshën 40-vjeçare, pas kaq shumë vitesh pauzë, operacionesh dhe pengesash, të rikthehesh dhe të përballosh fizikisht një përgatitje të këtij niveli nuk është aspak e zakonshme.
Ai nuk kërkoi rrugë të shkurtra dhe as trajtim të veçantë për shkak të moshës. E pranoi punën që duhej bërë dhe e realizoi me përkushtim.
Për mua, kjo është ajo që e dallon një luftëtar të vërtetë. Jo vetëm ajo që tregon në ring para publikut, por mbi të gjitha ajo që është i gatshëm të bëjë kur askush nuk e sheh.“
Mirhad Babic: „Nuk e zgjodha rastësisht Rinor Ramizin për ndeshjen time të fundit.“
Mirhad, në moshën 40-vjeçare, pas disa operacioneve dhe një pauze të gjatë nga garat, e përmbylle karrierën me një nokaut spektakolar në raundin e parë dhe me titullin e kampionit të botës. Çfarë ndjeve në momentin kur kuptove se ia kishe arritur qëllimit?
„Të jem i sinqertë, në momentin e parë isha në gjendje shoku. Në të njëjtën kohë, ndjeva një gëzim të jashtëzakonshëm që është vështirë të përshkruhet me fjalë.“
Përveç flamurit boshnjak, gjatë hyrjes në ring mbajte edhe flamurin shqiptar, në shenjë respekti ndaj trajnerit tënd Rinor Ramizi dhe popullit shqiptar. Çfarë të shtyu ta bëje këtë gjest të veçantë?
„Para së gjithash, ishte një shenjë mirënjohjeje dhe respekti ndaj trajnerit tim Rinor Ramizi dhe bashkëkombësve të tij.
Një nga gjërat më të bukura të jetës në Zvicër është se rritemi së bashku me njerëz nga kombe dhe kultura të ndryshme.
Edhe unë jam rritur mes shqiptarëve dhe kam krijuar miqësi të forta me ta. Kam shumë dashuri për miqtë e mi shqiptarë.
Prandaj, mbajtja e flamurit kuqezi në atë natë të veçantë ishte një gjest që më erdhi natyrshëm dhe nga zemra.“
Çfarë e bën Rinor Ramizin një trajner të veçantë dhe sa ndikoi ai në përgatitjen tënde dhe fitimin e titullit botëror?
„Për mua, Rinor Ramizi është një trajner i nivelit shumë të lartë. Nuk e zgjodha rastësisht për ndeshjen time të fundit. E zgjodha sepse doja të përgatitesha në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të arrija objektivin tim: ta përfundoja karrierën si kampion bote.
Përgatitjet shkuan jashtëzakonisht mirë. Rinori më hartoi një plan të strukturuar, të ndarë në faza të ndryshme, të cilin e ndoqa me përpikëri dhe e zbatova deri në detajin e fundit.
Ajo që admiroj veçanërisht tek ai janë njohuritë e tij taktike dhe aftësia për të analizuar kundërshtarin. Ai arriti t’i nxirrte edhe një herë në pah pikat e mia më të forta, t’i zhvillonte dhe t’i përsoste ato.
Kjo u pa qartë edhe gjatë ndeshjes. Goditjen me gju në mëlçi, me të cilën fitova titullin botëror, e kishim ushtruar me Rinorin me mijëra herë. E përsëritëm dhe e përsosëm derisa ekzekutimi ishte pikërisht ashtu siç ai e kishte planifikuar dhe kërkuar.
Prandaj mund të them me bindje se Rinor Ramizi ka një meritë jashtëzakonisht të madhe në këtë sukses dhe në realizimin e ëndrrës sime për ta përfunduar karrierën si kampion bote.“
Mirhad, tashmë e ke arritur qëllimin tënd të madh dhe po e përfundon karrierën si kampion bote. Çfarë këshille do t’u jepje luftëtarëve të rinj që ëndërrojnë të arrijnë një sukses të tillë?
„Vendosni qëllime të qarta dhe punoni fort për t’i arritur ato. Besojini trajnerit tuaj dhe mos u dorëzoni kurrë.
Jini aktivë, punoni vazhdimisht për t’u përmirësuar dhe besoni në aftësitë tuaja.
Por mos e ngatërroni vetëbesimin me mendjemadhësinë. Qëndroni gjithmonë me këmbë në tokë dhe, mbi të gjitha, bëjeni këtë sport me pasion dhe kënaqësi. Sepse duhet ta doni vërtet atë që bëni.“
Kur kthen kokën pas në të gjithë karrierën tënde, si dëshiron të të kujtojnë njerëzit, si luftëtar dhe si njeri?
„Dëshiroj që njerëzit të më kujtojnë si një luftëtar me zemër të madhe.
Në ring, dua të mbahem mend për zemrën time luftarake, për shpirtin e fortë, për stilin tim eksploziv dhe goditjet e fuqishme, por gjithmonë duke treguar respekt ndaj kundërshtarit.
Jashtë ringut, dua që kjo zemër e madhe të ketë një kuptim tjetër. Dua të më kujtojnë si një njeri që i do dhe i respekton njerëzit, që është bujar, zemërmirë dhe që i pret të tjerët gjithmonë me ngrohtësi e dashuri të sinqertë.
Për mua, këto dy anë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Mund të jesh një luftëtar i ashpër dhe i pamëshirshëm në ring, por njëkohësisht një njeri me zemër të butë dhe plot dashuri jashtë tij.“
Një titull botëror dhe një mesazh që shkon përtej ringut
Me këtë triumf, Mirhad Babic nuk e përmbylli vetëm karrierën e tij sportive me titullin e kampionit të botës. Ai la pas edhe një mesazh që shkon përtej ringut.
Një luftëtar me prejardhje boshnjake dhe çeçene, i cili në natën më të rëndësishme të karrierës së tij mbajti me krenari edhe flamurin shqiptar për të nderuar trajnerin e tij nga Gjilani, Rinor Ramizi.
Një histori ku disiplina, puna e palodhur dhe besimi i ndërsjellë u shpërblyen me suksesin më të madh sportiv, ndërsa respekti mes dy njerëzve dëshmoi se sporti mund të bashkojë kombe, kultura dhe zemra.
Për Mirhad Babic, kjo ishte ndeshja e fundit e karrierës. Për Rinor Ramizin dhe klubin Bloodsport Bodensee, një arritje e rëndësishme ndërkombëtare.
Njëri largohet nga ringut si kampion bote. Tjetri vazhdon rrugëtimin e tij si trajner, me një tjetër titull të madh në historinë e ekipit.
Një nokaut. Një titull botëror. Dy flamuj. Një histori respekti që do të mbetet.
Sport
Kampioni Altin Zogaj rikthehet në ring, më 27 nëntor do ta shkung ringun në Gjermani

Zogaj do të rikthehet më 27 nëntor 2026, në Europa-Park Arena në Rust të Gjermanisë, në një ngjarje të organizuar nga Ringside ZONE, të cilin boksieri e cilëson si promotorin më të madh në Gjermani.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Zogaj ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer edhe më i fortë, më i motivuar dhe i uritur për fitore, duke paralajmëruar se pauza tashmë i përket së kaluarës.

“Pas 10 muajsh pauzë, jam gati të rikthehem në ring!”, ka shkruar Zogaj, duke e shoqëruar njoftimin edhe me mesazhin në gjuhën gjermane.
Rikthimi i 27 nëntorit pritet të jetë një moment i rëndësishëm për karrierën e boksierit shqiptar, i cili synon të dëshmojë se është gati për sfida të reja dhe për të vazhduar rrugëtimin e tij në boksin profesionist.

Sport
Ronaldo pensionohet nga kombëtarja e Portugalisë
Ylli i futbollit botëror dhe kapiteni legjendar i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ka vendosur përfundimisht t’i japë fund rrugëtimit të tij me kombëtaren.
Njoftimi ka ardhur përmes një postimi zyrtar në rrjetet e tij sociale, ku sulmuesi i Al Nassr ka konfirmuar tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar.
“Ishte një vendim i vështirë, por në momentin e duhur”, është shprehur shkurtimisht ylli portugez në mesazhin e tij.
Vendimi i 5-herë fituesit të Topit të Artë prihshëm vjen edhe si rrjedhojë e tensioneve dhe problemeve që pati muajin e kaluar me trajnerin Jorge Jesus, duke përshpejtuar kështu vendimin për t’u larguar nga përfaqësuesja.
Ronaldo e mbyll kështu kapitullin më të lavdishëm në historinë e përfaqësueses portugeze, me të cilën fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2016 dhe Ligën e Kombeve.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme4 weeks agoÇmimi i naftës shënon rënie
